Hipernacionalistë për 28-29 Nënduar, Pseudopatriotë përgjatë vitit

Skanderberg-Albanian flag

nga Edi Sara

Sapo hymë në dhjetor të dashur miq të mi, dhe lamë pas nëntorin me festat tona kombëtare aq të dashura për mbarë kombin tonë. Të dashura vërtet, por pikërisht për 28 & 29! Në këto 2 data, shqiptari kalon në hipernacionalizëm, ndërkohë për 363 ditët e mbetura mbetet një pseudopatriot. I dashur patrioti im, patriotizmi nuk matet me fjalë e zë të lartë, por me vepra konkrete. Dhe këto vepra fillojnë që më datën 1 janar, e mbarojnë më 31 dhjetor e maten me sensin e qytetarisë!

Patriotizmi është atdhedashuria nëpërmjet veprave. Nacionalizmi, lartësimi e shpesh mbivlerësimi i vendit dhe kombit tënd përmbi të tjerët, por me fjalë e pa kontribut personal. Minimalja që kërkohet nga çdo banor i një vendi për të shprehur atdhedashurinë e tij/saj dhe dëshmuar patriotizmin, është qytetaria që tregon përgjatë gjithë vitit kalendarik, ndërgjegja e tij si banor i hapësirës sociale, mjedisit dhe angazhimit në komunitet.

Manifestimi i dashurisë nga kombi ynë i dashur për atdheun tonë, mjerisht të fortdashur vetëm me fjalë, është konkretisht konkret nga burimi pa materie i gojës: siç lind me aq pasion e zjarr nga gjuha e ndezur zhivë e kuqe si fusha e flamurit tonë kombëtar nga gjuha e një shqiptari të ndërzyer nga morri i hipernacionalizmit në këto dy data, po me të njëjtin vrull zhduket përgjatë vitit si një stuhi e nisur në gotën e një vere të kuqe. Pse ndaj këtë opinon?- do thoni ju…

Sepse…

[…] të duash atdheun fillon që nga dashuria se si trajtohen hapësirat publike, zonat e gjelbra dhe hedhja e mbeturinave. Si mund të besojë një i huaj kur vjen në Shqipëri, që shqiptarët e duan atdheun e tyre kur sheh mbeturinat e hedhura në hapësirat e gjelbra, ndërkohë që koshi qëndron i heshtur vetëm 10m më tutje. Nga ana tjetër, atdhedashuria më idilike, e shpalosur nga shqiptari në formën më diskrete të mundshme, është betonizimi. Një alergji fizike, patologjia e së cilës diagnostikohet tek zaptimi i hapësirave publike dhe shfarosja e gjelbërimit. Vetëm ish-parku gjasme i mbrojtur me ligj i liqenit artificial të Tiranës (them ish- pasi vetëm park nuk mund të quhet më në këtë gjëndje që është katandisur), ka humbur mijëra m2 këto 4-vite të fundit, dhe po vazhdon të humbasë me ritme edhe më të shpejta. Merrni mundin për të krahasur fotot satelitore të Google Maps nga viti 2008 e deri më sot, dhe pamja që sytë tuaj kanë për të ndeshur do kursejë përshkrimin e mëtejshëm të situatës katastrofike. Unë do ta pagëzoj këtë psikopatologji të shqiptarit si genocid natyror ose alergji kronike ndaj hapësirave publike, e në veçanti atyre të gjelbra;

[…] të manifestosh atdhedashurinë duket që nga trajtimi i monumenteve, statujave dhe përkujtimi i figurave historike, heronjve, dijetarëve dhe dëshmorëve. E si i respektojmë ne monumentet dhe përkujtojmë figurat historike?! Duke përmjerë prapa monumenteve apo duke i spostuar në periferi të qytetit pasi vendit iu gjet “ish”-pronari, si dhe duke prerë për skrap statujat e bronxit apo hekurit. Ndërkohë, heronjtë, dijetarët apo dëshmorët, nëse perifrazoj Napoleonin, janë kthyer mish për top nëpër gojët e ndyrësirave që janë të gatshëm të përbaltin këdo nëse gjendet dikush për t’i paguar për këtë sakrilegj të bërë në emër të historisë së kombit shqiptar. Këto blasfemi rrjedhin si këllirë nga këta pseudo-patriotë, hipernacionalistë artificialë, e kapitalistë pa fe apo kombësi. Ideologjia e vetme e këtyre mercenarëve injorantë të arsimuar, apo intelektualë analfabetë, është pasurimi me çdo lloj rruge. Sapo marrin urdhërat, janë gati të dalin në skenat mediatike e të vjellin vrer, të deformojnë historinë e përbaltin kujtimin e patriotëve tanë;

[…] të shfaqësh dashurinë ndaj atdheut mund të vëzhgohet lehtësisht dhe përmes programeve politike të qeverive në vitet e pluralizmit. Që mos lodhemi në analiza gjithëpërfshirëse e të mbetemi të kufizuar në temën tonë se si mund të matet patriotizmi, le t’i hedhim një sy buxheteve të akorduara Ministrisë së Kulturës apo Bashkive. Më thoni pak ju lutem nga këto buxhete të miratuara, sa monumente janë pastruar, sa statuja janë mirëmbajtur, sa përkujtimore janë mbajtur, dhe sa varre janë merementuar apo rregulluar? Pluhuri apo ndryshku ka pushtuar monumentet e statujat, shtëpitë muze vijojnë të shëmben, ndërsa varret e dëshmorëve janë lënë në mëshirë të fatit dhe kusarëve zombi;

[…] të jesh patriot e veprimtar për atdheun fillon që nga mënyra se si trajton bashkëpatriotin tënd, them bashkëpatriot duke iu referuar kombësisë shqiptare, e jo prejardhjes lokale duke u përpjekur për të gjetur lidhjet fisnore provinciale si perin e Ariadnës. Kur shqiptari nga Gjirokastra të duajë po njësoj shqiptarin nga Tropoja, kur mirditori t’i thotë vllam skraparlliut, shkodrani kushëri vlonjatit e kështu me rradhe, kjo do ishte dashuri vllaznore dhe një hap i parë konkret i atdhedashurisë. Po ku është sot nacionalizmi kur divergjencat veri-jug ende lulëzojnë? Harron shqiptari që po ky dhé ka lindur gjuhën shqipe me dialektin geg e me variacionet e tij veriore, e po ky dhé ka lindur edhe dialektin tosk me variacionet e tij jugore;

[…] të duash vendin tënd nuk është krim, por kthehet në krim kur nuk zbaton atdhedashurinë e shprehur me fjalë përmes veprave. Siç ka thënë dhe Bjelinski, kush nuk i takon atdheut të vet, nuk i takon as njerëzimit;

[…] të jesh atdhetar, duhet të kesh shpirtin e qytetarit protestues për prapësitë e përmendura më sipër. Jo të rrimë në kafe e lloto, e të diskutojmë me pasion e zjarr në tavolinë porsi hiena gati për të shqyer bashkëbiseduesin që kemi përballë, e kur vjen puna për aksion, sapo çohemi nga tavolina kthehemi në lepuj. O shqiptar i mjerë, ku të ka shkuar guximi? Sapo të kujtojnë vendin e punës në administratë, apo biznesin tënd kur të vijë dita e taksave, kthehesh në pulë e lagur.

Mos harro o shqiptar se nuk je liliput, por duhet të ndjehesh gjigand pasi je pasardhës i Teutës, Gentit, Bardhit, Perandorit Dioklecian, Kostandinit dhe Valentinianit të Madh (25 perandorë romakë mbartin ADN ilire në venat e tyre), Pirros së Epirit, Balshajve, Topiajve, Dukagjinëve, Muzakajve, Shpatajve, Skurajve, Kastriotëve, Papa Klement Albani XI (4 papë kanë prejardhje arbëreshe), Dinastisë së Gjikajve në Moldavi-Vllahi, Ismail Qemalit, Sulejman Delvinës, Jeronim De Radës, Fan S. Nolit, Faik Konicës, Gjergj Fishtës, Bajram Currit, Luigj Gurakuqit, Eqerem Cabej, Martin Camaj e sa e sa rilindasve të tjerë (të më falni që nuk po i përmend të gjithë por do duheshin dhjetëra faqe), deri tek e Shenjta Nënë Tereza (Gonxhe Bojaxhiu).

Është pra kjo fara jonë me vijimësi pellazgo-iliro-dardano-arbëresho-arvanito-shqiptare që ka nxjerrë këto koka e kollosë të lartpërmendur. Kaq mjafton të kujtojmë se bij e bija të kujt jemi, nga kush jemi përfaqësuar dikur nëpër principata, mbretëri, perandori, aleanca të ndryshme dhe organizata ndërkombëtare, sa të tjerë kanë shërbyer në vënde të huaja si shkencëtarë ose artistë, ushtarakë ose diplomatë, e si po përfaqësohemi ne sot para të huajve e vetes tonë.

Jemi po e njëjta farë, rrjedhim po nga të njëjtit paraardhës, por duket sikur nuk kemi trashëguar virtytet dhe cilësitë e tyre. Përkundrazi, po e përbaltim, dhunojmë dhe harrojmë trashëgiminë e tyre historike. Mund të mburremi me fjalë për ata, të masturbohemi me krenari para të huajve, të jargavitemi në kor me nota ekstaze kulminante nëpër stadiume kur luan kombëtarja tonë, por të gjitha këto mbeten një foni akute, fjalë boshe të dala bojë pa pikë gjurme në faqet e historisë, pa asnjë grimcë kontributi në ardhmërinë e atdheut tonë të dashur.

Zgjimi

O vullnete të ndrydhuna ndër grushta të çelikta të shekujve

të kaluem!

O vullnete të shtypuna me themra të ngurta të titajve të tërbuem!

Të cilët n’udhë për në theqafje këtejpari i ranë

dhe vatrat tona në mjerim i përlanë…

O vullnete të ndrydhura!

O vullnete të shtypuna!

Shkundni prangat të mbrapshta! E me brimë ngadhnyese,

me hove viganash, dëshirash flatruese,

turniu në të gjitha anët dhe poshtë në dhë zbritni

– ndosht’ aty keni për të gjetë fillin e një hymni,

që Illyri e vjetër ndër kremtime këndonte,

ndërsa zemra e kombit në liri kumbonte.

O vullnete të ndrydhuna!

O vullnete të shtypuna!

Tash shëgjetat e flakta të shprehjes suej zharitse

drejtoni kah qiella në ball të hyut a të dreqit,

i cili fatin tonë mbytte në mnijë të vet përpise –

a dijë se të Birt’ e Shqipes folen ia ngrehën vetvetit.- Migjeni, marrë nga “Kangët e Ringjalljes dhe të Rinisë”

I kemi bërë ballë furtunave historike, dyndjeve barbare të huaja, pushtimeve afatshkurtra por të egra si dhe afatgjata nën presione dhe lodhje shekullore, jemi bastisur, plaçkitur dhe pushtuar egërsisht nga okupatorë të ndryshëm, por kurrë nuk i kemi rënë më qafë njeriu. Fletët e lavdishme të historisë sonë na mësojnë një gjë, shqiptarët gjithmonë ia kanë dalë mbanë kur janë bërë tokth bashkë. Nuk ka armik, uzurpator apo nënshtrues që ka thyer rezistencën dhe mbijetesën tonë, e kjo dëshmohet qartazi nga pasuria më e madhe që kemi trashëguar që nga Iliria antike e deri më sot, gjuha jonë kombëtare. Shqipja ka qënë Mana jonë e shenjtë që ka ushqyer identitetin tonë kombëtar e na ka diferencuar dhe dalluar gjithmonë nga kombësitë e tjera të fuçisë së barutit ballkanik. I kemi mbijetuar Perandorisë Romake Perëndimore dhe Lindore, helenizimit, dyndjeve sllave, Perandorisë Osmane, dy Luftërave Botërore me okupatorë të ndryshëm, si dhe përballuam totalitarizmin e egër komunist të vetëmodeluar stalinisto-enverist.

Pas gjithë këtyre pushtimeve, ashtu si Anteu mitik, shqiptari arriti të gjejë forcë e të ringrihet nga dhéu me forca të ripërtëritura e më të mëdha, duke i dhënë një mbijetese stoike kombit tonë. Megjithatë, personalisht mendoj dhe ndoshta edhe mund të gabohem, këtë ia lë lexonjësit ta gjykojë, se qëkur hymë në pluralizëm, vetë fara jonë i ka shkaktuar vatanit më tepër dëme se ç’mund t’i kenë bërë të gjithë pushtonjësit historikë marrë bashkë. Nën këtë pseudo-demokraci me sistem të kalbëzuar feudalo-kapitalist, e kemi shkërdhyer pa mëshirë vendin që të parët tanë na lanë trashëgim, kemi bërë një batërdi të krahasueshme vetëm me një katastrofë biblike.

Shkatërruam vepra monumentale të bëra nga dora e popullit vetëm se u ndërtuan nën një sistem tjetër politik që koha provoi se nuk ishte produktiv e njerëzor. Ndërtuam pa leje, vodhëm pronën e vllait, i hodhëm në erë banesën komshiut, zaptuam kodra e fusha dhe rripe bregdetare. Si vampirë po i shkatërrojmë lumenjtë duke iu marrë lëndët inerte aq të lakmuara nga betonizuesit e qyteteve. Po lëmë të thahen liqenet për të nxjerrë lakuriq tokën për godina të reja. Po vendosim të ndërtojmë HEC-e aty ku dhe Neronit do i mbusheshin sytë me lot, duke përdhunuar viset më të virgjëra të natyrës shqiptare. Po i vëmë zjarrin mushkërive të ajrit tonë të pastër, duke djegur, prerë e degraduar pyje të pamata, ku spikat Lura e cila sot shëmbëllen një Holokaust natyror të shkaktuar nga dendro-kanibalët shqiptarë. Dhe sikur mos mjaftohemi nga gjithë këto plehëra të shkaktuara nga llumi i kombit tonë, propozojmë të importojmë edhe plehëra të tjera nga jashtë pasi tonat janë të pamjaftueshme, për hir të disa përfitimeve ekonomike afatshkurtëra për një grusht njerëzish antikombëtar.

Kjo është Shqipëria e sotme të dashur bashkëpatriotë të mi, e kthyer në një Albanistan siç do thoshte i ndjeri Andrea Stefani. Ish ky popull ai që zgjodhi këta politikanë për t’i qeverisur dhe po mashtrohet sot ende dita-ditës. Nuk mendoj se ne meritojmë këta që kemi mbi kokë, po të mos ish për disa faktorë ekonomikë e historikë që determinuan këtë kastë politike që është në gjëndje sot. Gabimi i vetëm i prindërve tanë kur ishin studentë ishte mosrealizimi i një revolucion të mirëfilltë.

Në 28 kujtojmë vitin 1912 kur me shumë mundim shpallëm pavarësinë nga Perandoria Osmane, ndërsa në 29 vitin 1944 kur u çliruam nga kthetrat nazi-fashiste. Por është edhe një datë e tretë që koinçidon me të parën por i referohet 469 viteve më përpara se flamuri të ngrihej në Vlorë, kur Gjergj Kastriot Skënderbeu në 1443 kurorëzohet si princ i porsakthyer me 300 kalorësit e tij në Krujë. Mos vallë kombi ynë duhet të presë dhe 365 vite të tjera për një prijës të dytë, për ta bashkuar tashmë kundër rrezikut nga vetvetja?

Të birtë e shekullit të ri

Na të birtë e shekullit të ri,

që plakun e lamë në “shejtnin” e tij

e çuem grushtin për me luftue

ndër lufta të reja

dhe me fitue… – Migjeni, marrë nga “Kangët e Ringjalljes dhe të Rinisë”

Ky vend ka nevojë për një kastë të re politike. Revolucionet i bëjnë studentet, siç u përpoqën dikur në 8 Dhjetor. Mirëpo këta të sotmit janë angazhuar në kafene e përtojnë të marrin iniciativën që të ndryshojnë sistemin. Të rinjtë sot zgjedhin rrugën e lehtë duke e pranuar realitetin e hidhur dhe thjesht kërkojnë të bëhen pjesë e tij. Që këtu mund të shihet se gjenerata e re i është kërrusur korrupsionit dhe e pranon biles si standard për karrierë. Më tragjikja është që nuk kanë asnjëlloj atdhedashurie pasi mungon fryma e patriotizmit, teksa mbizotëron ajo e pseudo-nacionalizmit pa fryte që kalon në hipernacionalizëm impotent vetëm për 28 dhe 29 nënduar.

Mund t’ju siguroj që interesi im i parë dhe kryesor është interesi i vendit tim. Interesin dhe atdhedashurinë ndaj atdheut unë përpiqem ta mbaj lart mbi ballë e ta shpreh në jetën e ditëpërditshme qëkur vendos se ku do hedh mbeturinat, si të eci mbi trotuar ose në rrugë, kur respektoj e kujdesem për hapësirat publike si të ish pronë e imja dhe e gjithësecilit njëkohësisht, kur shpreh antikomformizmin tim nëpërmjet fjalës dhe shkrimit të lirë mbi një politikë të dyshimte për interesin kombëtar ose të mirën publike, duke mos pranuar të korruptohem, kur vendos të protestoj në mënyrë civile përpara një nisme kleftokratësh që kanë zënë polltrone në një institucion shtetëror e janë shndërruar në kolltukofagë siç do thoshte Noli, kur marr iniciativën e gjej guximin të denoncoj çdo privatizim ilegal ose zaptim të pronës publike (përkthe këtu vjedhje të pronës publike), dhe për çfarëdo lloj politike apo aksioni që mendoj se është në dëm të vendit dhe kombit tonë. Mua më dhimbset kalaja e Rozafatit njësoj si më dhimbset kalaja e Gjirokastrës, dal të protestoj për Valbonën njësoj si për Vjosën, ngre zërin për Fierin e rafineritë e naftës dhe inceneratorët e tij njësoj si për Kukësin dhe taksat e reja të rrugës së kombit, e kështu me rradhë.

Unë nuk pretendoj të jem unik, si unë ka shumë bij e bija të këtij populli të vuajtur e krenar, por nëse vendosim të ushqejmë atdhedashurinë përmes veprimeve të ditëpërditshme, nuk ka qeveri që mund të na nëpërkëmbë, dhe gjithkush në fund të ditës mund të jetë i sigurt që ka hedhur kontributin e tij modest për mbrojtjen e interesit kombëtar, secili një tullë qytetarie për të ngritur të gjithë bashkë një mur patriotik.

Unë, ti, ju që po më lexoni, sëbashku mundemi të ndryshojmë këtë vend për mirë, e të bëhemi shembull për një frymë të re atdhedashurie. Me këtë frymë të farkëtohen dhe brezat e rinj.

Për këtë, e ftoj lexuesin ta shpërndajë këtë si një nismë ndërgjegjësimi për të reflektuar mbi aksionet tona patriotike, atdhedashurinë përmes veprave konkrete duke qënë qytetarë të denjë për këtë vend, e jo nacionalizmit fjalhelmosur.

***

_________

Patriotizëm do të thotë të mbash anën e vendit tënd. Nuk do të thotë të qëndrosh në krah të Presidentit apo ndonjë tjetër zyrtari publik, veço masën kur ai vetë qëndron në anën e vendit. Është patriotike ta mbështesësh atë për sa kohë ai i shërben me efekt vendit. – Theodor Roosevelt

Disidenca është forma më e lartë e patriotizmit. – Howard Zinn

Është e vajtueshme, që për të qënë një patriot i vërtetë duhet të bëhesh armiku i pjesës së mbetur të njerëzve. – Voltaire

Tags from the story
,
More from Edi Sara

Turizmi Feudal Shqiptar: Ku ndodhet parku ndër/kombëtar i autobuzave?

nga Edi Sara Partia Socialiste e Shqipërisë kur morri mandatin në Shtator...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *