9-Maj: Triumfi i Popujve Liridashës

Triumfi mbi Nazi-Fashizmin

Rusi- 69 Vjet më pas

Sot është 69-vjetori i çlirimit dhe mposhtjes së nazi-fashizmit, dhe njëkohësisht dita që u kthye në simbol i “Triumfit të Popujve Liridashës”, qofshin ata të vegjël apo të mëdhenj, të cilët vendosën për të luftuar e mos u dorëzuar para “Wehrmacht-it” gjerman apo “Regio Esercito-s” italian.

Një paradë ushtarake madhështore u mbajt në qytetet kryesore të Federatës Ruse, si Vladivostok, Shën Petersburg (Leningrad), Moskë, Vollgograd (Stalingrad) etj. dhe së fundmi edhe në Sevastopol, tashmë pjesë e Republikës Autonome të Krimesë e cila iu bashkua me referendum Federatës Ruse në muajin Mars të këtij viti.

9-Maj 1945, u nënshkrua akti i kapitullimit të ushtrisë gjermane para Komisionit Konsultativ Europian (KKE) i përbërë nga përfaqësia Sovjetike, Amerikane dhe Britanike, si dhe nën prezencen e Francës si dëshmitare por pa fuqi vendimarrëse.

Në fakt, ky akt u tentua të realizohet më 7-Maj në Reims të Francës nga pala gjermane, me shpresën për të mënjanuar “dorëzimin pa kushte” para Ushtrisë së Kuqe e cila tashmë kishte hyrë dhe luftonte në rrugët e Berlinit duke marrë revanshin dhe duke ua kthyer “borxhin” e Qershorit të ’41 gjermanëve.

Bashkimi Sovjetik sakrifikoi tej masë nga gjiri i popujve të tij, duke larë tokën me gjakun e 28-milion njerëzve të cilët ranë heroikisht fillimisht duke mbrojtur atdheun, e më pas duke ndjekur hap mbas hapi trupat naziste në tërheqjen e shpejtë të tyre pas thyerjes vendimtare që iu shkaktuan në Stalingrad (Gusht-Tetor 1943), duke kaluar kështu jashtë kufijve të B.R.S.S. e duke çliruar një e nga një të gjitha qytetet e Europës Lindore kudo ku hynin.

Prandaj sot Rusia, me të drejtë feston dhe përkujton sot këtë datë historikë para syve të ligështuar tashmë të veteranëve të Luftës së Dytë Botërore (L.II-B.), duke i nderuar e ngritur ata në piedestal, dhe duke u thurur lavde e kushtuar homazhe të rënëve gjatë “Luftës së Madhe Patriotike”, siç i referohet populli rus L. II-B.

Nëse dikush vendos për të vizituar Rusinë, ka për të parë në çdo cep të sajin ku shkelën gjermanët, monumente, statuja, muze, tankse, avionë, topa, buste, varreza, shtëpi të shpallura monument kulture, etj. të shpallura të mbrojtuar nga muzeu i historisë. E të gjitha këto për të mbrojtur identitetin dhe historinë e të parëve të tyre, dhe për t’ua lënë trashëgim si dhe për t’ua kujtuar brezave të mëvonshëm këtë amanet, ku të rinjtë të edukohen dhe krenohen me aktet heroike të paraardhësve të tyre.

Shqipëri- 70 vjet më pas

5-Maj 1944: Vritet apo vetëvritet Qemal Stafa, një i ri 22-vjeçar, intelektual dhe revolucionar komunist nga të parët themelues të Partisë Komuniste Shqiptare. Vrasje apo vetëvrasje, kjo mbetet ende për t’u zbardhur, si pasojë e dëshmive të reja nga e fejuara e e Qemalit, Drita Kosturi, dhe e bashkëpunëtores tjetër të afërme të tij, Flora Dishnica (Gjystine Sata) pjesë e grupit të vogël të cilët edhe ishin në dijeni të shtëpisë së re ku strehoheshin, e cila kishte vetëm 1-javë që ish vënë në dizpozicion të tyre. Duket qartazi që Qemal Stafa është tradhtuar, dhe kjo përforcohet më tepër nga deklaratat e Florës, Dritës, e më vonë nga vetë kujtimet e Enver Hoxhës dhe Nexhmije Xhuglinit të cilat nuk përkojnë mes tyre por përkundrazi, përgënjeshtrojnë njëri-tjetrin përsa i përket natës së 4-Majit në të gdhirë të 5-Majit. Për më tepër që pas luftës, E. Hoxha i internoi të gjithë anëtarët dhe bashkëpunëtorët e afërm të Qemal Stafës, duke mos dashur të lërë mesa duket asnjë gjurmë dhe duke e vulosur këtë sekret për më tepër se 50-vjet.

Tani kthehemi pas në histori,

5-Maj 2014: Shqipëria TENTON të nderojë veteranët, por në fakt një luftë e re plas në shesh: dalin viktimat e sistemit komunist dhe ngatërrojnë reprezaljet dhe dëmet e sistemit komunist, me luftën patriotike që bënë partizanët tanë. Në këtë mënyrë ata bëjnë përshesh edhe historinë e kombit tonë, dhe ulin edhe vlerat e atyre që i thanë “JO”-gjermanit, dhe vendosën të luftojnë me vullnet të palëkundur.

Tani unë iu drejtohem gjithë atyre gazetave që shkruan lidhur me simbolet komuniste si grushti lidhur me fëmijët në Përmet, dhe veçanërisht zëdhenëses së Partisë Demokratike, znj. Vorpsi:

Përderisa e hodhëm poshtë komunizmin në ’91, dhe zgjodhem demokracinë si një sistem më të mirë duke siguruar më tepër liri individuale, atëherë me ç’të drejtë i kërkoni ju dhe i bëni thirrje qeverisë të sanksionojë dhe ndalojë persona apo individe të shoqërisë sonë së foluri apo nderuar ashtu siç iu pëlqen atyre? Këtu ndryshon demokracia nga totalitarizmi znj. Vorpsi, dhe ju këtë duhet ta dini më mirë se unë përderisa keni marrë përsipër të dilni përpara selisë së partisë së parë pluralistë në këtë vend.

Ndërkohë disa studiues të rinj, pseudo-intelektuale na janë kthyer nga mërgimi dhe na hedhin teza të reja se Partizanët tanë janë vrarë me njëri-tjetrin. Legaliteti na kërkon rishikim të historisë bashkë me Ballin Kombëtar, duke vënë në pikëpyetje të vrarët tanë gjatë luftës, dhe shkojnë aq larg sa thonë se ata vërtet kanë luftuar, por jo me gjermanin, por kundër ballistëve (fronti demokratik) dhe legalistëve (fronit monarkik).

Absurditetet e tilla nuk kanë fund, në fakt përdhosja e kujtimit të dëshmorëve tanë shkon edhe më larg se kaq. Pa hidhini një sy varrezave të dëshmorëve në qytetet kryesore të vendit tonë. Varret janë të thyera, dhe bimet kanë pushtuar epitafet dhe shkallaret nëpër përmendore. Aty-këtu vihet re ndopak puna mirëmbajtëse e ndonjë punëtori vullnetar, siç kam njohur personalisht psh. në varrezat e Dëshmorëve në Korçë.

Në Shkodër, vendi i cili mbahet me pompozitet si “djepi i kulturës” në veri të Shqipërisë, në fakt ka shfaqur trajtat më të rënda të injorancës dhe barbarizmit modern. Akte të tilla si fillimisht heqja dhe më pas spostimi i 5-Heronjve të Shkodrës nga qëndra e qytetit drejt Varrezave të Dëshmorëve, apo sharrimi i pushkëve për skrap te 3-Heronjtë e Shkodrës (Perlat Rexhepi, Jordan Misja dhe Branko Kadia) etj. nuk tregojnë aspak vlera qytetarie nga një qytet i tillë si Shkodra, e cila ka nxjerrë vazhdimisht gjatë çdo periudhe historike intelektuale, heronj, artistë e sportisë të cilët kanë spikatur në mbarë vendin.

E ç’të flasësh më tepër për bustet apo shtëpitë e shpallura monument kulture në gjithë rrethet e Shqipërisë, mjafton t’ju përkujtoj shëmbjen vjet të shtëpisë së Themistokli Gërmenjit dhe atë ku u shpall Republike Autonome Korça, apo gjëndja e mjerë e shtëpisë 200-vjeçare e Haderajve në Gjirokastër, e sa e sa të tjera…

Ndërkohë në vend që 5-Maji të bashkojë të gjithë forcat tona politike e sëbashku të përkujtojmë ata të cilët me jetën e tyre e rreshtuan Shqipërinë në krah të Forcave Aletatë ne arenën ndërkombëtare duke u rreshtuar krenarisht midis popujve “Triumfatorë e Liridashës”, 5-Maji kthehet në një arenë debati për të shitur gazetën Fari Balliu me shokë, dhe përdoret si mjet propagande nga njëra parti apo tjetra për të llomotitur apo demaskuar kundërshtarët e saj të sotëm politik, duke mos u ndalur as së hedhuri baltë mbi kujtimin e gjyshërve tanë.

TURP! TURP! TURP!

Mjerisht, mesa duket thënia e Nolit duket se ende jeton: Shqiptari aty ku ha, aty edhe dhjet!

Megjithatë, unë nuk besoj se populli mendon njësoj si politikanët tanë, përkundrazi, populli ka një memorie dhe ruan kujtimet nga e kaluara, e këtë politikanët tanë nuk mund të na i marrin dhe as të na i përgënjeshtrojnë. Nëse një komb krenohet, ai krenohet me të parët e tij dhe veprat e tyre heroike apo atë ç’ka ata lënë pas. Shqipëria ka plot heronj të tillë në kalvarin e gjatë të luftërave të saj historike, midis të cilave padyshim zë vendin e saj edhe Lufta Nacional-Çlirimtare kundër okupatorit nazi-fashist 1940-1944.

Lavdi të Përjetshme Dëshmorëve të Atdheut!

Atyre që vjellin vrer kundër të parëve tanë që dhanë jetën në mbrojtje të atdheut, po iu drejtohem përsëri me fjalët e patriotit të shquar kombëtar F. S. Noli:

Njeriu mund të zgjedhë cilëndo fe që ka trashëguar prej stërgjyshërve dhe që i pëlqen, por s’mund të zgjedhë një tjetër kombësi dhe të luftojë të tijën, pa vënë në ballë një vulë të madhe prej “tradhëtari”. 

 

-###-

 

Tags from the story
,
More from Edi Sara

Apoteoza e Globalizimit dhe epitoma e Botërorit “Brazil-2014” si anti-tezë

Jemi nën ethet e Botërorit-Brazil 2014, dhe përveç emocioneve që na përçohen...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *