Shohim vazhdimisht protesta masive në vende të ndryshme të Europës, po kur ka qenë hera e fundit që një qeveri europiane është rrëzuar prej tyre?
Pas një tranzicioni të turbullt, shumica e regjimeve të Europës lindore duket se janë stabilizuar: janë krijuar elita ekonomike e politike që kontrollojnë mjaftueshëm burimet e vendeve të tyre, deri në pikën sa mirëqenia personale varet nga nënshtrimi ndaj regjimit. Zgjedhjet janë materialisht të kushtëzuara nga klientelizmi gjithëpërfshirës, kurse protestat të pafuqishme përderisa nuk mund të cenojnë kontrollin politik ose burimet ekonomike të elitës.
Për më tepër, shtypja, përçarja ose kontrolli i opozitës nga partia në pushtet në shumë prej këtyre vendeve, bën që edhe ndonjë organizim kundërshtues të mos marrë drejtim të vetëdijshëm politik. Në Serbi, qindra mijëra qytetarë ngrihen kundër qeverisë, pa një përfaqësues të aftë t’u japë një alternativë ndaj pushtetit. Në vendin tonë, lloj-lloj grupesh protestuese ngushtojnë qëllimet e tyre në çështje sa më specifike për të mos kundërshtuar qeverinë si të tillë, dhe ndërkohë bëjnë ç’të munden për t’u distancuar fillimisht nga opozita dhe politika në përgjithësi. Pavarësisht fijeve të kontrollit mbi zgjedhjet, ekonominë, etj., krerët e qeverive në këto vende mund të përligjin pushtetin e tyre, me argumentin se janë të zgjedhur dhe nuk ka asnjë alternativë më të preferuar nga populli. Dhe mund të kenë të drejtë pasi dalin vazhdimisht fitimtarë të votës popullore.
Në botime akademike mbi polarizimin politik gjatë 2-3 dhjetëvjeçarëve të fundit (përfshirë dhe një artikull që pata botuar bashkë me dy profesore gjatë doktoraturës sime në Atlanta), është vënë re rritja e dallimeve politike mes mbështetësve të partive ose ideologjive të ndryshme në vendet pluraliste. Hendeku në rritje nuk është vetëm pasojë e pëlqimit/mbështetjes më kompakte të secilit grup për udhëheqësit e vet, por edhe të mospëlqimit në rritje për udhëheqësit e tjerë. Pra, preferenca politike, përveç se mbështetje për kë pëlqen, është edhe kundërshtim për atë që nuk do në pushtet.
Në sistemet e sotshme që nuk ofrojnë mjete të shprehjes së mospëlqimit politik, ky mund të manifestohet vetëm përmes votës për një kandidat/parti tjetër, pra një qytetar që ndjenjën e vet më të fortë ka mospëlqimin ndaj një kandidati/partie, detyrohet t’a shprehë në mënyrë të tërthortë duke votuar “të keqen më të vogël”.
Por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Në Athinën e lashtë, për rreth një shekull, qytetarët mund të dëbonin me votë një person nga qytet-shteti i tyre për 10 vjet. Ishte një votë tërësisht negative, që nuk krijonte qeveri, as emëronte njeri në karrige, vetëm dëbonte ose jo një individ, zakonisht nga shtresa e lartë dhe politikisht aktiv. Gjithashtu, nuk ishte një gjyq, nuk vlerësoheshin prova e nuk thirreshin dëshmitarë: ishte thjesht një shprehje e vullnetit qytetar, me synim parandalimin e fuqizimit të pakthyeshëm të ndonjë personi që mund të vepronte kundër interesit të shtetit.
Në kushtet e sotshme, kur shumicat e ngulfaturave (asfiksuarve) nuk mobilizohen dot rreth një alternative ndaj pushtetit, ndoshta vendosja e fuqisë së dëbimit mund të jetë një qëllim për t’u ndjekur. Në fund të fundit, në mungesë të saj, janë qeveritë që po dëbojnë shumicat.
Mes gjithë udhëheqësve të Europës lindore që dalin fitimtarë të zgjedhjeve “për të keqen më të vogël”, sa do t’i mbijetonin një nisme të tillë?
***