“The Sheltering Sky” (1990)

The Sheltering Sky 1990
The Sheltering Sky 1990

nga Anisa Vrenozi

Regjizor: Bernardo Bertolucci

Skenari: Mark Peploe and Bernardo Bertolucci.  Bazuar në romanin e Paul Bowles 

Aktorë: John Malkovich, Debra Winger, Campbell Scott, Jill Bennett

“The Sheltering Sky” i Bernardo Bertolucci, është një rrugëtim mbi buzën e një kohe të harruar, por risjellë me shumë stil. Është periudha në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Bota e qytetëruar është ende në përpjekje të rizbulojë kufijtë qetësues të të zakonshmes rutinë dhe ndërkohë, tre përjashtime janë në vijim të një ngjarje të pazakontë: Port Moresby, gruaja e tij  Kit  dhe miku i tyre George Tunner.

Port (John Malkovich), një kompozitor amerikan i cili nuk krijon më, Kit (Debra Winger), e cila dikur ka shkruar një dramë modeste në Broadway, si dhe Tunner (Campbell Scott), i cili kohën e kalon me organizimin e festave koktej në Long Island, në pamundësinë për të udhëtuar drejt Italisë në kaosin e një bote në trazirë, mbërrijnë në brigjet e Tangjerit, Marok, për të vijuar mw tej rrugëtimin drejt Saharasë.

 Mënyra se si hyjnë në skenën hapëse të filmit është tejet e rëndësishme – Port, ndjekur nga Kit, ndjekur nga Tunner. Secili shfaqet së pari si një kokë, pastaj si një kokë mbi bust, dhe më në fund shfaqet figura e plotë tek ngjitet me hapa të vegjël nga varka e humbet më poshtë drejt kalatave të përmbytura nën diell. Qëndrojnë aty, për disa çaste në skajet e lirshme të hapësirës, të bezdisur papritmas nga intensiteti i habitshëm i të nxehtit të Afrikës Veriore. Në përgjigje të një komenti nga Tunner, Port thotë me tepër madhështi se ata me siguri nuk janë turistë… ata janë udhëtarë, vijon Kit.

Nga përkufizimi i tyre, turistët thjesht kalojnë përmes vendeve sipas një plani të paracaktuar, gjithmonë për t’u kthyer diku tjetër. Udhëtarët lëvizin me ritmin e tyre, duke qëndruar në një vend për një javë, një muaj apo një vit a dy, sikundër gjendja shpirtërore t’ia diktojë. Udhëtarët kurrë nuk duan të kthehen pas.

Port, Kit dhe Tunner janë të ndarë së brendshmi jo vetëm nga mërzija e një e bote të njohur që kanë lënë pas, por edhe nga njëri-tjetri…përgjithmonë. Kjo gjendje shpirtërore e njeriut është substancë iluzore e “The Sheltering Sky”, ndoshta filmit më joshës dhe hipnotik të Bertolucci-t.

“The Sheltering Sky” është një britmë dëshpërimi e gjatë dhe aq bukur kontrolluar. Është ajo lloj romance e errët që vetëm Bertolucci (sikundër “Tango e Fundit në Paris” dhe “Perandori i fundit”) mund të realizojë pa lejuar audiencën të aludojë, qoftë edhe për disa çaste për mbylljen në vetvete të personazheve të tij.

Filmi është krijuar mbi romanin me të njëjtin titull të Paul Bowles, 1949 përshtatur nga Mark Peploe dhe Bertolucci. Nëse filmi ka të njëjtin ndikim mbi dikë që nuk e ka lexuar romanin, është e vështirë për të thënë, por padiskutim është një film me  intesitet ndjesor të lartë. Filmi arrin të gjejë përsoshmërisht ekuivalentët kinematografik për prozën e Boëles, në të cilën peisazhet e jashtme dhe të brendshme evokohen me të njëjtën qartësi shprehëse.

Filmi është tërësisht i përshtatur me epokën e menjëhershme të pasluftës, kur krijimet artistike të tjetërsimit të individit ishin tashmë tepër në modë, si stili i ri a la Christian Dior i cili i veshi gratë me funde që praktikisht mohonin ekzistencën e këmbëve të tyre sikundër vishet edhe Kit në film.

Për sa kohë që filmi është duke u shpalosur, vëmendja mbetet e përqëndruar dhe vetëm në fund mendimi të kthehet tek pyetja se çfarë është saktësisht ajo që sapo ke parë. Nuk është versioni klasik i historisë të një martese në rrugë pakrye, të jetës në pezëm apo përpjekjes të dëshpëruar e një çifti për t’i mbijetuar mërzisë. Nuk mund të jetë e tillë, të paktën jo i vendosur në mes të askundit askund, në Afrikën e Veriut. Saharaja është një metaforë e përsosur për një univers i cili është i parezistueshëm për gjerësinë dhe kompleksitetin e tij, por edhe i thjeshtë dhe i fundëm si një kokërr rëre.

Bertolucci e paraqet mjeshtërisht historinë e palumtur të dashurisë midis Port dhe Kit në mënyrë aq të gjallë e njëkohësisht të pandarë nga terreni ku kjo histori merr fund…një realizim tejet madhështor. Tërë skenari përcjell përsoshmërisht mendime misterioze, të cilat përkthehen në një dialog shpeshherë shpotitës.

Ndër detajet më të spikatura të këtij realizimi është prezenca e vetë autorit të librit Boëles në kornizën e disa prej skenave në kafenenë në Tangjer. Prezenca e tij duket gati-gati si një dëshmi e ngjarjeve, teksa spikasin komentet e tij, tashmë jo si pjesë e natyrshme e skenarit, por më tepër si pjesëza të shkëputura nga një vepër letrare, nga vetë libri i tij.

Port, Kit & Tunner lëvizin gjithmonë e më shumë larg qytetërimit, në thellësi të shkretëtirës. Teksa peisazhi gjeografik bëhet më i shkretë, më ekzotik dhe më shumë i përpirë nga mizat, ato tejmbushen me dëshpërim dhe mërzi.

Port kërkon me ngulm të shkundë tej letargjinë e tij shpirtërore. Në Tangjer, përjeton një takim erotik me një femër të re dhe të kolme Arabe… dhe në mënyre absurde është ende më shumë i kënaqur kur edhe grabitet dhe dhunohet më pas, pas kurthit të asaj bukurie femërore sikur ka një vendosmëri të trishtimit në ndërgjegjien tij dhe një mohim të gjithë qëllimit të ekzistencës së tij.

Kit në dëshpërim, dëshiron rigjallërimin e pasionit me Port, tashmë të zbehur pas 10 vjet martesë. Teksa përjetojnë takimet e tyre erotike, mendja e tij nuk është më tek ajo dhe në këmbim ajo… ajo kthehet tek bukuroshi Tunner, të cilin kurrsesi nuk e ndjen aq sa mund ta dashurojë.

Gjatë rrugëtimit takohen me një grua britanike plot gjallëri, një shkrimtare udhëtare dhe fotografe (Jill Bennett), dhe djalin e saj të alkoolizuar, i cili ëshë gjithashtu një hajdut dhe siç do vërehet më vonë është edhe katalizatori i histories që vijon.

Port sëmuret me tifo, por sërish së bashku me Kit rrugëtojnë drejt Jugut ndërkohë që shpalosen revelacione dhe pajtime, dhe një akt final i një braktisje mahnitëse si prej një vdekje të akullt.

“The Sheltering Sky” është një mahnitje panoramike teksa e shikon, por asnjeherë tejet piktoresk në kuptimin klasik të natyrës… thjesht gati duket sikur pamjet përshpëriten nëpër peisazhe të vetmuar dhe të egër në mënyrë mbresëlënëse. Duhet energji të investosh në një jetë që ka kuptim dhe kjo energji mungonte në jetën e personazheve të këtij filmi. Por jo në mjeshtërinë dhe gjeninë krijuese të Bertoluccit i cili ka realizuar një kryevepër mbi izolim shpirtëror të skajshëm dhe ka arritur ta përcjellë në përsosmëri në skenat e tij.

Tags from the story
,
More from Edi Sara

Dështon “Operacioni Valkyrie” i koordinuar me “PRANVERËN SLLAVE”

*Sqarim: Së pari me lejoni t’i sqaroj lexuesit shqiptar se analiza e...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *