Triologjia e tre ngjyrave: Bluja, e Bardha & e Kuqja

Trilogjia e ngjyrave
Trilogjia e ngjyrave

nga Anisa Vrenozi

Triologjia e fillim-viteve 90-të e Krzysztof Kieslowski ishte punimi i fundit i tij dhe suksesi më i madh ndërkombëtar i cili kujtohet ende sot në botën e kinemasë Europiane me tre posterat respektivë ku shkëlqenin hijshëm: Juliette Binoche, Julie Deply dhe Irène Jacob duke pasqyruar aristokracinë e re femërore të kinemasë franceze.  Filmat janë bashkë-shkruar me Krzysztof Piesiewicz, me profesion avokat si dhe një figurë politike disi konservatore në Poloni.

Kritikat dyshuese të dikurshme e cilësuan triologjinë të ndikuar nga konteksti jetësor dhe historik i autorëve, artistikisht të imponuar në realizim dhe gati-gati i ngadaltë në zhvillimin e ngjarjeve.Ndërsa sot, i rivlerësuarr me një tjetër optikë nostlagjike, krijimet e Kieslowskit mund të cilësohen si një triptik i një stili operistik, me nuanca të qarta të një çuditshmërie në ngjarje dhe personazhe, a thua të ishte një “cine”-poemë e një arti të rafinuar.

Trilogjia është tejet e dedikuar ndaj kontekstit historik të Europës së Bashkuar dhe si e tillë është një financim francez, e cila vjen si një celebrim i dashurisë dhe humbjes në një erë të re bashkimi, pas një lufte të ftohtë të tejzgjatur. I rishikuar sot, në një realitet europian në një krizë të thellë të idealit, botëkuptimi i këtij krijimi do ishte edhe më interesant.

Triologjia përbëhet nga filmat e ndërlidhur mes tyre: 1) Tre Ngjyrat: Blu (1993), 2) Tre Ngjyrat: E Bardha (1994), dhe 3) Tre Ngjyrat: e Kuqja (1994); duke përfaqësuar njëkohësisht tricoulour-in klasik të flamurit francez: liri, barazi dhe vëllazëri. Një mendim i kultivuar kinematografikisht e ka lehtësisht të kuptueshëm rëndësinë e secilit koncept në secilin film. Në të njëjtën kohë tema të tjera më të prekshme përshkojnë trilogjinë si përshtjellimi dhe tortura e pafund e dashurisë, pashmangshmëria e mashtrimit, fuqia e tmerrshme e frikës ndërmjet burrave dhe urrejtjes midis grave si dhe motivi i rifillimit duke braktisur një identitet të vjetër.

1) Tre Ngjyrat: Blu (1993)

Në një rrugë të humbur midis asgjesë, në një mjegull të dendur dhe midis një ambienti gati si ëndërror, shfaqet një makinë e cila lë pas një curril vaj frenash. Pak çaste më vonë, në aksidentin më pak spektakolar dhe më të paimagjinueshëm, humbin jetën një kompozitor i njohur dhe fëmija i tij; gruaja e kompozitorit Julie (Juliette Binoche) është lënduar rëndë por ende gjallë. Pasi ndjek transmetimin e drejtpërdrejtë televiziv të funeralit të familjes së saj nga shtrati i një spitali, Julie rimëkëmbet, shet gjithçka që zotëron dhe fillon jetën incognito në Paris… Arsyeja?

Ankth, hidhërim, zemërim me providencën/rastësinë, çështjet e pazgjidhura për besnikërinë e bashkëshortit të saj të ndjerë apo ndjenjat e asistentit të tij për të…? Ndoshta përgjigjia vjen nga nënkuptimet e një gazetari në një emision kushtuar bashkëshortit të saj, të cilat mund të duken të ashpra, të pandjeshme por mbase kanë një lloj substance: ndoshta Julie ka hequr dorë nga ajo çka ishte dikur jeta e saj për shkak të falsitetit… ajo jeton mes asgjësë tani sepse t’i rikthehet jetës së dikurshme për të do të thotë mashtrim i vetvetes.

Para vdekjes së tij, kompozitori ishte duke punuar për një vepër madhështore e stilit heroik si ai i Simfonisë se 9-të të Beethoven për të celebruar Bashkimin Evropian i themeluar një vit më parë me traktatin e Maastricht-it. Ky himn europian shfaqet në momente shqetësuese përgjatë filmit. Copëza shurdhuese të kësaj simfonie shpërthejnë here pas herë në skenat e filmit së bashku me dëshpërimin e Julie-së, si parafytyrime traumatike që rizgjojnë tek Julie atë ç’ka ajo është tani… dhe ndërkohë që krijohet përshtypja sikur një akord i madh mbyllës i simfonisë do të njoftojë gjithashtu fundin e një skene, gjithçka errësohet për tu ndriçuar sërish… ndërkohë që Julie është ende atje, ende me kujtimet e saj.

2) Tre Ngjyrat: E Bardha (1994)

Në filmin E Bardha, një emigrant polak, Karol, parukier në Paris, po kalon një proçes të hidhur divorci me bashkërshorten e tij Dominique (Julie Delpy) pasi nuk mund ta plotësojë atë seksualisht. Ndërkohë që ishin shumë të lumtur para martesës, diçka tek të qënurit i martuar dhe arritja e propsperitetit në një Francë luksoze, e ka zhburrëruar Karolin. I obsesionuar pas ish-bashkëshortes së tij, Karol ideon një plan për t’u kthyer përsëri në Poloni, të bëhet i pasur, dhe krijon një skemë për të rifituar përsëri Dominique.

Pa para dhe pasaportë, Karol planifikon të kthehet në shtëpi i ndihmuar nga një bashkëatdhetar i tij, duke u fshehur në një valixhe të madhe në pritje të një aeroplani. Pas një seri peripecish, ai e gjen veten në një pikëmblëdhje të mbeturinave mbuluar me dëborë (motivi i bardhë përsëri). Teksa largohet nga ky vend i tmerrshëm, ai rënkon: “Jezus, më në fund në shtëpi!”

Polonia nuk është ende anëtare e BE-së (u integrua në vitin 2004), por filmi E Bardha dramatizon ndjenjat e thella të polakëve, të cilët duke hedhur pas një të kaluar komuniste dhe duke përqafuar një ekonomi tregu të hapur, shpresojnë tek një e ardhme Europiane… Kjo pritshmëri pasqyrohet në fjalët e vëllait të Karol: “Ne jemi Europianë tani!” Por për Karolin, Europa personifikohet në gruan e tij të magjishme dhe të paarritshme- Dominique. Në momentet e para të filmit, i varfëri, i vetmuari dhe i shpupurisuri Karol- përfaqëson një personazh pak të pëlqyeshëm. Më pas, i rikthyer në vendlindje, ai fillon të ngjisë shkallët e suksesit duke u shoqëruar me të jashtëligjshëm dhe duke u përfshirë në marrëveshje të dyshimta pronësie dhe këmbim-valute. E teksa Karol behët edhe më i suksesshëm, filmi merr gjithmonë e më shumë ndjesinë e një filmi Ballkanik à la Kusturica. Drejt fundit, Karol është një biznesmen i kënaqur por i dyshimtë, i paepur në nevojën e tij për hakmarrje… imazh ky i zbutur vetëm në moment e fundit të filmit, kur lotët e tij rrjedhin teksa bashkohet dhimbshëm me Dominique.

… Megjithatë, është kjo ajo ç’ka Polonia dëshiron? A është ky vendi ku përfundon zilia e një perëndimi të begatë Europian?

3) Tre Ngjyrat: E Kuqja (1994)

Filmi i tretë i triologjisë, E kuqja, është më i çuditshmi nga të tre. Kartakteri kryesor, Valentine (Irena Jacob) është një studente në Gjenevë, e persekutuar nga telefonatat e nje të dashuri posedues. Një kthesë e çuditshme e fatit e takon me një gjykatës në pension (Jean-Louis Trintignant), tejet i pashoqërueshëm dhe me një pasion të paligjshëm të cilin Valentine, me mospërfilljen e dukshme të gjyqtarit, përpiqet ta çrrënjosë. Dhe po prej së njëjtës forcë çudibërëse të rastësisë, gjyqtari rezulton të ketë një kontakt me një fqinj të Valentinës, dhe një prej fqinjëve të tij mund të ketë një lidhje me vëllain më të ri dhe të pakënaqur të Valentine… Në rrethanat e kësaj bote që po bëhet sa vjen e më e vogël, ata bëhen tejet të afërt.

Ëndrrat janë një element i rëndësishëm në krijimet e Kieslowskit, dhe këtë e shohim edhe në këtë pjesë kur gjykatësi i tregon Valentinës një ëndërr për të. Ëndrra nuk materializohet në ekran, vetëm rikujtohet, por kjo është ndoshta ndër pjesët më prekëse të trilogjisë: një ëndërr për të ardhmen e Valentinës, të cilën vetë ajo e gjen mallëngjyese për arsye që nuk mund të shpjegohen.

Në fund të filmit, imazhi i Valentinës, protagoniste e një reklame çamçakëzi në një billboard masiv, lë pas ndjesinë e një jehonë të mbinatyrshme. Me mendjemprehtësi dhe shije tejet të hollë kinematografike, gjatësia e kohës në film përkon me kohën e fushatës reklamuese: filmi fillon me imazhin e Valentinës të vënë në një udhëkryq të rrugës dhe në momentet e fundit përfundon me disa punëtorë teksa çmontojnë reklamën.

Triologjia e “Tre Ngjyrave” ështe komentuar shumë në kohën e saj për elegancën e ambjentit dhe për ndjesinë e nje sensualiteti të skajshëm, por të tjera aspekte të filmave mund të vërehen me kalimin e viteve dhe rikonsiderimin e tyre në një tjetër optikë. Nën një tis nostalgjie për magjinë e viteve 90-të, triologjia mund të konsiderohet si një lule ekzotike dhe e mistershme, ose ndoshta një instalim gjigand me tre pjesë për t’u deshifruar, një krijim kinematografik i shkëlqyer me vetë-besimin e tij të çuditshëm dhe bukurinë e pamasë.

Tags from the story
,
More from Edi Sara

Apoteoza e Globalizimit dhe epitoma e Botërorit “Brazil-2014” si anti-tezë

Jemi nën ethet e Botërorit-Brazil 2014, dhe përveç emocioneve që na përçohen...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *