Lindita Nikolla: Mua po më bie tavani në kokë për vete…

Kaso Kosa interviston Lindita Nikollen
Kaso Kosa interviston Lindita Nikollen

nga Helidon Tahiraj

Rubrika satirike: Seria e intervistave nga Kaso Kosa. 

Intervistë me Min. e Arsimit, znj. Lindita Nikolla

K- Si po shkojnë punët në arsim Zonja Nikolla?

L- Mjaft mirë! Madje këtë ta them me modesti, sepse në të vërtetë po shkojnë shumë mirë. Kemi ulur numrin e nxënësve në klasa, Kaso.

K- Keni ulur numrin!? Po ku, se unë shikoj që numri i nxënësve është mbi 40 vetë për klasë.

L- Thua ti, por e vërteta është ndryshe. Ja të të jap një shembull.

K- Ma jipni!

L- Kë t’iu jap Kaso?

K- Shembullin pra!

L- A po! Në Kukës p.sh., klasat i kemi bërë me nga 15 vete. Këtë mesatare të nxënësve në klasa as Gjermania, e Finlanda nuk e kanë.

K- Si e keni arritur këtë gjë zonja Ministre?

L- Më kanë ndihmuar ministrat e tjerë, të cilët dua t’i falenderoj publikisht. Ne në qeveri punojmë në grup, Kaso. Nuk mund të lë dot pa falenderuar Ministrin e Ekonomisë dhe Zhvillimit, z. Ahmetaj për këtë gjë.

K- Më vjen vërtet mirë që bashkëpunoni, zonja Nikolla. A mund të më thoni: Ç’ka bërë konkretisht z.Ahmetaj?

L- Në fakt s’ka bërë asgjë dhe ndaj na ka ndihmuar.

K- Nuk ju kuptoj! Si ju ka ndihmuar pa bërë asgjë?!

L- Po pikërisht pra, kjo është e bukura. Në Kukës kanë rënë investimet. Njerëzit kanë emigruar. Bashkë me ta edhe shumë fëmijë. Kjo ka bërë që numri në klasa të jetë i ulët. O zot, sa do të doja që edhe në krahinat e tjerë të ishte kështu!

K- Desha t’iu komplimentoja mënyrën e veshjes, zonja Nikolla!

L- Më hape një tema që e kam fiksim. Veshja e zbukuron njeriun. Aq më tepër një femër dhe aq më tepër një femër si unë.

K- Ju kam parë zonja Nikolla që në çdo dalje publike keni kostume të ndryshme. Si e arrini këtë gjë? Pra si arrini të blini gjithë këto rroba?

L- Mbaj dietë ndaj.

K- Ç’lidhje ka dieta me numrin e kostumeve zonja Nikolla!?

L- A mo Kaso që mbete aguridhe mbete! Po si nuk ka. Unë kursej në të ngrënë dhe harxhoj për veshje. Veç dietës, bëj edhe palestër. Luaj basketboll. Ti e di që ne në shkolla kemi futur basketbollin.

K- Meqë më kujtuat basketbollin: Në Amerikë shkoi edhe z.Rama dhe pa një ndeshje basketbolli të NBA…

L- Po pikërisht Kaso, ndaj shkoi. Për të marrë eksperiencën më të zhvilluar dhe ta përhapim në shkollat tona. Ti e di që në vitin e kaluar futëm në shkollë basketbollin. Një gjë më mbeti pishman. Nuk morrëm vesh sa doli rezultati i ndeshjes. Për këtë duhet të shqetësohet opozita, jo pse z. Rama shkoi pa ndeshje. Ja ku po ta them: Ndeshjen e pashë edhe unë në tv dhe ishte nivel mjaft i dobët. Unë ta garantoj se po të futej në fushë Rama, do luante më mirë.

K- Opozita thotë që bileta për të parë atë ndeshje kushtonte mbi 1 mijë dollarë.

L- Le mo Kaso se nuk është problem bileta. E rendësishme është kauza, arsyeja përse shkoi. Ajo që më shqetëson mua si Ministre e Arsimit është që z.Rama nuk mori ekperiencë nga ndeshja që pa në Amerikë. Le atë, por s’morri vesh edhe sa doli rezultati i ndeshjes.

K- Po tani si do t’ja bëni?

L- Z. Rama do shkojë edhe herë të tjera në Amerikë. Nuk tërhiqet ai. O shkoj prapë, më tha, të shikoj basketboll e të marrë eksperiencë që ta përhapim në Shqipëri, o iki si Kryeministër!” Këtë rradhë z. Rama do përzgjedh të shikojë një ndeshje më cilësore.

K- Kur do iki? Kush?

L- Kryeministri pra. A po! Më fal Kaso që hutohem shpesh, por e kam mendjen te kostumi. Kam 5 orë që e kam veshur dhe kjo nuk është normale fare për një femër si unë. Kryeministri do iki në Amerikë, kur ta lejojë z. Meta.

K- I merr leje zotit Meta, po më thoni?

L- Nukë është halli te leja, që të më kuptosh ti edhe lexuesit. Leje i jep Meta, se atë do ai maskarai, që të largohet Rama shpesh nga vendi dhe t’ja punojë pas shpine. ndaj të thashë “Kur ta lejojë Meta.”

K- Zonja Nikolla, desha t’iu pyes…..

L- Më fal Kaso që po ta pres intervistën pa më pyetur më. Më duhet të largohem se po më bie tavani në kokë.

K- Meqë më kujtuat rënien e tavanit, desha t’iu pyes: Cila është gjendja e tavaneve të shkollave?

L- Ore mua po më bie tavani në kokë se kam 5 orë që s’kam ndryshuar kostumin, ti e ke mëndjen te tavanet e shkollave. Ika kaso dhe llafosemi herë tjetër…

 

***

More from Edi Sara

Morte a Venezia (1971)

nga Anisa Vrenozi Regjizor: Luchino Visconti Aktorë: Dirk Bogarde, Björn Andrésen, Silvana...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *