I thanë Gëzuar 1-Majin… Vështrim mbi shoqërinë shqiptare sot.

1-May-UNITE
1-May-UNITE

… ndërsa punëtori iu përgjigj: “por unë nuk jam jakebardhë, as punonjës në administratë (që natyrisht nuk do të thotë se duhet të jesh jakebardhë, por njohjebardhe) që ta gëzoj 1-Majin. Sot kush ka nevojë për bukë, punon 365 ditë në vit, kurse këto festat o miku im, kujt ia mban xhepi i përballon me pushim…”

Dhe nuk kishte faj… Nënqeshja e ironisë historikë më pushtoi fytyrën. Kush p*** e kush morri groshin thënë si populli… Të gjithë ditët e shënuara në kalendarin e punëtorëve, sot nuk festohen më nga ata, nga punëtorët, por nga ata të cilët i kanë punësuar. Pavarësisht se qëndron në kalendarin kombëtar si një ditë pushimi, festimi i saj është kthyer në luks si pasojë e natyrës së sistemit kapitalist ekzistues.

Çfarë paradoksi, që sot në ditën e punëtorëve, punëtorët vijojnë këtë ditë si gjithë ditët e tjera duke punuar ose kërkuar për punë, ndërsa pushim e kryen administrata shtetërore, ata të cilët rrogën e sigurojnë nga taksat që paguajnë punëtorët dhe shtresa tjetër e proletariatit punësuar në privat. Po shtresa e lartë? Ehhh, shtresa e lartë… sipas skemës dhe të rilindur të tatimeve, ka vetëm biznes të vogël e biznes të madh. Pra i mesmi ta ketë për nder që hyn tek i madhi, gëzon statusin e Goliathit, ndërsa i madhi, që mos ofendohet që ka dhe xhuxha mes veti, do paguajë njësojë si davidët.

Vëllazëri, barazi e liri shoku socialist që po më lexon, apo jo?

Për këtë ditë të bukur të kapitalizmit dhe demokracisë së pushtetit popullor punuan baballarët tanë në këtë vend. Për këtë ditë paradoksale derdhi gjak e djersë gjyshi e gjyshja tonë, që injoranti të vesh jakën e bardhë ndërsa intelektuali vesh xhinse dhe i kërruset gomarit/gomaricës që ka mbi vete; që fshatari që del e lëron fushën e djeg trupin nën diell duke punuar përditë shkon e voton djathtas si pinjoll i ndonjë familjeje lordi englez; që të paaftët me aftësinë e inkompetencës së tyre dhe të vështirësimit të thjeshtësive burokratike shpërblehen me pozicione drejtuese për të siguruar (mos)koordinim dhe (in)efiçencë në zbatim të detyrave përkatëse në rrang institucional; ku inxhinierët, artistët e mjekët kryejnë funksionet e politikanit, ndërsa juristët e historianët vihen në pozicione teknike ose mbulojnë zyrat e planifikimit urban nëpër bashki; ku laureantët e arteve të bukura janë caktuar të ndjekin supervizimin e objekteve dhe veprave publike; ku arkitektët përpiqen të nxjerrin bukën e gojës në rrugë përmes vizatimeve të lira, ndërsa piktorët hartojnë planet urbanistike në bashki e këshillat rajonale; ku matematiceni paguhet me rrogën e një kamarieri pa llogaritur bakshishin, ndërsa gazetaret dhe moderatoret e studiove televizive kalojnë pagën e ministrave vetëm duke shpalosur hiret para ekraneve, pasi sot miku/mikja ime vlerësohet më tepër bukuria fizike se sa produktiviteti mendor (e thonë pastaj që është vjetëruar materializmi-dialektik si shkollë e mendimit politik, kur sistemi i sotëm është ndërtuar pikërisht mbi themelet më të forta të këtyre parimeve materialiste); ku i ndershmi s’bën dot prokopi nga lista e taksave që duhet të paguajë, dhe rruga e vetme që të dëfton ligji është zgjuarsia për ta zbatuar Maliqin;

Je intelektual? Je me shkollë të lartë, ke studiuar jashtë? Dhe je pa punë?!?! Nuk ke lek? Turp të kesh… Duhet të shkosh në partinë e duhur, konvertohu në kleftokrat edhe ti! Ndryshe, ti nuk do të punosh, jo se nuk ke mundesi! Qëndro pre e disa parimeve boshe që marrin karburant nga disa ideale abstrakte që iu ka ikur koha si gjethet e zverdhura në prag vjeshte! Hiq dorë nga këto idealizma dhe rrok shpatullat e përshtatju sistemit edhe ti. Lëri llafet dhe hiqe maskën e moralistit! Imoraliteti buron përmes hipokritëve! Bëhu realist e përshtatu me masën, ndiq rrjedhën!

Fanari i së majtës shqiptare ka thënë se punë ka plot, por nga ana tjetër nuk ka profesionistë… Mirë e ka në fakt, sepse profesionistët morrën torbën e krisën ikën nga sytë-këmbët rrugëve të Europës! Pasi mësuan që dinjiteti fitohet përmes punës së ndershme, pa dallim klase, profesioni apo statusi shoqëror! Thjesht pasi aty punon e fiton, konsumon e lë diçka mënjanë! Ndërsa profesionisti shqiptar në vatanin e tij të mjerë, punon për të mbijetuar, pasi punon për të mbajtur me bukë përmes taksave aparatin parazit të burokracisë shtetërore e cila vërtitet si macja duke gjëmuar në vend bishtin e vet, e trembet kur i shpëton po***  e vet.

Jemi viti 2018, dhe 1 Maji e gjen shoqërinë shqiptare të klasifikuar në këto shtresa:

E para plutokracia, kasta e cila njeh veç pasurim, pavarësisht ndryshimit të forcave politike, fatkeqësive natyrore ose pushtimeve, edhe kiameti të ndodhë, ata/ato sërish do fitojnë. Kjo në sajë të pronave pafund të fituara pëmes zaptimit të hapësirave publike që iu ka ardhur si shpërblim politik nga favorizimi i politikanëve në kohë fushate, investimi dhe kontrolli i tregjeve informale të ekonomisë dhe shpesh edhe pazareve ndërkombëtare në kurriz të vendit.

E dyta vjen kasta e plerokracisë, që përfshin gjithë politikanët aktivë të vendit. E vetmja gjë që p*rdhojnë para popullit, janë fjalë, fjalë dhe fjalë. Prandaj dhe ju që më lexoni, besoj jeni dakord që nuk ia vlen të zgjatemi të harxhojmë fjalë për këta fjalëprodhues hiperinflacionistë.

E treta, vjen parazitokracia, ekuivalente gjithashtu nga terminologjia skolastike me salariatin, pra gjithë kasta e administratës publike qëndrore e lokale. Këta rrojnë për të rrojtur. Paguhen për të mbijetuar. Bëjnë sikur punojnë, dhe hiqen sikur paguhen. P**rdhamanë në fasadë, morracakë byth-e-brekë, ata zhuriten nga e Hëna në të Premten, nga janari në dhjetor, nga viti në vit, për të qënë makineria që prodhon blozë për aparatin shtetëror shqiptar, duke u qarë përditë me kërkesat e tyre, por duke pasur gjithmonë zërin memec. Moto e tyre është thënia e Scott Johnson: “Një ditë e keqe në punë është më mirë se një ditë e mirë në ferr.” Kështu kthejnë në ferr gjithë ditët e vitit!

E katërta vjen prekariati, një togfjalësh (portmanteau) i pagëzuar nga ekonomisti dhe profesori i mirënjohur Guy Standing, krijuar nga bashkimi i fjalëve angleze “precarious (pasiguri) + proletariat”. Në fjalët e tij, prekariati është klasa punëtore e cila punon tejskajshëm për të mbajtur vëndin e punës nën stres, rrethuar nga pasiguria sociale, mungesë siguracioni në punë, mungesë e mundësive të rritjes së kapaciteteve dhe aftësive në punë, punësim të pjesshëm dhe pamjaftueshmëri materiale për jetesë normale, dhe mungesë e përfaqësimit të zërit për të drejtat e tyre si pasojë e mungesës së sindikatave të lira e të pavarura (jo të blera me drejtues klloun). Kjo kastë në disa vënde të botës është ende në ndërtim e sipër, por në disa vënde të tjera, sidomos tek ato në tranzicion pas shpërbërjes së bllokut lindor socialist, tashmë mund të identifikohet qartë nga të rinjtë që janë të pakënaqur me të ardhurat minimale për punë, tek punëtorët që nuk iu del dita e punës sezonale, e deri tek rrogëtarët që punojnë nën presion të pushimit nga puna në sektorin privat.

Më e bukura në rastin e Shqipërisë, është që ndryshe nga klasifikimi që profesor G. Standing bën në analizën e tij (The Precariat, 2011), në vendin tonë nuk besoj se ekziston më klasa e proletariatit. Në rastin tonë, hierarkisë shoqërore i mungon kjo shtresë e nga salariati vijon drejt e në prekariat, për të vazhduar më tej ndoshta me lumpenproletariatin e cila formësohet nga komunitetet e marxhinalizuara në luftë të përditshme e drejtpërdrejtë për mbijetesë, lypësit ose invalidët pa të ardhura të mjaftueshme. Për më tepër, vendi ynë i përfshin të treja nëndarjet që Standing i bën edhe prekariatit: e para, nënklasa e vjetër e mesme punëtore, që duke parë problemet e shumta të pasigurisë që lidhen me kapitalizmin, gjithmonë i referohen me nostalgji regjimit të vjetër komunist duke bërë krahasime lidhur me sigurinë në punë, siguracionet sociale, mbrojtja në punë etj. Këta shpesh rreshtohen pas linjave populiste ose të ekstremeve majtas/djathtas; e dyta, nënklasa e emigrantëve/minoriteteve të cilët ndjehen të deprivuar nga vatani i tyre, e gjithmonë rebelohen kur gjejnë një kauz fondamentaliste që ka rrënjë me çështjen e tyre; e treta, nënklasa e intelektualëve të rinj, studentë të kthyër në klientë në universitete ku edukimi shitet si një komoditet, të diplomuar të cilët ndjehen totalisht të demoralizuar për të ardhmen e tyre para një vendi ku papunësia ka pllakosur ngado, ku nuk shihen mënyra pune dinjitoze dhe të vetëplotësimit, prandaj emigrimi shihet si rruga e vetme, pasi revolucioni dhe përmbysja e rendit ekzistues politik kërkon *ole e këllqe, e kjo shihet me teleskop në Shqipëri.

Tani lind pyetja, për cilën klasë është 1 Maji i përballueshëm si ditë pushimi?

Ipso facto, klasa e parë plutokracia e cila 1 maj ka 365 ditët e vitit, klasa e dytë plerokracia e cila vegjeton tryezat dhe organet e larta institucionale të shtetit dhe çdo të Enjte përgatit çorbën e rradhës të llafeve që do prodhojë në kuvend, dhe klasa e tretë salariati (ose parazitokracia) e cila ruan heshtjen e kënaqët duke marrë një ditë tjetër pushim nga puna në shtet.

Për proletariatin inekzistent në vendin tonë, prekariatin dhe lumpenproletariatin, 1 maji është thjesht një ditë pune e zakonshme, ose një tjetër përpjekje në kërkim të saj. Por prekariati shqiptar duhet të ndërgjegjësohet që nuk është i vetëm në këtë luftë globale, mjaft të marrë guxim e të ngrejë zërin si një trup i vetëm të cilit për momentin i mungon koka, por nuk do vonojë që një lider i ri të ngrihet e të bashkojë gjithë bashkëvuajtësit dhe punëtorët e palodhur të këtij vendi për t’i dhënë një goditje çrrënjosëse këtij sistemi të kalbur kapitalist. Për prekariatin, ia vlen të citojmë Shekspirin:

Ne e dimë se çfarë jemi, por nuk dimë se ç’mund të jemi.

Deri atëher, Gëzuar 1 majin ti punëtor ndërtimi, Gëzuar 1 majin ti minator, Gëzuar 1 majin ti naftëtar, Gëzuar 1 majin ti mekanik, Gëzuar 1 majin ti hidraulik, Gëzuar 1 majin ti elektriçist, Gëzuar 1 majin ti orëndreqës, Gëzuar 1 majin ti këpucar, Gëzuar 1 majin ti rrobaqepës, Gëzuar 1 majin ti student që mëson e punon në call center për të paguar dijen, Gëzuar 1 majin ti intelektual që punon me fizikun tënd pasi tregu nuk ka kërkesë për mëndjen tënde, Gëzuar 1 majin ti punonjës administrate që punon 8 orë në shtet e 4 orë pas pune në privat për të mbajtur familjen, Gëzuar 1 majin dhe ti lexues i dashur që pa dallim klase, ideje ose statusi shoqëror morre mundin të më lexosh!

Pa punë asgjë nuk lulëzon. ~ Sofokliu

***

1-May- Rise Precariat
1-May- Rise Precariat
Tags from the story
, ,
More from Edi Sara

Sondazhi PD: 29-Maj në “Opinion” nga IBSK

Disa sqarime mbi sondazhin e zhvilluar nga IBSK, shfaqur tek “Opinion” më...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.