Last Tango in Paris (1972)

nga Anisa Vrenozi

Regjisor: Bernardo Bertolucci

Skenari: Bernardo Bertolucci & Franco Arcalli

Aktorë: Marlon Brando, Maria Schneider Jean-Pierre Léaud, Maria Michi, etc.

“Last Tango in Paris” i Bernardo Bertolucci u prezantua për herë të parë para publikut gjatë natës së fundit të festivalit të filmit në New York në 1972 dhe ajo datë u shënua përgjithmonë në historinë e filmit. Referuar kritikës së atyre viteve, efekti i filmit në audiencë ishte i njëjtë me atë të premierës së “Le Sacre du Printemp” të Stravinsky-t në Paris në 1913:një ngazëllim hipnotizues, instikte primitive dhe padyshim erotizmi më tepër se instiktiv. I cilësuar si filmi erotik më influencues në historinë e kinematografisë, “Last Tango” është ndër filmat më liberalizues realizuar nga njeriu i cili i kishte dhënë kinemasë “The Conformist” (Il Conformista) dhe që në fillim vitet ’70 u përcolli jo vetëm erotizmin por një realitet të ri në kinema.

Tek diskutohet për erotizmin, pritshmëritë e publikut të kultivuar me kinemanë shkojnë menjëherë tek Bertolucci, për vetë elegancën dhe sensualitetin në realizmin e filmave erotikë të cilët pasuan më vonë “Last Tango”-n si “The Sheltering Sky”, “Stealing Beauty”, “The Dreamers”, etc. Padyshim, mjeshtëria e tij krijuese në erotizëm kulmon me “Last Tango in Paris”.

Skenari i filmit fokusohet tek përpjekjet e Paul (Marlon Brando), një Amerikani që jeton në Paris, të largohet nga ajo ç’ka është jeta e tij pas vetvrasjes së bashkëshortës. Në një apartament bosh, a thua të ishte fryt i rastësisë më të stisur, ai takon Jeanne (Maria Schneider). Në dhomat bosh të këtij apartamenti ata kalojnë tre pasdite erotizmi instiktiv dhe primitiv, pa ditur asgjë mbi njëri-tjetrin, madje as emrat, me bindjen e Paul-it që seksi ishte gjithcka kishte rëndësi në takimet e tyre.  Si shikues të jashtëm, ne i ndjekim të dy në jetët e tyre jashtë atij apartamenti: Paul në hotelin e gruas së tij dhe Jeanne me nënën dhe të fejuarin Tom, një regjisor televizioni, i cili po xhiron një film me metrazh te shkurtër mbi jeten e saj, përgjatë një jave… deri në ditën e dasmës së tyre.

Seksi në “Last Tango in Paris” shpreh motivimin e brendshem të personazheve. Nevoja për izolim nga bota e jashtme është padyshim e Pauli-it, i cili sjell në dhomat e atij apartamenti inatin e tij seksual, si pjesë të formimit të tij apo ndoshta si pasojë e tradhtive të pranuara në heshtje të bashkëshortes, dhe nevojën e tij për të denigruar Jeanne dhe veten, teksa kërkon nënshtrim total në dëshirat e tij seksuale: skllavërim i cili për të është e vërteta seksuale. Brenda atij apartamenti, forca e tij mashkullore dhe i tërë miti që ai ka ndërtuar mbi të, janë faktet më të rëndësishme. Paul shtyn në skaje irracionalitetin e tij gati të mjerueshëm dhe drejton tërë rrjedhshmërinë e asaj marrëdhënie po aq irracionale…ndërsa Jeanne…ajo është aq erotikisht e nënshtruar ndaj të bërit dashuri më të aq sa ato orë të kaluara në atë partament ia kthyer në kuptimin e ditëve të saj… Dhe të dy përfaqësojnë atë ç’ka për dekadat e fundit ishte modeli i marrëdhënieve seksuale: mashkulli dominant dhe femra adhururuese- model i cili tashmë po binte.

Ajo që ndodh në atë apartament midis Paul dhe Jeanne përqafëson tërë botëkuptimin e filmit: Si seksi arrin të përmbushë dy nevoja tërësisht të ndryshme. Paul ka nevojë të humbasë vetveten në dhimbje dhe inat, të imponojë burrërinë e tij në një të panjohur sepse dështoi me gruan e tij. Jeanne i përgjigjet një burri, i cili megjithëse duket emocionalisht i shkëputur, është tërësisht i fokusuar tek ajo dhe ka një nevojë dëshpëruese për të. Praktikisht, ai është e kundërta e Tom, i cili filmon çdo moment të jetës së saj, por ama mendon vetëm për filmin. Ajo e ndjen që Paul ka nevojë për të ashtu si askush tjetër nuk do mundet dot më.

Pas tre ditësh, bashkëshortja e Paul varroset dhe ai tashmë është i gatshëm të rifillojë jetën e tij: të jetojë normalisht dhe të dashurojë Jeanne-n. Por ama Paul është 45 vjeç ndërsa Jeanne vetëm 20; ai është një burrë që ka parë së tepërmi nga jeta ndërsa ajo një vajzë që ende nuk di asgjë.
Pasi largohen nga apartamenti, Paul e ndjek Jeanne dhe e bind të bisedojnë në një sallë vallëzimi në të cilën po zhvillohet një konkurs tango-je dhe ku ato ‘vallëzojnë tangon e fundit.’ Dhe teksa takohen në botën e jashtme, asgjë nuk ndjehet si më parë.

Më pas është skena mbyllëse, Paul braktis sjelljen e tij të mëparshme, tregon emrin dhe historinë e tij dhe duket sikur e dëshiron Jeanne-n në mënyrën më normale, madje atë banale që ne njohim; ashtu si një burrë në moshën e tij dëshiron sensualitetin rinor të një vajze.  Kjo ndryshon gjithçka… dhe dilema e shikuesit të këtij filmi është: a është e pritshme apo e justifikuesshme ajo ç’ka Jeanne i bën Paul në apartamentin e nënës së saj? Bertolucci vetë i është pergjigjur kësaj pyetje: “E lashë fundin e paqartë sepse vetë jeta në vetvete është e tillë.

Dhe me të vërtetë, një histori e tillë, përtej çdo logjike dhe racionalieti, përtej konvencionit dhe normave, madje përtej ndjesisë dhe instiktit, kurrsesi nuk mund të përfundonte me të dy personazhet të gjallë deri në fund.
Gjenialitetit dhe mjeshtërisë së Bertolucci-t i atribuohen shumë merita për konceptimin dhe realizmin e këtij filmi, por atributi kryesor për sjelljen në skenë e asaj ç’ka konsiderohet si cinéma verité, gjithsesishkon për Marlon Brando. Roli i Paul u konceptua duke integurar në personazhin e tij elementë nga vetë karakteri dhe prezenca skenike e Brando-së pasi sipërfaqja e lojës së tij aktoriale shpreh aq shumë të asaj ç’ka po ndodh për së brendshmi. Në një nivel sipërfaqësor, Brando, me influencën e tij Amerikane dhe monologët e improvizuar e përcjell mirefilli personazhin e Paul si një Amerikan në një vend të huaj, në një mënyrë që një regjizor italian nuk mund ta bënte dot vetëm. Por ama, në një nivel më të thellë profesional dhe ndjesor, ashtu si vetë Bertolucci shprehet, regjizori ka zbuluar tërë dimensionet e  botëkuptimit të filmit gjatë procesit të realizmit të tij dhe kjo e kthen në art realizmin e filmave. Me “Tangon e fundit” Bertolucci dhe Brando i dhanë një formë të re artit kinematografik.
Last Tango in Paris” u censurua për shumë vite në Itali dhe vwnde të tjera deri në shfaqjen e tij të plotë në fillimvitet ’80. Pelikula origjinale e filmit i shpëtoi rastësisht urdhërit të djegies të dhënë nga gjykatat italiane dhe u konservua në Francë deri në shfaqjen e versionit të sotëm të filmit, i cili sërish është i paplotësuar me gjithë skenat e xhiruara nga Bertolucci. Megjithëse dekadat që vijuan, ku realizimet kinemtografike tejkaluan çdo lloj konvecioni dhe norme të vendosur më parë në kinema dhe art, shumë pak filma seriozë sfiduan aktorët të eksploronin dimensione më të thella njerëzore ashtu si krijimi i Bertolucci-t. Asnjë realizim kinematografik që prej 1972 nuk ka arritur të jetë aq seksualisht intim, emocionalisht përcjellës, ‘i ndershëm‘ madje dhe transgresiv si “Last Tango in Paris”.

 

Tags from the story
,
More from Edi Sara

Apoteoza e Globalizimit dhe epitoma e Botërorit “Brazil-2014” si anti-tezë

Jemi nën ethet e Botërorit-Brazil 2014, dhe përveç emocioneve që na përçohen...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *