Opinion> (mbi) Opinion të ZKM ndaj Politikës së Jashtme

ZKM mbi PJ te Shqiperise
ZKM mbi PJ te Shqiperise

nga Edi Sara       

Hyrje

Shpesh thuhet se imazhi një shteti matet nëpërmjet pasqyrimit në politikën e tij të jashtme (PJ). Aktiviteti, axhenda dhe dinamika e një politike të tillë shërben si pasqyra e parë e reflektimit të vlerave të një vendi dhe popullisë së tij para publikut ndërkombëtar. Në saj të PJ, përcaktohen dhe mbresat e para të cilat shërbejnë si prelud për zhvillim të mëtejshëm mes marrëdhënieve dy ose shumë-palëshe, absorbimin e fondeve ose investimeve nga sipërmarrës potencial, turizmi dhe tregtia.

Parimi bazë në diplomaci është reciprociteti. Ashtu siç një shtet vendos të trajtojë marrëdhëniet me një shtet tjetër ose organizate ku kanali standard është Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ), përgjigja pritet të vije anasjellasi. Mirëpo ç’ndodh kur një institucion zyrtar brenda një shteti ndërhyn duke gjykuar dhe vlerësuar diplomacinë e vendit jashtë organit kompetent që i përket të japë gjykimin dhe drejtimin PJ?

Origjina e gabimit: In Syntax Error

Për të mos u zgjatur më tej, shikoni se çfarë na paraqet faqja zyrtare e Zyrës së Kryeministrisë (ZKM) në portalin e saj online mbi axhendën dhe objektivat kryesore të PJ-së të Republikës sonë:

“Programi ynë qeverisës për politikën e jashtme synon jo vetëm të korrigjojë gabimet e së shkuarës që kanë rrezikuar të ardhmen euro-atlantike të Shqipërisë, por të rrisë cilësinë dhe të përshpejtojë ritmin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, besueshmërinë në rajon dhe strukturat euro-atlantike.”[1]

Një pyetje kritike ngrihet në këtë pikë: Cilat janë “gabimet e së shkuarës”? Përse konsiderohet sot si gabim PJ e pothuajse gjysëm shekulli diplomacie aktive dhe dinamike të Republikës Socialiste të Shqipërisë? Përposh këtyre pyetjeve, lind në formë sinergjike dhe pyetja e tretë: Me çfarë drejte legjitime, dikush sot i konsideron si “gabime të së shkuarës” marrëdhëniet e PJ të vendit tonë, me referencë padyshim për periudhën 1946-1990?

Diplomacia 2x(RR)2= Respekt Reciprok i Dyfishtë, nga brenda-jashtë kalon në fuqi eksponenciale

Përballë citimit të mësipërm të shkëputur nga faqja zyrtare online e ZKM, unë vendosa të citoj historianin e madh dhe të ndëruar arbëresh, Pr. Aristidh Kola. Ja çfarë na shkruan ai mbi perceptimin dhe funksionin e historisë në veprën e tij monumentale “Arvanitët”:

“Nëse njohim të shkuarën tonë (historinë), atëherë mund ta shfrytëzojmë më efektivisht të tashmen e ta planifikojmë me më pak gabime të ardhmen.”[2]

Duke pasur këtë leksion në mëndje, çdo i laureuar në marrëdhëniet ndërkombëtare, specialist i Akademisë Diplomatike Shqiptare dhe student në politikat publike, ose çdo lexues hedonist i historisë, do të evidentojë këto “gabime” në gjykimin mbi PJ nga ZKM:

  1. E para, harrohet principi i parë në shërbim të interesit ndaj atdheut: mbrojtja dhe respekti reciprok ndaj punës së ndërtuar dhe zhvilluar në mënyrë konstante dhe të pandërprerë nga praktikuesit asokohe të diplomacisë së shtetit. Organi i parë ekzekutiv në Republikë merr përsipër të vlerësoje dhe ngjyrosë me bojë të zezë afro gjysëm shekulli diplomaci aktive. Diplomacia nuk është statike, përkundrazi, në vetë trajtën substanciale, asaj i nevojitet të ketë natyrë fleksible dhe pragmatiste. Çdo shtet sot respekton në të mirë ose në të keq dhe pranon vijën historike të diplomacisë së vet duke pranuar çdo qëndrim dhe veprimtari të së shkuarës si të drejtë në diapazonin kohor kur ka ndodhur. Kur evidentohet mungesë respekti ndaj PJ dhe diplomacisë së një shteti në tërësi nga vetë institucionet e brëndshme të tij, impakti që prodhohet transformohet në formë eksponenciale tek imazhi ndërkombëtar mbi atë vend. Në kundërshtim me këtë natyrë të diplomacisë, duket se ZKM ka shpallur me nota deterministe në histori fatin e pashmangshëm të vendit tonë në rrugën që ka marrë drejt këtyre objektivave që nënkuptimisht sipas tyre, paskan qënë dëshirë historike e vendit tonë.
  2. E dyta, diplomacia e sotme shqiptare neglizhon maksimëm që na vjen si leksion qysh nga antikiteti, se armiqtë e së djeshmes mund të jenë miqtë e së nesërmes, si dhe anasjellasi. ZKM nuk është aspak organi kompetent për të gjykuar objektivat e PJ të Republikës, aq më tepër kur këtij gjykimi i jepen dhe përmasa “historike”, duke u tentuar të monopolizohet e drejta e sotme legjitime dhe aktive e një kaste burokratike shtetërore. Qeveritë shkojnë e vijnë, shteti mbetet dhe duhet të përfaqësojë dhe mbrojë gjithmonë interesat e popullsisë (kombit) së vet. Padyshim që kjo “gafë” karakterizon në tërësi kastën e sotme politike shqiptare që pas shëmbjes së regjimit komunist dhe hyrjes në pluralizëm, kur mundohen të instrumentalizojnë të shkuarën historike në shërbim të interesave politike të së tashmes.
  3. E treta dhe e fundit, nëse e marrim dhe të mirëfilltë opinionin e ZKM se diplomacia e sotme shqiptare ka si objektiv primar “[…] të korrigjojë gabimet e së shkuarës që kanë rrezikuar të ardhmen euro-atlantike të Shqipërisë […]”, përsëri lind një pyetje: Edhe sikur kështu të ishte (pavarësisht që përvoja historike dëshmon totalisht të kundërtën, për më tepër dhe mungojnë sondazhet), si ka mundësi që vendi ynë paska ëndërruar/aspiruar për një ëndërr/objektiv e cila vetë nuk kishte lindur ende asokohe? Më konkretisht, strukturat euro-atlantike që diplomacia tonë ka si objektiv të integrohet janë:

i. NATO, si aleancë ushtarake perëndimore u krijua në vitin 1949. Fillimisht u projektua nën tutelazhin e Washington-it si Ombrelle Mbrojtëse kundër ekspansionit të kuq sovjektik, por pas shëmbjes së murit të Berlinit, u riorganizua duke ndryshuar objektivat e saj dhe u transformua në një aleance për mbrojtjen e sigurisë ndërkombëtare, promovimit të paqes dhe stabilitetit në rajone konfliktuale. [3]

ii. BE morri ngjizjen e saj nga Komuniteti i Hekurit dhe Qymyrit (ECSC) në 1951 ndërsa emrin e sotëm në 1993 pas Traktatit të Maastriht-it, dhe u konsolidua si bashkim ekonomik pas vendosjes së përdorimit të monedhës së përbashkët që u vu në përdorim në 2001. Për më tepër, BE është ende në proçes transformimi dhe evoluimi dhe ka ende polemika të thella rreth ekzistencës së saj si entitet politik.[4]

iii. OSCE gjen fillimet e saj së pari tek Konferenca mbi Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Europe (CSCE) në fillim të viteve ’70 që cilësohen si fillimi i periudhës së detantes që u shoqërua me uljen e tensioneve mes kampit kapitalist perëndimor dhe atij socialist lindor. Pas shëmbjes së bllokut lindor, sikurse dhe NATO, organizata ndryshoi objektivat e saj për t’iu përshtatur konfiguracionit të ri gjeopolitik në arenën ndërkombëtare, dhe emri i saj i sotëm u ndryshua në samitin e Budapestit në 1994.[5]

iv. OECD fillimisht u themelua si Organizata për Bashkëpunimin Ekonomik Europian (OEEC) në 1948, me qëllim për të shpërndarë dhe administruar fondet e alokuara nga SHBA me Planin Marshall për rimëkëmbjen dhe ndërtimin e ekonomisë së vëndeve të prekura nga Lufta e Dytë Botërore. Me futjen zyrtare të Kanadasë dhe SHBA në 1960, u shndërrua në OECD në 1961 duke ofruar bashkëpunim në promovimin dhe zgjidhjen e politikave ekonomike mes vëndeve anëtare.[6]

Si konkluzion, këto struktura në të cilat aspiron vendi ynë të integrohet, dhe që sipas ZKM, PJ e vendit tonë “[…] synon jo vetëm të korrigjojë gabimet e së shkuarës që kanë rrezikuar të ardhmen euro-atlantike të Shqipërisë, por të rrisë cilësinë dhe të përshpejtojë ritmin [..]”, natyrshëm del që janë krijuar gradualisht ndër dekada, e nuk ka si të jenë “historike” për ne. Ato as nuk kanë ekzistuar më parë në formën e tyre të sotme, pasi një organizatë ndërkombëtare nuk qëndron statike, por evolon me kohën për t’ju përshtatur rrethanave të reja që krijohen në realitet. Suksesi matet me vizion: sa e aftë është një organizatë/aleancë të projektojë objektivat e saj duke parashikuar sa më saktë të ardhmen për t’ju përshtatur.

Një apologji sokratike “contemporaine”

Për të përfunduar kritikën time me një autokritike autodidaktike, po citoj Tit Livin:

“Është më e lehtë për të kritikuar se sa për të ndrequr gabimet e së shkuarës.”

Me këtë dua t’i sqaroj publikut që gjithë qëllimi i kritikës sime të mësipërme nuk është aspak për të ndrequr ndonjë gabim në të shkuarën, por për të kritikuarën të tashmen që është vënë në funksion të “ndreqjes së të shkuarës” dhe është miope për të ardhmen.

-###-

[1] Kryeministria.al. 2016. Politika e Jashtme 2016. Publikuar në: http://www.kryeministria.al/al/programi/shqiperia-evropiane-ne-rajon-dhe-ne-bote/politikat-e-jashtme

[2] Kola, Aristidh. 2008. Arvanitët. Botuar nga Toena. p. 11.

[3] NATO.org. A Short History of NATO. Publikuar në: http://www.nato.int/history/nato-history.html

[4] Europa.eu. The History of the European Union. Publikuar në: http://europa.eu/about-eu/eu-history/index_en.htm

Britannica.com. European Union (EU) = Organization. Publikuar në: http://www.britannica.com/topic/European-Union

[5] OSCE.org. History. Publikuar në: http://www.osce.org/who/87

[6] OECD.org. History. Publikuar në: http://www.oecd.org/about/history/

Tags from the story
,
More from Edi Sara

7-Maj: Besnikë “nga fryn era”

nga Edi Sara Përvit e më tej, dita 7-Maj ka marra trajta...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *