Turizmi Feudal Shqiptar: Ku ndodhet parku ndër/kombëtar i autobuzave?

Slough,Berkshire- U.K. Bus Station
Slough,Berkshire- U.K. Bus Station

Partia Socialiste e Shqipërisë kur morri mandatin në Shtator të vitit 2013, midis shumë reformave dhe programeve për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit, sektori i turizmit dhe kulturës ishin prioritare. Duke theksuar faktorët ekonomike dhe potenciale të vendit tonë, lideri i PS-së dhe sot KM i vendit tonë drejtoi gishtin për nga qeveria e shkuar për mosrealizim, mbetje në vend pa asnjë progres, dhe deri diku edhe pengim të zhvillimit turistik në vendin tonë nëpërmjet skemave dhe aferave që drejtues dhe qarqe biznesi kishin bërë në dëm të interesit publik. Sot, 2 vite e gjysëm pas marrjes së mandatit, gjëndja e turizmit vazhdon po njësoj, për të mos thënë se “matrapazët dhe bazhibozukët blu” u ndërruan me disa specialistë klientelist “me ngjyrë lakmusi”. Le t’i hedhim një vështrim të përgjithshëm panoramës turistike sot në vendin tonë.

Fillojmë nga pjesa më kryesore, që është sistemi nervor bazë që promovon, lidh dhe bën të mundur lëvizjen e njerëzve, infrastruktura dhe transporti. Nëse qeveria që shkoi ndërtoi rrugë, rrugë dhe vetëm rrugë, e reja po rindërton rrugë, po rregullon disa akse të reja por sërish, transporti është lënë totalisht në mëshirë të fatit. Këtu fillojnë dhe divergjencat ideologjike nëse na lejohet të bëjmë një hulumtim të vogël përsa i përket ish-qeverisë demokratike dhe qeverisë së sotme socialiste. Vetë-rregullimi i shërbimeve dhe mallrave në treg sipas parimit të “dorës së fshehtë” të Adam Smith-it dhe me sa më pak ndërhyrje nga shteti, dështon përfundimisht kur vjen puna në sektorë strategjik siç është transporti publik dhe sidomos për në zonat turistike në kulmin e sezonit turistik.

Nuk ka si të rregullohet automatikisht tregu pa ndërhyrje shtetërore në rastin e krijimit të linjave konstante ndër-urbane ose drejt qyteteve turistike. Në bazë të intensitetit dhe periudhave të fluksit, ekziston një agjenci shtetërore e posaçme që merret me rregullimin dhe drejtimin e këtyre linjave duke rritur numrin e mjeteve të transportit në pikun e sezonit ose ulur në periudha të tjera të vitit. Në çdo vend të botës (kuptohet që po flasim për vënde në zhvillim e sipër ose të zhvilluara, se drejt tyre përpiqemi të integrohemi dhe mësojme, se dikush mund të fillojë të përmendë p.sh. vëndët në Afrikë) ekziston një stacion ndërkombëtar linje autobuzi, dhe një tjetër kombëtar. Në disa kryeqytete, ato janë të njësuara, por shumica i ka të ndara. Më thoni ju mua, ku është sot stacioni ynë kombëtar i autobuzave? Pale ai ndërkombëtar?

Kudo në botë, nuk ka asnjë rast ku privati të ketë nisur një park ndërkombëtar apo kombëtar autobuzësh. Mund të operohet nga kompani private ose edhe të menaxhohet nga një firmë private e nën-kontraktuar nga shteti, por asnjëherë të jetë themeluar apo organizuar nëpërmjet “nevojave të tregut.”

Lind pyetja: përse sa herë duan njerëzit të ikin në Gjirokastër, Korçë apo Vlora (po i marr rastësisht si shembuj m.q.s. janë tre qytetet më të mëdha në jug të vendit, si për nga popullsia ashtu edhe për nga ekonomia) nuk kanë ndeshur në pengesa? Përkundrazi mund të thotë dikush, gjithmonë kanë gjetur pa tepër mundim një mjet për t’u nisur, qoftë furgon ose autobus. Dhe unë jam mëse dakord, por për t’u rikthyer në kontekstin e turizmit të mjeruar sot në Shqipëri, kundër-pyetja ime legjitime rrjedh: po ku janë këto furgona dhe autobuzë, dhe ku është ndonjë informacion i shpallur për publikun në lidhje me oraret e nisjeve dhe mbërritjeve si dhe më kryesorja, vendin e nisjeve?

Mund të jetë mjaft e lehtë dhe komode për qytetarët e rretheve të cilët tashmë njohin shoferët, dinë vendin dhe oraret, por pa viheni veten njëherë në vendin e një turisti? Kur shkoni në Itali, Francë apo Gjermani, çdo shqiptar luan nga mendtë kur mëson tabelën mjaft preçize të orareve, ose ndjehet konfuz në pavionet e platformave dhe nuk kupton ndonjëherë sa nga duhet të orientohet për te shkuar. Megjithatë, gjithçka zgjidhet pasi kërkon dhe gjen Sportelin “i”- Informacion: ku çdo pyetje dhe pasiguri e qytetarëve huaj apo vendas sqarohet. Përveç kësaj, mos harro shqiptar, që në fund të fundit ti ndodhesh në parkun (stacionin) ndërkombëtar apo kombëtar të autobuzave dhe ke nevojnë ndonjëherë për informacion shtesë. Po ti që nuk iu ofron as këtë minimum standarti turistëve të huaj?

Në përfundim, e riktheksoj edhe njëherë diskutimin e kësaj problematike në rafshin ideologjik mes qeverisë Rama dhe Berisha: nëse PD i pati lënë më tepër dorë të lirë sektorit privat, duke anuar drejt mekanizmave te tregut dhe interesave lokale klienteliste nën petkun e doktrinave neo-liberale, PS-së i duhet kujtuar se duhet të veprojë më tepër drejt doktrinës socialiste ku shteti të luajë rol primar si ent rregullator dhe sipërmarrës, si dhe të shërbejë si fanar ndriçues në mugëtirat dhe qorrsokaket që kapitalizmi sjell me vete si efekt anësor përkrah prodhimit të pakontrolluar të shërbimeve dhe produkteve. Rasti i parkut ndër/kombëtar të autobuzave është rasti më flagrant, më bashkëkohor dhe që kërkon ndërhyrje urgjente nga shteti. Interesat e sektorit privat e kanë lënë pikërisht të hapërdarë sistemin e transportit public ndër-urban, dhe nuk kanë lejuar njësimin dhe krijimin e një stacioni qëndror e permanent jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytetet e tjera kryesore të vendit tonë.

Përveç mungesës së theksuar dhe urgjente të parkut të autobuzave, turizmi në Shqipëri ka mjaft probleme të tjera të cilat meritojnë vëmendje imediate nga qeveria. Këto dhe të tjera, do të analizohen në shkrime të rradhës që do vijojnë nën titullin “Turizmi Feudal Shqiptar” në trajtim të një problematike të caktuar.

-###-

Tags from the story
, , ,
More from Edi Sara

Halloween-Albversion: Festë apo zhvatje?

Data 31 Tetor ka filluar të sjellë tashmë përvit në lokalet dhe...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *