Partizani-Tirana: Rikthehet Legjenda, rikthehet gjallëria

Rikthehet më në fund në fushën e blertë të ligës superiore shqiptare, pas më shumë se 4-vitesh mungesë, derbi historik mes dy klubeve rivale: Partizani-Tirana.

Në fakt kishte kohë që Tirana nuk gjallëronte si në ditën e djeshme, ku me qindëra tifoza nga të dy krahët mbushën rrugët kryesorë dhe bulevardin kryesor “Dëshmorët e Kombit” nën tingujt, këngët dhe thirrjet e tifozerive të tyre të zjarrta. Nqs dikush do kishte marrë mundimin ta fotografonte nga ajri qendrën e Tiranës, do i dukej ndoshta sikur kishte përpara një sirenë gjigande policie për shkak të ngjyrave kuq-e blu që vendosnin vijat e demarkacionit përmes dy tifozerive kryeqytetase.

Me rikthimin e Partizanit në Super-ligë, sporti shqiptar duket sikur ka pësuar një ngritje në intensitetin e lojës, dinamizmin antagonistik midis tifozerive, si dhe më tëper emocion dhe adrenalinë në kampionatin tonë të futbollit.

“Demat e kuq” rishkelën tapetin e blertë superior që nga sezoni i fundit në 2010. Rënia nga Super-liga, drejt Ligës I dhe II mund t’i atribuohet keq-menaxhimit, mos-pagesës ndaj lojtarëve dhe krizës ekonomike që preku bizneset e ish-presidentit famëkeq tashmë të njohur të Partizanit, z. Albert Xhani i cili dha dorëheqjen nga presidenca në 13 Gusht 2012. Megjithatë “kontribut” në rënien e ekipit më të madh për nga numri i tifozave në mbarë-vëndin, mund të thuhet se luajti edhe vetë Federata Shqiptare e Futbollit (FFSH) nën kryesinë e Armand Dukës, e cila heshti dhe favorizoi në këtë mënyrë trukimet dhe shitje-blerjet e arbitrave.

Ekipi i Partizanit, trajnerët, teknikët e gjithe stafi që morrën pjesë në këta 4-vite të fundit, padyshim që duhen falenderuar dhe respektuar për punën e madhe dhe më së shumti vullnetare që dhuruan për ringjitjen e ekipit të tyre të zemrës, pavarësisht përçatjeve dhe vështirësive të shumta materiale si mungesa e financave të qëndrueshme dhe ambienteve të stërvitjes. Por mbi të gjitha duhet vlerësuar pasioni, dashuria dhe dedikimi i palodhshëm i tifozerisë së zjarrtë që nuk rreshti për asnjë moment përgjatë këtyrë 4-viteve të mundimshme së mbështeturi ekipin e tyre të zemrës. Një admirim dhe falenderim i veçantë iu dedikohet Ultras-Guerrilsave, të cilët nuk lanë qytet dhe distancë pa përshkruar për të mbështetur “Demat e kuq.” Po mos ishte shpirti i palodhshëm i kësaj tifozerie, ndoshta qëllimet e errëta të kastës së vjetër politike do të kishin arritur ta shpërbënin këtë ekip historik për të përfituar më pas nga privatizimi i pronave të tij.

Dhe ja ku jemi sot, 1-ditë pas rikthimit historik dhe triumfator të Legjendës me golin e vetëm të shënuar nga Demiri 57’ në stadiumin “Qemal Stafa”, i cili s’mbahet mënd që kur ishte pare për herë të fundit kaq i tejmbushur plot me tifoza të entuziasmuar në kulm që krijuan një atmosferë festive përgjatë gjithë ndeshjes. Dhe këtë e dëshmon edhe fakti i rritjes së theksuar të uniformave blu dje përreth stadiumit, të cilët patën vënë rregulla dhe masa të larta sigurie për ruajtjen e sigurisë dhe rendit publik.

Por ajo që tërhoqi vëmëndjen e një pjese të mirë të të pranishmëve ditën e djeshme, ishte incidenti që pasoi në hyrje të tribunës D2 e parapërcaktuar për tifozat e Partizanit, ku efektivat e Policisë së Rendit ndaluan hyrjen e njerëzve vetëm 5-min përpara se ndeshja të niste, pavarësisht se të gjithë ishin të pajisur me bileta të blera e të vlefshme për hyrje. Askush nuk merrte përsipër të sqaronte tifozët dhe njerëzit e thjeshtë të pajisur me bileta, përveç disa efektivave që u shprehën se “dyert i ka mbyllur privati, çelësat i ka federata sepse s’ka vënde.” Gjithkush e kupton absurditetin kuptimplotë të këtij pseudo-argumenti, i cili oshëtinte plot tallje në veshët e mbajtësve të biletave të cilët vetë federata ua pati shitur.

Nuk është parë e dëgjuar askund në botë, që në njërin krah të tribunës të favorizohet në mënyrë të njëanshme hyrja e një tifozerie ( në këtë rast bardh-e bluve) dhe në anën tjetër t’i mbyllen dyert tifozeris së ekipit kundërshtar për shkakun e vetëm real “se ka numër më të madh tifozash dhe nuk ka vënd!!!” Pikërisht për këtë arsye ka një numër të planifikuar biletash nga federata të cilat llogariten për t’u shitur përpara ndeshjes si dhe seleksionohen tribunat përkatëse të tifozerivë në bazë të numrit të shitjeve, për të shmangur mbipopullimin në rradhët e stadiumit. Pati dhe nga ata të huaj si Zviceranë, Anglezë apo Italianë të cilët kishin prerë biletë në tribunën e rezervuar për tifozerinë e kuqe, dhe të cilët ngelën të shtangur dhe të çuditur në hyrje të dyerve kur iu komunikua “arsyeja” pse nuk lejoheshin të hynin. Ata pyesnin policinë ku mund të ankoheshin pa marrë përgjigje… Vetëm 15-min pasi filloi ndeshja, Policia e Rendit dha njoftimin qe kush kishte biletë të kalonte në hyrjen e tribunës D3.

Gjithsesi, uniformat blu duhen falenderuar për sigurinë dhe ruajtjen e qetësisë në kryeqytet ditën e djeshme. Në të njëjtën kohë i duhet bërë thirrje FSHF-së për një koordinim më të saktë në planin e punës për të shmangur incidente si dje, duke u detyruar të përdorin Policinë e shtetit si manekin lodër për të mbuluar gafat e saj. Me kësilloj ngjarjesh bëhemi gazi i botës nëpërmjet zërit të të huajve të cilët pavarësisht kushteve të mjerueshme në të cilën ndodhet stadiumi tonë kombëtar, vendosin të blejnë një biletë për të ndjekur derb-in historik në kampionatin tonë. Kur ngjarje të tilla ndodhin në kryeqytet midis dy ekipeve më të mëdha, imagjinoni pak ç’farë situatash krijohen nëpër rrethe…

Sporti ka nevojë imediate për “Rilindje”, shpresojmë që znj. Lindita Nikolli e cila kryeson Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, të ketë një plan të detajuar për përmirësimin e kushteve dhe hapësirave sportive në vëndin tonë, për t’u vënë në zbatim në momentin e duhur pas rimëkëmbjes dhe reformave imediate në sektorin ekonomik.

-###-

Tags from the story
More from Edi Sara

9-Maj: Triumfi i Popujve Liridashës

Rusi- 69 Vjet më pas Sot është 69-vjetori i çlirimit dhe mposhtjes...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *