Midnight in Paris (2011)

nga Anisa Vrenozi

Regjia dhe skenari: Woody Allen

Aktorët: Owen Wilson~ Gil; Rachel McAdams ~Inez; Kathy Bates~ Gertrude Stein; Adrien Brody~ Salvador Dali; Marion Cotillard ~Adriana; Marcial Di Fonzo Bo ~Picasso; Corey Stoll~ Ernest Hemingway; Tom Hiddleston ~Scott Fitzgerald; Alison Pill ~ Zelda  Fitzgerald.

Nostalgiaqasje ndjesore për të shkuarën; dëshirë për te jetuar një periudhë ose vend të së shkuarës përgjithësisht lidhur me ndjesi personale të lumturisë.

Ennui ~ perceptimi i një bote të mpakur, e paaftë për të përmbushur nevojën për ndjeshmëri.

“Midnight in Paris” (Mesnatë në Paris), filmi sharmant i Woody Allen i krijuar rreth ndjesive të sipër përmendura, paraqet sikur çfarë do të ndodhte nëse dëshira për të shkuarën të mund të realizohej. Një film mrekullisht romantik, që pasqyron zhgënjimin e hershëm  të lidhur me ndjenjën e romantizmit.

Siç mund të pritej nga një film fokusi i të cilit është e shkuara, asgjë shumë e re nuk paraqitet nga Allen në këtë krijim të ri kinematografik krahasuar me kryeveprat e tij të mëparshme. Ama shumë pak është démodé në këtë film dhe në përgjigje të kritikës skeptike për pamundësinë e krijimeve të Allen për të sjellë diçka të re, në kërë realizim Allen ka paraqitur një përzjerje të pabesueshme të ëndrrës, imagjinatës dhe mençurisë.

Përgjatë dy dekadave të fundit, Woody Allen vendosi standarte aq të larta në krijimin kinematografik të komedisë, aq sa ishte e vështirë për të ndjekur lojën dhe krijimin e tij, si para ashtu edhe pas kamerave. Ndërkohë që mjeshtëria profesionale pasurohej me kalimin e viteve, faktori kohë nuk ishte shumë përkrahës për lojën aktoriale të Woody-t, shoqëruar ky fakt edhe me aferat romantike të jetës së tij personale që pak kishin të përbashkët me romanticitetin e filmave të tij.  Në vitet e fundit, Woody u përpoq ta zëvendësonte rolin e tij me aktorë të ndryshëm si Larry David, Anthony Hopkins dhe Josh Brolin por megjithë talentin e padiskutueshëm të këtyre aktorëve, asnjëri nuk ishte tamam “Woody”.

Më pas vjen Owen Wilson në rolin e Gil, një ndër komedianët më të mirë të dekadës së fundit, në një version shumë familiar të Allen ‘in persona’. Gil, është një skenarist Hollywood-ian, i përndjekur nga një ndjesi e vazhdueshme pakënaqësie dhe në përpjekje për të ringjallur ëndrrën rinore të lavdisë letrare. Ndërkohë që po shkruan një roman për një djalë që ka një ‘Nostalgia Shop’, Gil përfshihet në një udhëtim virtual në kohë në Paris.

Gjatë ditëve, Gil vizition Parisin bashkëkohor të shekullit të XXI së bashku me të fejuarën e tij materialiste Inez, prindërit e saj vulgarë & konservatorë dhe pseudo-intelektualin e padurueshëm Paul… ndërsa netëve, Gil nëpërmjet mënyrave që me qëllim janë lënë të pashpjeguara nga Allen, transportohet në Parisin e epokës së artë të viteve ’20. Një mesnatë, teksa Gil endet i mërzitur në një kryqëzim të qetë, një makinë antike e merr për të shkuar në një soirée… dhe brenda saj gjenden të mahnitshmit Scott dhe Zelda Fitzgerald.

Duke dashur të ndjekë vizionin e tij për të shkruar një novele serioze e cila ngrihet mbi jetën mediokre si një skenarist Hollywood-ian, Gil krijon Parisin e viteve 1920 çdo natë teksa solidarizohet në mbrëmjet që nuk kanë mbarim me me letrarët dhe artistët e “Brezit të Humbur”: Hemingway, Dali, Bunuel, Picasso dhe vizitat tek Gertrude Stein, e cila pranon të lexojë me ëndje dorëshkrimin e tij.

Gjithashtu Gil fillon të krijojë një raport tejet ndjesor me Adrianan, e cila shoqërohet me Hemingway-n dhe Picasso-n dhe ashtu si Gil, e prekur nga Nostalgjia, kërkon të këmbejë Parisin e viteve’20 me Belle Époque… e kjo ndodh vërtetë.  Gil dhe Adriana bien në dashuri por zhgënjehen teksa kuptojnë që duke jetuar në të shkuarën dashuria e tyre nuk mund të plotësohej emocionalisht dhe intelektualisht në të tashmen. Por ama në një këndvështrim tjetër, Inez (qartazi) nuk është femra e botëkuptimit të Gil,  dëshira e të cilit është ndjekja e ëndrrave të tij pavarësisht presioneve për të ndjekur një rrugë më shumë konvencionale. Një tjetër kombinim i njohur i Allen është vendosja e alter-egos së tij-Gil në një përpjekje për tu vetë-pozicionuar në një botë të mbërthyer nga pompoziteti i dukshëm, ëndja për materializëm dhe përpjekja e vazhdueshme e të tjerëve për ta ndryshuar, përfshirë këtu edhe Inez-in dhe familjen e saj.

Woody Allen në vetvetë është për audiencën e tij një objekt afeksioni nostalgjik, në të njëjtën mënyrë që këngët e Cole Porter janë për Gil. Pasioni për këto këngë i mundëson Gil-it të krijojë një lidhje në të tashmen (dhe me shumë mundësi në të ardhmen), me një vajzë të re Pariziene dhe pikërisht kjo është pikënisja për të kuptuar që fetishizimi i ditëve të shkuara ishte një gabim.  Parisi është i gjallë në vazhdimësi, jo sepse është ‘shtëpia’ e kolosëve të së shkuarës por sepse është ruajtës i pjesës më të madhe të punës së tyre. Dhe qëllimi i ditëve dhe krijimeve të shkuara nuk është kthimi pas në kohë por rigjallërimi i së tashmes.

Gjenialiteti i Allen pasqyrohet tek veçantia e skenarit, struktura e historisë dhe përzgjedhja e përsosur e elementëve kulturorë dhe ky film mund të konsiderohet si ndër krijimet kinematografike më të realizuar të Woody Allen, pavarësisht se nuk karakterizohet nga thellësia intelektuale dhe substanca që dominon krijimet e tjera të tij.

“Midnight in Paris” nuk përfaqëson ambicjen drejt të pavdekshmes por dëshirën për të lënë pas diçka- pak memorabilia (përkujtesore) ose art- që tërheq vëmendjen dhe zgjon admirimin e udhëtarëve të vetmuar të kohës nga një e ardhme e afërt.

E keni parë ndonjëherë Woody Allen të thjeshtë? Kjo vërtet që do të ishte diçka e re dhe e çuditshme njëkohësisht!

 

Tags from the story
, ,
More from Edi Sara

“Arsimi i lartë privat?-Do ishte çmenduria e rradhes neoliberaliste!”

Parantezë Që nga Shtatori e deri më sot, qeveria e re e...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *