“Arsimi i lartë privat?-Do ishte çmenduria e rradhes neoliberaliste!”

Parantezë

Që nga Shtatori e deri më sot, qeveria e re e ardhur në pushtet po shkon drejt mbylljes se 3-mujoreshit të parë të mandatit të tyre.  Qëllimi i ketij shkrimi nuk është të listojë reformat e shumta të cilat janë ndërmarrë, por të japë një vështrim të përgjithshëm të situatës aktuale në vendin tonë nga optika e arsimit dhe privatizimit të mundshëm të saj.

Duke filluar nga arsimi, çdokush që merr përsipër ta përshkruajë do t’i dukej vetja ndoshta si “Lul Mazreku” i Kadarese,  ku në çdo ambient dhe situatë që ndodhej, i dukej vetja në një skenë dhe i duhej të performonte nën rolin e një personazhi të ri. Vendosni të lini punën për një ditë të vetme të dashur qytetare, për të shkuar e vizituar ambientet në një nga universitetet e kryeqytetit. (Dhe këtu do flasim vetëm për shkollat në Tiranë, në fund le ta imagjinojë vetë qytetari me fantazine  e tij se ç’ndodh nëpër rrethe ku nxënësit edhe mund të vriten në mes të ditës.) Unë po marr përsipër të huazoj pak “të Huajin” e Kamyse për të përshkruar mjedisin.

Përshkrim i “ambienteve akademike” shqiptare

“I Huaji” sapo hyn në gardhin rrethues mahnitet nga surprizimi i asaj qe ka perballë: ajo që dukej thjesht si një pallat, godinë fabrike apo magazine ose kompani mallrash, del se na qënka universitet shtetëror. I rrethuar nën bukurinë e hijeve madhështore të pallateve përreth, hirit dhe smokut kundërmues të tytave jetëprurëse të makinave, ai shef përreth kafene, lloto, fast-food-e dhe kazino ngjitur me institucionin që ka përpara syve. Dhe mahnitet…

Vendos të hyjë brenda, por që nga oborri deri tek hyrja e godines, kalimi i shëmbelleu si labirinthi i Minosit, dhe të “Huajit” iu duk vetja se po kalonte në personazhin e “Tezeut” i cili duhet të kalonte pengesat e të vriste “Minotaurë-t” (nënkupto makinat e parkuara buzë hyrjes) për të hyrë ne godinë.

Pasi hyn, syte e tij kullosin plot uri në ambientet përreth sallave të cilat të jepnin pamjen e një qeni të zgjebosur ku lëkura i ka mbetur vënde-vënde ende në trup… Bankat nëpër dhomat e mësimdhënies ishin të populluara tek-tuk nga studentë, duke lënë ajrin të lëvizte lirisht dhe me bollëk të tepërt përreth. “I huaji” buzëqesh… Vendos të kalojë tek kafeneja ngjitur… Kur arrin, i shkrep mendimi se ndoshta profesorët Shqiptarë aplikojnë një metodë të re mësimdhënieje, duke e spostuar klasën në ambiente jashtë-shkollore per ta bërë më tërheqës mesimin…
Hyn në kafene dhe shikon se jo vetëm nuk kishte as edhe një karrige të vetme të ngelur bosh, por tavolinat ishin të populluara me nga 3-veta mbi limitin për të cilat ishin dizenjuar për të shërbyer. Studentët që vinin mbanin nëpër duar edhe karrige të marra nga klasat e tyre pasi kafeneja nuk dispononte më tepër, të gjitha ishin në përdorim duke relaksuar b***** e të rinjve dhe të rejave të cilat ishin aq të lodhur që nga kafja e dites së djeshme, dhe java e kaluar po njësoj…

Tek i përpinte me sy fytyrat e të rinjve, sytë iu ndalën për një çast tek një grup nga fundi i lokalit, tek këndi që formohej midis banakut dhe tualetit. Si dy shigjeta ato depërtuan tej për tej trupit pedagogjik… Shef orën e tij, ajo shënonte: 11’30!!! Mendon njëhere me vete, ndoshta sot po zhvillojne diçka ndryshe për të dalë nga monotonia-i thotë ajo! Në atë vendos vendos të pyesë kamarierin sesi ecte biznesi atje dhe nëse si sot ndodhte shpesh!

-“Përditë kështu është vllai, që në orën 09’00 të mëngjesit fillon vala e parë e deri në orën 16-17’00 vazhdon po njësoj njerëzia. Ndërsa këta dhaskalet, normale shoku që s’rrinë ketu gjithë ditën…se e kupton, bien në sy për keq… por lëvizin sa nga njeri lokal në tjetri. Tek ne pinë kafen e parë p.sh., ja sa te shkoj ora 12’00 pastaj çohen e shkojnë në zyrë për të lënë dosjet dhe çantat e futen tek lokali i shkollës. Po ti plako duket që s’qënke nga këto anë, ke ardh nga jasht m’duket. Po nga kshu?!”

“I huaji” vendos të çohet në atë moment. I ishte zgjuar dëshira për të vizituar një tjetër “ambient akademik.” Biles e kishte ndarë mëndjen për të pyetur edhe disa studentë rreth të ardhmes së tyre, se ku e shihnin veten mbas përfundimit të studimeve, kot sa për të formuar një ide të përgjithshme sesi arsyetonte brezi i ri i këtij vendi.

… Në darkë, “i Huaji” nxjerr bllokun e shënimeve mbi skrivaninë e komosë së tij në hotel, dhe shikon të dhënat që pati mbledhur gjatë ditës nga përgjigjet e studentave.

1-“Unë du me punu në shtet o shoku, një rrogë fikse dhe të tjerat janë të siguruara.”

2-“Po më eci mirë, në shtet se i kam edhe ca njohje kshuqë pa gjë s’ngelem. Nja dy-tri vjet, hap dhe një lokal privat dhe jam në rregull.”

Por një nga më interesantet iu duk kjo:

3-“Ku ka si shteti mor vlla, bohet lek shpejt dhe me tepri. Aq du un, nja 4-vjet dhe iki vetë, s’ka nevojë me më shkarku. Por veç kur dal prej anej, dal si bosss…!!”

Përpara se të largohej, “i huaji” që për një moment kishte menduar se mos ndoshta kishte zbuluar një vend ideal për veten, po në atë moment hapësira mendore iu pushtua nga mendimi se “ky vend ishte i huaj edhe për atë… Kjo ishte tepër edhe për të.”

Rinia dhe kultura e punësimit

Për të mos u zgjatur më tej, lexuesi do ta kete kuptuar vetë gjëndjen e mjerueshme që i referohem më lart. Për më tepër, bacili i së keqes së “dekompozimit kulturor” shpesh vjen dhe predikohet edhe nga vetë ata të cilët duhet të shërbenin si shembull dhe idhuj për nxënësit e tyre. Ndërkaq përkundrazi, pedagoget janë bërë njësh me kulturën e pëgjithshme që “gjallëron” në sallat e boshatisura në shkollat e tyre.

Në kushtet e nje ekonomie në reçesion, ku intelektualë dhe mëndje të reja duhet të jenë në dizpozicion të parë për t’i shërbyer dhe ofruar ide shtetit, Shqipëria do të detyrohet të pranojë ndihmë nga specialistë të jashtëm për sektoret e saj ekonomikë e jo vetëm.

Arsimi në Shqipëri ka nevojë urgjente!!! të reformohet në mënyrë drastike, por kurrsesi të shembet totalisht ai publik. Një rreth intelektualësh neo-liberalë të shkolluar në perëndim, propozojnë shëmbjen e sistemit aktual publik arsimor, dhe në vend të tij të lejojnë vetëm atë privat të operojë në treg duke ia lënë në dorë mekanizmave balancues të kerkesës-ofertës të stabilizojë situatën dekadente. Unë i drejtohem më poshtë pikërisht këtij grupi.

Modeli amerikan nuk mund kurrsesi të aplikohet në Shqipëri. Të dashur intelektualë, nuk keni mësuar asgjë nga leksionet e aplikimit të kapitalizmit që nga vitet ’90 nën terapinë e shokut e deri më sot? Principet e nepotizmit dhe korrupsionit drejtojnë mekanizmat e tregut të punës dhe ekonomisë në tërrësi. Dhe kjo për arsye se biznesi privat ende vazhdon të jetë i lidhur/ndrydhur ngushtë me klikat e kastës në pushtet. Në vend të meritokracisë dhe balancimit të lire e të pacënuar nga shteti të tregut, ne gjejmë çdo lloj gjurme të interesit personal dhe ndërhyrjes së përfaqësuesve të shtetit duke ç’rregulluar mekanizmat punëdhënës-punëmarrës dhe operimin normal të mallrave dhe shërbimeve në treg për shkak të favorizimeve.

Tani ju na propozoni të privatizojmë edhe arsimin? Eksperimentojmë? Mos harroni sa % të popullsisë amerikane e përbën shtresa e mesit, pra shtresa e mesme. Krahasojeni atë tani me popullsinë e vëndit tonë, ku do vini re një polarizim të theksuar dhe të segmentuar të klasave shoqërore. Krahasoni pak dhe të ardhurat në vit për familje në SH.B.A. Në fund, proletari i shkretë në Shqipëri, i cili punon min. 10-orë në ditë për të mbajtur fëmijën e tij në një universitet i cili në fund do i dhurojë një diplomë, të cilën Perëndimori juaj i dashur nuk do ta përdorë as për letër higjenike. E për të mos folur më tej për lumpen-proletariatin, fshatarësinë e cila bën lloj-lloj sakrifikash duke shitur lopë e tokë veç për të mbyllur të paktën ciklin e mesëm të arsimit për fëmijën e tyre.

Shfarosja totale e arsimit të lartë publik nën doktrinën neo-liberale shkon përtej kompetencave të përballueshme nga ekonomia Shiptare. Është si ajo gota e ujit e mbingopur me kripë, e cila precipiton në fund dhe qëndron e tille pa u tretur duke pritur të zbrazet gota e të rimbushet përsëri për të vazhduar tretjen. Nëse do operonin vetëm shkollat private, probleme të reja do të ngriheshin në lidhje me diplomat (të cilat ne gjithsesi i kemi!), taksimin (taksat e reja progresive që qeveria socialiste ka në plan të aplikojë) si dhe ligjet me arsimin (akreditimi, kushtet e mësimdhënies) etj. për të cilat nuk kam ndërmend të qëndroj dhe t’i analizoj në detaj.

Për të mos llogaritur më tej edhe numrin e universiteteve tashmë private, aq sa mund të themi se çdo lagje e Tiranës ka një universitet të sajin. Siç është përmendur edhe më parë, është llogaritur mesatarisht se Shqipëria ka 1 universitet për çdo 47-mijë banor. Ndërkohë në Europe mesatarja është 1 universitet për çdo gjysëm milion banorë.

Vënia e detyrueshme e paraqitjes në mësim nëpërmjet mungesave në shkollat e larta, si dhe imponimi limitues i provimeve të mbartura janë dy nga pikat kryesore që i parashtrohen kryetares së re të DAR/Tirane e cila ka edhe numrin më të madh të universiteteve, znj. Eglantina Metani.

-###- 

Tags from the story
,
More from Edi Sara

Kushtetueshmëria e qeverisë së koalicionit paszgjedhor

nga Alban Lauka        Zgjedhjet e 8 qershorit na ofruan...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *