Letër e hapur protestuesve në Shqipëri
Duke i përgëzuar dhe i nderuar gjithë pjesëmarrësit në këtë muaj rekord protestash qytetare apolitike dhe atdhedashëse, iu përcjellim dhe dy reflektime e këshilla për të forcuar zërin dhe aksionin politik.

Një revolucion madhështor nuk është asnjëherë faji i popullit, por i qeverisë. – Johann W. v. Göthe
Po e filloj këtë letër së pari me një duartrokitje të thellë për të gjithë ju që keni dalë në shesh... pasi jeni ju ata të cilët kuptuat se kupa është mbushur dhe ora ka mbërritur për të gjithë ata që janë të gatshëm të dalin me vepra e fakte për t’ju përgjigjur atdheut që prej 13 vitesh...
-rënkon nga thundra e hajdutëve të buxhetit publik që përditë projektojnë ligje për të sjellë më tepër të ardhura për oborrin e kleftokratëve dhe sponsorave oligarkikë,
-gulçon nga duart e grabitqarëve të pronave publike që kudo ku ka pasur hapësirë të gjelbur e kanë transformuar në njollë betoni në hartë,
-helmohet nga lajkat që derdhen përditë nga sahanlëpirësat e pushtetit e që dergjen nga njëra qoshe në tjetrën të administratës publike pasi si shushunja parazitare janë mësuar të rrojnë në kurriz të taksapaguesve,
-lëngon nga “Mesalinat” që enden nga mëngjesi në darke duke thurur intriga si t’i prishin karrierën e t’i njollosin prejardhjen të ndershmëve që duan të punojnë, për t’u bërë vend Uriah Heep-ave dhe Zonjave Makbeth, që kanë mbushur radhët e pushteti qendror,
-turfullon nga jehona e injorancës së larmishme që popullon parlamentin sot,
-drithërohet nga cilësia e veprave publike që janë ndërtuar në relacion me kostot e projektuara dhe puna konkrete në terren, ku vetëm rrugët nuk kalojnë dot 6-muaj nga inaugurimi pa u shembur,
-verbohet nga shifrat imagjinare dhe shurdhohet nga arritjet virtuale që propaganda rilindase trumbeton përditë përmes kazanëve të vet mediatik dhe kusive pa kapak të pseudo-analistëve...
Një përulje të thellë veçanërisht për brezin e gjeneratës Z (’97-‘09) dhe Alfa (’10), të cilët janë shpirti i vërtetë revolucionar i kësaj vale protestash.
“Kur diktatura është fakt, revolucioni bëhet një e drejtë.”- Victor Hugo
Më kujtohen fjalët e arta në krye të aktit të tretë të poemës satirike e patriotike të At Gjergj Fishtës, e cila nuk ndryshket nga koha, “Gomari i Babatasit”:
“Ju rrugaca sallahana,
vagabonda shakllabana,
rricna t`ndyet, mikrobe të kqi,
qi të mjerës moj Shqipni,
kthelltë hi i keni në mushkni,
pa dhimbë gjakun tuj ia pi,
Po der kur, brè batakçi!”
Për të gjithë që dilni sot në shesh, jeni heronj pasi sfidoni çdo presion që pushteti aktual i administratës Rama ka në dorë të ushtrojë përmes makinerisë së institucioneve të delendisura si instrumente persekutimi...
-nga kërcënim për pushim nga puna të familjarit tuaj,
-kanosjes së vendosjes së gjobës nga inspektoriati financiar tek biznesi juaj i vogël,
-prerja e faturave të fryra të ujit/dritave për familjet e identifikuara si aktive në protesta,
-tek ndërprerja e fondeve të OJF/OJQ-ve për projektet për bamirësi/mjedis/sociale,
-gjobitja nga xhollot e policisë rrugore apo klounëve matrapazë të bashkisë vendore.
Por tashmë u bë gati 1 muaj që vijojmë të dalim në shesh... ndaj të gjitha kërkesave të deklaruara është dëgjuar veç heshtje nga nomenklatura rilindase...
Fortnalgjatësia e tij e tha vetë me gojë: “Unë nuk e jap dorëheqjen! E sa të jem unë këtu, projekti do vijojë punën!”
Atëherë Quo vadis revolucioni i flamingove? Kush është plani i veprimit?
Revolucioni ka disa shkallë, kur lind, zhvillohet, shpërthen e transformohet. Por kur zgjatet shumë, humbet momentumin, e kështu revolucioni shuhet. Spin-doktorat e deleguar nga llozhat masonike franceze dhe sorosiane pranë Edi Ramës e dinë shumë këtë trend historik, prandaj përpiqen e shpresojnë ta zvarrisin në kohë daljet tuaja në shesh derisa të lodheni.
Sikurse ka thënë një prej figurave ikonike legjendare revolucionare botërore, Ernesto Che Guevara, “Revolucioni nuk është një mollë që bie kur piqet. Duhet të tundet dega.”
Për këtë arsye, unë propozoj 2 aksione politike:
E para, sikurse dikur nga gryka e pushkës fitohej liria dhe mëvetësia e kombeve të lira e sovrane, sot nga gryka juaj të dëgjohet zëri i unifikuar i një lidershipi të ri të dalë nga gjiri i popullit aktiv në këto ditë të arta që kanë hedhur themelet e vërteta të një shoqërie civile si kolona e pestë në një sistem demokratik të shëndoshë, që i ka munguar vendit prej 35 vitesh pluralizmi politik.
Një bord drejtues duhet të krijohet dhe mos frikohet të identifikohet publikisht, duke kapur momentin aktual dhe mbledhur nënshkrimet e qytetarëve për themelimin e një force të re politike, përtej së majtës aktuale të rilindur si ultra-liberale, dhe së djathtës së plakur konservatore të rraskapitur e pa shpresë. Një grup njerëzish pa kokë quhet turmë dhe është si pula pa kokë e mund të çedojë e të përçahet. Një grup njerëzish me kokë quhet masë dhe është uniforme dhe orientohet pa devijuar nga objektivat politike dhe aksionet qytetare.
Çdokush duhet marrë në konsideratë për t’u bërë pjesë e kësaj partie, duke debutuar në debatet publike dhe matur aftësitë e tija për të përfaqësuar interesat publike në Shqipërinë e Re që proklamohet në tubimet e protestuesve brenda e jashtë vendit. Kriteri primar i përzgjedhjes duhet nisur nga aspirata atdhetare e secilit, kontributi i deritanishëm, potenciali në vijim, dhe premtimet vizionare e inovatore në fushat përkatëse të ekspertizës.
Së dyti, duhet marrë parasysh skenari i ngritjes së çadrave të natës para Kryeministrisë, duke i kthyer monedhën e majit 2010 Edi Ramës nën të njëjtën sigël ironie historike: Transparencë!
Kërkesa për Transparencë është anti-teza e korrupsionit me të cilën kjo qeveri vegjeton prej 4 mandatesh duke mbajtur pushtetin si një model shabllon ilustrues për “kolltukofagët” e Fan Nolit!
-Transparencë për dosjet e SPAK dhe çdo akuzë dhe proces juridik me të cilat po përballen të gjitha figurat e larta politike të vendit që kanë mbajtur pozicione drejtuese në dikasteret shtetërore,
-Transparencë për listën e konkurrimeve në tenderat publike dhe rregullave e kritereve të përzgjedhjes në pjesëmarrje dhe deklarimit të fituesve,
-Transparencë në përdorimin e fondeve publike nga çdo institucion shtetëror dhe agjencitë e varura të tyre,
-Transparencë në vendimet e gjykatave lidhur me pronat publike dhe tjetërsimin e planeve urbane/rurale.
Për këtë transparencë të munguar, populli nuk vë dot sy në gjumë prandaj qëndron zgjuar ditë-e-natë para KM!
Po e mbyll këtë letër me shpresën që të lexohet me optimizëm dhe mirëpritet për këto ide të cilat synojnë vetëm forcimin tuaj dhe zmadhimit më tej me efekt orteku radhët e protestuesve.
“Ky vend, me institucionet e veta, i përket popullit që banon aty. Kur ai ka dyshime për qeverinë aktuale, ka të drejtë të ushtrojë të drejtën kushtetuese për ta amenduar atë, ose të ushtrojë të drejtën e vet revolucionare për ta rrëzuar.” – Abraham Lincoln
-###-



