Kafe kafe natë e ditë, që të shohim pakëz …

Vetem kafe

nga Edi Sara

A ju ka shkuar mëndja ndonjëherë se edhe Tirana mund të ketë vendosur rekorde Guinness? Po po, pikërisht për Tiranën tonë e kam fjalën, kryeqyteti i Shqipërisë dhe i gjithë shqiptarëve. Po për ç’farë do pyesë lexuesi i dashur… e në fakt do qeshë me përgjigjen që do lexojë në vijim, dhe paraprakisht po i paraprij të qeshurës së tij duke thënë se ajo do vijë si pasojë për të shmangur të qarën.

E kam fjalën për kafenetë që kanë pllakosur si një hije resh mbi kryeqytetin tonë, duke gjetur hapësira edhe në skutat dhe qoshet më të humbura të rrethinave. Një huaj që ishte para disa javësh në Tiranë, i la mbresa të jashtëzakonshme (për keq të kuptohemi) sa e mbiquajti:

Tirana fillon dhe mbaron përgjatë bulevardit tuaj kryesor, kafenetë janë kryeqyteti tuaj!

Thënia e tij shërbeu si prelud për mua për të ndërmarë një nismë studimore rreth numrit të bar-kafeneve në një lagje mesatare në kryeqytetin e Republikës së Shqipërisë, volumit të punës së tyre, të ardhurave, klientelës që e frekuenton më shpesh, kohëzgjatja mesatare e qëndrimit të një klienti në tavolinë, etj. etj. Padyshim, në studim janë marrë parasysh edhe faktorë që kanë ndikuar dhe mendohet se shërbejnë si nxitës për kalimin e kohës nëpër kafene, si papunësia, mjedisi i varfër i aktiviteteve të tjera, kostot e larta për të përballuar argëtime si kinemaja, teatri, sporte të ndryshme etj. nga një student etj. etj. por këtu në këtë shkrim do fokusohemi vetëm tek trendi i lokaleve dhe analiza ekonomike.

Përpara se të vijoj me një analizë të shkurtër ekonomiko-sociale e të parashtroj disa nga rezultatet e kërkimit tim, po e nis duke iu drejtuar publikut me dy pyetje të thjeshta:

1)      Sa herë në ditë e dëgjoni dhe/ose e përmendni fjalën “kafe”?

2)      Sa herë në ditë uleni në kafe?

Gjithkush e ka të qartë numrin dhe kohën që shpenzon (fjalori im më poshtë do jetë me qëllim me terma ekonomik për të vënë në dukje kostot/investimin material dhe kohor-si dhe të mirat që vinë nga kafja) në mjediset e kafeneve.

Rezultati i parë dhe më intrigues që del nga studimi, ishte se numri i kafeneve ishte më tepër i përqëndruar afër institucioneve arsimore si psh. shkollat e mesme dhe të larta ose pranë mjediseve të zyrave të sektorit privat. Në fakt nëse analizojmë të dhënat, nuk është aspak për t’u çuditur nga ky rezultat. Ka një korrelim të thjeshtë që na vjen përshtat: kafenetë si çdo biznes tjetër përqëndrohet aty ku ka dendësi më të madhe njerëzish, pra ku ka edhe më tepër propabilitet për dikë që të ndalojë e të hyje për një kafe. Nga ana tjetër, një sipërmarrës lokali, vëzhgon gjithashtu ku ka edhe dendësi dhe prurje më të madhe lëvizjeje dhe aty vendos të “godasë” duke çelur biznesin e tij.

Rezultati i dytë, që vjen si derivat nga i pari, është se pavarësisht numrit tepër të madh të lokaleve të përqëndruara në të njëjtën zonë, pa asnjë rregull apo ligj ekonomik për të shmangur ose zbutur konkurrencën, me një fjalë pa asnjë analizë paraprake mikroekonomike, ky tip biznes (më i madhi për nga lloji jo vetëm në Tiranë por në mbarë vëndin) vazhdon të lulëzojë. Kjo tregon që megjithëse mund të ketë 4-lokale ngjitur me njëra-tjetrën (si tek Rr. “Sami Frashëri”, pa vajtur tek Drejtoria e Policisë), kërkesa është mjaft e lartë përderisa 4-biznese të të njëjtit lloj vazhdojnë të operojnë.

Rezultati i tretë, pason të dytin duke u ngritur në analizë makroekonomike. Nëse do hulumtonim varësinë e produkteve ose shërbimeve të llojeve të ndryshme, elasticiteti do ishte një barometër standard i ekonomistëve që i klasifikojnë ato si mallra apo shërbime luksi ose të domosdoshme, konsumatore ose energjitike (si në rastin e naftë, benzinës etj.) etj.

Në rastin tonë kemi në analizë një lokal. Lokali absolutisht që nuk mund të quhet shërbim i domosdoshëm (pavarësisht se në fund të këtij studimi nga interpretimi na del i tillë për shoqërinë shqiptare), është konsumator por edhe mall me zëvendësues të afërt (pra që mund të ndryshohet nëse ka luhatje ose kriza). Në terma absolut, padyshim që nuk mund të quhet shërbim luksi pasi një kafe është e përballueshme për shumicën dërrmuese të popullisë që jeton në kryeqytet. Megjithatë, në aspektin e përditshëm, e vajtura në kafe nuk është një domosdoshmëri për një person, pasi nuk humbet nëse nuk shkon (përkundrazi, kursen!) prandaj edhe mund ta fusim në njëfarë shërbimi luksi pasi është angari dhe çlodhje.

Nëse do të masnim elasticitetin e këtij lloji biznesi në Tiranë, e duke patur parasysh edhe kushtet e egra të konkurrencës që parashtrohen, e jo më t’i hymë një analize sipërmarrëse se sa i mbingopur është tregu dhe sa shpresë ka një investitor i ri të hyje e të mbijetojë në të, do arrinim në një rezultat paradoksal. Elasticiteti i biznesit të lokaleve në Tiranë pak a shumë do dilte një shtizë e drejtë fund e krye, me luhatje plotëisht të pa vërejtshme. Me fjalë të tjera, nuk ka rëndësi se në çfarë kushtet ndodhet ekonomia e përgjithshme, nëse ka krizë financiare, shkurtim pagash, rritje çmimi si pasojë e importit të kafes (p.sh. akciza) etj. shqiptari tipik përsëri do vazhdojë udhën e tij drejt lokaleve.

Për ta mbyllur, unë ia parashtroj rezultatet e mëposhtme dhe analizën e mësipërme vetë lexuesit që ta interpretojë e të nxjerrë përfundime.

Në Tiranë, një lagje mesatare në zonat kryesore të Tiranës (Rr. “Elbasanit”, Rr. “Sami Frashëri”, Rr. “Fortuzi”, Rr. “Petro Nini Luarasi” etj.) për çdo 3-4 pallate, ka mesatarisht 3-lokale që operojnë rreth njërit pallat, ç’ka do të thotë afro 8-10 në total në atë pjesë të lagjes.

Trendi i biznesit të lokaleve shihet ende si premtues përderisa në një anketë të rinjtë (mosha 16-20 vjeç) të pyetur për ndonjë investim të tyrin në të ardhmen, 87% u përgjigjen se do çelnin një lokal për ta administruar vetë atë.

-###-

Tags from the story
, ,

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.