“Argumenti” i fuqisë së dy votave: Shqipëri +/- Kosovë

“Argumenti” i fuqisë së dy votave
“Argumenti” i fuqisë së dy votave

nga Alban Lauka

  • Hyrje

Këto vitet e fundit, si në Kosovë edhe në Shqipëri, kur diskutohet mundësia e bashkimit të këtyre dy vendeve, del shpesh teza e 2, ose më shumë votave “shqiptare”. Ky punim nuk synon të trajtojë bashkimin kombëtar në tërësi, por vetëm argumentin e votave, i cili, fatkeqësisht, po zë rrënjë pa të drejtë si një ndër problemet kryesore për t’u shqyrtuar në këtë çështje. Problemi qëndron në faktin se në këtë pikë, vlerësimi se çfarë është interes kombëtar e çfarë jo, pra bilanci i humbjeve dhe fitimeve, nuk bëhet nga diplomatë profesionistë, studiues të marrëdhënieve ndërkombëtare, shkencave politike, apo të fushave të lidhura, por nga gazetarë, publicistë, e analistë të ndryshëm. Rrjedhimisht, debati mbetet në nivele jo profesionale e akademike, pra nuk kalon në një analizë më të thellë dhe konkrete që të nxjerrë rezultate dhe të dhëna të verifikueshme.

Nga artikuj të ndryshëm, intervista, emisione nëpër media të ndryshme, tema e votave “shqiptare” trajtohet shpesh nga të dy krahët (si pro, ashtu edhe kundër bashkimit), por në asnjë rast nuk argumentohet me të dhëna, fakte dhe shifra të mbledhura e të sistematizuara për ndërtimin e një argumenti shkencor (Pacolli, 2012; Nazarko, 2014; Spahiu, 2012; Krasniqi, 2012; Avdiu, 2012; Kastrioti, 2013; icensuruari, 2012).

Nga debate televizive, intervista e artikuj, del se argumenti kryuesor i tezës së dy votave është se dy shtete të ndara janë më të fuqishme sepse kanë dyfishin e fuqisë votuese nëpër organizata ndërkombëtare, dhe, humbja e kësaj fuqie cilësohet si kosto e bashkimit, edhe pse mbetet kosto e pallogaritur saktësisht (Pacolli, 2012). Një pjesë e mirë e opinionit publik por edhe e njerëzve me ndikim në media e mbështesin këtë tezë, madje në forma të ndryshme. Për shembull, me raste, argumentohet jo vetëm që shqiptarët duhet t’i ruajnë votat e tyre, por edhe se shtetet e tjera i druhen kësaj mundësie (icensuruari, 2012; Kastrioti, 2013). Së fundi, përveç idesë se ndarja na shërben për më shumë vota, është shprehur edhe një version i ri i kësaj teze: ideja se nëse durojmë pa u bashkuar edhe disa vjet, Bashkimi Europian (BE) do të na bashkojë për të mbajtur në fre fuqizimin mbiproporcional të faktorit shqiptar (Nazarko, 2014, Spahiu 2012). Pra, përveç idesë “të qëndrojmë të ndarë për më shumë influencë”, ekziston edhe versioni “të qëndrojmë të ndarë sepse kështu na bashkojnë”. Qëllimi i këtij punimi është zbërthimi i tezës së dy votave duke shqyrtuar mundësinë e faktorizimit të shqiptarëve me anë të votave të ndara.

  • Teza e dy votave: supozimet e paverifikuara

Si fillim, pa marrë akoma parasysh vlerwn numerike tw “kostos sw bashkimit”, duhet theksuar se teza e dy votave ka disa boshllëqe të rëndësishme qysh në pikënisje. Si çdo tezë tjeter në çfarëdo shkence, edhe “dy votat” kanë presupozimet e tyre, kushte paraprake që merren si të mirëqena pa patur nevojë të verifikohen më parë, pra variable të pandryshueshme. Kushte kryesore paraprake për faktorizimin e shqiptarëve në bazë të votave të dy shteteve të ndara: së pari, organizatat ku shprehet vullneti shqiptar duhet të jenë aktorë të fuqishëm ndërkombëtarë, në mënyrë që rezultati i votimeve të ketë impakt në politikën ndërkombëtare; së dyti, brenda organizatave ku votojnë shtetet shqiptare, votimet duhet të jenë vendimtare së treti, të dy ose më shumë votat shqiptare duhet të jenë të sinkronizuara, pra të votohet gjithmonë njësoj; së katërti, dy shtete me shumicë shqiptare të kenë fuqi votuese të konsiderueshme, dhe shumë më të madhe se të një shteti të bashkuar. Paragrafët e mëposhtëm do të trajtojnë me rradhë secilën nga këto kushte, analizë nga e cila do të dalin edhe përfundimet e këtij punimi analitik e hulumtues.

  • Natyra e kufizuar e fuqisë së votës: në raport me politikën jashtë organizatave ndërkombëtare

Pa kaluar akoma tek dy pikat të fundit, edhe dy të parat, në rastin më të mirë, janë tepër të diskutueshme. Përveç organizatave ndërkombëtare, shtetet ndërveprojnë intensivisht edhe në marrëdhënie dy dhe shumëpalëshe, në takime informale, madje edhe në takime ad hoc ndërmjet seancave të ndryshme të OKB-së, Këshillit të Ministrave në BE, etj. Shembuj të zhvillimeve të rëndësishme ndërkombëtare  jashtë-institucionale mund të gjejmë shpesh edhe në vitet e fundit, nga lufta e dytë e Irakut, deri tek kriza e tanishme në Krime. Pra, një pjesë e mirë, për të mos thënë pjesa më vendimtare e marrëdhënieve ndërkombëtare, mbetet jashtë binarëve institucionalë të organizmave ndërkombëtare. Një ndër rastet më domethënëse ishte Lufta e Irakut, ku u anashkaluan si OKB-ja, ashtu edhe NATO-ja. Në teoritë e marrëdhënieve ndërkombëtare, organizatat ndërkombëtare, OJQ-të dhe aktorët e ndryshëm jo-shtetërorë janë edhe sot burim debatesh, të cilat u japin role që shkojnë nga aktorë me identitet dhe axhendë të veçantë në arenën ndërkombëtare, deri në instrumente të shteteve anëtare. Por në këtë analizë do të përqendrohemi në atë pjesë të influencës që shqiptarët ushtrojnë në rrafshin ndërkombëtar nëpërmjet votimeve të organizatave ndërkombëtare, dhe në krahasimin e kësaj fuqie në rastin e një shteti të bashkuar shqiptar me atë të dy shteteve të ndara.

  • Natyra e kufizuar e fuqisë së votës: në raport me fuqitë jo-votuese edhe brenda organizatave ndërkombëtare

Fuqia e e votës në organizata ndërkombëtare kufizohet jo vetëm nga shkalla e ndikimit të vetë organizatës në politikën e jashtme në tërësi, por edhe nga fakti se votimet brenda këtyre strukturave nuk janë mekanizma vendimmarrëse tërësisht të pandikuara dhe të plotëfuqishme. Pushteti strukturor i brendshëm, në fakt, përbën vetëm një ndër shumë mënyrat që shtetet përdorin për të ushtruar ndikimin e tyre mbi, ose brenda një organizate ndërkombëtare. Barkin për shembull, flet për fuqinë negociuese, fuqinë e caktimit të axhendës, fuqinë e opinionit dhe argumentit, fuqinë kushtetuese (ku përfshihen votimet), fuqinë emëruese dhe organizative, dhe fuqinë ideologjike, si elementet kryesore të pushtetit të shteteve në këto organizata (2006, f.19-22). Në Organizatën Botërore të Tregtisë, për të marrë vetëm shembull, shtetet e fuqishme zakonisht arrijnë të kalojnë propozimet e tyre pa ndonjë kundërshtim të fortë nga vëndet e tjera në votime, të cilat shpesh mbeten pothuajse formalitet. Problemi i konsensusit fiktiv në këtë organizatë është mjaft i njohur dhe ka shumë autorë dhe përfaqësues shtetërorë që kanë argumentuar se fuqia teorike e çdo shteti për veto nuk ka garanton fuqi të njëjtë vendimmarrëse (Schott & Vatal, 2000; dhjetë OJQ-ve, 2003).  Pra, fuqia votuese në organizata ndërkombëtare jo vetëm nuk është e barabartë me fuqinë e një shteti në rrafshin ndërkombëtar, por as me fuqinë e tij brenda kësaj organizate, dhe në rastin më të mirë, mund të konsiderohet vetëm një dimension i rëndësishëm i saj. Përfundimisht numri i votave të shqiptarëve del se mund të ndikojë në vetëm një prej shumë dimensioneve të politikës së jashtme. Duke pasur parasysh këtë kufizim, pjesa vijuese e analizës thellohet në dallimin ndërmjet  fuqisë së mundshme votuese të një shteti të bashkuar shqiptar me atë të dy shteteve të ndara, brenda këtyre organizatave.

  • Të dhënat rreth votave

E vërteta është se në shumicën e organizatave ndërkombëtare më të rëndësishme sot, shtetet nuk kanë nga një votë, si në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Prandaj, ky punim do të tentojë të bëjë dallimin ndërmjet fuqisë votuese të shqiptarëve në dy shtete të ndara dhe në një të bashkuar. Për këtë qëllim, do të merret parasysh mënyra e votimit në organizatat kryesore ndërkombëtare, dhe do të llogaritet numri dhe pesha e votave të Shqipërisë dhe Kosovës, dhe pastaj të një shteti të bashkuar shqiptar, nëse ai do të ekzistonte sot. Në këtë mënyre do të dalë qartësisht ndryshimi i dy mundësive dhe përcaktohet kostoja e bashkimit në vlerë votash. Gjithashtu, duke u nisur nga vullneti dhe aftësia e treguar deri tani nga dy shtetet shqiptare në ato organizata ku tashmë bëjnë pjesë, si dhe nga shembuj të rasteve të tjera të ngjashme do të vlerësohet mundësia që të dy shtetet të votojnë në bllok.

Fondi Monetar Nderkombetar (FMN, ang: IMF)

Le të filliojmë me organizatat ku si Shqipëria dhe Kosova janë anëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Në këto dy organizata votimi nuk bazohet në parimin “një shtet = një votë”, por në kontributet financiare të secilit shtet, si dhe në pjesën që zë ekonomia e tij në ekonominë botërore. Kështu, Pakistani, një shtet me një popullsi prej 150 milion banorë dhe me fuqi bërthamore, ka vetem 0.44% të votave, kurse Belgjika me 11 milion ka rreth 1.9%, ndërsa SHBA 16.75%. Shqipëria dhe Kosova kanë secila nga 0.05% dhe nëse votojnë të dyja njësoj, influenca ynë shkon në 0.1% të votës së përgjithshme, aq sa ka Bosnja e vetme (IMF, 2014). Nëse një shtet i bashkuar shqiptar do të votonte sot në FMN, pesha e votës do të ishte 0.08-0.09% (shifër që shfaqet për shtetet që japin kontribut të përafërt me Shqipërinë dhe Kosovën së bashku). Me strukturën e re të instituticionit, shtetet anëtare ndahen në grupe të ndryshme që përfaqësohen bashkarisht në bordet drejtuese. Kosova dhe Shqipëria janë në grupe të ndryshme, prandaj e kanë të pamundur të mbledhin votat si dy shtete të ndara. Rrjedhimisht, si një shtet i vetëm fuqia votuese do të rritej, duke u përqendruar tek i njëjti votim.

Banka Boterore (BB, ang: WB)

Edhe në forumet e Bankës Botërore, ku faktorët që përcaktojnë peshën e votës janë të ngjashëm, dy votat e shteteve të ndara shqiptare nuk përbëjnë asnjëherë më shumë se 0.5% të votave të përgjithshme, një të pesëqindtën e votave gjithsej. Ashtu si në FMN, edhe në Bankën Botërore Shqipëria dhe Kosova votojnë në grupe të ndryshme, prandaj si një shtet i vetëm fuqia votuese do të rritej me 0.02%.

Organizata Boterore e Tregtise (OBT, ang: WTO)

Në Organizatën Botërore të Tregtisë mbahet formalisht parimi një shtet një votë, por në praktikë vendimet merren me konsensus. Në fakt, shtet e fuqishme, si SHBA, shtetet e BE-së, Japonia, etj. kanë qenë në gjendje të arrijnë objektivat e tyre pavarësisht ndonjë rezistence të vakët nga vendet në zhvillim. Pra, në teori, Shqipëria dhe Kosova do të kishin nga një votë secila (Kosova akoma nuk është anëtarësuar), ndërsa një shtet i vetëm do të kishte vetëm një votë. Kështu, dy shtete do të kishin dy vota ndër 159, ose 1.25% të votës së përgjitshme.

Organizata Traktati i Atlantikut te Veriut (NATO)

Në NATO, ku Shqipëria është anëtare, ndërsa Kosova akoma jo, votimi bëhet me konsensus. Nuk ka votime të vërteta, por në diskutimet para vendimarrjes kërkohet që asnjë shtet mos të kundërshtojë. Përndryshe, propozimi ose nuk miratohet ose ndryshon përmbajtje (NATO, 2010). Mund të kujtojmë kundërshtimin grek për anëtarësimin e Maqedonisë, që nuk u realizua edhe pse vetëm një shtet ishte kundër. Në NATO, një shtet ose dy, është pak a shumë njësoj, pasi edhe një shtet i vetëm mund të ndaloje vendime që nuk i përshtaten interesit të tij shtetëror, kurse shumica e votës nuk do të bënte ndryshim në rast të ekzistencës së një pakice kundërshtuese. Prandaj, nëse Shqipëria dhe Kosova do të shqyrtonin mundësinë e bashkimit, votimi në NATO nuk do të përbënte faktor vendimtar.

Organizata e Kombeve te Bashkuara (OKB, ang: UN)

Në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Shqipëria është anëtare me të drejta të plota, ndërsa Kosova është në rrugën e sigurimit të 2/3 të votave të nevojshme për anëtarësim, ky proçes mund të bllokohet në Këshillin e Sigurimit, që mbetet organi më i lartë vendimmarrës. Në Asamblenë e Përgjithshme, vendimet e së cilës në fakt janë rekomandime, çdo shtet ka një votë, pra me dy shtete anëtare, shqiptarët do të kishin dy vota, në vend të një vote, ndër 193 shtete anëtare gjithsej (UN, 2014) (ose afërsisht 1% në vend të 0.5% të votës së përgjithshme). Ndërsa në Këshillin e Sigurimit, i vetmi organ i OKB që ka fuqi detyruese mbi çdo shtet anëtar, Shqipëria nuk ka qenë ndonjëherë anëtare. Në Këshillin e Sigurimit qëndrojnë pesë anëtarë të përhershëm që gëzojnë të drejtën e vetos, dhe dhjetë anëtarë që zgjidhen nga Asambleja e Përgjithshme për dy vjet, me rotacion në bazë rajonale. Në këtë pikë ekzistenca e dy shteteve me shumicë shqiptare mund të jetë një avantazh, duke qenë se përfqësimi i shqiptarëve në këtë instancë do të ishte më i shpeshtë. Megjithatë, duhet thënë se influenca e një posti të tillë kufizohet ndjeshëm nga fuqia e vetos së pesë anëtarëve të përhershëm.

Bashkimi Europian (BE, ang: EU)

Në Bashkimin Europian, ku të dyja vendet aspirojnë të anëtarësohen, vendimmarrja është e shpërndarë në shtatë institucione kryesore. Ndër to, Komisioni Europian, Parlamenti Europian, Këshilli i Ministrave dhe Këshilli Europian janë organet më të fuqishme ekzekutive dhe legjislative, prandaj edhe më të fuqishmet politikisht. Në Komisionin Europian përfaqësuesi i secilit vend anëtar ka një votë në kolegjin e komisionerëve, por së pari, shumica e vendimeve merren me konsensus, dhe së dyti, komisionerët nuk veprojnë në interes të shteteve nga vijnë por të gjithë Bashkimit Europian, për fushat përkatëse. Në këtë kuptim, kjo votë shtesë nuk përfaqëson ekskluzivisht interesin e shqiptarëve, edhe pse dy vota mbeten më të lakmueshme se një.

Në Parlamentin Europian, çdo shtet ka një numër të caktuar vendesh që varet kryesisht nga numri i popullsisë. Duke marrë shifrat e fundit zyrtare të regjistrimit të popullsisë në Shqipëri dhe Kosovë, del se dy vendet kanë respektivisht 2,821,977, dhe 1,733,872 banorë. Me shifra të ngjashme me Shqipërinë, Letonia ka 8 deputetë, ndërsa Estonia, që nga numri i banorëve i afrohet Kosovës, ka 6 (EuropeanParliament/MEPs). Pra, Shqipëria dhe Kosova do të kishin 14 deputetë, ndërsa një shtet me 4,555,849 banorë (shuma e popullsive të Shqipërisë dhe Kosovës) do të kishte në numër 12 deputetë, si Irlanda. Pra, nga 766 deputetë që ka aktualisht Parlamenti Europian, dy vende do të përfaqësoheshin nga 2 deputetë (ose 0.2% të votave) më shumë se një vend me të njëjtën popullsi.

Në Këshillin e BE pesha e votës përcaktohet nga dy kushte, me qëllim të ndërthurjes së parimeve të barazisë ndërmjet shteteve dhe të përfaqësimit proporcional të qytetarëve. Duke qenë se, sipas të gjitha gjasave, Shqipëria dhe Kosova nuk do të anëtrësohen brenda 2-3 vitesh, për llogaritjen e fuqisë votuese do të merret parasysh proçedura votuese që do të zbatohet në Këshill duke filluar nga viti 2017, kur do të hyjë plotësisht në fuqi sistemi i votimit i miratuar nga Traktati i Lisbonës. Ky Traktat përcakton votimin me shumicë të kualifkuar si proçedurë standarte të votimit në Këshill, por për vendime që kërcënojnë interesat jetësore të shteteve, këto të fundit ruajnë fuqinë e vetos. Shembulli i fundit ishte vetoja e Britanisë së Madhendaj propozimeve për rishikim të Traktatit të Lisbonës, gjë që nuk e ndaloi kalimin e propozimit për Europën kontinentale, por e bllokoi zbatimin e tij në Britani. Në çështje të tilla, si edhe në rastin e NATO-s, shtetet janë të mbrojtura nga e drejta e tyre e veto-s, prandaj nuk ka shumë ndryshim a janë dy shtete apo një shtet që përfaqësojnë shqiptarët, pasi në rastin më të keq do të zotërojmë gjithsesi fuqinë për përjashtimit prej rregullave të reja. Për marrjen e një vendimi me shumicë të kualifikuar, do të nevojitet miratimi i të paktën 55% të shteteve, të cilët duhet të përfaqësojnë të paktën 65% të qytetarëve. Në kushtin e parë, është e qartë që dy shtete shqiptare do të kishin dy vota kurse një shtet i përbashkët vetëm një, ndërsa në të dytin, një shtet apo dy, nuk ka asnjë ndryshim, me qenë se popullsia mbetet e njëjtë (Këshilli Europian, 2014). Në Këshillin Europian, ku votojnë krerët e shteteve anëtare të BE-së, vendimet merren kryesisht me konsensus, përveç se kur Traktatet e BE përcaktojnë mënyrën e votimit, prandaj ndryshimi ndërmjet një shteti 4-5 milionësh dhe dy shtetesh me nga 1.7 dhe 2.8 milionë banorë është njësoj si në rastin e NATO-s.

Shqipëria Kosova Shuma (të ndara) Të bashkuara Ndryshimi
Popullsia (në milionë) 2.8 1.8 4.6 4.6  0
FMN 0.05% 0.05% 0.10% 0.07% – 0.02%
Banka

Botërore

Bordet e Guvernatorëve – 0.02%
Bordet e Drejtorëve – 0.02%
OBT 1 + veto 1 + veto 2 + veto 1 + veto 1 + veto (0.63%)
NATO veto veto veto veto 0
OKB – Asambleja e Përgjithshme 1 1 2 1 1 (0.51%)
BE -Këshilli Popullsia 2.8 1.8 4.6 4.6 0
Votat 1 + veto 1 + veto 2 + veto 1 + veto 1 (3.33%)
BE – Parlamenti 8 6 14 12 2 (0.27%)

 

  • Bllok votash shqiptare?

Shihet qartë se dy shtete shqiptare nuk kanë dyfishin e fuqisë votuese që do të kishte një shtet i bashkuar, edhe pse ka një diferencë të dallueshme. Megjithatë, i gjithë ky debat, siç u tha më lart, mbështetet në idenë se këto dy shtete do të votojnë njësoj. Në fakt, ekziston mundësia që ekzistenca e zgjatur si dy shtete të veçanta të krijojë edhe identitete dhe interesa të veçanta për secilin, dhe si rrjedhojë, edhe t’i ndajë dy shtetet në çështje të cilat i perceptojnë dhe duan ti trajtojnë në mënyra të ndryshme. Po të krahasojmë politikën e jashtme të shteteve të tjera të afërta si kulturë, identitet dhe etni, mund të gjejmë qëndrime diametralisht të kundërta edhe për çështje nga më të ndjeshmet politikisht, si për shembull siguria ose lufta dhe paqja. Danimarka ishte një nga shtetet që e përkrahën dhe madje edhe morën pjesë në Luftën e Irakut, ndërsa shetet e tjera nordike, dhe të gjitha shtetet në kufi me të, u deklaruan kundër. Për të njëjtën çështje, një rast edhe më domethënës është mbështetja që i dha Kuvajti për ndërhyrjen amerikane, ndërsa 21 shtetet e tjera të Lidhjes Arabe dolën kundër. Qëndrimi i Kuvajtit nuk përbën ndonjë të paptritur në politikën ndërkombëtare, por vetëm tregon se identiteti nuk është gjithmonë përcaktues për interesin shtetëror. Interesat gjeopolitike e ekonomike, zakonisht kanë përparësi ndaj lidhjeve kulturore, edhe kur është fjala për çështje më pak dramatike se fillimi i një lufte.  Sigurisht, lidhjet kulturore luajnë një farë roli përbashkues për vendet skandinave, ose për vendet e ulëta, të cilat mundohen të koordinojnë qëndrimet e tyre para çdo samiti të BE-së, por gjithsesi mbeten vetëm një ndër faktorët (shpesh dytësorë) e shumtë që përcaktojnë qëndrimin e shteteve, shumë larg idesë së një blloku votues (Kaeding, M. & Selck, J.T., 2005; Hosli, O.M., 2008). Në fakt, nëse krahasohen votimet e shteteve të ndryshme të BE-së në Këshillin e Ministrave, del se në shumicën e rasteve afërsia gjuhësore dhe kulturore nuk është faktor vendimtar, për të mos thënë nuk vihet re aspak (VotewatchEurope). Prandaj, rezultati i anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kosovës si shtete të ndara në NATO, BE, OKB, etj. nuk do të ishte detyrimisht kirjimi i një grupi votash përfaqësues të interesit kombëtar, por ndoshta thjesht përfaqësimi i secilës popullsi nga qeveria përkatëse. NëFMN për shembull, Shqipëria përfaqësohet në bordin ekzekutiv nga Andrea Montanino, i cili përfaqëson edhe Italinë, Greqinë dhe shtete të tjera të Europës së jugut, ndërsa Kosova nga Johann Prader, që është përfaqësues edhe i Austrisë, Turqisë dhe shumë vendeve të Europës lindore. Në këtë rast, për shembull, edhe për shkak të kësaj ndarjeje (por më tepër sepse fuqia votuese e shqiptarëve, edhe brenda secilit grup, është afër zero) as nuk mund të flitet për solidaritet mbarëshqiptar.

  • Përfundime

Mbështetur në të dhënat e grumbulluara dhe të paraqituar më sipër dhe në interpretimin e tyre, mund të dalim në disa përfundime të rëndësishme mbi impaktin që mund të ketë numri i votave “shqiptare” mbi influencën e shqiptarëve në botë. Teza e dy votave çalon në disa pika: 1) fuqia e një shteti në organizata ndërkombëtare mbivlerësohet në raport me politikën e tij të jashtme në tërësi; 2) fuqia votuese e një shteti brenda një organizate ndërkombëtare mbivlerësohet në raport me mënyrat e tjera të shteteve për të ndikuar brenda kësaj organizate; 3) dy shtete shqiptare garantojnë fuqi votuese më të madhe se fuqia e një shteti të vetëm (shih tabelën 1.1), por pothuajse asnjëherë dyfishin që shpall teza e dy votave, dhe kjo fuqi votuese shtesë, nëse krahasohet me numrin total të votave, ka shumë pak, për të mos thënë aspak mundësi të ndryshojë raportet në votime; 4) solidariteti i Shqipërisë dhe Kosovës në këto votime, në rastin më të mirë, mund të mbetet një pikë e diskutueshme. Nga këto katër pika, del mjaft qartë se mbajtja e dy shteteve të ndara, nuk rrit ndjeshëm influencën e shqiptarëve në organizatat ndërkombëtare. Prandaj, ndërsa çështja e bashkimit kombëtar në tërësi kërkon një studim shumë më të gjerë, rreth vlerës së votave të shteteve të ndara nuk duhet të mbeten dyshime.

Referenca:

Avdiu, D. (07.01.2012). Njw apo dy vota, ose njw apo dy interesa. Albaniapress. Marrë me 3 mars, 2014, nga http://www.albaniapress.com/lajme/15549/Nje-apo-dy-vota-ose-nje-apo-dy-interesa.html.

Barkin, J.S. (2006). International Organization: Theories and Institutions. Marrë me 3 mars, 2014 nga https://owl.english.purdue.edu/owl/resource/560/10/

DOI: 10.1177/0192512105053785

European Council. (2014). Voting Calculator. Marrë me 3 tetor, 2015, nga http://www.consilium.europa.eu/en/council-eu/voting-system/voting-calculator/

European Parliament. (n.d.). Marrë nga http://www.europarl.europa.eu/meps/en/map.html

Hosli, O.M. (2008). Coalition-Formation, Cleavages and Voting: Behavior in the Council of the European Union. Marrë me 4 mars nga http://bit.ly/1GsjLDn.

icensuruari. (30.12.2012). Nuk është në interesin e shqiptarëve “Shqipëria e madhe”. Peshku pa ujw. Marrë me 3 mars, 2014, nga http://www.peshkupauje.com/2012/11/nuk-eshte-ne-interesin-e-shqiptareve-shqiperia-e.

IMF. (03.03.2014). IMF Members’ Quotas and Voting Power, and IMF Board of Governors. Marrë me 3 mars, 2014, nga http://www.imf.org/external/np/sec/memdir/members.aspx.

Kaeding, M. & Selck, J.T. (2005). Mapping Out Political Europe: Coalition Patterns in EU Decision-Making, International Political Science Review (2005), Vol 26, No. 3, 271–290.

Kastrioti, E. (23.01.2013). Shqipëria dhe Kosova sa afër dhe larg!. Nacional Albania. Marrë me 3 mars, 2014, nga http://www.nacionalalbania.al/rreth-nesh/.

Krasniqi, F. (06.12.2012). Bashkim Kombwtar dhe pikw!. Bota Sot. Marrë me 3 mars, 2014, nga http://www.botasot.info/opinione/200263/bashkim-kombetar-dhe-pike/.

Memorandum i pwrbashkwt i dhjetw OJQ-ve. (2003). Memorandum on the need to improve internal transparency and participation in the WTO. Marrë me 3 mars, 2014, nga http://bit.ly/1WIk06L.

NATO. (2006). Consensus decision-making at NATO. Marrë me 3 mars, 2014, nga http://www.nato.int/cps/en/natolive/topics_49178.htm

Nazarko, M. (09.01.2014). Mbledhja e Prizrenit si një fillim. Panorama. Marrë me 3 mars, 2014, nga http://www.panorama.com.al/2014/01/09/mbledhja-e-prizrenit-si-nje-fillim/.

Pacolli, B. (23.11.2012). Behgjet Pacolli në Tonight: Shqiptarët de jure dy shtete, një de facto. OraNews. Marrë me 3 mars, 2014, nga http://bit.ly/1Mbavph.

Schott, J.J. & Vata, J. (2000). Decision-making in the WTO. Marrë me 3 mars, 2014, nga http://www.iie.com/publications/pb/print.cfm?ResearchId=63&doc=pub.

Spahiu, K. (04.01.2012). Bashkimin do e vendosin vetë shqiptarët. Panorama. Marrë me 3 mars, 2014 nga http://www.panorama.com.al/2012/01/04/spahiu-bashkimin-do-e-vendosin-vete-shqiptaret/.

  1. (2014). General Assembly of the United Nations. Marrë me 3 mars, 2014, nga http://www.un.org/en/ga/

VotewatchEurope. Compare votes cast by [Member State] with those of the other Member States in the Council of Ministers of the EU. Marrë me 3 mars, 2014 nga http://bit.ly/1VBgRTN.

WorldBank. (28.02.2014). Voting Powers. Marrë me 3 tetor, 2015, nga http://bit.ly/1iZV4sk.

 

 

Tags from the story
,
More from Edi Sara

Oferta e 25 qershorit përballë votuesit shqiptar

Ky shkrim do jetë sa i thjeshtë dhe i ftohtë në stilin...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *