1 Prilli – IN RILINDJE VERITAS!

IN RILINDJE VERITAS! #1April
IN RILINDJE VERITAS! #1April

Një engramë blasfemike

Veritas nunquam perit (E vërteta nuk humbet asnjëherë)- Seneca

Ja ku erdhi dhe Dita të dashur miq… Ajo Ditë e cila njihet mirë nga çdo shqiptar/e përgjatë çdo dite të vitit… kur veshët  e qytetarëve dhunohen nga bombardimi masiv mediatik që lëshohet nga tytat e politikanëve tanë të (ç)dashur. Por sot është ndryshe… SOT është dita jonë… Sot është dita e vetme vjetore ku luksi i gënjeshtrës kalon në gojën e qytetarëve. SOT RILINDIN TË GJITHA GJUHËT SHQIPTARE… dhe këtu përfshihen dhe llapat socialiste!

POR besoj ka një problem… Truri ynë është kaq i atrofizuar nga dhuna verbale e përditshme, sa ka humbur edhe aftësinë bazike për të prodhuar vetë qoftë dhe një gënjeshtër, aq sa për të përkedhelur sadopak kapitalin e indinjatës shpirtërore. Për këtë arsye, po shpalos më poshtë listën që vetë ne, Rilindja, ka trumbetuar në krye të mandatit të saj.

Sakrilegjet e Rilindjes në emër të së Majtës

Krijuam 300.000 vënde pune! Detyrimisht papunësia është pothuajse nocion në zhdukje! (ndjesë sektorit ekonomik të të papunësuarve!)

Tatim progresiv i barabartë: 15% si për biznesin e vogël ashtu dhe për të madhin! (socialist në palcë: barra e taksës padyshim që shpërndahet po njësoj: si Davidi, qe ashtu dhe Goliati!)

Do mbrohet prona publike! (duke e privatizuar!)

Neutralizuam borxhin e qeverisë së kaluar! (duke i marrë një borxh tjetër FMN-së!)

Ulëm borxhin publik! (dhe jo vetëm, shtuam edhe kostot e mbajtjes së administratës publike duke ia varur shpenzimet e mirëmbajtjes kompanive të huaja!)

Aplikuam modelin “majtist” (neoliberal-ultra djathtiste) të PPP (Partneritetit Publik-Privat) në mënyrë errozive në terrenin ekonomik duke ngrohur klimën mikro dhe makroekonomike! (duke krjuar kaos dhe ftohur investitorët potencial të huaj!)

Shtetëzuam dhe ridhamë me konçesion të gjithë firmat funksionale shtetërorë për të hequr kostot e menaxhimit! (Skemë e majtë, nuk mendoni dhe ju?)

Mjeku falas për të gjithë! Spitale të modernizuara dhe ilaçe të inspektuara e monitoruara! (patjetër, veçse askujt s’ia mban b**ha të shkojë në shtet të vizitohet, ndërsa data e skadencave nëpër farmacitë private është bërë legjend urbane!)

Subvencionuam bujkun për naftën, rrjetin e irrigacionit, si dhe shpërndamë ndihmat ndaj dëmeve të fatkeqësive natyrore! (duke ruajtur trendin e pol-position të Shqipërisë për nga shtrenjtësia e naftës pavarësisht vetëprodhimit të saj, dhe duke gjobitur gjithë sa filluan të restauronin banesat pas përmbytjeve, pa marrë leje më parë nga shteti!)

Ulëm çmimin e energjisë elektrike, dhe kostot e jetësës në banimet urbane! (Burgosëm ata të cilët nuk kishin mundësi financiare për të shlyer faturat, duke ia faturuar koston ditore 40$ të burgut pjesës tjetër të taksapaguesve!)

Ulëm varfërinë në vend! (duke favorizuar të pasurit!)

Aplikuam një sërë reformash (masash) të majta për të eliminuar skamjen ekonomike, rritur mirëqënien sociale, ulur korrupsionin, rritur efiçencën. (amo mo…!)

Arsimi falas për të gjithë! Fonde private për universitete publike! (çilizuam arsimin!)

Çdo të diplomuari në universitet i treguam rrugën drejt specializimit në një të mesme profesionale! (sepse kjo është kërkesa e tregut!)

Rritëm investimet publike në arsim! (duke ulur %PBB dedikuar arsimit dhe duke rritur tarifat e ulur kuotat e pranimit nëpër universitete!)

Instaluam sistemin meritokratik në administratën shtetërore e publike, si dhe bëmë transparent kodin e proçedurave burokratike nëpër institucionet e shtetit! (no comment!)

Filluam valën e spastrimit të ndërtesave pa leje, çrrënjosjen e ndërtimeve në zona të gjelbra dhe nisëm ndërtimin e kampeve sportive dhe argëtuese për të gjitha moshat! (vetëm kaloni nga ish-Parku i Liqenit Artificial në Tiranë… hidhini një sy krahasues hartës në Google Maps sot e në 2007, pamja vlen sa 1000-fjalë!)

Hodhëm në erë me tritol disa godina shumëkatëshe që iu zinin sytë studentëve (Gjuhët e Huaja, UT, Ekonomiku etj.) duke i dëmshpërblyer pronarët me fonde publike! (me këtë i hapëm rrugën lulëzimit të shumëkatëshave të tjerë privatë edhe më të lartë se të parët!)

Fëmija juaj sot në Tiranë po rritet në një qytet ekologjikisht të pastër, plot qëndra argëtimi dhe zhvillimi kulturor! (me një infrastrukturë që po zbatohet sipas një plani urbanistik amorf e me perspektivë deri pasnesër, me kënde lojrash të betonizuara për të zbutur rënien e lirë mbi sipërfaqe, duke pasuruar ajrin me lëndë jetëshkurtuese!)

Shqipëria po Rilind! Ne po rilindim dita-ditës duke pasur gjithmonë e më pak! E majta shqiptare ka rilindur tashmë si e djathtë e re! Gjelbërimi po rilind nëpërmjet Betonizimit! Varfëria po rilind duke u pasuruar më tepër me skamje! Ti që po më lexon po rilind si rilindas i vërtetë! Rroftë puna jonë kolosale dhe e gjithë atyre socialistëve të ndershëm që kanë punuar për këtë ditë!

IN RILINDJE VERITAS! #rilindje

Epigram

“Njeriu është më së paku vetvetja kur fillon të flasë në emër të vet. Jepi një maskë, dhe ai do fillojë t’ju tregojë të vërtetën.”- Oscar Wilde

~Përsa fola më sipër, kisha veshur maskën rilindase.

-###-

Tags from the story
, ,
More from Edi Sara

Një foto mbi Tiranën, vlen sa 1000 fjalë të kryebashkiakut!

Prolog Fotografi zgjodhi momentin e përshtatshëm për të rrëmbyer pamjen “mahnitëse” të...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *