20 vjet pa Komisarin e Hekurt- Dëshmorin dhe Heroin e Popullit, Kol. Gani Malushi

Komisari i Hekurt- Kol. Gani Malushi
Komisari i Hekurt- Kol. Gani Malushi

Sit sot 20 vjet më parë, nën baterinë e plumbave hidhnakë të porositur e të dalë nga karikatori i një kallashi të pabesë, forca e ligjit në vend do të humbiste pararojën e saj, rendi humbi zbatuesin më të përpiktë e sypatrembur të saj, ndërsa drejtësia mburojën e saj të pa-kompromentueshme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Në 7 gusht 2003, do të shuhej një prej figurave emblematike në luftën kundër bandave, krimit të organizuar, dhe mafies. Komisar Gani Malushi, përmes integritetit të tij të pacenueshëm nga hijet e krimit të organizuar, besimit hyjnor në ligj e drejtësi, dhe idealeve në zbatimin e drejtësisë, sa gëzoi jetën, u kthye në një figurë legjendare në radhët e uniformave blu. Ndonëse ishte koha kur sistemi i aparatit shtetëror funksiononte i bazuar në ligjin e entropisë të krijuar nga kaosi që prodhohej në mënyrë konstante nga krimi dhe bandat në Shqipërinë e fillim viteve ’90, Komisar Malushi gjente guxim mitik për të mbrojtur drejtësinë, siguruar me përkushtim vetëmohues rendin publik, zbatuar me zell ligjin dhe ndëshkuar sypatrembur të pandëshkueshmit që shpesh ishin të përkëdhelur të politikës. Guximi i tij buronte nga besimi titanik tek idealet e drejtësisë, forcës së ligjit dhe dinjitetit të pa-korruptueshëm ndaj politikës dhe integritetit të pa-kompromentueshëm ndaj botës kriminale.

Ishin vitet e xhunglës në Shqipëri, kur rendi publik vendosej nga bandat lokale, drejtësia shërbehej nga të fortët e krimit, ndërsa kaosi i pllakosur në shoqëri si pasojë e pasigurisë politike dhe ekonomike që vendi po përjetonte në fazat e para të pluralizmit demokratik, i ofronte një tjetër terren të favorshëm keqbërësve për të mbuluar dhe humbur gjurmët. Pra ishte koha, kur Republika e Shqipërisë, ndonëse shihej si demokraci nga komuniteti ndërkombëtar, përbrenda nuk kish dyshime për asnjë politikan asokohe, se përballej ndaj një anarkie që herë pas here, politikë-bërësit flirtonin me elemente të krimit dhe përdornin forcën e bandave për të vënë sadopak rend, duke shmangur përkohësisht shpërthimin e një luftë civile në rrethe të ndryshme të vendit. Kryerja e porosive nga lart, gjetja e mbështetjes nga njerëz pushtetar, dhe kryerja e “ndereve” të ndryshme ndaj tyre, bëri të mundur fuqizimin e mëtejshëm të bandave dhe lulëzimin e krimit të organizuar. Mirëpo sikurse është në natyrën e vetë krimit të organizuar, etja pakufi për shtrirje territoriale me qëllim rritjen e fitimeve nga aktivitet e paligjshme, në këtë evolucion të organizatave kriminale ndryshon dhe ekosistemin përreth duke sjellë rrënim të autoritetit shtetëror, mungesë të zbatimit të ligjit dhe drejtësisë, duke çuar si rrjedhim drejt luftës civile sikurse dhe ndodhi në vitin e përgjakshëm e tragjik 1997.

Në sfondin e kësaj panorame turbulente, politikanët e nderuar asokohe, sapo vërenin humbjen e kontrollit nëpër rrethet problematike të vendit, vendosnin të dërgonin efektivë të ndershëm, të brumosur me idealet e larta për ligj e drejtësi, shërbim dhe dedikim ndaj atdheut e shoqërisë, sypatrembur dhe me integritet të pa-cënuar për të siguruar rendin dhe rivendosur ligjin. Një prej këtyre efektivëve konsiderohej dhe Kolonel Gani Malushi në këtë kohë. Detyra e parë e tij iu caktua në shtator të 1997 si shef komisariati në një prej qyteteve më problematike, në Beratin e sunduar nga disa prej bandave më famëkeqe, të cilat ai arriti t’i shpërbënte në një kohë të shkurtër. Më tej ai emërohet në 1998 në Tropojën që konsiderohej si “territor autonom” i shkëputur nga autoriteti qendror i Tiranës dhe ku emërimi si drejtues në komisariatin e qytetit konsiderohej si dënim me vdekje. Ai sërish dëshmoi aftësitë e tij dhe brenda 6 muajsh i risolli paqen qytetit që përditë oshëtinte nga krismat e armëve, duke marrë pëlqimin dhe mbështetjen e tropojanëve, pasi pavarësisht ngjyrimit partiak të bandave të zonës, Komisari ndoqi politikën e tolerancës zero ndaj gjithkujt. Më tej ai dërgua në Kukës, Durrës, dhe në kohën kur u krye atentati, Komisar Malushi ushtronte detyrën si Shef i Komisariatit të Policisë në Krujë.

Shpërblimi që Komisari merrte pas sukseseve të arritura në çdo detyrë të caktuar ndaj tij nga organet e shtetit, ishte lirimi nga detyra për periudha të shkurtra kohore, lënie pa punë, dhe emërime të një pas njëshme në zona gjithmonë e më problematike në vendi.

Ishte paraditja e 6 gushtit 2003, kur ndaj automjetit të policisë para hyrjes së komisariatit qendror në Durrës, u shkarkua batareja e plumbave ku mbeti i plagosur për vdekje Komisar Gani Malushi dhe i morri jetën në vend shoferit Gjovalin Ndreu. Para drejtësisë, 8 muaj më pas, më 1 prill 2004, do të vetë-dorëzohej i dyshuari kryesor i ngjarjes, Agim Pepa, i cili duke marrë përsipër autorësinë e ngjarjes, deklaroi se motivi ishte hakmarrja me objektiv shoferin, ndërsa komisari ishte viktimë e rastit. Ky vetë-deklarim i shkurtër i të dyshuarit Pepa, i mjaftoi Gjykatës së Durrësit për të mbyllur dosjen.

Ky vendim i Gjykatës, padyshim që ngriti dyshime të thella, sikurse janë shprehur deri më sot mjaft ekspertë të drejtësisë, përveç familjarëve, kolegëve dhe figura qytetare të mirënjohur për publikun shqiptar, ku njëzëri kanë deklaruar akuzat për një ekzekutim të pastër e të mirëplanifikuar nga persona të rëndësishëm të lidhur me politikën e asaj kohe të cilët kishin lidhje të forta me personazhe nga bota e krimit dhe bandave. Prapa kangjellave, deri më sot po vuan dënimin ende postieri i porositësit.

Kjo ishte drejtësia e ndryshkur e cila vendosi të mbyllte kapitullin e fundit të historisë së Heroit dhe Dëshmorit të Kombit, Kolonelit të Hekurt legjendar, ku në mënyrë përmbledhëse përmes vetë fjalëve profetike të tij, “se forcat e krimit në bashkëpunim me politikën e përçudnuar dhe funksionarë të korruptuar, do ta pengonin të kryente punën e tij, do ta eliminonin, dhe pas vdekjes do ta qanin me të gjitha nderimet duke e shpallur dhe hero.”

Fjalët profetike të vetë Komisarit jehuan sërish duke nxjerrë në pah të vërtetën therëse dhe dramatike të sistemit të kalbur të drejtësisë në vendin tonë, pasi pavarësisht faktit se ai u shpall Dëshmor i Atdheut 1 vit pas vdekjes së tij, u deshën dhe 10 vite për të bërë të mundur zhvendosjen e eshtrave të tij dhe prehjen në Varrezat Kombëtare të Dëshmorëve në Tiranë. Për Kolonel Gani Malushin, rendi dhe ligji ishin parimet themelore të shoqërisë, duke u shndërruar kësisoj në armikun e betuar ndaj krimit, dhe krah mbështetës për qytetarët. Këto ideale formojnë dhe trashëgiminë e tij që mban gjallë figurën e Komisarit të Hekurt, e cila vazhdon edhe sot të jetë frymëzim për brezat e rinj që zgjedhin t’i përkushtohen rrugës fisnike për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë në shoqëri.

Mjerisht, ende sot 20 vite pas atentatit të tij, dosja e tij qëndron ende e mbyllur duke u mjaftuar me vetë-deklarimin e një “postieri” i cili dorëzoi plumbat në vendin e duhur por duke përfshirë “edhe një person të gabuar.” Të shumta janë provat e gjetura në skenën e krimit dhe arsyetimet që të çojnë në përfundimin se Komisari i Hekurt është eliminuar:

 -Si fillim, tashmë dihet hapur fakti se ditën e atentatit, Komisar Malushi ishte nisur nga Kruja për të dorëzuar “personalisht” kërkesën për lejen e zakonshme të tij në Drejtorinë e Policisë së Durrësit. Nuk ishte parë e dëgjuar t’i kërkohej as edhe një specialisti në administratën publike të ndonjë fshati, t’i kërkohej dorëzim personal i kërkesës vetjake për leje të zakonshme. Le më tej që kjo kërkesë t’i drejtohet shefit të një komisariati. Gjithashtu, nuk ishte rastësore dhe periudha që Komisar Malushi po kërkonte leje, pasi nisur nga dëshmitë e kolegëve dhe familjes, ai ndjehej i kërcënuar;

 -Si plumbi i marrë në kokë i cili nuk u deklarua në ekspertizën mjeko-ligjore pas-vdekjejs, të cilat dëshmojnë se objektivi i atentatorit ishte Komisari;

-Si dëshmitë e familjarëve dhe kolegëve për përplasjet e shumta burokratike, pengesat e vazhdueshme administrative të ngritura ndaj tij si kërkesa absurde për dorëzimin fizik të kërkesës për lejen e zakonshme të tij, që tregojnë për rrjedhjen e vazhdueshme të informacionit nga strukturat e policisë;

– Si dhe dyshimet e shumta të ngritura për motivin e eliminimit të tij në lidhje me dosjet e përpiluara me prova e saktësi mbi disa prej ngjarjeve më të mëdha që vendi përjetonte asokohe, e cila padyshim implikonte qarqe të larta të lidhura me establishmentin politik;

të gjitha këto dëshmi, prehen ende nën pluhurin e dosjes e cila pret të rihapet kur sistemi gjyqësor i vendit të pastrohet nga squfuri i korrupsionit dhe drejtësia të arrijë të prodhojë Falconen dhe Borselinon e saj shqiptar.

E megjithatë epilogu i këtij shkrimi dedikuar një prej figurave emblematike të drejtësisë shqiptare, për të ruajtur optimizmin përtej humnerës pesimiste që sistemi aktual ofron, përputhet me fjalët e Komisar Malushit, që duhet të gdhenden në një bust monumental në nderim të tij, të diktuara me frymën e veprave të tij të cilat shëmbëllejnë qëndresën stoike dhe vetëmohuese në mbrojtje të idealeve të tij. Jeta e dhe veprat e tij tregojnë që pavarësisht realitetit të drejtësisë së përçudnuar përreth tij, atë të një ambienti të inkriminuar ku efektivëve të rendit publik iu mungonte mbështetja e autoriteti, e shpesh iu pengohej dhe puna në zbardhjen e ngjarjeve dhe vendosjen e drejtësisë, Komisar Malushi gjithsesi nuk i tradhtoi idealet e tij deri në frymën e fundit.

Ky është rrëfimi i historisë së drejtësisë së një Heroi të Zbatimit të Ligjit, e kjo histori duhet shkruar e lexuar ndër breza, për të frymëzuar e farkëtuar brezat e rinj e për t’i kalitur me besim të palëkundur në forcën e ligjit dhe drejtësisë në vend.

-###-

Tags from the story
,
More from Edi Sara

1 vit nga Vizita e Papa Françeskut: Vlerat dhe mesazhet e përcjella

Në 21 Shator’ 14, Tirana zyrtare dhe jo-zyrtare priti krahëhapur autoritetin më...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.