Zgjidh e merr: “Kolltukofagë apo fullhanokolltukë” ?

Fullhanokolltukë

Nuk ka kaluar as një shekull nga fjalët e një patrioti të shquar drejtuar para parlamentit shqiptar në 1924, dhe duket sikur relativiteti mbi kohën ka thyer çdo ligj të fizikës, pasi realiteti i politikës dhe shoqërisë sonë mbetet statik pa përparuar aspak më tej.

Midis të tjerave, ai thotë:

E pesta. Anarkia e idealeve: Këtu idealet e shtrembëra, të errëta e të mumifikuara të Fanarit e të Buhares përfyten e përleshen në një luftë për jetë a vdekje me idealet më të gjalla më elegante e më të nderitshme të Perëndimit. Na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Po për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpuseh që mund t’i copëtosh, por jo ti shqitësh nga trupi që kafshojnë dhe thëthijnë. Herodi tregon se në betejën navale të Salaminës, një athinas kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte, gjersa ia prenë; atëhere e kapi me dorën e mëngjër, ja prenë dhe këtë, atëhere e kapi me dhëmbë e s’e lëshoj gjersa i’a prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodi përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë antike. Që t’i çqitësh këta tanët nga kolltuku duhet të preç jo vetëm duart e kokën po dhe këmbët e trupin.” (shkëputur nga fjalimet dhe deklaratat e Peshkop Theofan Stilian Noli)

Fragmenti i mësipërm është shkëputur nga fjalimi i zjarrtë i patriotit Fan Stilian Noli, ku ai përmbledh në 5-pika kritike (sipas tij) të vërtetat dhe njëkohësisht shkaktaret e mos-kohezionit social si dhe penguesit e prosperitetit të vendit tonë.

Dhe ja ku jemi sot në vitin 2014, 713-mln lek të nxjerra nga xhepi i popullit që ka punuar plot mund edhe djersë, deklarohen të zhdukura si pa të keq para tij, nga institucioni më i lartë financiar njëkohësisht dhe i presupozuar si më i sigurti ndër të tjera. Fillimisht arrestohen 4-të dyshuar, më pas edhe 3-të tjerë. Dorëheqje? “0”-zero. JO! Dorëheqja nuk është pjesë e kulturës sonë politike.

Ndërkohë, më poshtë po përmend disa raste mbi disa dorëheqje në rang ministror ose kryeministror në Europë, le të themi për disa motive “më banale” në krahasim me rastin tonë:

Letoni: Kryeministri Valdis Dombrovskis jep dorëheqjen në Nëntor 2013, pasi u rrëzua çatia e një supermerkatoje në kryeqytetin Riga, duke lënë 50-të vdekur.

Danimarkë: Ministri i Ndihmës së Jashtme, Kristian Friis Bach jep dorëheqjen në Nëntor’ 13, pasi 1-muaj më parë kishte deklaruar përpara kryeministrit të vendit se nuk kishte dhënë fonde për një organizatë ambientaliste Koreano-Jugore. Siç u zbulua më vonë, ai kishte dhënë donacione nga fondi shtetëror për të mbuluar shpenzimet e udhëtimeve të kësaj organizate.

Çeki: Qershor’13, Kryeministri Petr Necas shpall dorëheqjen pas një skandali korrupsioni të zbuluar nga policia e vendit, duke përfshirë 400 efektivë policor të cilët kërkuan zyrat e qeverisë dhe 30 ndërtesa të tjera. Si pasojë, 8-punonjës të lartë civilë dhe politikanë, duke përfshirë edhe këshilltarin e ngushtë të Necas-it, Jana Nagyova, e cila u akuzua për shpërdorim të detyrës pasi kishte përdorur shërbimin informativ ushtarak për të marrë informacione mbi gruan e kryeministrit. Pavarësisht dyshimeve të paprovuara nëse Necas ishte i implikuar në zbulimin e miliona eurove kesh të gjetuar nëpër këto zyra, si dhe duzinave të kileve të arit, ai gjithsesi dha dorëheqjen.

Ukrainë: Korrik’ 14, Kryeministri i qeverisë së re dhe kryetari i Partisë Atdhetare, Arseniy Yatsenyuk, jep dorëheqjen pasi u thye koalicioni qeveritar në sallën e parlamentit. Sipas tij, kjo ishte një notë mosbesimi të cilin ai nuk mund ta kapërdinte për të vazhduar më tej me një frymë të re bashkëpunimi.

Austri: Ministri i Financave Michael Spindelegger, jep dorëheqjen këtë muaj pasi deklaroi se kishte mospërputhje mendimi me politikat e partisë së tij mbi sistemin e taksimit të vendit dhe mënyrës si të ulej borxhi i shtetit.

Britani: Ministria e Jashtme, Baronesha Sayeeda Warsi dha dorëheqjen këtë muaj pasi “nuk e mbështet më” politikën e qeverisë së saj mbi Gaza, pasi është e “paaftë ta mbrojë moralisht” atë.

Rikujtesë:

Shqipëri, Gusht’ 14: Sipas fjalëve të vetë “Zotit të Unazave Shqiptare”, VETËM(!!!) 713-mln lek deklarohen të humbura në Bankën Kombëtare të Republikës së Shqipërisë (kjo shumë edhe mund të rritet në ditët në vazhdim) . Thjesht 8-të dyshuar, asnjë përgjegjësi politikë e mbajtuar nga ndonjë zyrtar i lartë. Policia e shtetit hesht. Nga të kenë shkuar këto lekë vallë? (pyet populli) Mesa duket, ne paskemi përparuar, por me hap-mbrapsht! Termi sot ka “evoluar”, ndërsa Shqipëria ka “de-voluar”.

Nga poezia “Zgjidh e merr”,  unë marr përsipër të sintetizoj edhe termin e ‘kolltukofagëve’ të Nolit, duke e adoptuar në rrethanat më bashkëkohore në vijimësi të trendit dhe ngjarjeve të fundit:

‘FULLHANOKOLLTUKË’!

Dhe populli hesht…

-###-

Tags from the story
,
More from Edi Sara

Zbulohet pronari i “Apollonisë”- në pritje të atij të “Koloseumit”!

Kulmi i marrëzise përmendet shpesh në historinë botërore të njerëzimit, megjithatë mendoj...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *