Eulogji për Fatos Nanon dhe legaliteti i tij si “liberal admirues pushteti pa pushtet” në pluralizmin politik shqiptar

Tribute to Fatos Nano-01.11.25

Liberali: admirues i pushtetit pa pushtet.”- G. Orwell

1 nëntori, dita e gjithë shenjtorëve, u zbardh me një hidhërim të thellë për politikën shqiptare. Patriarku i parë socialist që bekoi dhe zgjedhjet e para pluraliste e që drejtoi shtetin në vitet e brishta të demokracisë foshnjarake e pavetëdije, Fatos Nano, u nda nga jeta pas një heshtje të gjatë e të imponuar politike, por padyshim jo legaliteti i tij politik i cili do të mbetet një memento monumentale për gjithë brezat e rinj, aspirues të një politike liberale e reformatore.

Sikurse ndodh në kësisoj rastesh të largimit nga jeta të një figure të shquar politik, zakoni i shtypit kërkon një përmbledhje të shkurtër të historikut dhe aktivitetit politik. Për këtë informacion, lexuesi mund të shfletojë kollaj portalet mediatike dhe shtypin shqiptar. Këtu gjendet shkurtimisht një eulogji për njeriun i cili morri përsipër të drejtojë vendin në një kohë stuhie politike në vijim të rënies së Murit të Berlinit dhe hapjes së perdes së hekurt të diktaturave komuniste.

Ishte Fatos Nano ai të cilit, nomenklatura në shpërbërje e sipër, i besoi fijen e perit të Ariadnës për të orientuar Shqipërinë të dilte nga terri i errët i labirintit pluralist politik në të cilën po hynte, si dhe kamën e Peleut për të kryer prerjen e artë davinciane në qorrsokakun ideologjik dhe kapsllëkun partiak që i gjeti shqiptarët të pavendosur e të frikësuar:

  • e para- “të pavendosur” pasi ishin të panjohur me alternativën e ofruar nga perëndimi për një sistem kapitalist me ekonomi tregu të hapur e parimet e lirisë së fjalës, shtypit e mendimit, sundimi i ligjit dhe ndarja e pushteteve ishin themelet bazë të sistemit demokratik;
  • e dyta – “të frikësuar” pasi kujtojmë se në zgjedhjet e para të marsit-prillit 1991, një pjesë e vogël e votuesit shqiptar zgjodhi të votonte “frontet demokratike” të krijuara artificialisht nga partia mëmë komuniste, ndërsa 1.1 milion mbeti besnike ndaj PPSH-së.

Për këtë, pavarësisht emocioneve dhe ngjyrimeve ideologjike që shqiptari mund të ketë, merita e Nanos mbetet shmangia e gjakderdhjes dhe dhunës civile në rolin e tij si KM i parë i qeverisë teknike të tranzicionit, për të cilën shumë vende të tjera të ish-bllokut lindor socialist nuk i shpëtuan dot. Ai mbetet figura kyçe për tranzicionin politik shqiptar, kur dhe si fitues i zgjedhjeve të marsit-prillit’91, në rolin e KM në krye të socialistëve, zgjodhi të orientojë e udhëzojë 1.1 milionë besnikët e marksizëm-leninizmit-enverist që në zgjedhjet e përsëritura të marsit’92, të harronin ngjyrën e kuqe e të lyheshin blu.

Përveç kontributit si një politikan i mirë-kalkuluar dhe i zhdërvjellët për të lundruar në rrymat e ndryshimeve botërore politike e ruajtur paqen e siguruar rendin në vitet e brishta të një tranzicioni të egër politik, ajo që lartëson më tej figuron e Nanos mbetet kultura dhe etika morale e vizionit të tij politik dhe udhëheqjes së një shteti. Asnjë burrë tjetër shteti në historinë e pluralizmit politik shqiptar, i ardhur në pushtet me shumicën e votës së elektoratit të partisë, pra duke lënë mënjanë kryeministrat e zgjedhur me kompromis politik të dyanshëm, nuk ka pasur kulturën e dhënies së dorëheqjes politike nga posti i drejtuesit ekzekutiv të shtetit ose drejtimi i subjektit politik.

Në këtë prizëm, Fatos Nano ka lënë pas legalitetin e kulturës së dorëheqjes politike jo një herë, por tri herë:

  • dy herë si KM i vendit:
  1. pas zgjedhjeve të marsit-prillit’ 91- kur para tij u shpalos e qartë nevoja për t’iu nënshtruar trysnisë së ndërkombëtarëve për ta lundruar anijen shqiptare në ujërat perëndimore demokratike,
  2. dhe shtatorit’ 98- kur përballë pakënaqësisë popullore të ndezur nga shembja e skemave piramidale financiare dhe përpjekja opozitare për ta kaluar në avantazhin e saj politik këtë moment duke mos kursyer asnjë instrumente
  • dhe nga posti i kryetarit të PS në 2005- pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të korrikut përballë opozitës si dhe kritikave e gjendjes së krijuar kaotike brenda partisë

Paralelizimi i figurës politike të Nanos i bën jehonë shurdhuese skenës së sotme tragji-komike politike shqiptare, nëse vendoset për krahasim figura e tij me politikanët e opozitës së sotme që kanë udhëhequr partitë e tyre rishtazi në humbje maratonomake prej një dekade e sipër, e ku ndjekësit e tyre vijojnë të përçarë mes atyre që mbeten besnikë të zotëve peng të vulave, ose mesiave të vetëshpallur historikë.

Krahas kulturës së dorëheqjes politike, Fatos Nano demonstroi dhe natyrën e tij liberale si në ideologji ashtu edhe në drejtimin e qeverive ose grupeve parlamentare gjatë mandatave të tij si KM ose si kryetar partie, duke pranuar gjithmonë kompromise politike, bashkëpunime në krijimin e qeverive të pajtimit kombëtar duke integruar opozitën në poste qeveritare, dhe duke zhvilluar masivisht diskutime konstruktive e gjithëpërfshirëse me eksponentët e gjithë forcave politike në kuvendin popullor asokohe. Natyra e tij liberale u dëshmua edhe pas daljes nga burgu, kur Nano nuk u hakmor ndaj rivalëve të tij politik por vendosi t’ju shtrojë dorën e bashkëpunimit.

Fatos Nano do të mbahet mend edhe si reformator i parë i vendit për valën e nisur të ndryshimeve e transformimeve institucionale në Shqipërinë e sapo dalë nga ekonomia e centralizuar. Për më tepër, ai ishte promotor i transformimit e modernizimit politik edhe vetë përbrenda Partisë Socialist kur ndërmori i vetëm me guxim e kurajo procesin e katharsis më 2001.

Gjithë ky legalitet politik në fermën e kafshëve tona politike, e bën emrin e tij të denjë për eponimin duke perifrazuar shprehjen oruelliane, “një liberal admirues pushteti pa pushtet.”

P.S. Mjerisht, pjesa më e madhe e figurave të sotme aktive politike, kryesisht studentë gjatë kohës kur Nano ishte patriarku i PS, e qanë dhe e ngritën në qiell pas vdekjes. Por për gjithë ata shqiptarë që vuajnë nga amnezia politike, iu kujtojmë se ishin po këto figura politike, që n.q.s. mund të justifikohen për ostracizmin e tij politik në 2005 për hir të një “katharsis 2” brenda për brenda partisë, kurrsesi nuk mund të justifikohen më vonë për refuzimin e tij në postin e Presidentit të Republikës. Sot, Institucioni i Presidentit i është bashkangjitur radhës së kukullave institucionale të RSh në duart e ventrilokulistit që drejton KM. Fatkeqësisht, dialektika e historisë politike post-2005, dëshmon se liberalizmi nuk përkon me natyrën shtet-formuese e qeverisëse të popullit tonë. Megjithatë, na mbetet të shpresojmë për brezat e rinj që do aspirojnë skenën politike, që të gjejnë frymëzimin e duhur të kulturës politike duke analizuar e gjykuar legalitetin e lënë mbas të figurave politike, ku Fatos Nano padyshim do të mbetet paragon i vlerave liberale politike.

-###-

Tags from the story
,
More from Edi Sara

“The Sheltering Sky” (1990)

nga Anisa Vrenozi Regjizor: Bernardo Bertolucci Skenari: Mark Peploe and Bernardo Bertolucci....
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.