(8)DHJE/Torizimi i Opozitës: Metamorfoza e idealit nga Europa (‘90) tek Bunkeri (‘15)

DHJE-Torizimimi i PD-se
DHJE-Torizimimi i PD-se

25-vjet më parë gjëmoi thirrja: E duam Shqipërinë si gjithë Europa!

Data 8 Dhjetor është kthyer në një ditë përkujtimore në nderim të studentëve të Universitetit të Tiranës (UT), të cilët dolën dimrit të 1990 për të themeluar Partinë Demokratike shqiptare dhe për t’i dhënë fund sistemit njëpartiak të komunizmit. Protesta e athershme solli bashkimin e qytetarëve në rrethet kryesore me zërin e studentëve, dhe si pasojë intensifkikoi valën e protestave të cilat kulmuan me rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës në 20 shkurt të vitit 1991. Ngjarjet që vijuan dëshmuan qartë se nëse nuk do ishte vullneti i brendshëm politik i establishmentit të atëhershëm të PPSH-së, (re)evolucioni do të ishte bërë i përgjakshëm e jo paqësor si në ndonjë vend tjetër të ish-bllokut socialist lindor. Shqipëria u transformua në Republikë Parlamentare, me sistem demokratik pluralist dhe ekonomi tregu të hapur.

25- vjet më pas gjëmon thirrja: Hajde prishim bunkerin!

Nuk dua të zgjatem më tej me pjesën historike të kësaj date duke pasur parasysh materialin e pasur që na dhuroi në këtë datë selia blu në Tiranë.

Njerëz të dëshpëruar, të frustruar, mëndje-lavazhuar, manipuluar e tjetërsuar, mashtruar e premtuar, zbritën nga autobuzët, gomat e të cilëve dëshmonin qartë lartësinë dhe ashpërsinë e relievit nga kishin zbarkuar, e u derdhën si mizëri drejt “rally-point” të markuar që më parë nga selia blu: Para Kryeministrisë. Por për çfarë?! Askush prej protestueve nuk ishte i qartë në vetvete pse kish ardhun, dhe nuk kish si të ish protestuesi kur vetë folësit e PD-së nuk ishin të kjartë vetë se për çfarë kishin dalë për të protestuar. Dishepujt e vetëshpallur të dhjetoristave të ‘90s ishin shumë larg idealit të të parëve tyre.

PD- Protesta: Një analizë e shkurtër e kuadrit organizativ

Në një tentative dëshpëruese për të afirmuar veten si fanari i opozitës së sotme në arenën politike kombëtare, PD vendosi të zhvillojë një protestë “paqësore” kundër rritjes së taksave, energjisë elektrike, papunësisë, korrupsionit evaziv, reformës klienteliste në arsim etj. Mirëpo ajo shprehja se “ku nisi, e ku bitisi”, duhej të ishte vënë si sllogan para podiumit blu në vend të shiritit të verdhë: “Kundër tiranisë së krimit, korrupsionit dhe varfërisë.” Më poshtë nuk do ndalem veçan në emrat e përfaqësuesve të PD-së që folën në 8 Dhjetor, por do shpalos disa karakteristika që ishin emërues i përbashkët për ta.

I.   Së pari, çdo folës fliste duke lexuar. Çdo student i vitit të parë në komunikim politik, do i jepte notën 4 çdo folësi, pasi e para flisnin me kokën ulur dhe e ngrinin atë disa herë sa për të dhënë e marrë në mënyrë miopike përpara turmës e cila nga ana e saj, kish humbur çdo lloj kontakti me dëgjimin. E dyta, fillonin në një mënyrë kronike të shprehuri duke përmendur kryesisht rrethet e veriut të vendit, duke krijuar kështu një divergjencë të thellë në kuadrin social të pjesëmarrjes në protestë, si dhe duke iu dhënë karburant disa analistëve politik për të mbështetur argumentin e tyre të ndarjes së vendit dhe sferave partiake “veri vs. jug”. E treta dhe jo e fundit për nga rëndësia, secili nga folësit nuk ishte aspak i qartë ne mesazhin që donte t’i përcillte publikut. Në terminologjinë akademike të debateve, mund të themi se vihej re mungesa e theksuar e trinisë së shenjtë e argumentit të konsoliduar në një retorikë:

a)   mungonte totalisht pathos-i, ku duke filluar nga (pseudo)kryetari e më pas të tjerët me rradhë, nuk arritën për asnjë moment të elektrizonin turmën para tyre apo shfaqnin sadopak njëfarë emocioni me ato që flisnin (lexonin më saktë) e jo më ta induktonin këtë emocion tek publiku. Për më tepër, dukej qartë se mungonte motivimi për vetë organizuesit/bujtësit e protestës, si dhe tonaliteti i folësve gjatë këndimit të teksteve ngjasonte me një liturgji profane.

b)  mungonte disi ethos-i, pasi pavarësisht thirrjes që PD i kish bërë qytetarëve për të protestuar për arsyet e lartpërmendura, nga deklaratat e folësve dhe mënyra e të shprehurit shpeshherë jo etike kundrejt qeverisë, nuk e legjitimonte askënd nga PD duke filluar sërish nga (pseudo)kryetari i saj për të folur me integritet dhe kredenciale të forta para publikut.

c)   mungonte logos-i, ku për çdo akuzë të ngritur kundër qeverisë socialiste, folësit e PD-së harruan ta mbështesin me fakte, shifra ose deklarata kundërthënëse prej vetë qeveritarëve dhe premtimeve të tyre kur këta të fundit ishin në opozitë. Pavarësisht materialit plot të pasur për të folur rreth ngritjes së taksave ndaj bizneseve, gjobave dhe kamatave të panumërta, faturave pafund energjitike të vendosura pa bazë etj., folësit para podiumit blu mjaftoheshin “thjesht” duke i përmendur këto si fakte tashmë të mirëqëna, dhe nuk u përpoqën aspak t’i argumentonin ato.

II.  Së dyti, PD dëshmoi qartë se është një forcë politike e përçarë, pasi përveç mungesës së aleatëve të saj të zakonshëm, tregoi se është defragmentuar edhe së brendshmi kur figura të tilla si Ridvan Bode, Jozefina Topalli (pavarësisht vizitës së saj në Berlin), Eduard Selami, Majlinda Bregu etj. nuk u dukën në protestë. Përveç kësaj, defragmentarizimi i PD-së shkon edhe në kuadrin e pjesëmarrjes, ku tashmë populli duket i lodhur nga figurat e konsumuara politike që PD ofron si dhe shfaqet mosbesues për t’i besuar kur 2-mandatet blu janë ende të freskëta në memorien kombëtare. Duket sikur të vetmit pasues të PD-së janë personat të cilët vuajnë nga “sindroma e Stokholmit” edhe pas 8-viteve (për_)dhunimi me stil viçidolian.

III.  Së treti, për të forcuar më tej banalitetin e protestës, pas gjithë fjalimeve të redaktuara që lidershipi demokratik mbajti, në fund vendosi të manifestojë dhe një akt vandalizmi mesjetar. Vendimi për t’ju drejtuar bunkerit të ndërtuar nga paratë e taksapaguesve (përfshi ata në protestë), u morr për të plotësuar nevojën dëshpëruese të turmës për të shfryrë inatin, dufin, frustrimin nervor e seksual, testosteronet dhe plogëtinë, stresin, dëshirën për të demonstruar rezistencë kundër qeverisë (duke shkatrruar bunkerin- luftë me mullinjte e erës). Egërsia dhe brutaliteti i turmës që u derdh mbi bunkerin, zbutej nga mediokriteti dhe injoranca e demonstruesve në përpjekjen e tyre për ta shëmbur, e kjo u duk nëpërmjet skenave tragjikomedike që publiku vërejti nga ekrani i televizorit. Si përfundim, protesta zgjati 4-orë, ku gati 2-orët e fundit iu dedikuan shëmbjes së bunkerit, ndërsa 2-orët e para këndimit të stonuar dhe steril ndaj emocioneve të grykave që kërkonin të imponin vullnetin nëpërmjet çjerrjes.

Leksionet e pamësuara të PD-së

Që të jesh kryetar i një partie, duhet të jesh i gatshëm që gjithmonë t’i dalësh në mbrojtje kur e kritikojnë, të pranosh fajin kur të jepet rasti, dhe të mbrosh deputetet dhe deleguarit e tu. Kryetari vihet gjithmonë në vijën e parë të sulmit kundërshtar, pret zjarrin në ball të frontit dhe kundërpërgjigjet me t’u dhënë rasti i parë.

Ç’presin demokratët nga një (pseudo)kryetar që nuk kish guxim të rikandidonte për të mbajtur postin e bashkiakut, por delegoi dikë tjetër për t’u bërë pjesë e garës? Mesa duket (pseudo)kryetari ishte koshient (i ndërgjegjshëm) për “punën e tij të madhe” në Tiranë dhe “premtimet e mbajtura”. Një ish-ministër transportesh i implikuar me tendera dhe vjedhje masive fondesh përfshirë zgjatjen dhe grabitjen e “rrugës së kombit”, një ish-ministër i brendshëm të cilit i ngelën në dorë katër zarfe të zeza me siglën “21 Janari”, një ish-krye-bashkiak i cili mësyi Tiranën me premtime fantashkencore dhe e la në fund i njollosur si “Lulja në botën e çudirave”.

Historia botërorë jo më kot na mëson se pushteti nëse merret me mashtrim, lihet me turp ose përçmim.

Ç’pret (pseudo)kryetari nga ndjekësit dhe ithtarët e PD-së, kur këta në çdo protestë brohorasin emrin e (ish)kryterarit, të cilësuar tashmë edhe si “lideri historik i PD-së”. Për më tepër kur nuk arrin të mbajë të bashkuar rradhët e partisë dhe kur e sheh që nuk përkrahet, një kryetar i vërtetë jep dorëheqjen pa asnjë hezitim. Nëse (pseudo)kryetari beson dhe kërkon të mirën e PD-së, më e mira që ai mund të bëjë është të tërhiqet dhe të zhvillojë zgjedhje të reja për kryesine e partisë e cila po kthehet në sulltanizëm, nëse do përdornim topologjinë e sistemeve politike.

Pushteti nuk rrjedh nga gryka e ngjirur

Kryesia e PD-së, në këtë gjëndje të mjerueshme ku është katandisur sot, mund të marrë mesime për marrshime ose protesta më mirë nga tifo-grupet e të rinjve që mbështesin ekipet e tyre sportive në kampionatin shqiptar. Organizimi, imagjinata, mprehtësia e mesazheve dhe koreografive të Ultras-Guerrils apo Fanatics, janë shumë herë në nivele më të larta, dhe mund t’i japin leksione si dhe të drejtojnë protestën e ardhshme të PD-së.

La grande finale: DHJE-Torizimi i dt. 8

Bunkeri i rezistoi zjarrit dhe goditjeve duke i përmbushur të gjithë parametrat specifike për të cilin ishte ndërtuar. Dukej sikur në tymin e krijuar nga barku i bunkerit, u shfaq hija e “Udhëheqjes”, i cili me një buzëqeshje të cilës i përngjason edhe (pseudo)kryetari, dukej sikur iu thoshte dhunuesve: “Shok dhe shoqe, hajini m***!”

Në këtë mënyrë, protesta e PD-së, filloi me çjerrje zërri dhe hipokrizi anakronike historike, dhe përfundoi më vëmëndjen e drejtuar tek tymi, varetë, betoni dhe hekuri i bunkerit kokëfortë, që me vendosmëri i bëri ballë zjarrit e goditjeve. Një katrahurë e vërtet politike, një zullumi njerëzish fukarenj të ardhur kot e ndoshta më tepër për të vizituar Tiranën, një axhendë e shkërmoqur e pa ndonjë plan specifik nga kryesia e partisë, e cila u mbyll nën kushtrimin mediokër: “Hajde prishim bunkerin!”

***

Epilog:

[…] Ku e lam’ e ku na mbeti,

Vaj-vatani, e mjer mileti […]

-###-

Tags from the story
,
More from Edi Sara

Partizani-Tirana: Rikthehet Legjenda, rikthehet gjallëria

Rikthehet më në fund në fushën e blertë të ligës superiore shqiptare,...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *