Oferta e 25 qershorit përballë votuesit shqiptar

Oferta e 25 qershorit përballë votuesit shqiptar
Oferta e 25 qershorit përballë votuesit shqiptar

Ky shkrim do jetë sa i thjeshtë dhe i ftohtë në stilin e të shprehurit, po aq dialektik dhe sarkastik në përmbajtje. Këshillohet që militantët, servilët e pushtetit dhe antiatdhetarët të mos marrin mundimin të lexojnë tutje kësaj pike >. Analiza e mëposhtme do jetë e thatë, lakonike dhe pa pleonazmat e zakonshme që jeni mësuar të lexoni në shkrimet e analistëve ose opinionistëve të tjerë.

Një parantezë akute

“Hapi i thjeshtë i një individi kurajoz është mos të marrë pjesë në gënjeshtër. Një fjalë vërtetësie peshon më tepër se gjithësia.” ― Aleksandr Solzhenitsyn

Autopsia parazgjedhore: prognoza e votuesit shqiptar dhe disa antidote ndaj helmit politik

Pa dorashka, po vendos lupën mbi popullatën e vendit tonë për të matur pikën pa sipërfaqe të votuesit të përnderuar shqiptar. Votuesi shqiptar karakterizohet nga disa nevoja jetike dhe antivlera endo- e ekzogjenike të cilat e bëjnë atë të bjerë në një nga këto kategori:

E para, vjen shqiptari/ja barktharë e cila është gati të shesë votën kundrejt një çmimi/vlere të caktuar. Ky lloj qytetari i Republikës sonë të përnderuar, është imazhi më i shëmtuar sistemit tonë politik, e kthen vendin tonë në një Republikë Bananesh dhe nuk meriton as nënshtetësinë shqiptare, e jo më tej statusin “qytetar”. Kjo kategori njerëzish humbet nocionin e saj si qënie politike, kthehet në një entitet që ka vlerën 0. Kjo kategori shqytetarësh e shqytetaresh, pushojnë së ekzistuari pas ditës së votimit, për t’u ringjalluar sërish pas gjumit letargjik 4 vjeçar sa për të pshurrur votën e tyre. E shesin shpirtin e tyre të qytetarit, shesin qënien e tyre politike dhe bëhen qytetare inekzistentë për 4-vite. Kjo kategori njerëzish, duke qënë të rrethuar nga skamja dhe injoranca, dy faktorë që në kombinim prodhojnë një substancë vdekjeprurëse për një demokraci të shëndoshë por aq fitimprurëse për ata që duan të qëndrojnë në pushtet, janë aq largpamës sa mendojnë sot për pasnesër ditës së votimit.

Kjo kategori e neglizhuar, e keqmenaxhuar nga shërbimi social shtetëror, dhe shfrytëzuar mizorisht nga klasa politike, duhet ndërgjegjësuar sa më parë për fuqinë e votës së tyre, duke i mësuar për të drejtat, kërkesat dhe fuqinë e bashkimit të votës së tyre për të sjellë ndryshim real dhe afatgjatë për ta. Stabiliteti ekonomik dhe kushtet e jetesës së tyre ndryshojnë kur zëri i tyre ndihet i fortë, kërcënues dhe ndëshkues ndaj atyre që iu lypin votën. Hapi i parë i kësaj shtrese në nevojë është të dalin nga plogështia dhe votën do ishte më dinjitoze sikur ta tregtojnë së paku për një vend pune, i cili do iu sigurojë një të ardhur konstante.

E dyta, vjen kategoria e nënpunësve të zhuritur. Gjithë punonjësit e zhuritur të administratave publike, qëndrore ose lokale, dëgjojnë këmbanat e drejtorëve të tyre sa herë ato zenë e gjëmojnë. Këta njerëz, të pakënaqur me të drejtë dhe nga rrogat që marrin, por të pakualifikuar shumica për të pretenduar dhe për më lart, janë të gatshëm të mëkatojnë e flirtojnë në vendin e tyre të punës për sadopak status, ngritje pozicioni në detyre, dieta, trajnime ose specializime shtesë, përkthyer gjithsecila ose veç e veç në rrogë më të lartë, pra rritje të mirëqenies së tyre. Kjo kategori qytetarësh, janë padyshim në një gjëndje të mjaftueshme për të jetuar si dhe më të kulturuar nëse do i krahasonim me kategorinë e parë. Megjithatë, shumicës dërrmuese të kësaj kategorie i ka hyrë në bark bacili i korrupsionit, apatizmit civil dhe pesimizmit për ndryshim. E mbi këto, kush ka familje, ua transmeton edhe fëmijëve këto antivlera për një shoqëri demokratike me moral e parime të forta, duke u imponuar mënyrën skllavëruese të mendimit që të rriten për t’ju përshtatur sistemit ku gjenden, mos tentojnë të bëjnë kryengritje ose protesta pasi mami e babi rrezikon punën në shtet, dhe të rrinë urtë e mos kakarisin pasi një vend për të ngrënë bukë e kanë të siguruar, mjaft që të heshtin.

Së pari, kjo kategori ka nevojë të udhëtojë më tepër jashtë, të mësojë nëpërmjet vëzhgimit, e të fitojë më tepër vetbesim e autonomi për ta hedhur votën e tyre aty ku besojnë ose shohin interes real jo vetëm për veten, por dhe për komunitetin ku jetojnë. Dhe së dyti, duhet të kalojë e përforcohet sa më parë ligji i depolitizimit të administratës publike deri në nivelin e drejtorave të drejtorisë, për t’ju dhënë siguri për vendin e tyre të punës edhe kësaj kategorie qytetarësh dele, e për t’i mësuar të guxojnë për lirinë e fjalës, mendimit e në fund e të votës së tyre.

E treta kategori përbëhet nga borgjezia e re, që ashtu sikurse Molieri shkruante në shek. XVII, vijon të prekë realitetin ende sot në Albanistan. Borgjezia e re, është ajo shtresë e mesme aq jetike për kapitalizmin por që fatkeqësisht mungon në masë në vendin tonë. Në vend që ajo të përbënte rripin më të trashë demografik të popullsisë shqiptare siç i ka hije një sistemi kapitalist shoqëror, në vendin tonë shtresa e mesme është aq e hollë dhe vazhdon të hollohet duke zhytur shumicën e familjeve parimore e morale drejt varfërisë, ndërsa të tjerat që vendosin “t’i përshtaten sistemit” arrijnë të pasurohen e t’i bashkohen të pasurve. Shtresa e mesme e epërme ose e sipërme, përbëhet nga një pjesë e shoqërisë sonë e cila ka të ardhura të konsiderueshme nga veprimtaritë private, prona e gëzon një mirëqënie të shëndoshë në çdo aspekt të jetës, por që gjithsesi është e prekur nga krimbi i pangopësisë. Borgjezia e re e Albanistanit vuan për të imituar luksin e plutokratëve, oligarkëve dhe pushtetarëve të tjerë të vendit tonë, por ky imitim vjen në formën më të shëmtuar e të mjaftuarit vetëm të arritjes dhe vënies së pasurisë së tyre e mënyrën e jetesës. Borgjezia shqiptare synon vetëm pasurinë e më të pasurve, pasi aristokraci nuk ka pasur ndonjëherë vendi ynë, pa çka kemi një mbret të vetëshpallur. Mbretëria shqiptare nuk pati mjaftueshëm kohë për të krijuar një kastë aristokracie shqiptare, që të qarkullonte një kulturë të mirëfillte mondane europiane sipas serës së lartë të oborreve perandorake në kontinentin mëmë. Prandaj nuk ka se si në Shqipëri të lindin shëmbuj filantropie, kavalierë apo biznesmenë donatorë që kthehen në atdhetarë të dedikuar ndaj shoqërisë për të krijuar vënde pune përmes investimeve të tyre, apo të investojnë në ambiente publike me vepra arti, monumente, facilitete publike etj. Aspak kjo nuk ndodh në Shqipëri… secili për vete, Perënditë për secilin. Kjo kategori, ka dhe tendencën më të lartë për t’u korruptuar e për të korruptuar me qëllim rritjen dhe përvetësimin e mirëqënies materiale të tyre, ç’ka gjithmon rezulton në kurriz të interesit publik dhe popullit. Kjo, sepse shumica e këtyre pasanikëve venë pasuri nëpërmjet përvetësimit të burimeve natyrore, hapësirave publike ose privatizimit të sektorëve publik që mbahen nga buxheti i taksapaguesve shqiptare, me pak fjalë, pasurohen nëpërmejt pasurive publike, e kjo nuk është aspak etike, legjitime si dhe e ligjshme në një vend demokratik. Demokracia nuk është sundimi i shumicës, pasurimi i pakicës.

E katërta kategori dhe e fundit në tipologjinë e klasifikimit të votuesit shqiptar, mbetet padyshim minoranca e popullsisë për nga numri, por që zotëron mazhorancën e kapitalit të akumuluar që në fillimet e (plero)pluralizmit shqiptar. Për këtë kategori, është e kotë të harxhojmë rrjeshta pasi të gjithë e njohin si klasa pasanike, por askush nuk flet në detaj për ta. Për sa kohë mungojnë statistikat zyrtare, do mungojnë edhe studimet që hulumtojnë botën e biznesit shqiptar dhe kthetrat e tij mbi sferën politike. Lobimi i tyre fillon në prag fushate, e pasi sigurojnë interesat e tyre përmes premtimeve të marrra nga konkubinat e tyre, lirojnë portmonenë e tyre dhe nxjerrin Bunën nga shtrati. Në këtë mënyrë, kjo kastë i jep shëmbëlltyrën e plutokracisë politikës shqiptare, duke i mohuar dhe autarkinë kombëtare vendit tonë pasi shpesh interesat ekonomike vetjakë përkojnë me ato të eksportuesve të huaj në kurriz të prodhuesve të tjerë të vegjël vendas. Kështu plotësohet dhe axhenda ndërkombëtare me retorikat e bukura të bashkëpunimeve ndërkombëtare mes shteteve ku ne vetëm importojmë, integrimet utopike në bashkësi prodhimi në masë kur vetë nuk prodhon asgjë e kështu s’ke dhe se me çfarë të konkurosh në eksport etj. Prandaj, nuk është paradoks që Shqipëria nuk arrin të ngrejë kokë megjithë këto burime natyrore që zotëron.

Këta qytetarë, si dhe ata që janë në kategorinë e tretë por që luftojnë për të kaluar tek e katërta, nuk mund të edukohen dot me atdhedashuri, pasi fatkeqësisht ende nuk kanë shpikur ndonjë shurup për të injektuar patriotizmin në vena. Mënyra e vetme mbetet kufizimi i influencës dhe mënjanimi sa më i madh i kësaj kaste nga jeta politike e vëndit, kjo në saj dhe të përforcimit nëpërmjet rregullave të parashtruara me ligj që monitorojnë financat e tyre dhe minimizojnë në maksimum potencialin e lobimit të tyre në politikë, administratën shtetërore dhe ekonominë e vendit për të shmangur dhe monopolet ose oligopolet. Epistemologjikisht dhe ontologjikisht, për të ilustruar sa më sipër u tha, mund të marrim 2 shembuj konkret: rasti i parë, 3 kompanitë telefonike shqiptare që një ditë e lënë të hanë drekë bashkë, e gjatë ngrënies vendosin të rrisin çmimet e abonentëve të tyre. Rasti i dytë është ai i mediave në vendin tonë, që kontrollohen nga 3 familje, dhe secila sipas interesit të pasurimit të tyre, vendos t’i fryjë pipëzës e të bëhet borizani më i fortë i qeverisë së ardhshme pasi masin fortësinë dhe drejtimin e erës nga cili flamur partiak fryn.

Oferta e 25 qershorit: “Çfarë mbjell ke për të korrur.” ~ Ciceroni

Më lart u pa çfarë kanë përballë aktorët politikë, ose më saktë u hulumtua preja për grabitqarët zgjedhorë. Më poshtë, po do shohim cila është oferta që ka përballë preja në 25 qershor. Data 25 qershor u dakordësua mes kasapëve të cilët po mprehin me padyrim thikat e tyre për të vijuar “punën” për 4-vitet e ardhshme me bagëtinë shqiptare. Por përpara, duhet të jemi realistë e mos çuditemi çfarë ka në tavë, pasi kuzhinjer është populli, dhe kur populli nuk ngre zërin, normal që çorba do dalë si do dalë. Sikurse dhe në ekonomi, kur nuk ka ofertë, s’ka rëndësi kërkesa, e në rastin konkret, kur mungon kërkesa, oferta shkurtohet dhe humbet cilësinë.

Kështu, në njërën anë kemi subjektin zgjedhor të ashtuquajtur PS, pasi ka rilindur pas 2013 si një forcë e re ultradjathtiste, që implementon reforma të thella anglo-saksone të huazuara nga vitet ’80 gjatë Thaçerit (ultrakonservatore), për të cilat populli britanik u bë pishman dhe ia ndjeu pasojat vërtet “thellë” gjatë viteve ’90 (kur laburistët u munduan të shmangin krizën). Për më tepër, pas realizimit 100% të planit madhor për krjimin e 300K vëndeve të punës të premtuara në fushatën e 2013, e majta e rilindur si e djathtë, në 2017 premton edhe 200K vënde të tjera. Nuk është e vështirë të ecësh me progresion aritmetik negativ për të kuptuar rregullin e parashikuar që në 2021 PS do hapë edhe 100K të tjera. Kryesorja do mbetet punësimi në emigracion, tashmë që KM i shtroi tapetin e kuq gjithë “jo-profesionistëve” në vend për t’u punësuar në Gjermani, Suedi etj. Në mënyrë silogjike, duke parë se punë ka në Shqipëri, por mungojnë profesionistët, unë morra përsipër të analizoj diplomat e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë (Kuvendi.al). Përveç 5 vetave që janë afër shkencave politike, e disa të tjerëve që nuk kanë as arsimin e detyruar por kanë “akademinë e arteve të bukura rrugore,” të tjerët rezultojnë të paaftë për t’u marrë me politikën, dhe i pari në listë padyshim mbetet KM. Prandaj, i propozoj KM t’ia lërë politikën profesionistëve të fushës së saj, e ndoshta të marrë dhe kolegët e tij të Kuvendit e të kërkojnë punësim në 200K vëndet e reja që do hapin, e po nuk u pëlqeu, alternativë kanë gjithmonë “tapetin e kuq për jashtë”. Këtij pilafi që shërbehet nga kuzhinierët e Kuvendit çdo të Enjte, i ka ikur totalisht shija e vetëm politikë nuk mund të quhet më. Për më tepër, kryetari i PS kërkon të jetë dhe timonier i vetëm, duke ia veshur fajin sistemit aktual i cili mundëson bezdisjen dhe ngarjen e rehatshme të shoferit të vetëm. Prandaj i kërkon popullit gjithë tepsinë (pra jepini pushtetin e plotfuqishëm këtij personi, që nuk pranon asnjë dështim të ndonjë reforme duke akuzuar aleatët për ndonjë firo) në 25 qershor, e më pas të mund të ulet në të njëjtin kolltuk me Putinin, Erdoganin dhe gjithë kolltukofagët e tjerë të demokracive iliberale në botë. E dalloni logjikën të dashur qytetarë? Në kët rast, se sa të luajë të ardhmen e vendit me besimin e këtij lideri, më mirë votuesi të shkojë në 25 qershor të lozë “e kuqe e zezë.”

Drejtësia e 21-Janarit dhe Gjykatat duke pritur Godotin, privatizimet pa kriter ku ka mbetur ndoshta dhe vetë bulevardi qëndror me gjithë ministritë pa iu rikthyer ndoshta ndonjë ish-pronari me ferman nga sulltani, dhëniet me konçesion pothuajse të të gjitha agjencive, enteve dhe tenderimeve publike shqiptare ku dhe vetë Perëndia po pret rradhën, si dhe pallimi në beton i gjithë shesheve publike, jo që nuk janë të majta, por dhe të djathta të ishin, nuk gjejnë karburant moral, etik dhe as logjikë absurdi për t’u mbrojtur. Përmendin Sheksipirin që kushedi si po i përpërlitet shpirti matanë kësaj bote. Shekspiri po të ishte gjallë, do e kishte djegur komedinë e tij “Shumë zhurmë për asgjë” duke parë propagandën socialiste para mediave. Propozoj ta hedhim në votë për skenarin dhe regjinë më të mirë propagandistin më të zotë të Rilindjes, dhe jam i bindur se kryebashkiaku i Tiranës do fitojë titullin “Mjeshtër i Merituar” për regji, inskenim e aktrim para publikut. Pamë dhe KM që u tall me opozitën dhe e injoroi sa mundi duke gjetur shesh e bërë përshesh në Kuvend, si t’i tekej peneli. Ndërsa mediat i futi në “kazazanin mediatik”, por harron që janë po ato që amplifikojnë dhe janë borizan i kastës së tij të politikanëve.

Për ta mbyllur me të majtën e rilindur si të djathtë, PS së fundmi arriti akord historik dhe me të djathtën opozitare për të “përmirësuar” cilësinë në qeveri për hatër të popullit. Jam i bindur që Vëllezërit Grim do e qëndisnin një përrallë shumë të bukur duke marrë këtë laitmotiv për bazë.

Po vijojmë kështu duke ndjekur logjikën doksatike që na parashtron arena e aktorëve politikë shqiptare me partinë demokratike shqiptare. Një ditë të bukur shkurti, kryetari de jure i PD-së, vendos të kampojë përpara kryemnistrisë me retorikën sfumante dhe mjaft pikante nga zhargoni paksa i ngjirur drejtuar veçanërisht KM, duke i shpalosur një morri me argumenta kritikues ndaj qeverisjes, akuza për korrupsion, abuzime me detyrën e ministrave dhe funksionarëve të lartë burokratik, duke i kërkuar qeverisë aktuale që përbën shumicën dërrmuese, e vijuar në fund të kërkesave, gjihtmonë në emër të opozitës së bashkuar që është në minorancë, me qershinë mbi tortë: dorëheqjen e KM dhe krijimin e qeverisë teknike. Nga ana tjetër, mos harrojmë që në Prill shpalli Republikën aktuale të Shqipërisë si të Vjetër dhe se do instalonte Republikën e Re me nënshtetasit e tij të çadrës. Vetëm shihni listat e kandidatëve për deputet të PD-së nëpër rrethe, dhe çdo fjalë e shpenzuar më tepër shumëzohet me 0.

3 muaj më pas, pas një takimi të errët siç qe dhe qielli i orëve të para të mëngjesit, KM dhe kryetari de jure PD-së, dolën me një deklaratë të përbashkët për shtyp duke i dhënë dorën njëri-tjetrit. Kauza e PD-së doli me fitore, 6 ministri me ministra teknike për 6-muaj. Po ashtu, edhe KM nga ana tjetër deklaroi fitore dhe se Rilindja do vazhdojë përpara me reformat dhe se Vetingu ishte akullthyesi. Tani në këtë fushbetejë, dy kundërshtarët na dolën secili me deklarata për fitore. Silogjikisht, i bie që Republika e Vjetër u Rinua, ose që Republika e Re nisi të Vjetërohet që në djep. Kaq të verbër e dinë këtë popull vallë? Mbi të gjitha, po filloj të zhgënjehem pasi i kemi parë që të dy të jenë në një lartësi tjetër për nga performanca e aktrimit dhe forca e mashtrimit. Apo të jetë ky fundi i politikës aktuale shqiptare?!

Nga ana tjetër, kemi dhe ata që iu japin nga një shans të gjithëve, kur shohin që po iu perëndon gjithë shansi i tyre. Kështu, përveç vaksinës së famshme LSI që të shëron nga sëmundjet e papunësisë, ky subjekt zgjedhor ka si ideologji klientelizmin dhe mbarështimin e rradhëve të ithtarëve te saj përmes përçinimit të b*** së tyre në fronet e pushtetit dhe vulosjes së aleancave me njërën prej dy kampeve të internimit politik të mësipërm. Duke parë zhvillimet e fundit në terrenin politik, deportimin e kryetarit të kësaj partie përtej kufirit presidencial, nuhasim krisje të vijës së demarkacionit të vendosur nga LSI në të dy krahët. Duket sikur bashkëshortes që herë tradhtonte njërin e herë tjetrin mjaft që të rrinte në shtëpi, i zemëroi tej mase të dy bashkëshortët, e tashmë i doli nami edhe jashtë pallatit, e me ndërhyrjen edhe të vizitorëve të huaj, do detyrohet të pajtohet së shpejti me një divorc të imponuar e të pranuar në heshtje nga të dy bashkëshortët e përdëlluar. Përtej eufemizmit të mësipërm, LSI është shembull i gjallë i politikëbërjes që gjen terren në vendin tonë. Për sa kohë politika shihet si interes personal në kapitalizëm, lloji i subjekteve zgjedhore si LSI kanë për të njohur sukses të legjitimuar përmes votës së lirë si instrument demokratik. Në tipologjinë e sistemeve politike kësilloj subjektesh zgjedhore mund të emërtohen parti shushunjatike.

Nuk ka rëndësi skandalet e korrupsionit me taban 7%, që ngritën popullin në demonstrata masive duke ulur flamurin në gjysmë-shtizë e shtuar në listën e martirëve demokratikë edhe 4 shpirtra të tjerë. Nuk kanë rëndësi zhvatjet e buxhetit publik në administratat lokale e qëndrore ku drejtojnë dishepujt dhe ithtarët e shushunjatikes, nuk ka rëndësi as dëmi që iu shkaktohet qytetarëve të depolitizuar si presion financiar ndaj veprimtarive të tyre ekonomike për të qënë pjesë e shushunjokracisë. Këto parti bëjnë hajër në popuj si ky i yni që mban pantallonat me shtrëngim në vrimën e fundit të rripit. Ezopi do eufomizonte duke thënë mjaft që dhelpra të mbajë fjalën e dhënë, dhe lepujt e verbër do shumohen pas saj e do fluturojnë me një karrotë.

Për partitë e tjera të vogla në arenën tonë politike, nuk besoj se ofrojnë ndonjë alternativë as frymëzim për këtë popull. Aq më tepër që pothuaj të gjitha, përjashto ndonjë të sapokrijuar, kanë shërbyer si mercenarë për dy partitë më të vjetra. Ato thjesht pasurojnë fletët e votimit duke i dhënë kapital politik proçeseve të demokratizimit në vend në sytë e ndërkombëtarëve, por varfërojnë ekonomikisht dhe shpirtërisht këtë popull, një se mbeten parazitë duke rrojtur nga të ardhurat e taksapaguesve dhe shtojnë nivelin e korrupsionit, dhe dy se janë faktor erroziv për ndryshim duke prodhur pesimizëm në masë. Quo vadis atëher sistemi partitokratik shqiptar?

Nemesisi i (plero)pluralizmit demokratik shqiptar: nevoja për proliferim patriotik

Ka dy mënyra se si të gënjehesh. Njëra është të besosh çfarë nuk është e vërtetë; tjetra është të refuzosh të besosh çfarë është e vërtetë. – Soren Kierkegaard

Partitokracia në Shqipëri ka 25-vite që lulëzon. Mesa duket tani po i mbaron uji… Jo se po ngrihet populli, pasi është e qartë që po u ngrit do i bien pantallonat e do dali që s’ka as brekë në b***, por sepse vetë aktorët politikë s’po dijnë të aktrojnë më.

[…] Ku e lam e ku na mbeti,

Vaj vatani e mjerë mileti […] ~ F.S.N.

Brezat e rinj duhen edukuar me atdhedashuri, pasion për dije, parimet të hekurta antikorruptive dhe drejtësi sociale. E mbi këto, prindërit duhet t’i lënë fëmijët të shprehin të lirë mendimin e tyre, e mos t’i kastrojnë politikisht si vetja.

Një epilog autentik shqiptar: Himni ~ Rroftë Plutokracia

Plutokracia është shndërruar në makthin e këtij vendi. Plutokratët kanë blerë dhe luanët e i kanë kthyer në lepuj, dhe kanë vënë minjtë, hienat, gomarët dhe pinguinët të drejtojnë postet shtetërore që dikur janë ulur kollosë si Ismail Qemali, Sulejman Delvina, Lef Nosi, Luigj Gurakuqi, Pandeli Cale, Fan Stilian Noli, Faik Konica etj. Krahasojini institucionet që janë drejtuar dikur nga emrat e këtyre patriotëve dhe të tjerë që s’po i përmend për hir të kohës, me emrat që ka prodhuar plutokracia në këto 25 vite e bëjeni vetë bilancin e kulturës, profesionalizmit dhe patriotizmit ndërmjet asaj kohe dhe sot. Pas llogarive të bëra, bilanci im del: në 25 qershor shko t’i vesh kryqin gjithë fletës së votimit, thuaji “JO” talljes së politikës aktuale, thuaji “JO” plutokracisë! Nxirr plero-zgjedhjet e pavlefshme!

Parafundit, i drejtohem Presidentit të Republikës, me një propozozim të përbashkët pas konsultimeve që kam pasur me disa rrethe të mia shoqërore, që dy vargjet e fundit të strofës së dytë (refrenit njëkohësisht) të himnit tonë kombëtar, të hiqen ose të zëvendësohen. Konkretisht,

[…] kush është burrë, nuk friksohet,

po vdes, po vdes si një dëshmor.

Në këtë vend nuk kemi më burra. Mos na ngelet fare hatri… E jo më të kemi dëshmor atdheu, për liri, vëllazëri e barazi, koncepte abstrakte inekzistente sot për këtë shoqëri të tredhur. Duket si një proçës shpjegimi antropomorfist para një publiku që ka humbur besimin në shpresën për ndryshim, e luhatet përditë nëse duhët të vazhdojë luftën mes ruajtjes së moralit e parimeve të tyre politike, apo t’i dorëzohet sistemit rrethues e të përshtatet me turmën përbërëse për të siguruar mbijetesën e tij/saj si qënie njerëzore dhe politike. Silogjikisht, edhe strofa e gjashtë e himnit tonë, që njihet pak ose aspak nga pjesa më e madhe e shqiptarëve, humbet kuptimin të këndohet në një vend ku figurat patriotike dhe dëshmorët nuk nderohen siç u ka hije, përjashto datat historike që ua imponojnë plot mërzi politikanëve një vizitë monotone, e ku edhe mediat detyrohen t’i ndjekin.

Për ta mbyllur, me shpresën se ka arritur të më lexojë deri këtu, me falenderim i drejtohem lexuesit & votuesit e me një apologji sokratike duke perifrazuar Paskalin e Çehovin,

“Ndjesë nëse në mungesë të kohës shkruajta kaq gjatë.”

***

Tags from the story
,
More from Edi Sara

Fisnikëria e një burri, thonë se matet nga mënyra si trajton femrat

Sikur të mos mjaftonin ngjarjet jo fort të këndshme të këtij viti...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *