The Seventh Seal (1957)

The Seventh Seal Chess-game (1957)

nga Anisa Vrenozi

Regjizor: Ingmar Bergman

Aktorët: Bengt Ekerot, Gunnar Bjornstrand, Max von Sydow

Skenari: Ingmar Bergman

Disa prej filmave më të mirë janë specimenë te zhanreve të mirënjohura, por “The Seventh Seal” e Ingmar Bergman nuk është aspak i tillë.

Nuk ka patur pak filma të rëndësishëm, si të Dreyer dhe francezit Cocteau, të cilët i janë referuar periudhave kohore më të largëta të zhvillimit të shoqërisë për të dhënë një kuptim dhe simbolikë për vëzhgimet e tyre mbi jetën dhe vdekjen.

Nëse kërkojmë pak mbi historinë e kinematografisë, lehtësisht mund të gjejmë një apo dy pasardhës të stilit të Ingmar Bergman në konceptim dhe realizim filmik. Megjithatë, pas tërë krahasimeve dhe ngjashmërive, The Seventh Seal  (Vula e Shtatë) mbetet tërësisht i veçantë, një film sa i pazakontë aq dhe i mrekullueshëm, i cili përcjell një eksperiencë kinematografike si asnjëherë më parë.

Thjeshtësisht mund të përshkruhet si një version filmik i moralit mesjetar: e tërë atmosfera e përçuar është e veshur me një kostum mesjetar dhe personazhet e filmit, ndër të cilët është edhe Vdekja, janë dukshëm të konceptuar për të portretizuar lloje të ndryshme të njerëzimit të thjeshtuar. Kalorësi i Kryqëzatave Antonius Block (Max von Sydow) është në kërkim të përgjigjeve ideale për pyetjet të cilat e kanë munduar njerëzimin përgjatë shekujve, që në fillimet e kohërave.  Shqytari i tij Jöns (Gunnar Bjornstrand), nuk kërkon asnjë përgjigje pasi është i bindur se jeta pas vdekjes nuk ka asgjë për të ofruar: ‘dijetarë të transformuar në harbutë’ dhe njerëz të thjeshtë që vërdallisen, duke pyetur vetveten shumë dhe duke shpresuar shumë pak.

Një tjetër element i rëndësishëm në film janë  simbolet e vdekjes. Filmi është vendosur në Suedinë e pushtuar nga Murtaja e Zezë, një sëmundje që shkaktoi vdekjen e një të tretës së popullsisë të kontinentit Europian. Alegoritë dhe simbolet e vdekjes, shpeshherë referuar në art si Memento Mori, ​​ janë tepër të pranishëm në një kohë në të cilën shoqëria mesjetare ishte fort e vetëdijshme mbi vdekshmërisë dhe pafuqinë mbi jetën, ashtu si kalorësi Antonius.

Në një skenë të paharrueshme për kinematografinë, Vdekja luan shah me Kalorësin. Cili është kuptimi i filmit në këtë alegori? Ndoshta kjo simbolikë paraqet përpjekjet e dëshpëruara të shoqërisë për të zgjatur jetën dhe shmangur vdekjen në kohëra të vështira për njerëzimin: qoftë duke veshur një maskë mbrojtëse apo duke e transformuar mbijetesën në një lojë intelektuale të strategjisë që mund të fitohet vetëm duke ‘luajtur’ si duhet.

Një tjetër simbol i Vdekjes në art që pasqyrohet ne film është ‘Danse Macabre’, përkthyer si “Vallja e Vdekjes”, që është në qendër të kuptimit të filmit të Bergman.  Siç shprehet vetë Vdekja në film, “Askush nuk më shpëton mua”. Meqë Jeta është një lojë e vazhdueshme shahu me Vdekjen, filmi përfundon me ‘Danse Macabre’: të gjithë personazhet të bashkuar në një valle të trishtuar me Vdekjen, që simbolizon dorëzimin e pashmangshëm tek Vdekja.

Në ‘The Seventh Seal’, kalorësi Antonius dhe personazhet e tjerë i dorëzohen Vdekjes, të thyer nga heshtja dhe padukshmëria e Zotit. Rëndësia e heshtjes së Zotit në kuptimin dhe titullin e filmit kuptohet në vargjet e Biblës të cituar në fillim dhe në fund të filmit: “Kur Ai e theu Vulën e Shtatë, kishte heshtje në qiell për rreth gjysmë ore ” (Zbulesa 08:01). Dyshimi në heshtjen e Zotit është një temë që përsëritet përsëri dhe përsëri në filmat e mëvonshëm të Ingmar Bergman, duke përfshirë “Winter Light”, “Through a Glass Darkly”, dhe veçanërisht në “The Silence”.

Gjithë  personazhet dhe botëkuptimet e tyre janë figura konvencionale dhe natyrisht edhe Vdekja është një lloj konvencioni gjithashtu. Por ata janë figura konvencionale me një diferencë tërësisht të veçantë që vjen si pasojë e përzgjedhjes së aktorëve dhe lojës aktoriale tepër mjeshtërore: kalorësi elegant dhe i butë dhe shqytari i tij i fuqishëm, fisnik dhe krejtësisht i zhgënjyer; janë të mahnitshëm në mënyrat e tyre  të dallueshme dhe të ndryshme.

Dallimi vjen gjithashtu, nga një cilësi shumë e rrallë e vërtetësisë, thjeshtësisë dhe integritetit në të shkruarin dhe drejtimin e filmit; dhe për të dyja këto veti merita shkon për Bergman.

Shpesh diskutohet në lidhje me fuqinë e kinemasë mbi realizmin në njërën anë dhe fantazinë, nga ana tjetër. Mrekullia e filmit të Bergman-it është se në realizmin e tij kinematografik me ‘veshjet e stisura nga kohëra të harruara‘ ai përçon një bindje e cila është shumë më turbulluese sesa mund të transmetohet nga një dokumentar realist apo edhe nga filma të mirë mbi jetën ashtu siç ne e njohim.

Filozofia e Bergman percjell idenë që Zoti është i heshtur dhe i vetmi mekanizëm për shpëtim është dashuria e ndërsjelltë njerëzore.  Bergman i përdor filmat e tij për të inkurajuar njerëzit të zhvillojnë idenë personale për rolin dhe qëllimin e Zotit në jetët e tyre.  Zoti nuk është një set strikt idesh apo praktikash fetare. Mund të krahasohet këtu dhe filozofia ekzistencialiste-kristiane e Gabriel Marcel. Thelbi i Zotit është midis dashurisë njerëzore ashtu si ne skenën ku kalorësi Antonius zbulon bukurinë e ndjenjës njerëzorë duke shijuar frytet e Natyrës, luleshtrydhe dhe qumësht, midis njerëzve të thjeshtë.

Puna e Bergman-it është e fokusuar mbi pyetjet më jetësore mbi ekzistencën. Është mjeshtëria e tij e të shkruarit të fjalëve dhe përjetësimit të botëkuptimeve me kamera, që askund nuk lind nevoja për paraqitjen eksplicite të idiomës së tij se Murtaja që ka goditur Suedinë jo-reale mesjetare është në thelb e njëjta gjë me maninë bërthamore që ka mbërthyer Evropën moderne të viteve ‘50….. ndërkohë që Heshtja vazhdon…

Tags from the story
,
More from Edi Sara

Quo Vadis Alte Education in Albania?

“Themeli i çdo shteti qëndron tek edukimi i rinisë së vet.” –...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *