Halloween-Albversion: Festë apo zhvatje?

Halloween
Halloween- Festë apo zhvatje

Data 31 Tetor ka filluar të sjellë tashmë përvit në lokalet dhe pub-et e Tiranës një trend të ri: Halloween party! Rinia feston dhe dëfren në këto klube të natës duke futur një traditë të re në kalendarin vjetor të festimeve.

Halloween-i ka një prejardhje kristiane të përzier me disa zakone pagane, por vendorigjinën e ka në Keltët e Skocisë të cilët e quanin “festivali i të vdekurve”. Festa ishte një variant i huazuar i “All Hallows –Even” (Dita e Gjithë Shenjtëve) e cila festohej në datën 1 Nëntor në kalendarin e Krishterë.  Pas kolonizimit të Amerikës, festa u eksportua nga emigrantët irlandezë dhe skocezë dhe morri trajtat e festimit të ditëve të sotme në Sh.B.A. 

Por si festohet në Tiranë kjo festë e huazuar nga Perëndimi? Gjithkush që jeton në Tiranë, do të ketë vënë re klubet dhe lokalet të cilat shpërndajnë afishet reklamuesë që në fillim të Tetorit, dhe ajo e cila të tërheq vëmëndjen janë datat: 28-29-30-31 Tetor! Teksa në SH.B.A. kjo festë festohet në një datë (31-Tetor), në Tiranë dhe qytete të tjera kryesore të vendit tonë, festohet për tre deri katër ditë rrjesht…

Mos vallë kemi më tepër të vdekur për të ngjallur nga varri ne si komb? Apo ndoshta është thjesht një trend i ri i përdorur nga lokalet dhe pub-et për të gjeneruar më tepër kapital? Dora e vjetër e të moshuarve, ndoshta do ta pagëzonte me termin “festë imperialiste”, dhe nga njëra anë kanë të drejtë përsa i përket variantit “të atdhesuar Shqiptar” të Halloween-init!

Megjithëse kjo festë ka vlerat dhe kulturën e saj në ato shtete të cilat kanë lidhje dhe tradita historike në festimin e saj, në Shqipëri një lidhje e tillë mungon si në aspektin historik ashtu edhe në atë kulturor. Atëherë mbetet të themi, se kjo festë Perëndimore është eksportuar drejtpërdrejt nga marketingu dhe kasta e biznesmenëve të bareve dhe lokaleve të natës, të cilët përveç huazimit të një feste të re në fund-Tetorin e kalendarit në kulturën Shqiptare, i kanë dhënë edhe një dozë novacionesh e ngjyrimesh artificiale kryesisht në mjedisin kryeqytetas. Duke abuzuar me shtrirjen kohore më të gjatë të festës për gjenerimin e të ardhurave për bizneset e tyre, kjo festë e ka humbur kuptimin dhe lidhjen shpirtërore mbarëbotërore duke u transformuar në një festë komerciale përfitimi kryesisht në kurriz të rinisë shqiptare.

Rinia e sotme, e uzurpuar dhe bombarduar nga media dhe informacioni komercial i përditshëm i mbingarkuar, duhet të jetë më tepër vigjilente ndaj këtyre evenimenteve të cilat shfrytëzohen për përfitime masive dhe abuzive. Është në dorën e gjithkujt për t’u informuar dhe festuar sipas dëshirës një festë të huaj, por “natyralizimi artificial” nuk do i shkonte përshtat askujt nëse gjithkush do vendoste të festonte sipas një “kalendari festash artificialisht të vetëmodifikuara”. Kështu një person mund të festontë vitin e ri në 28-Shkurt, osë Krishtlindjet në 5-Maj! Si do ndjehej publiku Shqiptar sikur dita kombëtare e “Lumturimit të Nënë Terezës” (19-Tetor), apo Dita e Verës (14-Mars), të merrej e përshtatej në Maqedoni sipas mjedisit shoqëror e të festohej për një javë rrjesht dhe gjatë Marsit?!

Kuptimi dhe përmbajtja morale e këtyre festave humbet vlerat nëse tentohet të përshtatet në vënde të tjera, kur festa kalon kufijtë e origjinës… Gjithkush është i lirë të festojë sipas dëshirës, por kur një festë e huaj huazohet dhe transformohet artificialisht në diçka fitimprurëse, ajo e ka humbur plotësisht vlerën e asaj që përfaqëson dhe kthehet në një anti-traditë në vendin ku tentohet të importohet dhe përshtatet.

-###-

Tags from the story
,
More from Edi Sara

1 vit nga Vizita e Papa Françeskut: Vlerat dhe mesazhet e përcjella

Në 21 Shator’ 14, Tirana zyrtare dhe jo-zyrtare priti krahëhapur autoritetin më...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *