Ladri di biciclette (1948)

Ladri di Biciclette 1948-Poster
Ladri di Biciclette 1948-Poster

nga Anisa Vrenozi  

Regjizor: Vittorio De Sica

Aktorë: Lamberto Maggiorani, Enzo Staiola, Lianella Carell, Vittorio Antonucci

Neorealizmi Italian, i njohur edhe si Epoka e Artë e Kinemasë Italiane, është një lëvizje kombëtare e filmit që karakterizohet nga histori të vendosura në gjirin e të varfërve dhe klasës punëtore, filmuar në mjediset e tyre të zakonshme dhe shpesh realizuar me aktorë jo-profesionistë. Stili neorealist u zhvillua nga një rreth i regjizorëve dhe kritikëve të filmit të revistës Cinema, përfshirë këtu Luchino Visconti, Vittorio De Sica, Gianni Puccini, Cesare Zavattini, Giuseppe De Santis  dhe  Pietro Ingrao.

Filmat e Neorealizmit prezantojnë histori dhe ide bashkëkohore,dhe shpesh janë filmuar nëpër rrugët e qyteteve, pasi studiot filmike të Cinecittà ishte dëmtuar në mënyrë të konsiderueshme gjatë periudhës së luftës. Në të tilla filma kryesisht paraqiten kushtet e vështira ekonomike dhe morale të pas Luftës së Dytë Botërore në Itali, kohë që përfaqësojnë ndryshime të mëdha në psikikën italiane dhe kushtet e përditshmërisë së jetës, duke përfshirë varfërinë, shtypjen, padrejtësinë dhe dëshpërimin.

Neorealizmi kurrë nuk ka qënë më mirë prezantuar se në klasikun e 1948 të Vittorio De Sica, të titulluar ‘Ladri di Biciclette’ ose ‘Hajdutët e Bicikletave’ (herë pas here përkthyer gabimisht si “Hajduti i Biçikletave”, edhe pse shumësi është sigurisht i  rëndësishëm pasi rezulton se ka dy hajdutë: një në fillim të filmit e një tjetër në fund të tij).

Që në momentet e para, prezantohemi me karakterin kryesor të filmit, Antonion (Lamberto Maggiorani), një njeri i varfër i shoqërisë italiane të pas luftës i cili është mëse i entuziasmuar kur më në fund i ofrohet një punë e cila rezulton në vendosjen e posterave të filmave nëpër muret e qytetit. Por për të realizuar punën e tij, ai ka nevojë për një biçikletë dhe duhet ta sigurojë vetë atë, kështu që gruaja e tij Maria (Lianella Carelli) vendos peng tërë punimet e saj të qëndisura të familjes, për të rimarrë biçikletën që ishte lënë peng më parë. Në ditën e tij të parë në punë, biçikleta e tij, i cili në tërë botëkuptimin e filmit është një element tejet i rëndësishem, vidhet dhe Antonio ndërmerr një odise të dëshpëruar nëpër rrugët e Romës me djalin e tij të vogël Bruno (Enzo Staiola) për të gjetur biçikletën e tij. Gjatë tërë kësaj odiseje, Antonio vrapon, mundohet, lutet dhe akuzon, duke zbuluar në këtë mënyrë skena të një varfërie të ngjashme me të tijën kudo që shkon dhe përplaset. Gjithandej krijohet dhe ndjehet zhurma klasike e turmës: në rrugë, në një treg, në në kishë. Gjithmonë mblidhet zellshëm turma rreth Antonios dhe të birit, të gjithë duke komentuar, duke u ankuar dhe në këtë mënyrë duke amplifikuar ankthin dhe përuljen e atit dhe të birit.

Veçantia e kësaj historie në raport me filma të tjerë të ngjashëm në tipologji si Chaplini e birin e tij, qëndron në mënyrën sesa madhërishëm përcillen përjetimet komike apo dramatike. Bruno, i biri është dëshmia intime e poshtërimit të atit të tij dhe pamjaftueshmërisë së tij si një mbajtës i familjes. Skenat në fillim të filmit, kur Antonio rastësisht lë biçikletën e tij të pakyçur, por që mbetet për momentin mrekullisht e pagrabitur, shpalos plot ankth preludin e asaj që do të ndodhë.

Antonio duket i paftë ose jo i gatshëm për të përqafuar të vërtetën morale më të qartë dhe shpenguese – i biri është posedimi më i rëndësishëm, jo ​​biçikleta e mjeruar – dhe De Sica është gjithashtu jo i gatshëm për ta përqafuar këtë të vërtetë, pikërisht për shkak se ndoshta kjo e vërtetë është tepër e qartë ose sepse ky moral është një luks që vetëm njerëzit e pasur mund ta përballojnë. Babai është i fiksuar me gjetjen e një gjilpëre të humbur në kashtën urbane, për të fituar punën e tij sërish. Përsëri dhe përsëri, ai e injoron djalin e tij të vogël, ndërsa rend pas horizontit për biçikletën e tij.

Në një moment, ai dëgjon një zhurmë nga bregu i lumit në lidhje me një “djalë të mbytur”. Me një fillim fajtor, ai shikon përreth për Brunon. Jo, ja tek është ai, i sigurt dhe shëndoshë e mirë.

Por mësimi nuk është mësuar, madje ati nuk mban as dorën e Brunos! Dhe, në një skenë më vonë, ne shohim birin e varfër pothuajse të përplasur nga një makinë, sepse ati i tij nuk është duke u kujdesur për të. Mbijetesa fizike e Brunos është mrekullia e fshehtë e filmit dhe ai më në fund është shpëtimtari i babait të tij, por në një mënyrë të tillë që e bën poshtërim e Antonios të plotë. Kjo është fitorja autentike e varfërisë: Humbja banale dhe e tmerrshme e dinjitetit.

Ndaj, ‘Hajdutët e biçikletave është një, punë e shkëlqyer dhe e vërtetë arti, një thesar i jashtëzakonshëm kinematografik; origjinaliteti, ndikimi, realizimi dhe bukuria artistike e së cilës janë të pakrahasueshme me nodnjë vepër tjetër. Vittorio De Sica ka arritur të krijojë një nga filmat më të rëndësishëm në historinë e njerëzimit dhe si e tillë konsiderohet edhe në ditët e sotme. Procesi i rindërtimit gjatë periudhës së pasluftës përshkohet paralelisht dhe saktësisht me të njëjtin proçes të brendshëm që karakteret e filmit duhet të ndërmarrin në nivelin e tyre personal. Ka gjithmonë një fillim të ri për çdo gjë, dhe pavarësisht ngjarjeve të vështira nëpërmjet të cilave duhet të kalojmë, perspektiva dhe botëkuptimi me të cilën vendosim për të pare në veçanti çdo detaj të jetës është pikërisht ajo që bën diferencën në ekzistencën tonë.

Tags from the story
, ,
More from Edi Sara

Nostalghia (1983)

nga Anisa Vrenozi Regjizor: Andrei Tarkovsky Skenari: Andrei Tarkovsky , Tonino Guerra...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.