La Grande Bellezza (2013)

La Grande Belleza

nga Anisa Vrenozi

La Grande Bellezza
Regjisor: Paolo Sorrentino
Aktorë: Toni Servillo, Carlo Verdone, Sabrina Ferilli, Carlo Buccirosso, Iaia Forte, Pamela Villoresi, Galatea Ranzi.

Roma është cilësuar si Qyteti i Përjetshëm dhe një nga qytetet më të mëdha të kinematografisë. “La Grande Bellezza”, filmi i ri nga Paolo Sorrentino, paraqet Romën e ditëve të sotme: si qytet, botëkuptim dhe sistem të të jetuarit. Ky është një realizim ambicioz, nëpërmjet të cilit regjizori i bashkohet plejadës së film-krijuesve të tjerë italianë, fantazia e të cilëve ëshë gjithashtu nxitur në krijim nga po ato ambicie të ngjashme, të cilat kanë kulmuar me filmat: “Roma, Città Aperta” dhe “La Dolce Vita.” Filmi “La Grande Belleza” mund të konsiderohet si vazhdimësi e natyrshme e këtyre dy kryeveprave të kinematografisë.

Realizimet kinematografike të Roberto Rossellini dhe Federico Fellini kanë përjetësuar kryeqytetin italian gjatë dy epokave aq të jashtëzakonshme sa vetëm kinemaja mund ta mbërthente kuptimin e plotë të tyre. “Roma, Città Aperta” i Rossellini-t pasqyron pushtimin nazist të vitit 1944 dhe “La Dolce Vita” e Fellini-t përcjell hedonizmin bosh të viteve që pasuan. Dukshëm, qëllimi i realizimit të Sorrentino-s është që të përcjellë të njëjtën gjë për Romën e epokës së Berluskonit.

Kamera mjeshtërore e Sorrentino-s zbulon një e nga një skena, figura dhe fytyra. Ja tek shohim një mëngjes me diell të një qyteti të lavdishëm. Më pas… një turist japonez shembet papritmas teksa me padurim fotografon horizontin e qiellit romak… ndoshta lodhje… ose ndoshta mbingarkesë estetike në një qytet çudirash… Më pas skena ndryshon katërcipërisht dhe fokusohet në një festë shurdhuese të organizuar për ditëlindjen e 65-të të Jep.
Jep Gambardella, personazhi kryesor i filmit, është një playboy i moshës së pensionit, elegant gati-gati si një vampir, fytyra e të cilit është një maskë e edukuar që fsheh pas një zhgënjim të thellë. Jep e ndërtoi pasurinë dhe reputacionin e tij si gazetar me romanin e tij të vetëm “L’Apparato Umano”, të cilin e shkroi në të njëzetat e hershme, dhe e cilësonte herë si ” një kryevepër e letërsisë italiane ” dhe herë si “një libër i pavlerë”.
Thellësisht i prekur nga tregimi i një personi të huaj i cili paraqitet në derën e apartamentit të tij, Jep fillon një reflektim të thellë mbi gjithçka që ai ka dashur, ato ç’ka kanë humbur, së bashku me një ndjenjë të vagët se mund të filloi sërishmi të shkruajë seriozisht.

Më pas e kaluara përzjehet me të tashmen dhe realiteti me kujtimet e ndoshta edhe ëndrrat. Jep mendon sërishmi për jetën e tij, e cila ka qenë edhe jeta e këtij qyteti dhe kupton se tashmë ka kaluar pjesën më të madhe në kërkim, nëpër çatitë dhe ulluqet për atë që ai e quan La Grande Bellezza- “bukuria e madhe”. Ama, ç’ka ai vërtet gjen është kotësia, hipokrizia gangster-izmi dhe dekadenca.

Një ndër personazhet e filmit dhe të ftuarit e Jep është Kardinal Bellucci, pritshmërisht Papa i ardhshëm, interpretuar mjeshtërisht nga 75-vjecari Roberto Herlitzka. Kardinali ngjall mahnitjen e Jep me njohuritë e tij të imtësishme për sekretet okulte të Romës, aq të shenjta sa dhe profane. Personazhi i Kardinalit simbolizon ndjesinë e papërshkrueshme dhe të papërkthyeshme të “Romanità”. I tërë filmi vërtitet rreth kësaj ndjesie që nuk është tërësisht teologji, as histori, as politikë por një ndjesi e skalitur në sheshet dhe kopshtet e Romës; thelbësore për të kuptuar narcicizmin dhe lavdinë e dëshirave njerëzore. Paralelisht botëkuptimi i Jep simbolizon atë që mund të konsiderojmë si “Mondanità”: jetën luksoze e sferave të larta të shoqërisë; kultura e cila kokëfortësisht vazhdon falë vanitetit të një jete boshe dhe … “botox-it” si rrugëdalja e fundit për një kohë që po perëndon…

Fotografia e Sorentionos, është një paraqitje besnike e festave që tejzgjateshin nëpr netë të gjata, për të argëtuar shoqërinë e lartë. Rinia e pjesëmarrsve të këtyre festave tashmë është venitur, por në fytyrat e tyre të stisura me kirurgjinë plastike, vihen re përpjeket e dëshpëruara për të ruajtur ato grimca të fundit të viteve që nuk jane më… dhe kamera e Sorrentino -së rrëshqet rreth tyre si fantazmë në festë.

“La Grande Bellezza” është cilësuar nga kritika si filmi më i mirë Sorrentino-s deri më tani, një film me po ato elementë të pangatërrueshëm që ravijëzojnë edhe “Il Divo” dhe “Le Conseguenze dell’ Amore”, por me një këndvështrim të ri për ndjenjën e dashurisë dhe humbjes, një paraqitje edhe më të mprehtë për format e pushtetit dhe prestigjit dhe me atë ndjenjë melankolie aq të thellë sa të futet dhe qëndron gjatë Brenda ndjesive njerëzore.
Por… a mundet “La Grande Bellezza” me të vërtetë të pasojë vazhdën e kryeveprave si “Roma, Città Aperta” dhe “La Dolce Vita”? Saktësisht për këtë mund të pyesim sërish pas një gjysmë shekulli por pa diskutim ky realizim është një kulminim i punës së deritanishme së Sorrentino-s… një Coup de Cinema plot shkëlqim, mbresat e të cilit mbeten të skalitura thellë në zemrën, mëndjen dhe shpirtin e çdo adhuruesi të kinemasë autentike.

“… dhe ne skenën finale, kamera rëshqet në një barkë poshtë lumit Tiber. Nuk ka muzikë… vetëm krokama e zogjve. Koha ndalet, dhe çdo gjë është mbresëlënëse… ashtu si vetëm Italia mund të jetë.”

Tags from the story
More from Edi Sara

Dështon “Operacioni Valkyrie” i koordinuar me “PRANVERËN SLLAVE”

*Sqarim: Së pari me lejoni t’i sqaroj lexuesit shqiptar se analiza e...
Read More

2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.