Me rastin e 31-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri

American-Albanian-relations
American-Albanian relations
Me rastin e 31-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike ShBA-Shqipëri, një ravijëzim historik se si arritëm në 1991, dhe faktorët kryesorë që sollën në këtë ngjarje.

Më 15 mars 1991, në Washington D.C. u mbajt memorandumi i ri-vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes SHBA dhe RSH. Përveç delegacioneve zyrtare të kryesuara përkatësisht nga Min. Punëve të Jashtme për shtetin tonë asokohe z. Muhamet Kapllani, dhe Ndihmës Sek. i Dep. për SHBA z. Razmond Seitz, ceremonia u ndoq edhe në prani të 150 pjesëmarrësve nga jeta aktuale politike dhe shtypi amerikan, dhe me kërkesë të veçantë nga Shtëpia e Bardhë për të qenë prezent edhe anëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan. Ndofta shumëkujt prej jush, i duket i çuditshëm insistimi i palës amerikane për të pasur prezent personalitete të forumit shqiptaro-amerikan. Për ata të cilët nuk janë në dijeni, më lejoni të shpalos disa fakte mbi zhvillimet e ngjarjeve përpara kësaj date formale, fakte të cilat hedhin dritë mbi racionalen mbas insistimit amerikan dhe kontributin që luajtën në këtë drejtim.

*Ky shkrim i dedikohet Ambasador Bashkim Rama, ekspertin e diplomacisë rajonale shqiptare, prindin e shkëlqyer dhe mikun e çmuar e të rrallë.

Takimi i parë zyrtar midis dy shteteve u zhvillua më 1 maj 1990 në ambientet e OKB-së, midis Amb. tonë z. Bashkim Pitarka dhe zv. Përfaqësuesit të SHBA në OKB e njëkohësisht zv. Ndihmës Sek. Shteti për Çështjet Europiane z. Kurtis Warren Kamen. Pala tonë shpalosi kërkesën e finalizimit të proçesit brenda qershorit 1990, por pala amerikane, duke ndjekur imtësisht zhvillimet e vrullshme dhe hapat e parë pluralistë në vendin tonë, përfshirë dhe eksodin e shqiptarëve në ambasadat e huaja gjatë korrikut, propozoi gushtin për takimin e dytë, i cili u realizua po në Washington në 23 gusht të 1990-ës, sërish midis z. Pitarka dhe z. Kamen. Padyshim që qëndrimi amerikan ndikohej pikërisht nga anëtarët e forumit shqiptaro-amerikan, të cilët ishin të vendosur për të ndjekur, siguruar e forcuar demokracinë e brishtë të sapolindur në Shqipëri. Pas njohjes zyrtarisht nga Tirana të pluralizmit në Shqipëri në dhjetor të 1990-ës, pasqyruar me ndryshimet përkatëse në kushtetutën e re të RSH, Departamenti i Shtetit Amerikan ra dakord për të vijuar më tej me bisedimet dypalëshe, duke pranuar datën 15 mars të propozuar nga pala shqiptare, por sërish duke vënë si kusht ndjekjen monitorimin nga afër të zgjedhjeve të para elektorale që do mbaheshin në 31 mars 1991.

3 ditë mbas nënshkrimit dypalësh të memoratoriumit (pra në 18 mars), Ndihmës Sek. i Dep. të Jashtëm amerikan për çështjet Kanadeze dhe Europiane, z. Raymond Seitz, në notën përshëndetëse dërguar Tiranës zyrtare, asokohe drejtuar Min. Punëve të Jashtme z. Muhamet Kapllani, ndër të tjera shkruan:

“The relationship between our countries goes back to the early years of this century, when President Wilson extended American support for the young Albanian state. That relationship was never forgotten by the many thousands of American of Albanian origin, some of whom are in this room, who kept contact with their homeland.

Despite differences in political systems, the common interests of our two countries have not altered since President Wilson’s time. […]

Today, Albania stands on the threshold of a new future. The Albanian people have made clear their hopes for a more democratic and prosperous country. The US supports and encourages the process of political and economic reform which has begun in Albania. [..]

Before closing, I would like to thank all the many people who made this day possible. Among them are a number of distinguished Americans of Albanian origin in this room today who contributed immensely of their time and efforts to forge a new relationship between our two countries. [..]”[1]

Siç vihet re edhe nga vetë nota e zv. Sek. z. Raymond Seitz, shihet qartë kontributi i madh që komuniteti shqiptaro-amerikan ka dhënë në mbajtjen gjallë të frymës miqësore dhe dëshirës për bashkëpunim, jo vetëm në kurorëzimin e një date formale e cila sot përkujtohet thjesht si ri-vendosje e marrëdhënieve diplomatike, por për më tepër se përmes prezencës së tyre në shoqërinë amerikane, duke u arsimuar, punuar e jetuar në shtëpinë e tyre të 2-të në SHBA, ata nuk harruan kurrë rrënjët e tyre, e nuk u dorëzuan për 52 vjet as përballë një regjimi totalitar i cili izoloi familjarët dhe vendin e tyre nga bota. Përmes shtypit amerikan dhe atij lokal në gjuhën shqipe (Dielli, Besa-Besë), dhe padyshim Radiove “Zëri i Amerikës” dhe “Europa e Lirë”, përfaqësuesit e komunitetit  arrinin të transmetonin ekon e zërit të tyre edhe në vendin tonë të izoluar fizikisht, duke mbajtur lart frymën dhe shpresën e bashkatdhetarëve të tyre se dita e lirisë shpejt po afrohej.

5 ditë mbas nënshkrimit dypalësh (pra 20 mars), SHBA-të dërguan funksionarët e pare në Tiranë dhe për të vëzhguar zgjedhjet e 31 marsit’ 91. Gjatë prillit, pala shqiptare nisi si të ngarkuar me punë të posaçme z. Sazan Bejo për të zhvilluar takimet e para në Dep. E Shtetit, si dhe për të siguruar një godinë për ambasadën shqiptare. Ndërsa pala amerikane, në shenjë demonstrimi të vullnetit të saj për bashkëpunim dhe mbështetje të parimeve pluraliste e demokratike, dërgon në 22 qershor 1991 Sek. e Shtetit Xhejms Bejker. Më 1 tetor 1991 rihapet Ambasada Amerikane në Tiranë, fillimisht e drejtuar nga i Ngarkuar me Punë z. Christopher Hill, ndërsa më 21 dhjetor 1991 paraqet kredencialet ambasadori i pare z. William E. Ryerson. Një vit më vonë, paraqet kredencialet në Washington ambasadori i parë shqiptar z. Roland Bimo.

Megjithatë, forumi shqiptaro-amerikan ka dëshmuar se ka qenë një urë kolosale titani për marrëdhëniet midis dy vendeve tona jo vetëm gjatë dhe mbas periudhës së Luftës së Ftohtë, por qysh në momentet e hedhjes së themeleve të shtetit modern shqiptar. Mos harrojmë se 15 marsi simbolizon “ri-vendosjen” e marrëdhënieve diplomatike, e jo “vendosjen”. Nga ana tjetër, për të vendosur marrëdhënie diplomatike, rrjedhimisht një shtet duhet të jetë i njohur ndërkombtarisht, ndryshe nuk ka si të vendosë marrëdhënie me një shtet tjetër. Pavarësisht se sot njihet dhe pranohet botërisht e drejta universale për çdo komb për të vendosur parimet e veta të qeverisjes se vet, nëse shohim pas në Shek. XIX, ky parim ish një mendim reaksionar në gjirin e monarkive europiane. Dhe populli ynë i robëruar e i përvuajtur, është mëse i ndërgjegjshëm për kalvarin e gjatë të luftërave dhe përpjekjeve për liri e vetëvendosje. Dhe është pikërisht në saj të dy shtetarëve në fund të shek. XIX, kur tezat e vjetra “shtet-komb” të oborreve aristokratike europiane filluan të shkunden nga themelet. Ishin Presidenti Woodrow Wilson i SHBA në kampin Perëndimor, dhe Premieri Vladimir Lenin në kampin lindor, ata të cilët përtej qasjeve të tyre ideologjike për mënyrën e qeverisjes dhe strukturave shtetërore, në princip përqafuan, mbështetën dhe u zotuan t’i qëndrojnë besnik duke e inkorporuar si pjesë të strategjisë dhe diplomacisë së tyre shtetërore, duke universalizuar kështu në praktikën ndërkombëtare parimin e vetëvendosjes së lirë të kombeve të vegjël e të shtypur.

Më duhet të ndalem pak në këtë periudhe historike pak mbas shpalljes tonë të pavarësisë, të cilësuar jo më kot si vitet e brishta nga Kadareja, për të nxjerr në pah mbështetjen e fuqishme dhe vëmendjen e veçantë që Pr. Wilson i dedikoi kauzës shqiptare. Së pari, përveç veprimtarëve të patriotëve të mirënjohur shqiptarë që kanë dhënë pafund ndaj kauzës atdhetare, si F.S. Noli, Faik dhe Mehmet Konica, Kosta Çekrezi[2] etj., duhen përmendur dy dashamirës e bamirës anglezë të kauzës së kombit tonë, Edith Durham dhe Charles Crane (Çarls Krejn) (një prej sponsorve kryesorë të fushatës elektorale dhe mik personal i W. Wilson), të cilët nuk u kursyen në asnjë çast për të sjellë në vëmendje të shtetarëve të tyre njohjen e pavarësisë së vendit tonë. Por sërish faktori dinamik që vë në lëvizje vorbullën e ngjarjeve historike, na drejton drejt komunitetit shqiptaro-amerikan, e pikërisht tek çifti patriotik Kristo Dako (mik i Asdrenit, njohur në Bukuresht, bashkëthemelues i shoqërisë Vatra) dhe Sevasti Qiriazi (sëbashku me motrën Parashqevi, konsideruar si nënat e arsimit shqiptar, 7-marsi sot si dita e mësuesit përkushtuar shkollës së hapur për vajza prej familjes së tyre në 1891). Sevasti njihej me Krejn pasi kish studiuar në shkollën amerikane në Stamboll, pronar dhe president i të cilës ish vetë biznesmeni anglez. Krejn u njoh me Durtham përmes Kristos dhe Sevastisë gjatë vizitës së tij në Shqipëri në 1911. Nga ky moment Krejn u zotua të lobonte përmes lidhjeve personale në favor të faktorit shqiptar edhe në parlamentin britanik. Në këtë rreth futet edhe misionari amerikan kapiteni Caris Telford Erikson, themelues i Kryqit të Kuq Amerikan në Shqipëri, i cili kish qëndruar në vitet 1908-1913 në vendin tonë, dhe i cili ish bërë dashamirës dhe mbështetës i kombit tonë duke përjetuar në vetën e parë përvuajtjet dhe përpjekjet e themelimit të shtetit të parë shqiptar.

Është pikërisht kjo nyje e ngushtë personalitetesh, e cila përbën nukleun e bërthamës së ndërgjegjes patriotike kombëtare në zhvillimet që pasuan gjatë Konferencës së Paqes në Paris. Vënë në dijeni përmes informacioneve të së motrës, burrit dhe anëtarëve të tjerë të shoqërisë Vatra, Sevasti Qiriazi i dërgon tre letra Presidentit Wilson në janar 1919, ku mes të tjerash i kërkon njohjen e Kosovës, Çamërisë dhe gjithë krahinave të tjera të cunguara 6 vite më parë nga trungu shqiptar. I prekur dhe i ndikuar dhe personalisht përmes lidhjeve të mësipërme, si dhe nga letra të shumë personaliteteve të tjera, përfshirë letra e studentëve shqiptarë nga Univ. Mbretëror në Romë nënshkruar nga Kostandin Kote,[3] Pr. Woodrow Wilson ndërmorri hapin vendimtar duke shkatërruar të gjitha pazaret europiane të ngritura mbi plaçkën shqiptare që shtrihej thjesht si një shprehje gjeografike mbi hartë, duke i qëndruar kështu besnik deklaratës fillestare të famshme të 14 pikave në seancën hapëse të Konferencës së Paqes më 8 janar 1919. Qëndrimin e vet idealist dhe në mbrojtje të vetëvendosjes së lirë të kombeve e duke refuzuar çdo pazar politik europian, Pr. Wilson e bëri të qartë sërish në fjalën e mbajtur në Kongresin amerikan në dt. 11 shkurt 1919[4], duke raportuar mbi zhvillimet e Konf. së Paqes në Paris, fjalim i cili ish një kamzhik përcëllues për homologet e vet europianë. Pozicioni stoik i Pr. Wilson në mbrojtje të kombit tonë, arrin majën kur ai shprehet qartë për kundërshtimin e copëzimit të Shqipërisë në bisedimet e dt. 6 maj 1919 kur ai kundërshton haptazi traktativat shoviniste greko-italiane.[5]

Pjesa tjetër e zhvillimeve historike është trajtuar gjerësisht nga akademikë, gazetare e diplomatë, por nga ky moment historik, populli shqiptar, dalloi bamirësit e vet ndërkombëtar të sinqertë, të cilët konkretizuan në një vepër konkrete deklaratat idealiste. Edhe regjimi i parë republikan e më pas monarkist zogist, ia njohu meritat SHBA, duke kultivuar shpejt marrëdhënie të ngushta bilaterale në fushat e ekonomisë dhe kulturës, duke përmendur këtu shkollat e para teknike profesionale të ndërtuara nga Organizata e Kryqit të Kuq Amerikan në 1921 në disa qytete kryesore të vendit, shkolla teknike e themeluar nga Harry Fultz po të njëjtin vit, ndërsa në 1924 themelohet kolegji i parë shqiptaro-amerikan i bujqësisë në Kavajë e një vit më vonë dhe shkolla e vajzave po në Kavajë, në 1925 shkolla fillore në Korçë nga çifti i misionarëve protestantë Fineas dhe Violet Kenedi, e më vonë po në Korçë duke zgjeruar e një degë të kolegjit bujqësor të çelur fillimisht në Kavajë. Në 1922, MPJ Xhafer Ypi bisedon me komisionerin amerikan Maxwell Blake për vendosjen zyrtare të ambasadës amerikane në Tiranë, dhe duke marrë në shkëmbim edhe Statusin e Vendit të Favorizuar për shkëmbime tregtare në korrik 1922[6]. Ambasadori i parë amerikan z. Ulysses-Grant Smith paraqiti kredencialet e njohjes në 4 dhjetor 1922, duke zyrtarizuar përfundimisht bashkëpunimin bilateral në bazë të parimit thelbësor në diplomaci, atij të reciprocitetit.[7] Marrëdhëniet mes dy vendeve tona lulëzuan deri në vitin 1939, kur ato u ndërprenë si pasojë e shuarjes së shtetit tonë nga pushtimi fashist.

Përtej kumtesës historike që ju parashtrova më lart, jam i bindur që veshë-mprehtët vunë re që, në hyrje të fjalës sime cilësova përkujtimin si, e citoj këtu sërish veten, “ri-vendosjen e marrëdhënieve mes shtetit tonë dhe SHBA-ve.” Jo pa qëllim veçova fjalën shteti jonë, e nuk përmenda Shqipërinë në emër apo fjalën vend. Të dyja do ishin të pavend për t’u përdorur, pasi të dy emrat mbartin cilësinë e kumtimit të popullit, pra strukturat shtetërore, kasta politike, dhe klasat shoqërore që asokohe, revolucioni proletar trumbetonte se arriti t’i zhdukte e të unifikonte shoqërinë shqiptare në një klasë të vetme politiko-shoqërore, nga e cila gëzonte mbështetjen absolute. Duke ndjekur interesat e veta, elita e Rep. Popullore e Shqipërisë kreu disa kërcime pindarike në politikën e jashtme të vendit, gjithmonë duke justifikuar veprimet brenda kornizave mbrojtëse të idealeve marksist-leniniste. Në secilin rast, qoftë pas prishjes me jugosllavët, qoftë pas prishjes me sovjetiket, e qoftë pas prishjes me kinezët, qeveria proklamonte se kish mbas mbarë popullin proletar shqiptar në mbështetje te vendimeve të tyre. Por a ishte ky vërtet mendimi i popullit tonë?

Të dashur miq, përgjigja evidente gjendet në arkivat e shtetit shqiptar, në dosjet e panumërta të të dënuarve politikë, dosje të cilat padyshim të drejtojnë drejt kampeve të përqendrimit. Disa prej jush, po mendojnë ndoshta përse e përmenda këtë copëz tragjike të së kaluarës sonë? Një histori e cila krijon shpesh herë emocione të forta tek audienca, pasi statistikisht numri i të dënuarve apo të ekzekutuarve në raport me popullsinë asokohe, të bën të konkludosh që mesatarisht çdo familje shqiptare e kish të paktën një të dënuar ose përndjekur politik. E pra të dashur miq, pikërisht këtu shtrohet dhe thelbi i arsyetimit tim, pasi logjika detyrimisht të drejton në një përfundim kundërshtues me atë që proklamonte byroja politike: populli proletar shqiptar mendonte ndryshe, e kërkonte që përfaqësuesit e vet të vepronin duke reflektuar mendimin dhe ndjenjat e ndërgjegjes kombëtare, të cilat kumtonin heshturazi kërkesën për lirinë e fjalës dhe mendimit të individit. Dy koncepte abstrakte për nomenklaturën komuniste, por dy cilësi që vërtetojnë dashurinë historike të popullit tonë për liri, dëshmi e pakontestueshme se edhe në këtë periudhë të regjimit totalitar, populli e shoqëria shqiptare mbartte një ADN proto-demokratike. Thellë në zemër e në ndërgjegjen e kombit tonë, shqiptarët shihnin nga perëndimi, ku SHBA-të udhëhiqnin ligën e demokracive të përparuara.

Pra të dashur miq, 15 marsi i 1991-ishit, në rradhë të parë duhet kujtuar nga ne si dita kur demokracia bëri të mundur kanalizimin e drejtpërdrejt të zërit popullor në strukturat tona shtetërore, dhe ku politika e jashtme e vendit tonë u riorientua tashmë me mëndje e zemër drejt pishtarit të demokracisë botërore. E kjo shpjegon më kollaj se sa shpejt u kultivuan marrëdhëniet e ndërsjella mes dy vendeve tona në cilëndo fushë mbas rënies së regjimit të nomenklaturës komuniste tek ne. Sinqeriteti i SHBA nuk vonoi të dëshmohej.

Vetëm  7 vite mbas ri-vendosjes së marrëdhënieve tona diplomatike, SHBA-të bëjnë të mundur të shmangin një Ruanda të 3-të në Botë, ose një Srebrenicë të 2-të në Ballkan,. Në saj të vendimmarrjes së administratës Klinton, u bë e mundur ndërhyrja e shpejte humanitare e cila shmangu jo vetëm një spastrim etnik në qendër të Ballkanit, por i dha një goditje vdekjeprurëse regjimit të fundit anti-demokratik dhe me një ADN ultra-nacionaliste në Europën e pas-Luftës së Ftohtë. Guximi dhe shpirti human amerikan, konkretizuar dhe nga vullneti e dëshira për të vijuar me projektin idealist-Uillsonian për të garantuar lirinë e drejtësinë e popujve në botë, bëri të mundur edhe hedhjen e hapit parësor për të korrigjuar një nga gafat më të rënda historike të aristokracisë Europiane të kryera në kurriz të vendit tonë.

Ndërkohë, lista e marrëveshjeve të nënshkruar midis dy vendeve tona ose ajo e vizitave të nivelit të lartë shtetëror, është mjaft e gjatë, gjë e cila provon frutin e miqësisë dhe bashkëpunimit të ngushtë. Më lejoni që ndër marrëveshjet e nënshkruara më të spikatura me hyrjen e pluralizmit në vendin tonë, të veçoja:

  • Në fushën ekonomike e financiare, atë të 15 marsit 1991 për bashkëpunimin ekonomik duke rivendosur statusin e kombit më të favorizuar e jo-diskriminues, dhe ajo e 1995 për mbrojtjen reciproke të investimeve, kontributet e ardhura ndër vite nga USAID, dhoma tregtare amerikane, Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit, Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim etj.
  • Në fushën e drejtësisë e rendit, bashkëpunimi përmes Programit të Ndihmës dhe Trajnimit të Zhvillimit të Prokurorisë (OPDAT), Programi Ndërkombëtar i Ndihmës së Trajnimit të Hetimit Kriminal (ICITAP), marrëveshja e përfshirjes së Policisë së Shtetit në Iniciativën Botërore për Luftën kundër Terrorizmit,
  • Në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, krijimi i zyrës së Bashkëpunimit Ushtarak (ODC) pranë ambienteve të MM në 1992, programet e gjëra të mësimdhënies dhe asistencës, bursave, trajnimeve e shkëmbimeve profesionale për FA tokësore/ajrore/detare, e deri në kontributin e paçmuar amerikan për integrim në NATO i cili u kurorëzua në vitin 2009. Vendimi për investim në bazën ajrore ushtarake të Kukësit në 2019, tregon qartë klimën e besueshmërisë që Amerika ka duke zgjedhur Shqipërinë si partnere strategjike në rajon. Nga ana jonë, vendi ynë vijon aktualisht të kontribuojë me forca ushtarake në misionet paqeruajtëse të NATO-s në Afganistan, BiH, Kosovë, Mali, Letoni dhe detin Egje, e në të kaluarën edhe në Irak, Çad, e Gjeorgji.[8] Pozicionimi i PJ shqiptare në krah të partnerëve amerikan, është dëshmuar rrishtazi në NATO, duke përmendur edhe momente tensioni mes SHBA gjatë Administratës Trump e aleatëve Europian në Samitin e NATO-s zhvilluar në Bruksel në 2019, kur Shqipëria, në vetë fjalët e Këshilltarit  të Presidentit për Sigurinë Kombëtare John Bolton,[9] ish e vetmja që mbështeti kërkesën dhe kritikën amerikane për ngritjen e kontributeve të vendeve anëtare të NATO-s në nivelin e 2% të PBB së tyre respektive.

Përsa i përket listës së vizitave të nivelit të lartë shtetëror, më lejoni të përmend ato të palës amerikane në Shqipëri, të konsideruara si të veçanta për rrethanat e kohës dhe vendit të cilat prodhojnë momentin historik, atë të Sek. të Shtetit Xhejms Bejker 22 qershor 1991, Sek. Shtetit Madeleine Albright (19 shkurt 2000), dhe Pr. Xhorxh Bush Jr. 10 qershor 2007. Të shumta janë dhe vizitat e përfaqësuesve të vendit tonë në Washington, ku në nivel presidencial kanë ndodhur gjatë viteve 1992, 1995, 2008 e 2012, në nivel KM në 2012, 2014, 2015.

Në mbyllje të fjalës sime, të dashur miq, do doja të tërhiqja vëmendjen, se në historinë e ekzistencës së shtetit modern shqiptar, SHBA mbeten në pol-position përsa i përket vullnetit pozitiv e të sinqertë në mbështetje të faktorit shqiptar, konsolidimit të demokracisë dhe progresin e zhvillimit ekonomik. Përfundoj këtu fjalën, me besimin se e ardhmja e marrëdhënieve tona do vazhdojë të forcohet, e shpresoj që fushat e bashkëpunimit të shtrihen më tej në çdo nivel veprimtarie shtetërore e sipërmarrjeje private. Garantues për kultivimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona, do mbetet padyshim blloku monolitik i forumit shqiptaro-amerikan, të cilët i përshëndes përzemërsisht e plot respekt.

Duke falenderuar lexues-in/-esen për vëmendjen,

Gëzuar 31-Vjetorin e Rivendosjes së Marrëdhënieve Diplomatike mes dy vendeve tona,

Mirënjohje përjetë popullit amerikan për kujdesin, dashamirësinë dhe përkushtimin që ka treguar ndaj popullit tonë.

31 Vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-RSH

 

-###-

 

[1] Raymond Reitz, Remarks: https://heinonline.org/HOL/LandingPage?handle=hein.journals/dsptch2&div=144&id=&page=

[2] https://www.zeriamerikes.com/a/1553809.html

[3] https://www.loc.gov/resource/rbc0001.2018wilson56491/?sp=9&r=0.142,0.991,0.85,0.348,0

[4] https://www.firstworldwar.com/source/fourteenpoints_wilson2.htm

[5] Burimi: Arkiva e Dep. Te Shtetit Amerikan, Konferenca e Paqes ne Paris 1919, Vol. V, Seksioni IC: 181 C, dt. 6 Maj, ora 11 p.d., pika 15: https://history.state.gov/historicaldocuments/frus1919Parisv05/d46

https://history.state.gov/historicaldocuments/frus1919Parisv05/pg_483

[6] https://www.monitor.al/shqiperia-kombi-me-i-favorizuar-me-1922-2/

[7] https://history.state.gov/countries/albania

[8] MM: https://www.mod.gov.al/index.php/politikat-e-sigurise/misione-nderkombetare

[9] John Bolton, “The Room Where it Happened, A White House Memoir”, f. 144.

Tags from the story
,
More from Edi Sara

(8)DHJE/Torizimi i Opozitës: Metamorfoza e idealit nga Europa (‘90) tek Bunkeri (‘15)

25-vjet më parë gjëmoi thirrja: E duam Shqipërinë si gjithë Europa! Data...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.