Lali Eri: Saimir Tahiri është ideatori i protestave, te ish-Parku

Lali Eri Karikaturë @Courtesy Kosta Rakas
Lali Eri Karikaturë @Courtesy Kosta Rakas

Dje, në ditën e martë të datës 4 të muajit korrik të motit të përvëluar 2017, gazetari ynë satirik, Tahir Avazi, ka biseduar me shokun Erion Veliaj.

– Përshëndetje, Tahir! Urime për rubrikën, “Antena Jashtë Familjes”! Ulu!

– Përshëndetje z. Veliaj dhe shumë faleminderit, për ftesën në zyrën tuaj! Jeni vërtet një njeri me mentalitet perëndimor, sidomos pas…

Veliaj: Pse kush jam unë! Saime qorri që s’di ç’është satira. Mos harro, kam studiuar në SHBA dhe Britani të Madhe, unë. Jo si Saimiri që këtu në Itali, ka studiuar.

– Bravo, vërtet!

– S’jam mërzitur aspak që botove letrën që i dërgova babi Soros-it. E tillë duhet të jetë media. Jo “media kazani”.

– Ashtu është, vërtet. Duhet të jetë e balancuar. Ja, unë p.sh., kisha ndërmend të mbërtheja dhe të intervistoja ndonjë nga ata të opozitës sot, meqë dje botova për ju që i përkisni pozitës.

– Sot, të ftova vetë unë. Ndaj mos u shqetëso fare që, dy ditë rresht, jam unë në këtë rubrikë.

– Shumë, shumë faleminderit z. Veliaj që ma hoqët këtë siklet!

– Lum si ti! E hoqe sikletin! Po këtë timin, si ta heq?

– Cilin tëndin?

– Sikletin tim, pra. Si ta heq, them?

– Përse jeni në siklet, z. Veliaj?

– Nuk e ke marrë vesh ti, apo tallesh me mua? Kanë nisur protestat te ish-Parku. E për çfarë, për dy pallate që kam dhënë leje unë.

– A, po, tani u kujtova. Po me ç’mora vesh, studimin e zonës e kishte miratuar z. Basha…

– Nuk e kam llafin aty, se në një tepsi hamë ne. E kam llafin që kam zbuluar diçka. Ndaj edhe të ftova, të më thuash mendimin tënd.

– Pa problem, z. Veliaj. Ju e dini që unë e them mendimin troç.

– Kam arritur në përfundimin që ato protesta i organizon Saime qorri. Ti e di që ai është rivali im për të marrë partinë më vonë. Kërkon kredi politike ai, duke më goditur mua.

– Nuk di çfarë t’iu them, zoti Veliaj.

– Kam zbuluar që Saimir qorri, e ka kushëri atë djalin, Arlind Qorri që organizon protestat.

– Kushëri, thatë?

– Po, po, kushëri. Të dy janë qorra. Ai qorri, d.m.th. Saimiri, do të më fundosë.

– Po jo, o zoti Veliaj. Saimiri e ka mbiemrin Tahiri.

– Pse, Tahiri e ka mbiemrin Saimiri?! Po unë që e dija se e ka Qorri. Ore, po ti Tahir, ç’e ke këtë, Saimir Tahirin? Mos e ke kushëri? Mos të ka futur ai të më godasësh mua?

– Jo, z.Veliaj, asgjë s’e kam. Ai është nga Gusmari i Tepelenës.

– Tani u kujtova që Saimiri është nga fshati Gusmar i Tepelenës. Hëëëëm! Edhe ai që organizon protestat, është nga ai fshat me origjinë, më thanë. Tani po më qartësohet situata. Saimiri ka paguar Arlindin të ngrihet në protestë ndaj meje, meqë janë nga një fshat.

– Ooouuu! Nuk më kishte shkuar ndër mend kjo, z.Veliaj.

– Nuk të shkon ty, por më shkon mua. Politika pa këto lidhje të fshehta, nuk bëhet.

– Mund ta di, përse firmosët për pallate te ai park, z.Veliaj?

– Po ta them, posi, sepse siç na porositi i madhi Edi Rama, këtë mandat duhet të jemi transparentë. Banorët e zonës, kur i takoja, më thoshin; “…e kam shtëpinë te ish-parku. E çuditshme, i thosha vetes. Ndërkohë që parku aty ekzistonte. Pyesja veten; “Po këta, përse i thonë “ish-parku”, kur parkun e kanë këtu. Ndoshta duan mos të ekzistojë më”, mendova. Dhe ua plotësova dëshirën. Tani ata që do të jetojnë në ato pallate mbi park, me plot gojën, do të thonë;  “E kam shtëpinë te ish-parku”. Ja, kështu.

– Kanë thënë “ish-Parku”, se aty ka qenë Parku i Autobusëve, z. Veliaj. Jo se…

– Iku ajo tani. S’bëhet më.

– Gjithsesi, ju e meritoni një medalje nga…

– Nga Presidenti nuk dua medalje unë.

– Do të thosha, medalje banorët që ju votuan.

– Nga banorët e meritoj, posi! Mendova se do të thoshe se  meritoj medalje nga Presidenti. Ai të ketë turp! Shkon i jep gazetarit, Ferdinand Samarxhi, titullin “Mjeshtër i Madh”, se ju bën thirrje njerëzve t’i ngjiten Malit të Tomorit për qejf që të hanë ndonjë sheleg dhe nuk i jep titull atij punëtorit të shkretë që ju bën thirrje njerëzve t’i zdrypin pallateve për hall, që të lagin buzët me ujin e Selitës.

– Meqë më kujtuat ujin. Si është gjendja e…?

– Më fal se, tani do të largohem. Herë tjetër të përgjigjem për ujin.

– Mirë, z. Veliaj. Vazhdoni…

– Edhe ti vazhdo avazin…

***

Tags from the story
, ,
More from Helidon Tahiraj

Lindita Nikolla: Mua po më bie tavani në kokë për vete…

Rubrika satirike: Seria e intervistave nga Kaso Kosa.  Intervistë me Min. e Arsimit,...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *