Apoteoza e Globalizimit dhe epitoma e Botërorit “Brazil-2014” si anti-tezë

FIFA World-Cup Brasil-2014 Throphy and Flag Ball All

nga Edi Sara

Jemi nën ethet e Botërorit-Brazil 2014, dhe përveç emocioneve që na përçohen përmes ekranit nga fusha e blertë, spektatorët dëgjojnë gjithashtu dhe zërin e komentatorëve që plot zjarr e pasion i shtojnë ndeshjes një aureolë drithëruese.

Por megjithatë, shpesh herë vëmëndja e komentatorit kalon krahas ndeshjes, edhe në ndonjë analizë apo përshkrim të kushteve të funksionimit të botës sot, tendencat dhe lidhjet socio-ekonomike të rruzullit. Më konkretisht, ka një tendencë për t’u theksuar globalizmi.

Mendohet dhe thuhet jo rrallë-herë “se futbolli është pasqyra më e kjartë që shëmbëllen reflektimin e globalizmit” mbi rruzullin tokësor, dhe botërori gjithmonë e më tepër porsi lokomotivë e pandalshme e përforcon këtë trend. Kjo çështje në fakt është trajtuar tepër përciptazi nëpër studiot sportive mes të ftuarve, dhe aq më tepër nga komentatorët, para, pas apo gjatë ndeshjes.

Më lejoni t’ju shpalos më poshtë, në një analizë të shkurtër përmbledhëse, përplasjen e tezave globalism vs. nacionalizm që është një temë e nxehtë debati për studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare, në mënyrë që lexuesi vetë të arsyetojë dhe të shprehë opinionin e tij në fund.

Debati fillon që në gjenezë, pra në në përkufizim të termit nacionalizëm. Studiues të ndryshëm si E. Gellner apo Hobsbawm, e shtrinë përkufizimin mbi kuptimin e shtetit modern dhe industrializimit modern, duke përmendur dhe “njeriun modular” i cili është i aftë dhe përkon me aftësite e tij prodhuese dhe intelektuale brënda një mjedisi i cili ndan të njëjtën gjuhë, kulturë dhe kuptime. Ky është kuptimi i modernistëve për nacionalizmin. Debati mund të vazhdojë edhe më tej nëse përmendim H. Bull me “Shoqërinë e tij Anarkike” apo Anderson me “Komunitetet Imagjinare” të cilat ngrenë konceptin e kombit thjesht mbi parimin e një ideje të imagjinuar dhe të përceptuar nga një grup-shoqëror njerëzish të cilët janë mësuar të mendojnë në këtë mënyrë si pasojë e politikës që ushtrohet nga shteti i tyre.

Mund të përmendim dhe H. von Trietchke-n i cili duke huazuar Hegel-in, e lidh nacionalizmin me veprimet dhe bëmat heroike në luftë kur një popull merr burim për të ushqyer bashkimin shpirtëror të tij.

Nga ana tjetër, kemi teoristët liberalë të nacionalizmit si J.S. Mill, Mazzini apo Grotius, të cilët e përfytyronin nacionalizmin si një projekt demokratik të pandërprerë midis shteteve, dhe parashikonin deri diku se shpërhapja e tij do të frenonte luftërat ndër-shtetërore.

Ndërkohë globalistët theksojë thyerjen e binomit homogjen shtet-komb (për të mos futur dhe tezën e vjetër trinomiale shtet + komb + fe, të M. Weber-it etj.), e përfshin si diversitetin ashtu edhe uniformitetin, sikurse dhe lokalitetin (rajonal) njësoj si dhe globalitetin.

Tre pika kyçe përforcojnë tezën globaliste:

  • Tendenca gjithmonë në rritje të ekonomive të bazuara mbi informacion (financat, ndarja e tregjeve të punës, ekonomitë e shkallës etj.) dhë rënia e rëndësisë së prodhimtarisë industriale të bazuar në një territor të caktuar.
  • Luftërat janë duke u bërë gjithmonë e më të rralla, dhe nëse ndodhin nuk kanë përshkallëzim por mbeten më tepër të përqëndruara në nivel rajonal (kjo për shkak dhe të aleancave, marrëdhënieve diplomatike në mbrojtje të sigurisë dhe rendit ndërmjet shteteve, ose nëpërmjet organizatave ndër-shtetërore etj. – një fushë për specialistët e sigursië kombëtare dhe diplomatëve).
  • Dixhitalizimi në masë i medias, dhe kalimi nga forma e printuar në atë elektronike, tashmë krijon mundësinë e kalimit të informacionit në kohë më të shpejtë, dhe në largësi të papërkufizuar.

 

Linja e tretë, është ajo kozmopolitane, e cila kombinon humanizmin nën shtratin e diversitetit kombëtar, etno-kulturor. Babai i kësaj teorie është padyshim I. Kant, i cili e zgjeron dhe e trajton këtë ide në librin e tij filozofik “Paqja e Përhershme.” Ideja qëndrore e kozmopolitanizmit vendoset në kuadrin se kontrastet –shoqërore do të sjellin botën më afër, dhe derivojnë kuptimin politik të saj që e ndan nga kuptimi i saj humanist. Humanizmi thekson vlerat njerëzore, ato ç’ka konstituojnë diversitetin në fund të fundit. Ndërsa kozmopolitanizmi, kulturalisht do të thotë hapje ndaj këtij diversiteti (nga ku bazohet dhe Habermas-i dhe Badie për konstitucionalizmin dhe formimin e identiteti të Bashkimit Europian).

Ngjitësi që i bashkon dhe i ndan këto linja, është kuptimi politik që iu jepet atyre në rangun kombëtar, si pasojë e historisë së kaluar e cila kurrë nuk fshihet nga kujtesa e një populli, sidomos kur ky i fundit ka qenë viktimë e luftës ndaj një tjetri, e aq më tepër kur këta janë edhe fqinj.

Tani të kthehemi tek botërori. Këtu shof një tezë mbi anti-tezë: Përpiqen të përdorin botërorin si bon-sens për globalizimin, ndërkohë lind pyetja: Nëse do të unifikohej bota, s’do të kish më kuptim as botërori, pasi kombëtaret do të shuheshin, ose do formësohej një koncept i ri skuadre, ku të gjithë luajnë për të gjithë e gjithashtu për asnjë në fund të fundit!

Pra këtu kemi të bëjmë me një apoteozë të globalizmit nga mediat, qoftë shqiptare apo ato botërore. Nuk dua të hyj në analiza primoridaliste të nacionalizmit, apo të diskutoj tezat që përmenda pak më lart, por gjithsesi do i drejtohem lexuesit me këtë pyetje: A nuk është vetë Botërori Brazi-2014 një epitomë e pastër e cila shërben si prove e gjallë anti-teze karshi konceptit të globalizmit?

11-lojtarë të një kombësie (të paktën shumica dërrmuese pasi tashmë ka edhe natyralizim të lojtarëve të kombësive të tjera, ku zakonisht ish-kolonitë kolonizojnë sot me “frymë sportive” ish-kolonizatorët e djeshëm të tyre, imperializmi duke kthyer një faqe të re ndërkohë) ballafaqohen me 11-lojtare të një kombësie tjetër njëher në 4-vjet. Në fund, këto dy kombësi përfaqësohen nën një flamur të përfaqësuar me emrin e një shteti. Po sikur mos kishim shtete në botë?! Po sikur mos dallonim më nga mbiemri apo ngjyra se filan-lojtar i përket filan shteti, pasi kombësitë nuk do bënin më punë në një rend-të ri global botëror, sepse natyralizimi i lojtarëve do ketë “adoptuar globin”?

Për një gjë, të paktën jemi të sigurt: Botërori është kriptoniti, anti-teza eminente e vetë Globalizimit për të cilin kaq shumë përflitet nëpër ekrane nga komentatorët apo analistët sportivë.

 

-###-

Tags from the story
,
More from Edi Sara

The Seventh Seal (1957)

nga Anisa Vrenozi Regjizor: Ingmar Bergman Aktorët: Bengt Ekerot, Gunnar Bjornstrand, Max...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.