Kushtetueshmëria e qeverisë së koalicionit paszgjedhor

Analiza

nga Alban Lauka

       Zgjedhjet e 8 qershorit na ofruan rastin që ne, shqiptarët, ti japim Kushtetutës rëndësinë që i takon si akt themelor i ndërtimit dhe funksionimit të shtetit. A do të shfrytëzohet ky rast apo jo, mbetet për tu parë, por si fillim, na nevojitet një analizë e drejtë e dispozitave që na jep Kushtetuta për krijimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve.

Ndërsa Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve po përgatitet të shpallë rezultatet zyrtare, të dhënat paraprake duket se u kanë mjaftuar lojtarëve kryesorë politikë për llogaritë dhe ujditë e tyre në ndarjen e pushtetit. Deri këtu jemi në një dimension tërësisht jashtëinstitucional, prandaj as nuk ka nevojë të shtrohet pyetja nëse është ndërmarrë ndonjë veprim antikushtetues.

Paqartësia fillon në momentin kur marrëveshjet jashtëparlamentare të liderëve të partive materializohen në Kuvend. Kush duhet emëruar si kandidat për tu hedhur në votë për postin e Kryeministrit të Kosovës në legjislaturën e re? Çfarë kriteresh duhet të plotësojë kandidatura për tu konsideruar e pranueshme nga Presidenti? Në këtë pikë, Kushtetuta e Republikës së Kosovës lë hapësirë për interpretime. Neni 95 i Kushtetutës thotë:

1. Pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për

Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e

nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.

2. Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet

përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

 3. Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të

Kuvendit të Kosovës.

 4. Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i

Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës

proçedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall

zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.

 5. Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria

bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin

që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë.

6. Anëtarët e Qeverisë pas zgjedhjes, japin betimin para Kuvendit. Teksti i betimit rregullohet

me ligj (Kushtetuta e Republikës së Kosovës).

Pas marrëveshjes së tri partive të opozitës së deritanishme, po zhvillohet një debat i ethshëm që rrotullohet kryesisht rreth interpretimit të nenit të mësipërm të Kushtetutës për të përcaktuar se nga cila parti/koalicion duhet të dalë kandidati për kryeministër. Disa “argumentojnë” se partia fituese e zgjedhjeve ka të drejtën e nismës për krijimin e qeverisë, dhe Presidenti duhet të emërojë një kandidat të tij për ta hedhur në votim në Kuvend. Ndërmjet emërimit dhe votimit, kjo parti ka mundësi të mbledhë numrat për një shumicë parlamentare. Ky version i zgjedhjes së qeverisë, i ngjashëm me atë të shumë vendeve të tjera në Europë, u përkrah këto ditë në media nga interpretime të Arsim Bajramit dhe Enver Hasanit, mbështetur pikërisht në idenë se nisma për emërimin e kandidatit i takon partisë apo koalicionit fitues parazgjedhor, pavarësisht a e ka shumicën në Kuvend apo jo. Por Kushtetuta e Kosovës përcakton një proçedurë shumë të ndryshme nga ajo e mësipërmja. Një shqyrtim i kujdesshëm i nenit 95 na nxjerr në mënyrë të pakundërshtueshme në përfundime logjike të kundërta në raport me ato të z.Barjami (Kosova-Sot, 10 qershor, 2014) dhe z.Hasani (Telegrafi, 10 qershor, 2014).

Së pari, kushtetuta, nuk përmend as partinë politike, as koalicionin që merr më shumë vota në zgjedhje. As zgjedhjet nuk përmenden fare këtu. Pra, përjashtohet kategorikisht mundësia që një parti ose koalicion të marrë iniciativën (bashkë me Presidentin) për zgjedhjen e qeverisë me arsyetimin se ka përqindjen më të lartë të votuesve në zgjedhje. Kjo shifër nuk ka asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me zgjedhjen e qeverisë. E vetmja shifër që ka rëndësi është numri i deputetëve, dhe emërimi i kandidatit për kryeministër lidhet vetëm me të.

Së dyti, dihet se në sisteme politike shumëpartiake si ai i Kosovës (ashtu si edhe në këto zgjedhje), shpesh nuk ka asnjë parti apo koalicion parazgjedhor që arrin të ketë 61 ose më shumë deputetë pa aleanca të reja pas zgjedhjeve. Atëherë, a duhet Presidenti të konsultohet me partinë më të madhe dhe ti japë kohë për krijimin e shumicës? Neni i mësipërm tregon qartësisht se në momentin e emërimit të kandidatit të kryeministër, krijimi i shumicës është punë e përfunduar. Siç thotë shprehimisht ky nen, Presidenti shpall kandidatin nga partia/koalicioni që tashmë e “ka fituar shumicën e nevojshme për krijiin e qeverisë”.  Pra, kemi një sistem politik ku nuk është aspak e garantuar shumica e një partie/koalicioni parazgjedhor, por nga ana tjetër, pritet ekzistenca e një shumice parlamentare para emërimit të kandidatit për Kryeministër. Logjikisht, përveç fitimit të 61 deputetëve prej një partie/koalicioni, e vetmja mundësi është krijimi i shumicave në periudhën e ndërmjetme mes zgjedhjeve dhe emërimit të kandidatit.

Në këtë pikë mungon një përcaktim i statusit juridik të shumicës së formuar pas zgjedhjeve, por ekzistenca e saj, paracaktuar sipas këtij neni, del logjikisht e pashmangshme dhe e domosdoshme. Madje, këtu na vjen në ndihmë edhe një precedent i emërimit të Kryeministrit në formimin e qeverisë Thaçi 2. Edhe para katër vitesh, partia fituese nuk e kishte shumicën në Kuvend, por Presidenti emëroi kandidatin prej rradhëve të saj. Duke qenë se ky emërim nuk mbështetet në rezultatet e zgjedhjeve por në shumicën e deputetëve, i vetmi shpjegim i arsyeshëm është se, edhe në atë rast, Presidenti ka emëruar kandidatin e një koalicioni të shumicës paszgjedhore. Mbështetur në këtë precedent, edhe pas zgjedhjeve të tanishme, kandidati i parë duhet të dalë nga një shumicë e tillë. Për më shumë qartësi në të ardhmen, duhet saktësuar statusi juridik i koalicioneve paszgjedhore. Me nënshkrime të deputetëve, të kryetarëve të partive, apo në ndonjë mënyrë tjetër, duhet përcaktuar edhe mënyra e verifikimit të shumicës në Kuvend nga ana e Presidentit, para se të ketë të drejtë të emërojë kandidatin. Por logjika e thjeshtë të nxjerr qartësisht në përfundimin se shumica në Kuvend, para apo paszgjedhore qoftë, është ajo që nxjerr kandidatin e parë për kryeministër.

Përsa i përket idesë se kryeministri që pritet të propozohet nga koalicioni i ri përfaqëson vetëm 10% të votuesve, në aspektin juridik kjo është diçka krejt normale dhe e lejueshme. Në demokracitë moderne, të ndërtuara mbi përfaqësimin politik të popullit prej deputetëve, vendimmarrja u takon këtyre të fundit, ndërsa llogaridhënia bëhet përmes zgjedhjeve të ardhshme. Pra, ndryshe nga mandati i deleguar, ku përfaqësuesit nuk kanë hapësirë të pavarur manovrimi, mandati përfaqësues i jep çdo deputeti lirinë e gjykimit dhe vendimmarrjes në interes të popullit që përfaqëson. Çdo deputet i legjilaturës në krijim e sipër duhet të vendosë në emër të zgjedhësve të tij, a duhet mbështetur kandidatura e re për kryeministër, ndërsa mendimi i vetë zgjedhësve për këtë çështje do të reflektohet në zgjedhjet e ardhshme. Kjo ide mbështetet shkoqur edhe nga Neni 70 i Kushtetutës, pika 1:

Neni 70 [Mandati i Deputetëve]

 1. Deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati

Pra, një kandidat që votohet nga shumica e deputetëve të Kuvendit është kryeministër krejtësisht legjitim, pa patur nevojë të diskutohet mbështetja që gëzon personalisht në elektorat.

Si përfundim, nga një interpretim i thjeshtë i Kushtetutës del se, nëse asnjë nga partitë apo koalicionet parazgjedhore nuk e merr shumicën në Parlament, kjo shumicë mund të krijohet nga një koalicion paszgjedhor, dhe si e tillë, ka të drejtë të ketë kandidatin e parë për Kryeiministër, të emëruar nga Presidenti.

Referenca:

Kushtetuta e Republikës së Kosovës. (2008). Marrë me 12 qershor 2014, nga

http://www.mkrs-ks.org/repository/docs/Kushtetuta.e.Republikes.se.Kosoves.pdf

Arsim Bajrami. (2014). Marrë nga faqja e Kosova-Sot me 12 qershor 2014, nga

http://www.kosova-sot.info/politike/kosove/arsim-bajrami-pdk-do-ta-bej-koalicionin-qeverises

Enver Hasani. (2014). Marrë nga faqja e Telegrafi, nga

http://www.telegrafi.com/lajme/ja-interpretimi-i-enver-hasanit-opozita-nuk-mund-ta-formoj-qeverine-2-46142.html

Tags from the story
,
More from Edi Sara

Testament mbi humanizmin: A vleka lekura e frëngut më tepër?! -Cilësia paska sasinë e saj.

Ex-post synopsis “Vdekja e një personi është tragjedi, vdekja e milionave është...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *