Shqipëria midis Lindjes dhe Perëndimit

Duke huazuar titullin nga libri i ish-Presidentit të Bosnjë-Hercegovinës dhe njëkohësisht studiuesit e akademikut të mirënjohur të filozofisë dhe islamit, Alija Izetbegoviç, marr shkas të shkruaj nga deklaratat e tre liderëve “vllazën” që u thanë në përurimin e aeroportit “Adem Jashari” në Kosovë. Shumë bujë u prodhua nga fraza e lëshuar porsi thikë me dy presa nga goja e kryeministrit turk Erdogan:

Turqia është Kosovë sikurse Kosova është Turqi!”

-Kjo thënie mund të pranohet nga një pjesë e popullit kosovar ose shqiptar, nga ajo pjesë e cila shef kanotacione religjioni dhe ngjyrime emocionale nën flladin e epopesë historike. Por kur këto fjalë lëshohen nga një zyrtar shteti (dhe për më tepër përfaqësonjësi më i lartë në rastin konkret), thënia institucionalizohet ndërkombëtarisht, duke prekur të paktën 2-shtetet për të cilat bëhet fjalë. Por këtu mund të luhet pak ironikisht edhe më tëj, pasi nuk bëhet fjalë vetëm për 2-shtete, pra për Kosovën dhe Turqinë, pasi ekuacioni ndërlikohet më tepër kur futet në lojë dallori i ashtuquajtur “politika e jashtmë” e cila prek edhe Shqipërinë. Ndërkohë është thënë e stërthënë:

“Kosova është Shqipëri!”

Imagjinoni për një moment kur një fëmijë i thotë një fëmije tjetër më të vogël: “Ne jemi vllezër vëlla!!!” Por një fëmijë i tretë që ndodhet aty pranë i drejtohet gjithashtu të voglit: “Edhe ti e unë jemi vëllezër!” Ç’farë i bie të parit të jetë me të tretin? Sigurisht që vëllezër, me diferencën e vetme që të jetë në ndarjen e linjës matriarkal/patriarkal… (nga nëna apo nga babai!!!) Por këtu lind problemi! Të themi se dy fëmijët e parë janë vëllezër nga një çift prindëror, ndërsa fëmija i tretë “mund” të jetë vëlla me më të voglin e fëmijëve të lindur nga çifti i pare. Atëherë biologjikisht duke ndjekur linjën gjenetike në mënyrë logjike dhe konsistente i bie të jetë gjysëm-vëlla pasi të paktën ka një nga prindërit të përbashkët përderisa ndodhet jashtë familjes së parë. Dhe kur i thotë më të voglit “vëlla”, po njësoj është edhe me të madhin!

Nuk është e vështirë që lexuesi t’i ketë emërtuar fëmijët e mësipërm tashmë në bazë të deklaratës së Erdogan-it. Nuk dua të përçatem me faktet historike dhe prejardhjen e turqve, por thjesht po i kujtoj z. Erdogan se shteti turk u themelua nga kryqëzimi i turqve selxhukë me ata oguzë në fund të shek. XIII. Ndërkohë në po të njëjtin shekull, “vëllezërit e tij” në Ballkan kishin kohë që ekzistonin dhe kishin formuar sistemin e tyre politik. Prejardhja e racës turke vjen nga Lindja dhe Azia Qëndrore, ndërkohë që prejardhja shqiptare është Pellazgo-Iliro-Europiane.

Por vjen momenti i rëndësishëm i pushtimit otoman. Jam i sigurt që në këtë moment do ketë mjaft lexues që do më përçmojnë për fjalën “pushtim” duke më sugjeruar të përdor fjalën  “bashkekzistencë.” Këtyre kritikëve emocional unë ju drejtoj një pyetje: Vallë po të njëjtin term që sugjeroni përdorin edhe historianët e popujve fqinj Ballkanik kur i referohen periudhës së shek. XV-XX nëpër tekste ose ligjërata?

Gjithsesi, i bie që në historinë botërore të konflikteve, luftërave dhe pushtimeve, një pjesë e mire e popujve janë “vëllezër” ose “motra” me një pjesë tjetër, dhe kjo pjesë me siguri që do ketë pasur lidhje farë-fisnore ose do ketë qenë për ndonjë periudhë kohore nën sundim të ndonjë populli tjetër e kështu me rradhë… Dhe me këtë logjikë dalim jo vetëm kushërinj dhe vëllezër me gjithe popujt e tokës, por rrezik në fund arrijmë edhe tek Adami dhe Eva!!!

Takimi i krerëve të shtetit turk, shqiptar dhe kosovar simbolizon një koalicion të ri tri-palesh në arenën ndërkombëtare përpara dyerve të Bashkimit Europian. Deklarata e kryministrit turk morri një kanotacion negativ me ngjyrime të theksuara “orientale dhe neo-otomaniste” në mbarë shtypin europian.

Ndërkohë lëvizja e rradhës e kryeministrit Edi Rama nuk u prit mirë as në shtypin kombëtar. Theksimi “i partneritetit strategjik dhe afatgjatë” me Turqinë mund të jetë një lëvizje e sforcuar mbrojtëse në skakierën ndërkombëtare, i ndergjegjshem mbase edhe  për humbjen e një figure në favor të kundërshtarit përballë. Veçse në rastin konkret vështirë se mund të identifikohet si figura ashtu edhe lojtari “kundërshtar” që ka përballë kryeministri shqiptar.

Një gjë është e sigurt se Thaçi po ndjek hapat e Ramës në prag të zgjedhjeve lokale, duke tentuar të grumbullojë në elektoratin e tij edhe votën e komunitetit islamik. Përveç këtij fakti, qëndron edhe natyra ekonomike e lidhjeve me shtetin dhe biznesin turk, i cili ka kryer mjaft investime afatgjata ne rajon dhe planifikon t’i shtojë ato në të ardhmen në Shqipëri e Kosovë. Mos harrojmë që një pjesë e mirë e kompanive telefonike, sistemeve kabllore, kompanive të ndërtimit dhe shfrytëzimit minerar etj. në vëndin tonë e në Kosovë zotërohen nga Turqia.

Politika e jashtme e Shqipërisë tashmë ka caktuar me kohë një kurs me azimut integrimin europian. Problemi qëndron nëse shteti dhe populli tonë është i kthyer me fytyrë si një trup i vetëm drejt dyerve të Perëndimit, apo shteti luhatet herë nga Europa e herë nga Lindja, ndërsa populli kundron të deleguarit në emrin e tij teksa vërvisin timonin e tij…

Duke shkëputur një ekstrakt nga libri i A. Izetbegoviç: “Islami midis Lindjes dhe Perëndimit”, po i rikujtoj z. Erdogan të mos tentojë të (pseudo)revolucionarizojë atë ç’ka ai po kritikohet nga vetë shtypi turk se po shkatron trashëgiminë e Atatürk-ut, babait të shtetit modern sekular turk:

Në qoftë se revolucioni kishte për kundërshtar fenë, kundërshtari ishte vetëm i fesë zyrtare, i kishës, i klerit, i hierarkisë- pra i fesë së institucionalizuar, i fesë së rremë. Dhe anasjelltas, gjithandej pseudorevolucioni, revolucioni si strukturë, si burokraci, gjeti aleatin tek religjioni si strukturë, si burokraci. Meqë filloi ta gënjejë dhe ta tradhtojë vetveten, revolucioni mund të gjente mikun e vet te religjioni i gënjeshtërt.”- f.79

-###-

Tags from the story
,
More from Edi Sara

Letër e hapur prindërve dhe gjyshërve tanë: Tirana, kjo tokë e palluar në beton!

Vjen mëngjesi… Gdhihemi mes ajrit të pastër të smokut, shoqëruar nën tingujt...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *