Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

The Seventh Seal (1957)

nga Anisa Vrenozi

Regjizor: Ingmar Bergman

Aktorët: Bengt Ekerot, Gunnar Bjornstrand, Max von Sydow

Skenari: Ingmar Bergman

Disa prej filmave më të mirë janë specimenë te zhanreve të mirënjohura, por „The Seventh Seal“ e Ingmar Bergman nuk është aspak i tillë.

Nuk ka patur pak filma të rëndësishëm, si të Dreyer dhe francezit Cocteau, të cilët i janë referuar periudhave kohore më të largëta të zhvillimit të shoqërisë për të dhënë një kuptim dhe simbolikë për vëzhgimet e tyre mbi jetën dhe vdekjen.

Nëse kërkojmë pak mbi historinë e kinematografisë, lehtësisht mund të gjejmë një apo dy pasardhës të stilit të Ingmar Bergman në konceptim dhe realizim filmik. Megjithatë, pas tërë krahasimeve dhe ngjashmërive, The Seventh Seal  (Vula e Shtatë) mbetet tërësisht i veçantë, një film sa i pazakontë aq dhe i mrekullueshëm, i cili përcjell një eksperiencë kinematografike si asnjëherë më parë.

Thjeshtësisht mund të përshkruhet si një version filmik i moralit mesjetar: e tërë atmosfera e përçuar është e veshur me një kostum mesjetar dhe personazhet e filmit, ndër të cilët është edhe Vdekja, janë dukshëm të konceptuar për të portretizuar lloje të ndryshme të njerëzimit të thjeshtuar. Kalorësi i Kryqëzatave Antonius Block (Max von Sydow) është në kërkim të përgjigjeve ideale për pyetjet të cilat e kanë munduar njerëzimin përgjatë shekujve, që në fillimet e kohërave.  Shqytari i tij Jöns (Gunnar Bjornstrand), nuk kërkon asnjë përgjigje pasi është i bindur se jeta pas vdekjes nuk ka asgjë për të ofruar: ‘dijetarë të transformuar në harbutë’ dhe njerëz të thjeshtë që vërdallisen, duke pyetur vetveten shumë dhe duke shpresuar shumë pak.

Një tjetër element i rëndësishëm në film janë  simbolet e vdekjes. Filmi është vendosur në Suedinë e pushtuar nga Murtaja e Zezë, një sëmundje që shkaktoi vdekjen e një të tretës së popullsisë të kontinentit Europian. Alegoritë dhe simbolet e vdekjes, shpeshherë referuar në art si Memento Mori, ​​ janë tepër të pranishëm në një kohë në të cilën shoqëria mesjetare ishte fort e vetëdijshme mbi vdekshmërisë dhe pafuqinë mbi jetën, ashtu si kalorësi Antonius.

Në një skenë të paharrueshme për kinematografinë, Vdekja luan shah me Kalorësin. Cili është kuptimi i filmit në këtë alegori? Ndoshta kjo simbolikë paraqet përpjekjet e dëshpëruara të shoqërisë për të zgjatur jetën dhe shmangur vdekjen në kohëra të vështira për njerëzimin: qoftë duke veshur një maskë mbrojtëse apo duke e transformuar mbijetesën në një lojë intelektuale të strategjisë që mund të fitohet vetëm duke ‘luajtur’ si duhet.

Një tjetër simbol i Vdekjes në art që pasqyrohet ne film është ‘Danse Macabre’, përkthyer si „Vallja e Vdekjes“, që është në qendër të kuptimit të filmit të Bergman.  Siç shprehet vetë Vdekja në film, „Askush nuk më shpëton mua”. Meqë Jeta është një lojë e vazhdueshme shahu me Vdekjen, filmi përfundon me ‘Danse Macabre’: të gjithë personazhet të bashkuar në një valle të trishtuar me Vdekjen, që simbolizon dorëzimin e pashmangshëm tek Vdekja.

Në ‘The Seventh Seal’, kalorësi Antonius dhe personazhet e tjerë i dorëzohen Vdekjes, të thyer nga heshtja dhe padukshmëria e Zotit. Rëndësia e heshtjes së Zotit në kuptimin dhe titullin e filmit kuptohet në vargjet e Biblës të cituar në fillim dhe në fund të filmit: „Kur Ai e theu Vulën e Shtatë, kishte heshtje në qiell për rreth gjysmë ore “ (Zbulesa 08:01). Dyshimi në heshtjen e Zotit është një temë që përsëritet përsëri dhe përsëri në filmat e mëvonshëm të Ingmar Bergman, duke përfshirë “Winter Light”, “Through a Glass Darkly”, dhe veçanërisht në “The Silence”.

Gjithë  personazhet dhe botëkuptimet e tyre janë figura konvencionale dhe natyrisht edhe Vdekja është një lloj konvencioni gjithashtu. Por ata janë figura konvencionale me një diferencë tërësisht të veçantë që vjen si pasojë e përzgjedhjes së aktorëve dhe lojës aktoriale tepër mjeshtërore: kalorësi elegant dhe i butë dhe shqytari i tij i fuqishëm, fisnik dhe krejtësisht i zhgënjyer; janë të mahnitshëm në mënyrat e tyre  të dallueshme dhe të ndryshme.

Dallimi vjen gjithashtu, nga një cilësi shumë e rrallë e vërtetësisë, thjeshtësisë dhe integritetit në të shkruarin dhe drejtimin e filmit; dhe për të dyja këto veti merita shkon për Bergman.

Shpesh diskutohet në lidhje me fuqinë e kinemasë mbi realizmin në njërën anë dhe fantazinë, nga ana tjetër. Mrekullia e filmit të Bergman-it është se në realizmin e tij kinematografik me ‘veshjet e stisura nga kohëra të harruara‘ ai përçon një bindje e cila është shumë më turbulluese sesa mund të transmetohet nga një dokumentar realist apo edhe nga filma të mirë mbi jetën ashtu siç ne e njohim.

Filozofia e Bergman percjell idenë që Zoti është i heshtur dhe i vetmi mekanizëm për shpëtim është dashuria e ndërsjelltë njerëzore.  Bergman i përdor filmat e tij për të inkurajuar njerëzit të zhvillojnë idenë personale për rolin dhe qëllimin e Zotit në jetët e tyre.  Zoti nuk është një set strikt idesh apo praktikash fetare. Mund të krahasohet këtu dhe filozofia ekzistencialiste-kristiane e Gabriel Marcel. Thelbi i Zotit është midis dashurisë njerëzore ashtu si ne skenën ku kalorësi Antonius zbulon bukurinë e ndjenjës njerëzorë duke shijuar frytet e Natyrës, luleshtrydhe dhe qumësht, midis njerëzve të thjeshtë.

Puna e Bergman-it është e fokusuar mbi pyetjet më jetësore mbi ekzistencën. Është mjeshtëria e tij e të shkruarit të fjalëve dhe përjetësimit të botëkuptimeve me kamera, që askund nuk lind nevoja për paraqitjen eksplicite të idiomës së tij se Murtaja që ka goditur Suedinë jo-reale mesjetare është në thelb e njëjta gjë me maninë bërthamore që ka mbërthyer Evropën moderne të viteve ‘50….. ndërkohë që Heshtja vazhdon…

…In the service of our country and Albanian nation, without violating the rights of the other nations. In quest of truth in history, without following the media propaganda trend. Be part of our community like a follower, commentator and contributor by sending critical articles or pictures. Here is the only arena where is amplified the voice of Albanian dissidence and civil society, within the country and abroad.

patrioti.al © 2026. All Rights Reserved.

the Kick-ass Multipurpose WordPress Theme

© 2026 Kicker. All Rights Reserved.

Sign Up to Our Newsletter

Be the first to know the latest updates