“Trilogia dell’ Incomunicabilità” – Michelangelo Antonioni

“Trilogia dell’ Incomunicabilità” - Michelangelo Antonioni
“Trilogia dell’ Incomunicabilità” - Michelangelo Antonioni

nga Anisa Vrenozi

Një heshtje e ndryshme nga heshtjet e tjera. Dritë që ndriçon më shumë se dritë të tjera. Palëvizshmëri. Këto janë disa prej karakteristikave të së njohurës si “Trilogia dell’Incomunicabilità”- Trilogjia e pamundësisë e Michelangelo Antonioni, e përbërë nga filmat: L’Avventura- Aventura (1960), La Notte – Nata (1961) dhe L’Eclisse –Eklipsi (1962). Antonioni e realizoi këtë triptik të fokusuar në problemet e pamundësisë, projekt ky që shënoi edhe një eksperiment në pikëpamjen e narrativës dhe stilistikës. Regjisori ndërmerr një rrugëtim të vështirë për tu përshkuar, të pajisur me një pesimizëm ekzistencial, që tashmë ka rënë mbi shoqërinë moderne të tjetërsuar. Antonioni analizon krizën e identitetit nëpërmjet dinamikës në çift, gjithmonë të ndërlidhur me figurën e një gruaje, të realizuar nga imazhi i përvuajtur, misterioz dhe herë-herë neurotik i muzës dhe të dashurisë së tij Monica Vitti, viktimës dhe “ekzekutueses” së krizës ekzistenciale ku ai përplaset.

Pasiguria e ndjenjave udhëheq rrugën e karaktereve kryesore të triologjisë: dorëheqja, në rastin e një tradhëtie të dhimbshme në “L’Avventura”;  seksualiteti i tejskajshëm si pasojë e pakënaqësisë i shfaqur në qasjet erotike në “La Notte” dhe tjetërsimi i shoqërisë i prezantuar në  “L’Eclisse” nga bota pamëshirshme e bursës. Trilogjia shënon pikën më të lartë të analizës sociologjike dhe psikologjike në krijimet kinematografike të Antonionit, një autor i vështirë që frymëzohet nga sugjerimet ekzistencialiste letrare, veçanërisht të Camus dhe nga intimiteti i qenësishëm i shumë shkrimtarëve të shekullit XX. Nga pikepamja narrative, Antonioni alternon eklipse dramatike të ndjenjave me skena stilistikisht emocionuese. Bukuria natyrore e imazhit e përcjellur nga tonalitetet e gri-së dhe meloditë natyrale në sfond nxjerrin në pah klimën e pakënaqësisë së fshehur që i përket shoqërisë që ai përshkruan. Antonioni shqyrton efektet dhe jo shkaqet e këtyre krizave dhe çdo detaj që ai pasqyron në këto filma, nga mjediset e deri tek stili i tij regjisorial është i mahnitshëm. Antonioni është një analist delikat i ndjenjave, një poet dhe një hipnotizues i shkëlqyer. Ai mbetet një pikë referimi e kinemasë moderne, një krijues i kryeveprave në krizën e modernitetit.

L’Avventura- Cannes 1960

Një vajzë e pasur dhe e re, Anna (Lea Massari), zhduket në mënyrë misterioze nga një ishull gjatë një shëtitje me varkë në detin e Siçilisë duke lënë pas të dashurin Sandro (Gabriele Ferzetti), një arkitekt dhe shoqen e saj Claudia (Monica Vitti) të cilët gjatë kërkimit të saj përjetojnë një “aventurë romantike” plot dyshime, pasiguri dhe frikë. Por në hotel Claudia e gjen Sandron në krahët e një prostitute dhe pavarësisht nga kjo, ndjen mëshirë për të dhe mbetet pranë tij.

La Notte- Ariu i Artë, Festivali i Berlinit 1961

Filmi paraqet krizën e një çifti të martuar nga Milano, bashkëshortët Giovanni Pontano, një shkrimtar i famshëm, dhe gruas së tij të bukur Lidia (Marcello Mastroianni dhe Jeanne Moreau). E gjithë ngjarja e filmit zhvillohet brenda një nate. Çifti viziton një mik në spital, Tommaso Garani (Bernhard Wicki) që vuan nga  një sëmundje e pashërueshme dhe që për vite ka dashuruar Lidian në heshtje. Në mbrëmje të dy  shkojnë në një bar dhe pastaj në një pritje në vilën e industrialistit të pasur Gherardini ku Giovanni socializon madje edhe në një nivel ndjesor me vajzën e tij të bukur Valentina përgjatë gjithë natës. Ndërsa kthehen në shtëpi në orët e para të mëngjesit, Lidia e lajmëron që shoku i tyre tashmë ka vdekur. Dhe agimi i gjen teksa përqafohen të shtrirë në bar.

L’Eclisse- Çmimi Special i Festivalit të Cannes 1962

Vittoria (Monica Vitti) është një romane e pasur e cila braktis të dashurin e vjetër Riccardo (Francisco Rabal), një intelektual porsi ajo, për të gjetur një dashuri që jep ngrohtësi njerëzore. Beson se e gjen tek Piero (Alain Delon) i cili është agjent burse, por në fakt një feminist cinik. Për më tepër, flirti i tyre është plot dyshime ndaj të riut, sikundër nëna e saj, një lojtare në bursë e cila ka humbur një shumë të madhe parash nën administrimin e Pieros. Në takimin e fundit asnjëri prej tyre nuk shfaqet më.

Këto tre vepra janë realizuar në vazhdimësi të përsosur, jo vetëm në aspektin stilistik por edhe narrativ dhe tematik. Në fakt, sikundër shprehet kritiku i madh i kinematografisë Guido Aristarco, bashkëshortët Pontano në La Notte mund të jenë Sandro dhe Claudia të L’Avventura, tashmë të martuar, dhe Vittoria protagonistja e L’Eclisse mund të jetë Valentina e La Notte në kohën e shpërbërjes së marrëdhënies së saj të trazuar me Giovanni Pontano~Riccardo.

Janë të shumtë  elementet që i bëjnë të paharrueshme këto kryevepra ku spikat moderniteti i tejskajshëm i narrativës me referenca të qarta për stilet letrare të Nouveau Roman-Romanit të Ri dhe anti-romanit të viteve ‘50 dhe ’60 të autorëve revolucionare si Camus & Joyce. Një tjetër aspekt i rëndësishëm është pasqyrimi i gjallë i efekteve anësore të lulëzimit ekonomik të Italisë, duke theksuar dobësitë dhe hipokrizitë e progresit industrial dhe borgjezisë italiane. Në këtë perspektivë, mund të kujtojmë skenën e hapjes së La notte, ku pasqyrohet imazhi i një qyteti në mes të ndërtimit ose skenat plot tension dhe vrull brenda bursës së Romës në L’Eclisse.

Trilogjia mund të cilësohet si një reflektim mbi gjendjen e njeriut në një botë të korruptuar, të dominuar nga një progres i pashpirt dhe imoral. Përmes këtyre filmave Antonioni realizon një analizë objektive me konturne pesimiste që turbillon shpirtin e shikuesit dhe krijon një ndjenjë të përhumbjes, shqetësimit të brendshëm dhe tjetërsimit. Mundësia për të shprehur dhe jetuar ndjenjat midis burrit dhe gruas është plotësisht në një situatë të dyshimtë dhe në një krizë të thellë ekzistenciale. Personazhet duken të mërzitur, të pafuqishëm, pa referenca të qëndrueshme dhe të motivuar vetëm nga dëshira për të kënaqur pasionet e tyre trupore. Marrëdhëniet e tyre janë të pasuksesshme, pa ndonjë vlerë emocionale. Janë të destinuar për të humbur, madje edhe për t’u bërë pjesë e peizazhit, të njëjtit peizazh që Antonioni shqyrton me stilin e tij abstrakt dhe anti-natyralist.

Hapësirat boshe dhe të heshtura si ato Siçilisë, ose ato urbane në Milano dhe Romë shfaqen si pasqyrim i një realiteti të shqetësuar dhe të padeshifrueshëm, aspekte  të vazhdueshme të filmografisë së Antonionit. Në këtë realitet të paqartë kamera vazhdon lirisht në hetimin e saj të ambjentit, shpesh duke e detyruar shikuesin që të heqë dorë nga të kuptuarit e mekanizmave të zakonshme të shkak-pasojës së komplotit, deri sa vëmendja zhduket edhe nga vetë protagonistët e filmit, të cilët zhduken natyrshëm siç ndodh me Anna në L’avventura dhe në të njëjtën Monica Vitti- e cila teksa është lajtmotivi autentik i trilogjisë zhduket në mbylljen surreale të L’Eclisse. Pikërisht ky epilog i paharrueshëm tregon dëshirën e Antonionit për ti dhënë lamtumirën kinemasë narrative, duke zbehur edhe karakteret si pikëmbështetjen e fundit të referencës të përdorur rëndom nga publiku.

Por ka më shumë: me skenën përmbyllëse hipnotike, Antonioni arrin zenitin e tij krijues dhe vizionar duke filmuar rënien e ngadaltë të kohës në të cilën të gjithë jemi të zhytur, duke trupëzuar kështu atë çfarë është më abstraktja dhe që paradoksalisht e perceptojnë vazhdimisht aq qartë.

Personazhet e triologjise do të rikthehen në veprën pasuese të Antonionit “Il deserto rosso,” por rezultatet nuk do të jenë aq madhështore. Për këtë arsye, Antonioni udhëton jashtë Italisë duke lëvizur në mes mjegullash dhe shkretëtirash, në kërkim të ideve të reja për kinemanë e tij poetike.

Tags from the story
,
More from Edi Sara

Një foto mbi Tiranën, vlen sa 1000 fjalë të kryebashkiakut!

Prolog Fotografi zgjodhi momentin e përshtatshëm për të rrëmbyer pamjen “mahnitëse” të...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *