Rubrika satirike: Seria e intervistave nga Kaso Kosa.
Kaso Kosa, parafjalë- Këtë radhë po sjell intervistën e bërë me trurin e Kryeministrit tonë. Të më kuptoni: Nuk e kam llafin që takova trurin e tij, se Kryeministri e mban gjithnjë me vete. Takova zotin Endri Fuga, këshilltarin e parë të zotit Rama, që me këshillat e tij mbetet truri i Kryeministrit tonë…
Kaso Kosa (K): – Përshëndetje, zoti Fuga!
Endri Fuga (E): – Përshendetje Kaso! Më fal pak se jam i zënë, se po bëj disa pyetje që do t’ia bëjnë gazetarët zotit Rama në konferencën e shtypit për vizitën në Amerikë.
K– E di që mbeta aguridhe dhe s’kuptoj thellë, po pse, nuk i bëjnë vetë pyetjet ata, zoti Fuga?
E– Kush t’i bëjë pyetjet?! Gjysma e gazetarëve të famshëm, mezi kanë mbaruar shkollën fillore. Ta kanë thënë edhe të tjerë këtë gjë…
K– Po përgjigjet e pyetjeve, ju ia shkruani zotit Rama?
E– Jo, jo, ato i shkruan vetë ai. Është më i aftë se unë për penë, të them të drejtën.
K– Të mërzitur ju shoh, zoti Fuga. Ç’ka ndodhur?
E– S’e ke marrë vesh Kaso?! Është sëmurur gazetari më i mirë që kemi ne, që unë e zoti Rama e kemi pikë të dobët. Ka një javë që s’del në ekran. Pa të, bota mediatike ka humbur shumë. Atij ia nis pyetjet e para që bëj. Të të them një sekret Kaso, por të mbetet mes nesh…
K – Ma thoni pa teklif, zoti Fuga. Mua të më varin dhe s’e hap gojën të nxjerr sekretin. E shumta që mund të bëj, është ta shkruaj.
E– Atë pyetjen që i bënë Merkelit: “A është Rama lider i Ballkanit?”, ia kisha dhënë unë…
K– Kuptoj zoti Fuga dhe më vjen keq që mbeti pa përgjigje ajo pyetje. Nejse, desha t’ju pyes: Në këndvështrimin tuaj, si shkoi vizita e zotit Rama në Amerikë?
E– Mjaft mirë, Kaso. Vetë Obama e priti Kryeministrin. Bëri edhe foto me të. E si të mos bënte, kur zoti Rama i ka luajtur fenë, e ka sharë atë Trampin, botërisht?!
K– Me këtë shprehjen “I ka luajtur fenë”, më kujtuat idenë e Kryeministrit, që feja të futet si mësim në shkolla. E juaja ishte si ide?
E– Jo, jo, Kaso. Kjo ide ishte e vetë zotit Rama. U bënë sebep ca Dëshmitarë të Jehovait, që e shqetësonin te vila e tij. Mëngjes, drekë e darkë i trokisnin në beton.
K– I trokisnin në derë, donit të thoshit…
E– Ku ka derë shtëpia e Kryeministrit, o Kaso xhani?! Ajo është rrethuar e gjitha me beton. Vjen kryeministri të nesërmen i tërbuar fare. “Endri, më tha. Kam një hall që më shqetëson”. Unë kujtova se e shqetësonte raporti i Bankës Botërore, sipas së cilës gjysma e miletit jetojnë si në Somali. “Kam vendosur, më tha, që fenë ta fusim mësim në shkollë. Kështu, edhe ata Dëshmitarët e Jehovait, që trokasin shtëpi më shtëpi, nuk do ta bëjnë më këtë veprim”.
K– E përse nuk do ta bëjnë?
E– Nuk do ta bëjnë, pra, Kaso, se njerëzit do të dinë gjithçka rreth fesë, se do ta kenë mësuar në shkollë. E ka menduar mirë zoti Rama këtë punë. “Kështu nuk lodhim duke bredhur derë më derë edhe Dëshmitarët e Jehovait”, më tha. Mendon për njerëzit Kryeministri, o Kaso. Nuk do t’i lodhë ata.
K– Ndaj propozoi zoti Rama futjen e fesë në shkollë domethënë…
E– Jo vetëm për faktin që të thashë, Kaso. E di ç’më tha Rama?
K– Jo, nuk e di.
E– Dëgjomë, Kaso! “Ne me planin e realizimit të tatimeve jemi për ibret, më tha. Me futjen e fesë në shkollë, ne kursejmë. Me fenë, njerëzit ndërgjegjësohen që duhet t’i japin Çezarit, çfarë është e Çezarit”. Pra, ndërgjegjësohen që Çezarit, domethënë Ramës, t’i paguajnë taksat. Kupton tani?
K– Domethënë, ju thoni që feja po futet në shkollë, që të ndërgjegjësohet mileti të paguajë taksat te Çezar Rama? Paska qenë e thellë kjo punë!
E– Sigurisht që e thellë, Kaso. Me forcë s’po e mbushim dot gropën në buxhet. Po s’e mbushëm, do na bëjë gropën në zgjedhje, kjo gropa e buxhetit. Na e merr LSI-ja pushtetin.
K– Një pyetje kisha unë, zoti Fuga: Si do t’i bëhet pas disa vitesh kur fëmijët që kanë mësuar në shkollë fenë, që të mos vjedhin, të mos gënjejnë e të tjera, të mos duan të votojnë fare?
E– Deri atëherë, o Kaso, ka kohë. Kur të rriten fëmijët me ato ide, kryeministër s’do jetë Rama. Do jetë ose lali Eri, ose Lul buzëqeshja, ose me shumë mundësi, Saliu. Një gjë të mirë ka ky shefi im. Të paktën s’do të rrijë në pushtet gjithë jetën si Sala. Ne, socialistët, jemi ndryshe nga demokratikasit. Vërtet mbushim xhepat, por ikim vetë, e shijojmë jetën. Ja, shiko Nanon ti? Iku e po bredh dynjanë për qejf…
***
__
Botuar më 22 Qershor tek Intervista.al