Letër e hapur prindërve dhe gjyshërve tanë: Tirana, kjo tokë e palluar në beton!

Tirana- palluar në beton
Tirana- palluar në beton

Vjen mëngjesi… Gdhihemi mes ajrit të pastër të smokut, shoqëruar nën tingujt harmonioz të kantiereve të ndërtimit që së shpejti do më krijojnë një komshi të ri përballë verandes… Dal në verandë, shoh përreth, biznesi i “arit të zi” (jo nafta, kështu preferoj ta quaj unë kafen në ekonominë shqiptare) ka filluar ditën si përditë. Guxoj të hedh sytë tutje… Dajti ka filluar të shfaqet pak nga pastrimi i tymërave dhe gazrave që janë shpërndarë disi gjatë natës. Kthej kokën majtas-djathtas… një panoramë ngjyrë gri pushton horizontin në 360°. Një zymtësi e lumtur, një çiltërsi amullie, një gjëndje letargjie relaksuese… Ku ka qytet më të bukur! Ehhh… Tirana!

Vjen ora… dikush më thërret për kafe. Domosdoshmërisht, qoftë punë ose qejf, biznes apo llafe, edhe mua si shqiptar i mirë më thërret detyra të shkoj të ndaj një kafe me një koleg, mik, familjar apo njohje në një ambient lokali. Ku do ta pijmë?!- lind pyetja sa serioze, aq edhe groteske. Serioze pasi ambienti duhet të përkojë me preferencat e bashkëbiseduesit tim dhe i kushtohet shumë vëmendje vendit në krahasim me temën e diskutimit, groteske pasi ka aq diversitet dhe ofertë lokalesh, sa në fund nuk di ku të ulesh. Më në fund personi ndan mëndjen dhe ne ulemi.

Po kaloj fjalitë hapëse, drejt e në temë. Teksa po diskutonim për projektin tonë, papritur e papandehur ambienti përreth ishte kthyer në një kopsht fëmijësh. Shoh nëna, gra e vajza me fëmijët, nipërit, mbesat, kushërinj mosha 2-10 vjeç. U ndjeva si në çerdhe… Patjetër që u inatosa, dhe në atë çast, një fëmijë që po vinte duke luajtur me makinën e tij lodër, u ngjesh përbri tavolinës sonë e për pak rrëzoi gjithçka gjendej mbi sipërfaqe… Në atë moment, e ëma ngrihet, dhe fillon t’i thërrasë fëmijës së vet e ta qortojë ashpër duke i kërkuar të rrijë urtë.

Në atë moment, unë i kërkoj ndjesë bashkëbiseduesit tim, ndërhyj dhe i drejtohem të ëmës: “Zonjë më falni, e vlerësoj ndërhyrjen tuaj dhe qëndrimin që po mbani për të ruajtur sadopak qetësinë në lokal nga zhurma e fëmijës suaj. Por pyetja që lind është: A është vallë ky vendi që duhet të sillni fëmijët tuaj? Djali juaj do të lozë, dhe ky është një instikt fare i natyrshëm. Edhe ju vetë në moshën e tij keni vrapuar, jeni hedhur, keni qeshur e bërtitur, keni luajtur me lodra, jeni shtrirë etj. etj… Por jam i sigurt që jo në ambient lokali, jo në kafe. Juve ju çonin në ndonjë kënd lojërash, park ose hapësirë publike. Pse nuk i çoni fëmijët në ndonjë park të përuruar nga lali Eri? Degjova se paska bërë 24 të tilla në TR…”

Sa ndodhi të tilla mund të ndodhin gjatë një orë të ditës në gjithë Tiranën? Plot. Më mirë do ishtë të thonim pafund… Si i bëhet? Në fund të ditës shkojmë në gjenezë të problemit: plani urbanistik. E kam thënë dhe e përsëris shpesh: në 25 vite pluralizëm politik (unë marr ’92 si pikë formale të konvertimit nga regjimi komunist në atë të ashtuquajtur demokratik, duke iu referuar ndryshimeve juridiko-institucionale) mesatarja e ndryshimit të planit urbanistik për çdo kryebashkiak që ka hyrë në zyrë ka qënë të paktën 2-herë gjatë mandatit të tij. Pra thënë shkoqur, çdo 2 vjet ka dalë një plan i ri zhvillimi urbanistik për TR.

Saga e betonizmit ka 25 vite që vazhdon, dhe së fundmi ka arritur majën e majave në TR, me planin e fundit të miratuar nga Bashkia e TR. U miratuan edhe 4 kulla të reja në qendër të TR dhe përgjatë bulevardit qëndror, nga njëri skaj në tjetrin priten 15 të tjera në total. Dhe këto miratime për betonizim të mëtejshëm të vendit vijojnë në një kohë kur alarmet për paralizimin e industrisë së ndërtimit dhe ngrirjes së shitjes/blerjes së hyrjeve të banimit apo zyrave, janë dhënë nga institucione dhe persona që lidhen drejtpërdrejt me këtë biznes. P.sh., sekretari i shoqatës së ndërtuesve, pavarësisht se parashikon rënie të çmimit të dhënies me qira apo shitjes së hyrjve si pasoje e mbi-ofertës që po krijohet me këto leje të reja ndërtimi (Monitor), paralajmëron një bllokim të shitjeve të hyrjeve ose mjediseve për biznes në afatgjatësi. Për më tepër, nëse shikojme dhe të dhënat nga dhoma e tregtisë së jashtme, shifrat ekonomike nuk tregojnë ndonjë prurje të madhe kapitali nga jashtë, as ndonjë shfaqje interesi të madh nga kompanitë e huaja për hapjen e zyrave të tyrë në TR.

Për të kuptuar gjëndjen e qytetit ku jetojmë, po i përcjell qytetarit/qytetares së TR disa statistika të thjeshta. Sipas përfaqësueses në TR të Collins International (një agjenci prestigjioze ndërkombëtare menaxhimi të pronave të paluajtëshme), kryeqyteti shqiptar thyen sërish rekordin në rajon duke mos parakaluar vetëm Beogradin për nga indeksi i çmimit të banesave (shtrenjtësia e qirasë së banesave apo zyrave për m2), si dhe mbetet e para për nga treguesi i sipërfaqeve të qëndrave tregtare me 280 m2/1000 banorë kur mesatarja në Europën Qëndrore është 209 m2/1000 banorë (ndërsa në rajon, sa për ilustrim Greqia e ka 54 m2/1000 banorë). Ndërkohë ambientet e zyrave jepen me qira/muaj deri në 23.5€/m2 afër qendrës (klasi A), e mesatarja mujore për zonat e tjera shkon në 12-16€/m2 (klasi B). Këtu jemi të parët në rajon për nga shtrenjtësia, e kjo shpjegohet si pasojë e ekonomisë informale. Ndërkohë, nëse në Vjenë një familjeje i duhen 13.7 vite për të blerë një hyrje standarte, në TR një familjeje i duhen 17.4 vite. (Monitor) E gjitha kjo shtrenjtësi, në të njëjtën kohë kur FMN e nxjerr Shqipërinë (e 106 në listë) të fundit në rajon për të ardhurat për frymë me 4200$ (për një dekadë nuk ka lëvizur nga kjo shifër vendi ynë, ndërkohë që trumbetohet gjithandej rritje-ekonomike nga mazhoranca), duke na i kaluar edhe Bosnja & Hercegovina (Monitor).

Beni vetë llogaritë se ku jemi… Kuptohet, besohet nuk ka më dyshim se jemi në sokakun që të çon drejt e në greminë, por ndoshta ka vend të diskutojmë lartësinë e rënies… do vërente Shvejku!

Nga ana tjetër, të dashur prindër, kryebashkiaku ynë i ndëruar e miratoi planin e ri mbi presupozimin se deri në vitin 2030, popullisa e kryeqyteti do arrijë në 1,6 mln banorë (Kryebashkiaku, fjala përshëndetëse 29 Dhjetor 2016). Ndërkohë raporti i OKB për Shqipërinë parashikon që deri në 2100, Shqipërisë do t’i mbeten vetëm 1,7 mln banorë në total. Kjo si pasojë e uljes së numrit të martesave, lindjeve, dhe padyshim migracionit të madh. (Monitor) Tani ose kryebashkiaku nuk është në dijeni të ketyre raporteve ndërkombëtare (që propabiliteti që kjo të ketë ngjarë është pothuaj 0% duke pasur parasysh brigadën e medias prej 34 specialistësh, 5 shef seksioni e 3 drejtorë drejtorie që ekziston në Bashkinë e TR që u ekspozua sipas BIRN), ose ai mendon se vetëm 100.000 veta do jetojnë jashtë TR. (lol)

Tani për të mos u zgjatur, nëna e etër, jeni dakord për t’ju thënë që jemi popull minimalist? Se kënaqeni me vogëlsira kur shtrohen vijat e bardha, rregullohet një pusetë, shtrohen 500m rrugë me asfalt, lyhen dy ura e disa pemë, ngulen dy hunj e një purtekë, dhe populli thotë: uaaaa sa mirëëëë, sa punëtor e kemi kryebashkiakun… E ndërkohë, të gjitha këto i thonë teksa fëmijët i lëshojnë nëpër kafe, si minj eksperimentale nëpër inkubatorë. Dhe prapë thonë, të paktën ky po punon… A mund të quhet zhvillim urban ky pallim betonizues?

Fëmijët si minj në inkubatorë
Fëmijët si minj në inkubatorë

Ku po dhe do i rrisni fëmijët o milet?!?!

Na është bërë syri bakër për të parë një park të ri, një monument kulture, një kënd të ri lojërash (edhe ai tek 7-Xhuxhat do bëhet kullë, rrini ju prindër, do kini një hije më tepër ku të pini kafen e të merrni fëmijët me vete, sa mirë…), një kopsht të ri me lule, një kopsht botanik apo zoologjik funksional… Edhe qendra e inaguruar së fundmi, përtej debatit nëse duhej bllokuar për pedonale ose jo, u shtrua në beton të hirtë thjesht me disa dekorime pemësh në anë kur mund të kthehej në park me lule e gjelbërim. Hidhini një sy faturës që pagoi kryebashkiaku për sheshin, se nga taksat tuaja u paguan të dashur prindër e gjyshër. Krahasoni kolegët, homologët, moshatarët tuaj në Europë se ku i dërgojnë fëmijët e tyre, nipërit apo mbesat për t’u argëtuar… Rradakja e imagjinatës së një tezeje, nëneje, gjysheje në Europe ose dhe në vëndet fqinje të Ballkanit, shkon shumë më larg se kafja e lagjes… Pse nuk i kemi këto mundësi në TR? Sepse ju o prindër të dashur, ju o gjyshër, daja e xhaxhallarë, teze e halla, nuk dilni të protestoni sa herë ndryshon plani urbanistik i qytetit tuaj, sa herë miratohet një leje e re ndërtimi. Thënë troç me zhargon popullor, nuk e rruni fare! Po mirë për vete, po as për fëmijët, nipërit e mbesat tuaja? Çdo hapësirë publike është pronë e gjithësecilit, dhe kjo respektohet në çdo vend të botës. Edhe nëse dikush guxon ta privatizojë për ta kthyer në kullë, qendër tregtare etj. qytetarët demonstrojnë qytetarinë e tyre duke dalë e protestuar menjëherë dhe detyruar lejedhënësin ta tërheqë mbrapsht vendimin.

Jo për gjë, se fëmijët e tyre, politikanët tanë të nderuar, të paktën kanë jo vetëm mend por dhe para, sa i dërgojnë jashtë për të shijuar ato të cilat vetë i pengojnë dhe fëmijët e tyre për t’i shijuar në vendin tonë. Mirëpo është pikërisht kjo “sakrificë” që i ka dhënë mundësi prindërve politikanë për t’i dërguar jashtë të përkëdhelurit e tyre. Pra me lekët e marra nga privatizimi i hapësirave publike që iu takon të gjithëve por iu privon fëmijët të gjithëve për të luajtur e qetësuar, politikanët tanë dërgojnë e shkollojnë fëmijët e tyre jashtë. Ndërkohë ju pini kafe… Hajd se më mirë do bëhet, apo jo? (Lol) Ngelet t’ju drejtohem më mirë fëmijëve, nipërve e mbesave tuaja të ngrihen të protestojnë për të drejtat e tyre, e 1 Qershori të kthehet si 1 Maji për ta.

Këtu po e mbyll, se po vjen ora e lajmeve dhe mezi po pres të shoh 2min e sagës bashkiake për arritjet e rradhës të dërguar nga brigada mediatike e bashkis… Nesër takohemi prapë në kafe e diskutojmë për arritjet e bëra nga superheroi i fëmijëve tuaj. Deri atëherë, iu shijoftë arhelmi i zi!

___

P.S. Edhe diçka se mos harroj, të dashur prindër e gjyshër tiranas. Pasnësër, mos u ofendoni kur t’ju thotë djali apo vajza, nipi apo mbesa se brezi juaj paska qënë kokrra e legenave… se në të vërtetë keni qënë ju që keni dhënë miratimin dhe e keni “lejuar” pallimin në beton të TR. Kur hezitonit të protestonit, të ngrinit zërin… përkundrazi, rrinit e shëlleheshit në kafe duke lëvduar dhunuesin e hapësirave të lira publike dhe përdhunuesin e ëndrrave për argëtim të fëmijëve tuaj. E mos harroni selfie me kryebashkiakun kur të vijë t’ju përurojë 20-katshin e rradhës në lagje, e t’ju thotë që 2 katet e para do jenë kopsht për fëmijët tuaj me skemën e PPP-së, e 2 katë nëntokë parking privat! Në rregull? Kafe të mbarë e kullosni sytë në beton!

Tags from the story
, ,
More from Edi Sara

Letër babagjyshit- për 2016’7

nga Patrioti I dashur Babagjysh, po e filloj duke të thënë që...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *