Testament mbi humanizmin: A vleka lekura e frëngut më tepër?! -Cilësia paska sasinë e saj.

Focus on Paris, and forget the world
Focus on Paris, and forget the world

Ex-post synopsis

“Vdekja e një personi është tragjedi, vdekja e milionave është statistikë.”- J. Stalin

Kanë kaluar 72-vjet nga Konferenca e Teheranit kur Stalin-i e tha këtë frazë përpara Winston Churchill-it, dhe pavarësisht brendisë së hidhur që përmbante kjo shprehje e ngurtë porsi vetë “çeliku” aso kohe, duket se efikasiteti në përdorimin substancial të saj fatkeqësisht gjen fakte epistemologjike edhe sot.

Megjithatë, sado e hidhur të jetë trajta substanciale e frazës së mësipërme, edhe më e hidhur bëhet përqasja e saj përballë dialektizmit Hegelian ndaj raportit sasi-cilësi. Nisur nga materializmi dialektik, Lenini pati thënë dikur edhe aforizmin: “Edhe sasia ka cilësinë e saj.”

Mirëpo nën dritën e ngjarjeve të fundit, pas sulmeve terroriste të 13 nëntorit në Paris, shikojmë se një debat i ri filozofik me në qendër qënien njerëzore vihet në fokus: a ka vlerë qënia ekzistenciale e njeriut? Nëse po, sa vlen ajo kur vihet në raport kolektiv? Natyrisht, këto pyetje ontologjike ngrihen natyrshëm nga mendimi skeptik kur jeta e njeriut thjesht konvertohet në një shifër e cila i shtohet një shume të mbledhur jetësh, duke dhënë në fund një rezultat të ftohtë nëpërmjet një numri total.

Çfarë vlere do të kishte vlera e jetës së Sartrit, Derridasë, Fukosë, Madame de Stael, Simon de Beauvoir, Coco Chanel etj. nëse këta emra do gjendeshin në ndonjë listë të gjatë viktimash e cila në fund do përfundonte me një “TOTALI”, të përcjellë nën tingujt e therrshëm të Lacrimosas? Në fund të ditës, ku qëndron diferenciali midis këtyre emrave dhe pjesës tjetër të qënieve njerëzore? Duket se kur vjen puna për numërim, një individ sido ta shumëzosh apo pjesëtosh kapacitetin dhe kontributin e tij ndaj shoqërisë apo humanizmit, ai/ajo do konvertohet sërish në numrin 1. Pra tragjedia në këto raste paraqitet pikërisht njëherë në fund të Totalit, dhe nuk flitet më për drama individuale, por amplituda statistikore në totalin e numrit të viktimave.

 

Plagë në Paris/ Gjëmë në Lindjen e Mesme:

Për t’u kthyer në kronikën e zezë të terrorizmit global fetar kundër të pafeve të shpallur nga fondamentalistët islamikë, le t’i konkretizojmë aludimet tona filozofike të bëra pak më sipër nëpërmjet progromeve të bëra në emër të Perëndisë. Për të mos u zgjatur, më poshtë po përmendim kronologjikisht vetëm sulmet krysore të cilat kanë shkaktuar një numër viktimash civilë >50 (të vdekur, pa llogaritur të plagosurit) për periudhën nga fillimi i 2015 deri më sot, 20 nëntor:

Data | Vendodhja e ngjarjes | Nr. Viktimave 

  • 3-7 Janar: Baga, Nigeri- > (mbi) 2000 të vdekur. Autorësia: Boko Haram (BH).
  • 25 Janar: Mamasapano, Filipinë- >67 civilë + 44 policë. Autorësia: Luftëtarët Islamikë Bangsamaro të Lirisë dhe Fronti i Çlirimit Islamik Moro.
  • 30 Janar: Shikarpur, Pakistan- 60. Autorësia: Jundullah, pjesë e Tehrik Taliban Pakistan (TTP), organizatë e cila deklaroi se iu bashkua kauzës së Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit (ISIL).
  • 4-5 Shkurt: Fotokol, Kamerun- >91. Autorësia: BH.
  • 7 Mars: Maiduguri, Nigeri- 58. Autorësia: BH.
  • 20 Mars: Sana’a, Jemen- 137. Autorësia: Shteti Islamik (IS).
  • 1 Prill: Garissa, Kenia- >147. Autorësia: Al-Shabaab, mbështetëse e Al-Kaedës dhe idesë së krijimit të kalifatit islamik.
  • 17 Qershor: Monguno, Nigeri- 63. Autorësia: BH.
  • 25 Qershor: Kobani, Siri- 146. Autorësia: IS.
  • 26 Qershor: Leego, Somali- 70. Autorësia: Al Shabaab.
  • 1-2 Korrik: Kukava, Nigeri- 145. Autorësia: BH.
  • 5 Korrik: Jos dhe Potiskum, Nigeri. Autorësia: BH.
  • 17 Korrik: Damaturu, Nigeri- 64. Autorësia: Dyshohet BH.
  • 17 Korrik: Khanati i Bani Saad-it, Irak- 100~180. Autorësia: IS.
  • 10 Gusht: Provinca Dijala, Irak- >50. Autorësia: IS.
  • 13 Gusht: Bagdad, Irak- >76. Autorësia: IS.
  • 20 Shtator: Maiduguri, Nigeri- 145. Autorësia: BH.
  • 5 Tetor: Bagdad, Irak- 57. Autorësia: IS.
  • 10 Tetor: Ankara, Turqi- 102. Autorësia: IS.
  • 31 Tetor: Gadishuli Sinai, Egjypt- 224. Autorësia: ISIL.
  • 13 Nëntor: Paris, Francë- 129. Autorësia: IS.

 

Epigram

Tani, nëse shkojmë pas frazës staliniste, le t’i tërheqim vëmendjen lexuesit për të veçuar pak sulmet terroriste të cilat kanë shkaktuar një numër më të madh viktimash në krahasim me sulmin e fundit të datës 13 nëntor në Paris. Për këtë arsye më lart i kemi nënvizuar shifrat >129. Unë i drejtohem tani lexuesit: për sa prej këtyre sulmeve terroriste kanë folur mediat tona, për sa kemi dëgjuar ne, dhe në fund, për sa kemi manifestuar solidaritetin tonë nëpër rrjete sociale duke ndryshuar fotot e profilit?

Ndërsa për sa i përket aforizmit leninist, nga raporti i numrave të mësipërm, na del një zbulesë e re edhe më tragjike: tashmë sasia nuk ka më cilësinë e saj, por kjo e fundit përmban cilësinë e vet vis a vis sasisë. Çfarë ka një francez më tepër se një nigerian, më tepër se një iraken, më tepër se një jemanez, më tepër se një kenian, më tepër se një rus, më tepër se një sirian? Duhet të sulmohet vallë Parisi duke mjafuar me 129 viktima, që të krijohet një front i përbashkët koalicioni për të shtypur gangrenën e kalifatit islamik? Mos jeta e këtyre kombësive/racave nuk vleka sa lëkura e frëngut?

Epitaf mbi qënien dhe hiçin

Këtu gjerdet solidariteti njerëzor,

ai lindi i pafajshëm, u rrit i manipuluar, jetoi si humanist, dhe vdiq si besimtar.

Dedikuar me dashuri nga Hipokrizia.  #prayforhumanity

~2015 vite civilizim kristian, ~1437 vite civilizim islamik

Tags from the story
,
More from Edi Sara

105 Vjetori lindjes, Shqipëria 28-vjet pa të

Si sot (16-Tetor), 105 vjet me pare, ne nje rrugice lart ne...
Read More

1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.