70 vite pas: Ishte i nevojshëm “Burri i Vogël” dhe “Njeriu i Shëndoshë”?

Atomic Bombs
Hiroshima & Nagasaki

70-vite më parë, datat 6 dhe 9 Gusht hynë në historinë botërore si dy pika uji të cilat helmuan një ishull, por i siguruan rrjedhën dhe pastërtinë gjithë masës tjetër ujore rreth rruzullit tokësor… Këto dy data tronditën një popull, veshën në zi një komb, shkundën një shtet e rrënuan një rregjim, por i dhanë fund njëkohësisht zvarritjes së vuajtjeve dhe hidhërimeve një aleance kombesh dhe shtetesh të cilat luftuan dhe vranë për liri… ose të paktën kështu besohet.

Bëhet fjalë pikërisht për bombat atomike të Luftës së Dytë Botërore (L. II-B), e vetmja herë kur arma më e fuqishme vdekjeprurëse që ekziston mbi këtë planet, u përdor nga vetë krijuesi i saj…  Mëngjesi i 6 Gushtit, ora 08’15 në Hiroshima, “Burri i Vogël” i lëshuar nga B-29 “Enola Gay” e gjeti qytetin me një diell më të shndritshëm se zakonisht, e më pas me një kërpudhë mbuloi si me një vello të hirtë trishtimi gërmadhat e sapokrijuara dhe trupat e freskëta të 80.000 japonezëve… Tre ditë më pas, Nagasaki përjetoi në orën 11’01 furinë e “Njeriut të Shëndoshë” të lëshuar nga B-29 “Bockscar”, duke u shndërruar sipas një raportimi Japonez “në një varrezë masive pa një kokë varri më këmbë.” Afro 40.000 njerëz humbën jetën menjëherë pas këtij shpërthimi. Numri i viktimave të mëvonshme vdiqën nga efektet anësore të rrezatimit mendohet të jetë rreth 140.000.

Pas kësaj hyrjeje historike dhe këtyre shifrave tragjike, një pyetje i ka munduar historianët: A ishte vërtet e nevojshme përdorimi i bombave atomike?

Këtu po përmendim disa nga historianët, politikanët dhe ushtarakët e lartë amerikanë gjatë L. II- B. që kanë shprehur opinionet e tyre lidhur me përdorimin e bombës atomike.

Grupi i Studimit të Bombardimeve Strategjike të SH.B.A. në raportin e bërë në Korrik të 1946, konstatoi se Japonia me forcat që i kishin mbetur në fillim të 1945, do të dorëzohej para vitit 1946, edhe sikur Rusia mos të kish ri-hapur frontin e Lindjes dhe ofensivës në Mançuri. (The Atomic Bomb- Barton J. Bernstein, f. 52-56)

Presidenti Dwight Eisenhower përveç deklaratave të shumta në radio dhe ligjërime publike, shkruan në kujtimet e veta se “… Japonia ishte tashmë e humbur dhe se hedhja e një bombe ishte tejet e panevojshme, dhe së dyti sepse mendoja se vendi ynë duhet të shmangte shokimin e opinionit botëror nga përdorimi i një bombe vënia në punë e së cilës qe, unë mendoja, jo më tepër e detyrueshme se sa një mënyrë për të shpëtuar jetë amerikane. Ishte besimi im që Japonia ishte, pikërisht në atë moment, duke kërkuar një rrugë dorëzimi me sa më pak ‘faqe turpi’.” (Mandate for Change, 1953-1956: The White House Years, A Personal Account– D. Eisenhower, f. 380)

Gjithashtu Admirali William Leahy, anëtari më i lartë në shtatmadhorinë e ushtrisë së Amerikës nga 1942-1949, thotë: “Është mendimi im se përdorimi i kësaj arme barbare në Hiroshima dhe Nagasaki nuk ishte asnjë ndihmë materiale në mbështetje të luftës sonë kundër Japonisë. Japonezët ishin tashmë të mundur dhe gati të dorëzoheshin për shkak të bllokadës së efektshme detare dhe bombardimeve të suksesshme me armët tradicionale.” (I was there/ The American Military Experience- William D. Leahy, f. 441)

Gjenerali Douglas MacArthur pranonte midis të tjerave se “… ai nuk shihte ndonjë justifikim nga këndvështrimi ushtarak mbi hedhjen e bombës,” pasi qe i bindur gjithashtu se ishte thjesht çështje kohe për Perandorin Hirohito para se të dorëzohej.

Sipas reporterit James Reston Jr. të New York Times dhe fitues të çmimit Pulitzer, vëren në kujtimet e tij për Asistent Sekretarin e Shtetit për Luftën John McLoy se ka thënë: “Unë besoj se ne humbëm rastin për të zbatuar një dorëzim të Japonisë, totalisht të kënaqshëm për ne, pa nevojën e hedhjes së bombave.” (Deadline: A Memoir- James Reston, f. 500)

Presidenti Herbert Hoover pati thënë: “Japonezët ishin pregatitur të negocionin gjithë kohën që prej Shkurtit të 1945… deri kohën dhe mbas çastit që u hodhën bombat atomike; … nëse këto shenja do të ndiqeshin, nuk do të ishte dhënë rasti për të hedhur bombat [atomike].” (Judgment at the Smithsonian: The Bombing of Hiroshima and Nagasaki- Editor Philip Nobile, p. 142).

Atëherë përse u hodhën bombat?

Tre teza qëndrojnë pas: Një teori është thotë se shkencëtarët pëlqejnë të luajnë me lodrat e shpikura, pavarësisht se shkencëtarët e Projektit Manhattan ishin kundër përdorimit të bombës mbi Japoni.

Teza e dytë lidhet me linjën e përgjithshme të përdorur nga literatura historike perëndimore, se bombat u përdorën për të përshpejtuar fundin e luftës dhe parandaluar humbjen më tepër në jetë të ushtrive Aleate, kryesisht atyre amerikane të cilat iu duhej të luftonin ishull më ishull.

Teza e tretë, ndjek linjën e bashkërendimit të forcave vektoriale në rrafshin gjeopolitik, ku për politikë-bërësit dhe diplomatët amerikanë ishte më e rëndësishme të impresionin B.R.S.S., sesa të përfundonin luftën me Japoninë në një mënyrë me sa më pak gjakderdhje. (History.com- 1945-Atomic bomb dropped on Hiroshima; New Scientist (2005)- Hiroshima bomb may have carried hidden agenda;)

Përçarjet dhe fërkimet mes Bashkimin Sovjetik dhe pjesës tjetër të Aleatëve tashmë kishin filluar. Divergjencat ideologjike të cilat ishin lënë mënjanë më parë për t’i bërë ballë një armiku ideologjik edhe më të rrezikshëm si nazizmi, tashmë filluan të krijojnë praksiologjinë e tyre në cilindo vend ku takoheshin dhe shpërhapeshin duke difuzuar në të ashtuquajturat “zona të influencës”, të caktuara që më parë në konferencat e Jaltës dhe Potsdamit.

George Marshall pati mbrojtur mendimin e tij duke thënë se vendimi për të hedhur bombat nuk ishte ushtarak, por më tepër politik. Albert Einstein që ndihmoi në Projektin Manhattan gjykonte se vendimi i hedhjes së bombave ishte më tepër i një natyre politko-diplomatike sesa një vendim ushtarak apo shkencor. (Washingtonblog.com)

***

Një epilog i munguar

Në fund, nuk mund të fajësojmë por përkundrazi të mirëkuptojme qëndrimin zyrtar të Washington-it për të mos ndryshuar linjën e vet, apo për të bërë një apologji ndaj Tokios për viktimat dhe efektet anësorë që sollën dy bombat atomike. Kjo kuptohet, pasi përsa kohë të jenë gjallë veteranët dhe pasardhësit e tyre në moshë të mesme që i mbartin gjallë kujtimet e prindërve, një falje nuk do ishte e denjë dhe e drejtë për ta. Përkundrazi, nëse do ndodhte, Amerika do dënontë dëshmorët dhe veteranët e saj duke pranuar se i dërgoi të luftojnë për një kauzë jo të drejtë, duke dobësuar bindjen në luftën për liri dhe vëllazërim të kombeve për të cilat luftoi Aleanca e Kombeve të Bashkuara në L. II- B.

-###-

Tags from the story
,
More from Edi Sara

(8)DHJE/Torizimi i Opozitës: Metamorfoza e idealit nga Europa (‘90) tek Bunkeri (‘15)

25-vjet më parë gjëmoi thirrja: E duam Shqipërinë si gjithë Europa! Data...
Read More

1 Comment

  • Hedhja e bombave ne Hiroshima dhe Nagasaki u be, jo aq per te mundur Japonine, seajo ishte mundur tashnme, por per t`i treguar botes se SHBA-ja eshte fuqia e vetme e botes qe ben si te duan me rruzullin tokesor; u be per t`i treguar Bashkimit Sovjetik se SHBA-ja eshte e pamposhtur, prandaj BRSS duhet te rrinte urte ne perpjekjet per sovjetizimin a revolucionin boteror te ashtuquajtur socialist. Çdo hap i BS drejt revolucionit do te kishte nje pergjigje edhe me te fuqishme se ajo kunder Japonise ne hiroshima dhe Nagasaki.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.