Përse fiton PS?! – Hollandezi fluturues blu dhe Tridenti i sterilizuar Presidencial

Vota 25 Prill
Vota shqiptare

27 Prill 2021- 2 ditë mbas zgjedhjeve parlamentare, dhe duket se historia e (plero)pluralizmit shqiptar po shënon për herë të parë një rekord historik, atë ku një subjekt politik elektoral arrin të fitojë tre herë rrishtazi mazhorancën për të udhëhequr formimin e kabinetit qeveritar për një mandat konsekutiv katër vjeçar. Rast i paprecedent ky edhe në gjithë Ballkanin Perëndimor, duke përjashtuar Malin e Zi të Gjukanoviçit, drejt së cilës po anojmë mjerisht në emër të demokracisë shqiptare. Mirëpo shumëkush nga votuesit, po pyesin ndoshta vetëveten habitshëm si ka mundësi ?!

Për më tepër, habia më e madhe rëndon mbi supet e opozitës blu, e cila si një trup pule me kokë të prerë, shkon sa nga njëra anë në tjetrën duke kërkuar racionalitetit e humbjes së rradhës, dhe njëkohësisht vulos fatin e pafat autoritar të së ardhmes së vendit tonë drejt së cilës po shkojmë. Ndërsa koka e prerë, teksa rropatet t’i ngjitet pas trupit të vet, në kufijtë e mjerimit të racionales, tenton e do tentojë të hedhë mufka e sofizma të rradhës duke hedhur fajin e dështimit te ngadhënjimtarët e fitores pirike. Cilido që habitet nga elektorati blu, jeton në ‘Epokën e Irracionalitetit’, për të perifrazuar invers veprën e Thomas Paine.

Pra përse fiton PS?

Se programi i rilindjes mbajti premtimet e veta?! Duke filluar nga 500k (300k të premtuara mandatin e Ramses I, e 200k të premtuara gjatë Ramses II) vëndet e hapura të punës por që nuk u gjetën kurrë profesionistë për t’u mbushur, tek drejtësia e mohuar duke varrosur për herë të dytë katër arkivolet e martirëve të 21 Janarit, si dhe duke varur në litar reformën e drejtësisë e cila tundet si një pendulum përpara sahatit të integrimit europian. Mund të vazhdojë të listoj ‘arritjet’ e socialistëve gjatë 8 viteve, por siç mund të thoshte edhe Tocqueville, vetëm sa do i shtonin ujë mullirit të irracionalitetit ku jetojmë, botës distopike të rilindjes, epokës së mjerimit politik ku shoqëria shqiptare ka rënë.

PS duhet të jetë e bindur që nuk u përzgjodh për produktin e qeverisjes së politikave të aplikuara.

Në fakt zgjedhjet e 25 Prillit dëshmuan se shumica e shqiptarëve, pavarësisht kushteve socio-ekonomike-kulturore në të cilën ndodhet, manifestoi një maturi e pjekuri të mirëfilltë racionaliteti brenda kontureve të irracionalitetit rrethues. Zgjedhjet e 25 Prillit i ofruan votuesit shqiptar një gamë të gjerë m***, ku zgjedhja u kufizua tek bajga e tharë, pasi siç thotë e populli ynë i mençur, nuk të ngjitet pas këmbe apo të kundërmojë erë.

Lulja e vyshkur opozitare, Lulëzimi solipsist, Luli që ecën vetë e udhëheq paloqeship kampin opozitar nga humbja në humbje duke thyer çdo rekord paaftësie në lidership, është i pari i cili duhet falenderuar nga kryetari PS, dhe sërish KM i Shqipërisë, për fitoren e mandatit të tretë që i dha Faraonit rilindas.

Nësë kryejmë një analize racionale, edhe ekuibri Pareto në fakt i bie të jetë i njëjtë me zgjedhjen e bajgës nga votuesi shqiptar. Vota popullore, duhet përkthyer në 2 drejtime, në varësi të optikës:

Së pari, parë me dylbi, me zgjedhjen e kalibrit nr. 12, artileria e votës popullore, asgjesoi 2 objektiva politike:

  1. Ardhjen në pushtet të rekordmenit të dështimeve politike, narcicistit dështak dhe inkompetent në çdo pozicion zyrtar që ka mbajtur, qoftë si Min. Transporti, si Min. Jashtëm, Min. Brendshëm apo Kryetar Bashkie TR (por gjithsesi më mirë së Beton Veliera përsa i përket mosbërjes akute totale sesa bërjes përshesh të çdo sheshi) etj. Hollandezi flutures blu ish alternativa e vetme për ta kthyer vendin tonë në gazin e botës, e zgjedhësit që e kanë votuar, mund të ndahen në 3 kategori bazuar në albarometrin racional:

i) Kushtëzohen nga njëfarë racionaliteti të hirtë, eklipsuar nga shpirti progresist prej humoristi, pa menduar thellë për pasojat regresiste që një komedian mund të sjellë duke e kthyer qeverinë në teatër për mësimdhënien e matematikës në fillore. Mjafton të shohim Ukrainën e Zelenskit për raste komedianësh profesionistë, pale pa diplomë si ky i PD-së, mungesa karizmatike e të cilit do i fuste mornicat dhe popujve Skandinavë;

ii) Kushtëzohen nga ego-racionaliteti, ku fushëpamja shtrihet tek by*** personale e votuesit i/e cila si këmbim ka marrë një premtim ose favor politik, si vend pune, para, zgjidhje problemesh familjare etj.;

iii) Kushtëzohen nga irracionaliteti, e në këtë rast ky segment votuesish të djathtë mund të identifikohen se janë ose e kanë vendin në çmëndinë (në fakt evidentuar dikur nga lideri historik gjatë një vizite në një spital në fjalim e sipër si e ardhmja e kombit tonë).

  1. Duke i dhënë PS-së shumicën mazhoritare >50%, vulosi shkërrmoqjen e një subjekti politik si LSI, e cila mbarështonte vlerat e parazitizmit dhe kleptokracisë në gjirin e elektoratit të saj. Për më tepër, sterilizoi dhe Tridentin (cfurkun) e artë Presidencial, duke mënjanuar kështu mundësinë e trazirave dhe thirrjeve zhakëriste të Presidentit aktual, për të përdorur Kushtetutën si instrument politik. Dorëheqja dhe dalja në shesh, mbetet veprimi i fundit i djalit flori nga Skrapari, për të ruajtur burrërrinë e fjalës së vet.

Së dyti, duke vënë lupën, zgjedhja e bajgës së tharë, shërben si një katalizator për një katharsis politik në të dyja polet e spektrumit politik shqiptar:

  1. PD- duhet të kryejë medoemos një rotacion në establishmentin e saj politik, duke larguar benjaminin e liderit të saj historik (S.B.), dhe gjetur një figurë të re, energjike, karizmatike, e të pastër politike, e cila të jetë e denjë të marrë përsipër të frenojë mjetin qeverisës sa herë timoni anon nëpër gropa ose merr drejtimin për nga miqtë e shoferit. Mbajtja peng e PD-së nga një karikaturë Luleje të vyshkur, do lërë kaps demokracinë e vendit tonë e për një kohë shumë të gjatë, dhe fatkeqësisht do ulë dialogun e zërin kritik politik, mjaft të nevojshëm për të plotësuar detyrat tona shtëpiake për integrimin e mëtejshëm drejt familjes Europiane. (Sa anakronike dhe ironike që këto ishin dhe preludi i çdo tubimi politik gjatë fushatës së PD-së në këto zgjedhje.)
  2. PS- dëshmoi se do vazhdojë të drejtoje e vetme mjetin, tashmë me goma në tokë dhe duke djegur vaj. Por nëse shohim qarkun e Tiranës, rezultati dëshmon qartë se Beton Veliera ishte poligoni i qitjes për Faraonin rilindas. Duke i besuar fushatën e Tiranës, Rama lau duart si Pont Pilati. Kryeqytetasit dërrmuan atë i cili palloi me beton kryeqytetin e shqiptarëve, duke i bërë gropën edhe vetë Bashkisë pak metra pas saj, sigurisht me bekimin e Faraonit. Nga ana tjetër, moshumbja e Ramës, shmang përkohësisht dhe rotacionin e brendshëm të kryesisë së PS-së e cila ende kërcënohet nga uzurpimi i një larve politike si Beton Veliera. Kjo u shmang përkohësisht, por mbetet një potencial mjaft i rrezikshëm për fatet e kombit shqiptar në të ardhmen, ku 28,748km2 rrezikojnë të dalin në ankand për klanin e eunukëve ‘mjaftistë’ për të betonizuar pa kriter e shkatërruar çdo memorie të paraardhësve tanë, me qëllim për t’i shërbyer interesave të sponsorëve të tyre.

Pas këtyre zgjedhjeve, pishtari demokracisë shqiptare nuk ka dritë mjaftueshëm për të ndriçuar qorrsokakun e errët ku populli ynë ka hyrë. Në njërën anë, Shqipëria rrezikon të hyjë në topologjinë e sistemeve politike si delet e zeza Orbaniste ose Kaczinske brenda kopesë Europiane, për të mos pëmendur stanin Putinist ose Erdoganist, nëse vetë Ramses III do vendosë ta hedhë këtë hap. Në anën tjetër, selia blu duhet të reformohet rrënjësisht, ndryshe mjekët do rishikojnë literaturën e përkufizimit të sindromës së Stokholmit. Në vijim, shtrohet edhe mundësia e krijimit të një force të re politike opozitare gjatë 4 viteve të ardhshme, e nevojshme për t’i ofruar votuesit shqiptar edhe një alternativë tjetër në zgjedhjet e 2024 përtej traditës monotone politike 30-vjeçare. Kjo mbetet dhe shpresa e vetme e rinisë brenda vendit, si dhe diasporës që shqyrton mundësinë e kthimit dhe kontributit potencial në atdhe.

-###-

Tags from the story
,
More from Edi Sara

Midnight in Paris (2011)

nga Anisa Vrenozi Regjia dhe skenari: Woody Allen Aktorët: Owen Wilson~ Gil; Rachel...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.