Morte a Venezia (1971)

Bjorn Anderson as Tadzio and Dirk Bogarde as composer Gustav von Aschenbach in the 1971 film adaptation of the Thomas Mann novel.
Image by © John Springer Collection/CORBIS

nga Anisa Vrenozi

Regjizor: Luchino Visconti

Aktorë: Dirk Bogarde, Björn Andrésen, Silvana Mangano, Romolo Valli

Muzika: Gustav Mahler, Ludëig van Beethoven, Modest Mussorgsky

Përshtatur mbi romanin e “Vdekja në Venecia” Thomas Mann

“Bukuria, dëgjomë mirë Phaedrus, vetëm Bukuria është hyjnore dhe e dukshme në të njëjtën kohë dhe për këtë arsye është rruga drejt të ndjeshmes, Phaedrus i vogël, rruga që çon artistin drejt shpirtit.”-  nga romani “Vdekje në Venecia” i Thomas Mann

Kompleksiteti i kinemasë së Luchino Viscontit ka rrënjët në vitet e largëta të formimit të parë të regjizorit të madh milanez. Gjatë këtyre viteve, Visconti nuk iu nënshtrua një formimi akademik klasik, por një programi mësimor individual i cili i lejoi që në adoleshencë të përkushtohej një shumëllojshmërie interesash të avancuar, të ndjekur dhe inkurajuar së pari brenda familjes së tij. Familja Visconti di Modrone, me origjinë fisnike, ishte një familje e njohur brenda së cilës gjatë dy dekadave të para të shekullit të njëzetë u praktikua dhe zhvillua arti në format e tij më të ndryshme.

Që në vitet e tij të hershme, Visconti u interesua për teatrin, letërsinë dhe muzikën, dhe më vonë, rreth viteve 1930, vëmendja e tij filloi të fokusohej edhe në kinematografi. I një rëndësie themelore në krijimin e hershëm kinematografik të Visconti-t ishte përvoja e fituar nga Luchino i ri në bashkëpunimin me regjisorin francez Jean Renoir në filmin “Une partie de Campagne” i vitit 1936 në të cilin Visconti përjetoi fillimet e tij në botën e kinemasë si asistent regjisor.

Në vitet që vijojnë, regjizori Lombard i përkushtohet orendive dhe mjediseve në të cilat zhvillohen histori dhe ku performojnë aktorët e teatrit dhe kinemasë “Viscontiane”. Tendencat artistike tepër të veçanta të kinemasë së Visconti-t janë tepër të ndikuara edhe nga privimet, shijet dhe prirjet estetike të cilat janë pjesë e jetesës së klasës aristokratike, në të cilën Luchino lindi dhe jetoi.

Një seri elementesh, të kombinuar me stilin letrar të krijimeve dhe predispozitën e regjizorit për një analizë të brëndshme ekzistenciale të vetvetes, karakterizon filmat e Visconti-t, të cilat mund të konsiderohen vepra arti të cilat i ofrojnë shikuesit të vetëdijshëm dhe të përgatitur kulturalisht arsye të panumërta për reflektim.

Ndaj, tematika e punës Visconti-ane është aq e pasur sa një analizë e filmave mund të përqëndrohet në aspekte të ndryshme të prizmit social, politik dhe historik. Kjo karakteristikë është më shumë evidente në krijmet e viteve të para të regjizorit si La terra trema, Ossessione, Rocco e i suoi fratelli Senso, etj.

Filmat e viteve më të vonshme janë të një natyre më letrare dhe intime, të pasur me shumë elementë autobiografik, ku veçanërisht i rëndësishëm në këtë drejtim është Morte a Venezia, krijim i vitit 1971. Filmi i qytetit të lagunës i vendosur afërsisht në fillim të shekullit të njëzetë konsiderohet si një nga kryeveprat më të mëdha të Viscontit të periudhës së fundit.

Përshtatur nga një roman i Thomas Mann, filmi zbulon që në momentet e para elemente të jetës, vdekjes dhe nostalgjisë që në mënyrë prekëse dhe të vazhdueshme përndjekin protagonistin e historisë me imazhet e një lumturie tashmë të venitur.

Gustav Von Haschenbach (Dirk Bogarde), një muzikant dhe profesor gjerman i cili ia ka kushtuar tërë jetën e tij bukurisë dhe estetikës të stilit antik grek, i rraskapitur shpirtërisht nga një seri ngjarjesh negative që ndodhin brenda sferës së tij ekzistenciale dhe artistike ndërmerr i vetëm një udhëtim në Venecia. Në “Hotel des Bains” në të cilën është vendosur muzikanti në një krizë të ndjeshme krijuese, gjithçka përshkohet nga pasazhe të gjata: holli i Hotelit, salla e ngrënies, plazhi gri me rërën e imët, deti i qetë dhe thuajse metalik… gjithçka në plane të ngadalta dhe të butë, sikundër mendimet dhe ndjenjat e Von Haschenbach.

Ama, është bukuria hyjnore e një të riu me origjinë fisnike polake, Tadzio (Björn Andrésen), e cila rrëmben vëmendjen e Gustavit dhe i pushton mendimet. I riu Tadzio është një simbol i bukurisë transhendentale, morale dhe absolute. Ndërkohë është edhe element destabilizues i një rendi të krijuar në ekzistencën e profesorit: engjëll tundues, midis dëlirësisë dhe ligësisë. Pasioni për Tadzio-n ngjall tek Gustav një mori ndjenjash, ndjesish dhe përjetimesh nostalgjike, të cilat krijimi Visconti-an dhe loja aktoriale e Dirk Bogarde- interpretues i njohur i veprës së Visconti-t karriera e të cilit ishte tashmë në vitet e fundit- i paraqesin në një mënyrë të shkëlqyer përgjatë gjithë filmit.

Tematika e homoseksualitetit është e paraqitur në mënyrë të drejtpërdrejtë në film si një element i qartë autobiografik i Viscontit-t. Përgjatë viteve të krijimtarisë së tij, ishin të famshme historitë e dashurisë së Visconti-t, ndër të cilat më e qëndrueshmja ishte ajo me aktorin austriak Helmut Berger- protagonist i jashtëzakonshëm i krijimeve Visconti-ane si ‘La caduta degli dei’ dhe ‘Ludëig.’ Muzikanti tashmë i rrëmbyer nga një dëshirë sensuale, e gjen veten çmendurisht fajtor për një tërheqje të papërshkrueshme që rrëmon në skutat e të kaluarës së tij dhe bindjet e së tashmes.

Një film soditës dhe dekadent, ku arti dhe bukuria që zbehet luajnë një rol të rëndësisë së parë. “Morte a Venezia” është e karakterizuar nga sekuencat e gjata dhe fokusin e plotë në figurën e Gustav von Aschenbach, një kompozitor i cili kujton figurën e shquar të kompozitorit austriak Gustav Mahler, mbi të cilën Thomas Mann krijoi karakterin kryesor tek romani “Morte a Venezia”, i cili në versionin letrar të veprës origjinale është një shkrimtar. Madje, nëse shkojmë në një nivel më të thellë vëzhgimi, e gjithë tërësia e karaktereve të filmit vepron vetëm në funksion të përjetimeve ndjesore të Von Aschenbach.

Për ta bërë atmosferën e përgjithshme të një dekadence të pashmangshme edhe më të prekshme është përshkrimi i mrekullueshëm kinematografik i qytetit të Venecias nën kthetrat e kolerës. Von Aschenbach përpiqet të fsheh gjëndjen e tij të kalbjes fizike, ndoshta edhe shpirtërore, duke trukuar në mënyrë të tepërt fytyrën. Ndër të paktit pushues i cili është në dijeni për epideminë që ka pushtuar qytetin, ai lajmëron të afërmit e Tadzio-s për tu larguar sa nuk është vonë e për të shpëtuar djaloshin duke ruajtur në këtë mënyrë bukurinë e tij të pavdekshme.Dhe është pikërisht kjo bukuri që do të jetë dënimi i tij…

Në plazhin pothuaj të shkretë, i rraskapitur, ai parapërfytyron Tadzio-n e përmbytur me dritë, një mirazh i rinisë që në momentet e fundit të jetës Gustavi përfytyron teksa e rrëmben pranë tij. I sëmurë nga kolera, vdes në vetmi të plotë në plazhin e Lido të Venecias. Në momentet e fundit të filmit, i nxehti i zjarrtë shkrin tualetin që në mënyrë prekëse dhe groteske është bërë tashmë ‘maska tragjike’ e Von Aschenbach.

‘Morte a Venezia’ është një paraqitje e gjallë jo vetëm e problemeve politike, shoqërore, dhe historike, por edhe e dramës njerëzore pa histori dhe anonime, esencës së jetës dhe vdekjes ose më saktë i vdekjes si arsye e vërtetë e jetës. Asgjë nuk i është lënë rastësisë në këtë krijim: kamera dhe fotografia mjeshtërore me imazhet e denja për kupolën Sistine, një Bogarde i jashtëzakonshëm, ekspresiv dhe i përmbajtur njëkohësisht; dialogë lakonikë por kuptimplotë; kostumografi e përzgjedhur dhe muzika e Mahler, Mussorgsky dhe Beethoven me kompozimet e tyre të ndërlikuara dhe dekadente, të përzgjedhura përsosshmërisht ku forma të jetë thelbi i substances në çdo sekuencë të filmit… thjesht një krijim kinematografik i përsosur.

Tags from the story
,
More from Edi Sara

Morte a Venezia (1971)

nga Anisa Vrenozi Regjizor: Luchino Visconti Aktorë: Dirk Bogarde, Björn Andrésen, Silvana...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *