Quo Vadis Alte Education in Albania?

Reforma e Ç'Arsimimit
Reforma e Ç'Arsimimit

“Themeli i çdo shteti qëndron tek edukimi i rinisë së vet.” – Diogjeni i Sinopës

Kur një qeveri vendos të ngrejë taksat/tarifat në një sektor publik të caktuar, justifikimi i rritjes së investimeve/shpenzimeve në të ardhmen shërben shpesh si prelud për të legjitimuar këtë vendimmarrje. Megjithatë, ndodh dhe që një qeveri të ulë shpenzimet për ndonjë sektor publik si pasojë e vështirësive ekonomike, dhe kjo natyrisht kërkon dhe zvogëlim të taksave/tarifave në atë sektor.

Diakronizmi i Reformës në (Ç’)Arsim

Shumë është folur e diskutuar gjatë gjithë vitit 2015 rreth reformës “socialiste” mbi arsimin e lartë (vë në thonjza pasi një reforme e tillë nuk mund kurrsesi të propozhet nga një parti ideologjikisht e majtë, pasi bie ndesh me parimin internacionalist-socialist se edukimi duhet të jetë falas dhe i arritshëm për të gjithë që dëshirojnë), ku mjaft analistë të njohur, intelektualë të shoqërisë civile (megjithë formën abstrakte në institucionalizimin e shoqërisë civile në vendin tonë), gazetarë (të të dy kampeve), pedagogë (nga të dy frontet: në privat e në publik, si dhe ata “intermezzo”) dhe politikanë (të cilët padyshim e instrumentalizojnë këtë debat që duhet t’ju përkasë ekzkluzivisht qarqeve akademike kryesisht) kanë shprehur opinionet e tyre në mbështetje osë në kundërshtim të kësaj reforme. Kryesorja është që të gjithë bien dakord për nevojën e një reforme në arsimin e lartë në Shqipëri, por polemikat ngrihen mbi metodën dhe mënyrën se si kërkohet të implementohet kjo reformë.

Për të mos humbur më tepër kohë, po i paraqes shkurtimisht publikut qasjen time lidhur me debatin mbi reformën e arsimit e lartë. Kritika ime e parë vesh lentet kosto-investim: Çfarë po jep qeveria socialiste për arsimin për të justifikuar rritjen e tarifave ndaj studentëve si dhe skemën e financimit? Dhe kritika ime e dytë shihet nën optikën e debatit filozofik: A përputhet ideologjikisht një propozim i tillë me atë të një partie “socialiste”?

1- Një analizë Kosto-Investim: Sa po jep buxheti publik dhe sa do marrin brezat e rinj?

Le të hedhim një sy statistikave botërore të vëndeve të tjera të rajonit të Ballkanit, dhe ku qëndron Shqipëria në lidhje me % e PBB të dedikuar Arsimit dhe Edukimit. Prandaj, më poshtë po iu shpalos statistika të marra nga disa organizata ndërkombëtare për të krahasuar vendin tonë me shtetet fqinje dhe BE-në ku duam të integrohemi.

Sipas UNDP, Shqipëria qëndron e 95 në listë me të dhënat e marra deri në vitin 2012 ku %PBB dedikuar arsimit shkon në nivelin 3.3. Vendi ynë rreshtohet pas Bosnjës, Sërbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi. UNDP.org

Sipas UNESCOs bazuar në burimet qeveritare, Shqipëria ka shpenzuar 3,36% të PBB-së në edukim për vitin 1999, ndërsa në vitin 2007 (të dhënat e fundit) ka dhënë 3,27. UNESCO.org

Sipas Quandl, Shqipëria ka pas 3,27% të PBB-së dedikuar edukimit për vitin 2007, më të ultën në rajon, dhe 13,21% shpenzimin publik për një nxënës si PBB/qytet. Quandl.com

Ndërsa Wikipedia, i cili nuk konsiderohet burim akademik por ne po e paraqesim si një informacion mbështetës interesant, e rendit Shqipërinë për periudhën 1980-2009 në vend të 75, me 4.9% të PBB sipas vitit 1980. Wikipedia.org

Ndërkohë KE ka bërë të ditur që një vit më parë nëpërmjet një MEMO-je se BE ka si objektiv të përgjithshëm, ngritjen e suportit në fushën e Kërkimit & Zhvillimit (K&Zh/ Research & Development-R&D) për të kapur nivelin e 3% të shpenzimeve të PBB-së së përgjithshme të BE-së deri në vitin 2020. Europa.eu

Megjithatë, më duhet të theksoj një fakt alarmues: që prej vitit 2013, nuk ka asnjë statistikë të deklaruar nga qeveria tonë përsa i përket shpenzimeve buxhetore që shkojnë në sektorin e arsimit publik ose sa shpenzon shteti për një nxënës. INSTAT dhe asnjë Ministri nuk kanë bërë të ditur shifra konkrete lidhur me shpenzimet e dy viteve të fundit dhe asnjë projektim për vitet në vijim. Në vendin tonë, sipas projekt-buxhetit të ri për vitin 2016 dhe për sa u fol në seancat e fundit plenare të Kuvendit, qeveria socialiste bëri të ditur se do ulen shpenzimet në sektorin publik të arsimit.

Atëherë natyrshëm lind pyetja: Me çfarë e justifikon qeveria rritjen e tarifave për studentët duke filluar nga viti i ri akademik 2016-2017, për më tepër kur ajo ul edhe % e investimeve në fushën e K&Zh në projekt buxhetin për 2016? Që një qeveri të ketë argument për rritjen e tarifave studentore dhe ndryshimin drastik të skemave të financimit për Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL), është kusht i nevojshëm dhe i detyrueshëm që të përmbushen pikat e mëposhtme të cilat po i shpalos në formën e një Manifesti Studentor:

  • qeveria të rrisë % e PBB-së dedikuar ndaj K&Zh (R&D) dhe institucioneve të edukimit;
  • të rrisë cilësinë si në ambientet e IAL-ve ashtu edhe në stafin pedagogjik, për t’ju ofruar studentëve ekspertizën bashkëkohore në fushën e tyre të studimit krahasuar me simotrat e sivëllezërit e tyre europianë;
  • të eliminojë nga qarkullimi tekstet akademike të integruara të cilat përzgjidhën në funksion të postit të autorit dhe lidhjeve të tij/saj me pushtetin;
  • të rimodelojë dhe pasurojë bibliotekat në të cilat volumi i faqeve të librave konkuron për nga trashësia me pluhurin që ka pllakosur mbi to;
  • laboratoret të transformohen nga mauzelume që ekspozojnë pjesë antike nga libra ose pajisje të gjysmës së parë të këtij shekulli, në salla kërkimi shkencor profesional bashkëkohor me funksionalitet të plotë;
  • të bëhen transparente për publikun statistikat nga qeveria lidhur me shpenzimet buxhetore në arsim;
  • tarifat e hyrjes në IAL-të të mos rriten në kushtet e një zvogëlimi të investimeve shtetërore;
  • të krijohet një komision i ri për të shqyrtuar mendimet e stafeve pedagogjike nga secili fakultet në çdo universitet publik. IAL-te private duhet të ftohen për konsultim vetëm pasi të rregullohet legjislacioni në fuqi për sa i përket sqarimit të termit “biznes jo-fitimprurës” dhe operimit të tyre në treg nëpërmjet transparencës së fondeve dhe fitimeve.

Tani, në fund të kësaj analize, jam i sigurt se studentët kanë një pyetje për ju Min. znj. Nikolla:

Nëse IAL-ve publike iu mungojnë gjithë këto asete, investime dhe reforma administrative në strukturat e tyre institucionale, si mund të konkurrojnë ato me IAL-të private për të absorbuar fondet publike (sipas skemës suaj të re të financimit) kur këto të fundit janë shumë herë më lart në secilin nga aspektet e përmendura më sipër? Nëse kryhet një sondazh, jam i sigurt që shumica dërrmuese e studentëve në shtet kanë për të pranuar faktin se IAL-të private janë më të modernizuara dhe ofrojnë kushte më bashkëkohore për studim. Mua më duket sikur shteti ynë po hyn me vullnet të plotë në një garë shpejtësie me një makinë të viteve ’80 kur pjesëmarrësit e tjerë drejtojnë automjetet më të fundit. Këtu duket sikur po vihet në skenë një tragji-komedi e Nabokov-it, ku shkaku i kësaj ngjarjeje mund të dyshohet se vjen:

  1. Ose nga fodullëku i Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, moskompetencës së lartë dhe miopisë së theksuar të promotorëve të kësaj reforme, reflektuar dhe në projekt-buxhetin e ri 2016;
  2. Ose për hir të interesave të ngushta klienteliste të cilat kanë mbërthyer drejtuesit e këtij institucioni duke i lënë ata pasivë dhe letargjikë ndaj kësaj skeme favorizuese për IAL-të private e duke fundosur vullnetplotë IAL-të publike.

     

2- Një nismë e djathtë nga dora e majtë: Reformë republikane/konservatore e propozuar nga një parti ideologjikisht e majtë?

Pas analizës së mësipërme, nuk mund të mos përmend edhe kritikën e dytë që lidhet me vijën ideologjike majtiste të deformuar. Nëse këtë propozim ligji të IAL-ve do e dërgonim në ndonjë universitet minimalisht të nivelit mastër jashtë vendit (për të marrë një gjykim të depolitizuar dhe pandikuar), në një klasë studimi komunikimi politik, fushate elektorale ose filozofi-politike, jam i bindur që gjithë studentët e formuar kanë për ta etiketuar këtë propozim si produkt të ndonjë partie republikane ose konservatore. Në vijim, devizat kryesore janë: Ulje investimesh publike, tërheqje të rolit të shtetit, nxitje investimesh private dhe kërkim donatorësh të huaj duke krijuar urë lidhëse me privatin (që duhet theksuar se janë politika krejt neoliberale), ngritje tarifash ose zvogëlim të bursave/kredive shtetërorë ndaj studentëve etj.

I kujtoj kreut të kabinetit të qeverisë se në 23 qershor, populli shqiptar i besoi 1 milion vota Partisë Socialiste, e theksoj edhe njëherë, SOCIALISTE, jo republikane/konservatore.

Për më tepër e për mos të lodhur lexuesin më tej, kush ka dëshirë të informohet rreth retorikës “socialiste” të sotme në hapësirën (e ngushtë) mediatike kushtuar reformës së arsimit të lartë, le ta krahasojë atë me retorikën dhe ideologjinë republikane (SH.B.A.) ose konservatore (në Europë) dhe të gjejë ndryshimin (nëse ka). Për një hyrje të shkurtër për lexuesin e zënë me kohën, modestisht mund t’i sugjeroj shkurtimisht: OnTheIssues.org; RepublicanViews.org

Duke përfunduar, i bëj thirrje studentëve për hir të vetes suaj, dhe për hir të kombit dhe atdheut për të cilin jeni bulku i forcës dhe shpirti i së ardhmes, lërini kafenetë për një ditë të vetme dhe dilni para Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve për të protestuar të drejtat tuaja. Po fundoseni bashkë me vendin ku po investoni vitet më të bukura të jetës suaj, dhe ku pritet të dilni të formuar mendërisht dhe me kapacitetin e lartë intelektual në shërbim të vetes dhe të vendit.

Arsimi lëngon! Studentë anembanë Shqipërisë, BASHKOHUNI!

 

-###-

Tags from the story
, , ,
More from Edi Sara

Welcome thus in Albania!

… dhe në mes të heshtjes e cila kish pushtuar sallën nën...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *