Patrioti
Kthehu te kreu

Arkitektura pa demokraci nuk është vizion por thjesht fasadë e shëmtuar!

nga Elton Ngjela29 QER 20264 min lexim

Një reagim ndaj letrës së arkitektit holandez Reinier de Graaf, publikuar në kolazhin e librit "The Albanian Files- Freedom and Architecture" nga shtëpia botuese Lars Müller me kryeredaktore Anneke Abhelakh.

(kopertina e) Dosjeve shqiptare- Liria dhe arkitektura, ed. Anneke Abhelakh, pub. Lars Müller

Që të jem i sinqertë, arkitekti holandez Reinier de Graaf më ka pëlqyer më parë, si për disa prej punimeve të tij (bashkë me OMA- Zyra për Arkitekturën Metropolitane), ashtu edhe për disa ide mbi arkitekturën. Madje banoj në një prej tyre. Pikërisht për këtë arsye, letra që ka shkruar për Ramën më duket edhe më e rëndë. Këtu nuk kemi të bëjmë me një status të hedhur shpejt në rrjete, as me një batutë private të humbur në bisedë. Kemi të bëjmë me një tekst të raportuar si pjesë e një botimi rreth 800 faqë me parathënie nga KM i Shqipërisë dhe me kontribute nga 60 studio ndërkombëtare. Dhe në atë tekst, Reinier de Graaf shkon deri aty sa ta trajtojë si të dëshirueshme anulimin e zgjedhjeve, vazhdimin e pushtetit përjetë, madje edhe fantazinë e "mbretit", të justifikuara në emër të arkitekturës dhe të patronazhimit të saj.


I referohemi letrës se arkitektit Reinier de Graaf që është publikuar në botimin nga shtëpia botuese Lars Müller, me kryeredaktore Anneke Abhelakh, që kanë përmbledhur refleksionet nga 60 studiot e arkitekturës që operojnë në Shqipëri me lejen e posaçme nga KM i Shqipërisë.

Screenshot 2026-06-29 152902.png

Sikur ta marrim pa kontekst, mbase si shaka, ose si ironi apo si provokim arkitektonik, përsëri problemi mbetet po aty! Është diçka që bëhet në kurriz të demokracisë tonë. Vetë letra e hapur e bën të qartë se meraku qendror nuk është liria jonë, e qytetarëve, por liria e arkitektëve për të ruajtur aksesin që paskan, komoditetin profesional dhe vazhdimësinë e punëve të tyre nën një patronazh politik që u shërben atyre. Ndoshta nuk është një kërkesë "e sinqertë" kundër demokracisë. Por po njësoj, ajo shpreh në mënyrën më brutale adhurimin për një regjim që i leverdis profesionit të vet.

Jo pak njerëz këtu kanë lexuar një problem të madh tek letra e tij, pasi thuhet se liria e arkitektit bëhet më e rëndësishme se liria e qytetarit. Dhe në këtë kontekst nuk po flasim më për vizion, por po flasim për privilegj!

Shqipëria nuk është as treg për kantier ndërtimi e as tender masiv për t’u dhënë me koncesion!

Nuk është as laborator estetik për arkitektë që tremben se mos u thahet "pusi i punës" kur ne ushtrojmë të drejtën tonë për të zgjedhur!

Shqipëria nuk është as “Meka” e arkitektëve me famë botërore për të eksperimentuar dhe testuar idetë e tyre avangardë!

Shqipëria është një vend me njerëz që jetojnë me pasojat e pushtetit, të korrupsionit, të betonizimit, të vendimeve pa llogaridhënie, dhe të institucioneve ende me probleme madhore. Kjo nuk është retorikë, sepse edhe ODIHR ka raportuar se në zgjedhjet e fundit ka pasur frikë, përdorim të burimeve shtetërore, presion mbi administratën, blerje vote dhe mungesë barazie në fushën e lojës.

Ajo që e bën letrën e hapur edhe më të pajustifikueshme është se Reinier de Graaf nuk mund të shtiret si i paditur për raportin mes arkitekturës dhe pushtetit. Me sa kam arritur ta ndjek , në shkrimet dhe intervistat e veta ai ka thënë prej vitesh se arkitektura është thellësisht e varur nga forcat politike dhe ekonomike që e formësojnë atë, se profesionit i duhet të njohë motivet e klientëve dhe se arkitektura rrezikon të bëhet mjet i kapitalit në kundërshtim me misionin e saj social. Pikërisht sepse i di këto gjëra, ai duhej ta kuptonte më mirë se shumëkush se nuk duhet të luash me idenë e heqjes së zgjedhjeve në Shqipëri. Nuk është as shaka, as metodikë e sofistikuar apo diçka ekskluzive mes tyre.

Nëse kjo letër synonte të ishte provokim, atëherë de Graaf është gabuar. Nëse synonte të ishte ironi, është krejt e dështuar. Nëse synonte të ishte një kompliment për "lirinë" që Edi Rama u jep arkitektëve, atëherë është pikërisht prova më e qartë e një marrëdhënieje të sëmurë mes estetikës, patronazhit dhe pushtetit politik. Sepse demokracia nuk është ndonjë aksesor që hiqet kur pengon komoditetin e arkitektëve. Zgjedhjet nuk janë një bezdi që mund të anulohen si pa të keq për të mos prishur ritmin e kontratave të tyre. Dhe një "autokrat me stil e shije" mbetet autokrat, sado elegante të jenë vizatimet që prodhon për të industria e admirimit dhe adhurimit.

Shqipëria nuk ka nevojë për mbret. Nuk ka nevojë për njerëz që i shohin qytetarët e saj si pengesë për masterplanet urbane të radhës. Nuk ka nevojë për arkitektë e profesionistë që e duan vendin vetëm për aq kohë sa pushteti u hap atyre dyert.

Shqipëria dhe ne kemi nevojë për institucione, për llogaridhënie të vazhdueshme nga ekzekutivi, për kufizim të fortë të pushtetit. Kemi nevojë për të drejtën e kundërshtimit dhe për zgjedhje që kanë kuptim real. Sepse në fund, arkitektura pa demokraci nuk është vizion por mbetet, thjesht dhe lakuriq, një fasadë e shëmtuar!

All Articles