Letër babagjyshit- për 2016’7

Letër babagjyshit- për 2016’7

nga Patrioti

I dashur Babagjysh,

po e filloj duke të thënë që është e 10 letër që po nis, pasi morra vesh që edhe ti ishe dhënë me konçesion që prej vitit të kaluar me VKE (Vendim Këshillit të Elfëve). Vetëm nëpërmjet gjurmimit të pagabueshëm të Postës Shqiptare, e cila bëri të mundur gjetjen e adresës tënde të re me një përafërsi gabimi prej vetëm 500 km, arrita të të lokalizoj e të të shkruaj letrën time të përvitshme. Shpresoj që letra veç mos të arrijë shumë me vonesë.

Po filloj së pari duke të uruar që letra ime të të gjejë me humor të mirë, pavarësisht se morra vesh nga dikush që të kish parë e më tha se nga shëndeti ishe bërë si cironk e thatë. Disa elfë në fakt i dëgjova të qaheshin për këtë fakt, e thoshin që për shkak të dhuratave të shumta që ti dërgove vitin e kaluar, kalove i regjistruar si biznes i madh në Shqipëri e po tatohesh në mënyrë agresivo-progresive. Biles një elf, dëgjova të përmendte se sivjet ti je i detyruar të paguash edhe kamata vonesë për mospagesën në kohë të taksave. Unë këto terma nuk i marr vesh, por kuptoj që dhe ti po bëhesh “barktharë” si populli tim, sikurse thotë dhe gjyshja ime.

Duke pasur parasysh faktin e mësipërm, dhe nëse kjo është e vërtetë, atëher më duhet të të paralajmëroj për diçka babagjysh i dashur. Duhet që të kësh dhe pak më tepër kujdes kur të futesh në Shqipëri, pasi nëse vendos për ndonjë arsye të përdorësh postën tonë, ki parasysh t’i cilësosh dhuratat nën çmimin 22$ nëse nuk ke oreks për të rënë më tepër nga pesha…

Gjërat në vendin tim për këtë vit, kanë shkuar vaj… Biles me thënë të drejtën, kët vit që po lëmë pas, të gjithë fëmijët e Tiranës kanë pasur fatin që të kenë përditë një babagjysh. Po po i dashur babagjysh, dikush tjetër ta ka lehtësuar barrën e plotësimit të dëshirave të paktën për Tiranën, dhe ky është kryebashkiaku, ose ashtu siç e thërrasim ne fëmijët e Tiranës, thjesht lali Eri. Lali Eri është superheroi jonë, shihe duke na mbajtur nëpër krahë, duke bërë bankete, e duke shpalosur punën kolosale që është duke bërë për qytetin tonë të dashur.

Ai ka përuruar disa parqe e kënde lojërash, pavarësisht se ti babagjysh mund edhe mos t’i kesh parë dot nga lart kur erdhe, pasi mezi duken për shkak të ndërtesave. Pastaj kur e pyeta babin a duken nga lart këto parqet, ai më tha që varet… kur i thashë se e kisha merakun për ty babagjysh a do mund t’i shihje e prandaj po e pyesja, babi më tha të të thoja që mos fluturosh shumë lart pasi kështu është ligji i fizikës, sa më lart fluturon, aq më të vogla të duken gjërat në tokë

Lali Eri megjithatë është mjaft modest, po TVet i janë qepur nga pas si rrodhe, biles ai për t’i larguar e mos u zgjatur me ta, me lakonizmin e tij, ua ka punuar bukur atyre: ua nis lajmin e gatshëm. Superheroi na do aq shumë ne, sa në hapësirat e gjelbra dhe ish parqet mes pallatave, ka dhënë leje të ndërtohen edhe pallate për ne fëmijët, shumë katëshe, ku ne të lozim e të kemi nga një ambient sportiv për secilin kat, kështu çdo lagje do ketë këndet (katet) e saj të lodrave për ne. Më duhet ta pranoj babagjysh, dhe ti mos u mërzit, se ti vjen vetëm 1 natë në vit, por është një fat i madh për ne fëmijet e Tiranës që kemi lali Erin përgjatë gjithë vitit.

Ja ç’mësova dhe unë në shkollë këto ditë babagjysh: që së shpejti, PPP-ja do vijë dhe nëpër gjimnaze… Kështu fëmijët do zbresin nga shpia vetëm disa kate më poshtë për të bërë mësim, lum ata që do e kenë shpinë sipër “shkollës”… Unë nuk e kam kuptuar ndonjëher këtë PPP-në ti babagjysh, por dëgjoj që po bën mrekullira në qeverinë tonë. Kam dëgjuar që është diçka mes shtetit dhe biznesit, publikes dhe privates. Kështu mendova të të sugjeroja edhe ty ta provoje: përse nuk merr dhe ti një partner që të ndani dhuratat? Ia le dikujt që t’i blerë, t’i paketojë e t’i shpërndajë, e në fund juve fitoni bashkë… famë, mirësi, kënaqësi dhe adhurim nga ne fëmijët. Mirëpo kur ia thashë babit idenë time, ai më tha: “Mirë e ke të keqen babi, po PPP-ja do funksiononte me babagjyshin nëse ai nuk do i dhuronte dhuratat, por do vendoste t’i shiste. Ti e di çfarë t’i këshillosh babagjyshit? Të japë me konçesion uniformën e zanatin e tij!”

Së fundmi, doja të të shprehja dhe dëshirat e mia për kët vit i dashur babagjysh:

Së pari, të lutem dërgoju ndonjë dhuratë të bukur, ngrohëse dhe vezulluese atyre xhaxhave që rrinë tek ai Parlamenti. E di që ti merresh vetëm me fëmijët, por dhe ata, siç thotë gjyshja ime, “mosha tuaj ka ndonjëher më tepër mend se këta mëndjepilka.” Sikur janë ftohur, e nuk po mendojnë më për ne fëmijet, kështu ndriçojua pak mëndjen, jepu pak dashamirësi. Kujtohi për ekzistencën tonë.

Së dyti, me bastunin tënd magjik, po munde, e kthen dot betonin në pyll? Se ne lozim gjithandej, po na është bërë syri bakër për të gjetur ndonjë pemë mes qytetit.

Së treti, këtë vit bëhen zgjedhjet në Shqipëri: pse nuk vjen të kandidosh edhe ti? Unë kam menduar një skemë të bukur si të fitosh: thjesht kërkoju votën gjithë fëmijëve të vendit, e jepu një dhuratë sipas dëshirës së tyre. Kur them fëmijë, nuk them mosha jonë (pasi ne nuk votojmë), po gjithë fëmijët e vendit me moshë 18 e lart… Do kesh ca konkurrencë, se dikush shpërndan miell, dikush zarfe, dikush vënde pune, por jam i sigurt që ti do dish të gatuash më mirë pasi ke receta brilante.

Këtu po e mbyll, se për pak do ulemi për darkë. Letra më siguroi posta që do arrijë “në kohë”, e po të siguruan ata… e di vetë ti babagjysh, s’ka fjalë. Po nëse bën vaki të vijë me vonesë, me siguri që do ta ketë pasur fajin moti. Vitin tjetër do të të dërgoj e-mail gjithsesi.

Të përqafoj fort,

🙂

___

P.S. Babagjysh i dashur, shpresoj që rruga të të ketë shkuar mbarë, megjithatë ki parasysh edhe diçka për vitin e ardhshëm: nëse vendos t’i biesh nga rruga e kombit për të hyrë në Shqipëri, më tha gjyshi të sigurohesh më parë të kesh ID-në me vendlinje “Kukësi” pasi do paguash më pak taksa. Edhe diçka se mos harroj, kot e ke n.q.s. po mendoje dhe ti që të zëvendësoje drerat me bombël gazi për slitën tënde… pasi duke filluar nga ky vit, rritet taksa dëgjova në TV… prandaj mbahi drerët e shtrëngo rripin babagjysh!

***

Tags from the story
, ,

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.