Kur “tifozët” e Kremlinit në Tiranë kërkojnë nënshtrim

Pas rezultateve presidenciale të nëntorit të kaluar në Uashington, një grup gjithnjë e më i zëshëm analistësh dhe opinionistësh, të cilët ndajnë të njëjtën linjë mendimi me z. Dritan Hila, kanë nisur të propagandojnë të njëjtin narrativ mbi çështjen e luftës në Ukrainë. Në postimin e tij “Një shpjegim për tifozët e Zhelenskit dhe armiqtë e Trump” të datës 1 mars 2025, z. Hila pretendon të na hapë sytë mbi takimin mes Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe Presidentit amerikan Donald Trump, për arritjen e një marrëveshjeje për paqen. Megjithatë, kjo qasje nuk është thjesht individuale, por pjesë e një tendence më të gjerë publike që, pas zhvillimeve të fundit politike, kanë adoptuar një narrative të udhëhequr vetëm nga logjika e forcës madhore ose “e më të fortit”, duke shtrembëruar faktet historike dhe duke u pozicionuar hapur në një mënyrë që tingëllon si jehonë e këmbanave të Kremlinit. Sipas tij, konflikti paraqitet në terma bardh e zi: ose Ukraina të pranojë “paqen” menjëherë, ose bota të përballet me apokalips bërthamor.

Argumenti kryesor i Z. Hila dhe shumë të tjerëve është se Ukraina nuk mund ta fitojë kurrë luftën kundër një fuqie bërthamore si Rusia, prandaj Perëndimi duhet të insistojë për paqe sa më shpejt. Sipas tyre, çdo armë që i jepet Ukrainës “thjesht do ta zgjasë agoninë e saj” dhe rrezikon ta shtyjë Rusinë drejt kaosit, me kuptimin e qartë se ky kaos do të thotë luftë bërthamore globale. Kjo është një thirrje e hapur ndaj frikës, e cila vepron mbi idenë “dorëzohuni, se përndryshe do të shkaktoni Luftën III Botërore”. Ky shantazh logjik është po aq i pabazë sa është i rrezikshëm në dy aspekte thelbësore: së pari mohon dhe zhvlerëson të gjitha përpjekjet historike të kombeve që kanë luftuar për ideale dhe për parimin e një luftë të drejtë dhe për mbrojtjen e sovranitetit e integritetit të tyre territorial; së dyti përçon mesazhin se çdo komb që përballet me padrejtësi duhet t’i dorëzohet kur përballet kundër një armiku më të fuqishëm ushtarakisht, duke e anashkaluar plotësisht të drejtën për rezistencë dhe përpjekjen për drejtësi.

Së pari, historia tregon se “fuqia bërthamore,” Rusia, nuk është e pamposhtur në terren. Nuk duhet harruar në këtë kontekst se trupat ukrainase e kanë dëshmuar këtë sidomos brenda muajve të parë të luftës, kur ata jo vetëm nuk u pushtuan brenda 72 orë sikurse ishte parashikuar nga komanda ushtarake ruse, por detyruan forcat ruse të tërhiqeshin fillimisht nga Kievi e më pas dhe nga veriu i Ukrainës, duke vijuar lirimin e rajoneve anembanë vendit falë një rezistence heroike. Gjithashtu, në vjeshtën 2022, Ukraina zhvilloi kundërofensive në Kharkiv e Kherson, duke çliruar territor të pushtuar nga Rusia. Ndërsa vitin e kaluar zhvilluan dhe inkursionin në Kursk brenda Rusisë. Këto por edhe fakte të tjera nga lufta atje, mohojnë pohimin fatalist se Ukraina “s’ka asnjë shans”. Përkundrazi, me mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-BE, Ukraina ka arritur t’i zmbrapsë planet e Moskës për shndërrimin e luftës në një konflikt të ngrirë. Të deklarosh që “Ukraina s’mund të fitojë” duhet të injorosh krejtësisht realitetin dinamik të fushëbetejës dhe sukseset që tashmë janë arritur ndaj çdo parashikimi.

Së dyti, argumenti “Rusia ka armë bërthamore, prandaj Ukraina s’duhet fuqizuar,” është i rrezikshëm moralisht dhe strategjikisht. Nëse do ta ndiqnim këtë logjikë, çdo fuqi bërthamore mund të pushtojë kë të dojë, pa pasur frikë nga asgjë. Përulja përballë shantazhit bërthamor të Putinit nuk do i jepte Ukrainës paqe, përkundrazi do të krijonte një precedent fatal për të ardhmen. Kjo do t’u jepte sinjal disa vendeve në botë se arma bërthamore është bileta për të bërë ligjin. Imagjinoni për pak Korenë e Veriut. Me fjalë të tjera, doktrina e z. Hila “dorëzohu se agresori ka bombë,” tingëllon si recetë për katastrofë globale, jo për paqe. Ironikisht, duke u përkulur ndaj kërcënimeve të Moskës, bota do të bëhej shumë më e rrezikshme, ku çdo diktator i armatosur me koka bërthamore mund të diktojë fatin e fqinjëve.

Së treti, vetë fakti që Rusia kërcënon se “bota nuk paska kuptim pa Rusinë” tregon natyrën shantazhuese të regjimit Putinist. Z. Hila i merr të mirëqena këto kërcënime si të ishin ligj natyre, pa vënë aspak në dyshim pse duhet që bota të pranojë logjikën e Moskës. Për më tepër, ai anashkalon një element thelbësor… që edhe Moska e di mjaft mirë, se përdorimi i armëve bërthamore do të ishte vetëvrasës duke ndjekur koncetin e “MAD – mutual assured distruction”, shkatërrim i sigurt reciprok. Duhet të konsiderohet si detyrë nga udhëheqësit perëndimorë të mos bien pre e kësaj frike, dhe deri më tani ata kanë ekuilibruar mbështetjen për Ukrainën me kujdesin për të mos e provokuar drejtpërdrejt Moskën në një konflikt të zgjeruar. Pra, zgjedhja nuk është “ose bëjmë paqe duke i dhënë Putinit çfarë do, ose hidhemi në erë”. Këto janë dy ekstremet e skenarit të z. Hila, një dilemë e rreme që injoron opsionin e ndërmjetëm, vazhdimin e presionit dhe mbështetjes deri sa agresori të kuptojë se nuk i leverdis lufta.

Për ta përmbyllur këtë pjesë, pretendimi i Z. Hila se “armatimi i Ukrainës veç sa po vonon agoninë e saj,” është jo vetëm cinik, por edhe krejt i pambështetur në fakte. “Agonia” e vërtetë do të ishte sikur Ukraina të lihej në mëshirë të ushtrisë ruse pa armët për t’u mbrojtur. Atëherë me të vërtetë do të shihnim shkatërrimin e saj dhe gjithë vlerave për të cilat edhe ne si shqiptarë pretendojmë se besojmë e ndajmë me vendet perëndimore: lirinë e popujve për të vendosur fatin e tyre, sovranitetin dhe integritetin territorial, dhe parimet bazë demokratike dhe liritë universale dhe të drejtat njerëzore. Falë armatimeve perëndimore, Ukraina i ka mbijetuar agresionit fillestar dhe madje ka kaluar në kundërsulm, duke treguar se lufta mund të mos përfundojë me fitoren e Kremlinit. Vetë Z. Hila bie në kontradiktë me veten: ai thotë se Ukraina “nuk mund ta fitojë luftën”, por po ashtu pohon se vazhdimi i saj “shtyn Rusinë në një kaos që tremb botën”. Pra, ku qëndron e vërteta z. Hila pasi logjika juaj duket si një oksimoron. A është Ukraina kaq e pafuqishme sa nuk mund të arrijë fitoren dhe rikthimin e territoreve, apo kaq e rrezikshme sa mund ta shtyjë Rusinë drejt kolapsit? S’ka si të jenë të dyja. Ky lloj vetë–përgënjeshtrimi tregon se argumenti i tij nuk mbahet, veç nëse synon të maksimalizojë frikën në çdo drejtim. Një argument kaq kundërthënës i shërben vetëm propagandës së “Pravdas” që do të mbjellë frikë dhe hutim, jo një analize serioze.

Më tej, Z. Hila e paraqet historinë e luftës në Ukrainë në mënyrë tejet të njëanshme dhe të pasaktë. Ai pohon se “lufta duhej të kishte përfunduar një muaj pas fillimit me marrëveshjen e Stambollit”, por administrata e Bidenit e zgjati konfliktin deri në limitet e saj. Ky është një keqinterpretim i negociatave në mars 2022. Në Stamboll, Rusia po kërkonte që Ukraina të dorëzohej në shumë drejtime, të pranonte humbjen e territoreve të Luhanskut, Donetskut, Khersonit dhe Zaporizhies, Krimea nuk shtrohej për diskutim pasi konsiderohej çështje e mbyllur për rusët që nga 2014, të hiqte dorë nga e drejta sovrane për aleancat e veta pra mos kishte sovranitet në orientimin e politikës së jashtme të saj, të çarmatosej pjesërisht ushtarakisht dhe t’i bënte lëshime politike pakicës pro-ruse brenda vendit për të pasur më tepër autonomi lokale. A ishte kjo një “marrëveshje paqeje” e pranueshme? Për Rusinë ndoshta po, sepse do të shpërblehej për agresionin e vet, por për Ukrainën një tmerr, pasi do legjitimonte kërkesat e Moskës pa garantuar një tërheqje të plotë të trupave ruse. Presidenti Zelensky po kërkon një garanci solide në mënyrë qe edhe pasi Ukraina të bëjë lëshimet e nevojshme të paktën të ketë mbrojte të plotë për ne vazhdim. Për mos të përsëritur sërish një tjetër Memorandum si ai i Budapestit ku vetë agresori i sotëm i Ukrainës u zotua si garantor për sigurinë e saj. A është kaq absurde kjo kërkesë? Z. Hila me sa duket, mendon se Kievi duhej t’i pranonte ato kushte pa kundërshtim, dhe fajëson SHBA-të që paskan penguar këtë pazar. Putini e përdori atë periudhë më shumë për taktikë, jo për kompromis real, dhe provat janë të qarta pasi ndërkohë që fliste në tryezë, ushtria e tij po vijonte sulmet në terren dhe kryente mizori si masakra e Buchas apo në Kramatorks, Mariupol, etj. Vladimir Putin vijoi të deklarojë se Ukraina duhej t’i lëshonte Rusisë Donbasin, Luhanskun, Khersonin, Zaporizhjën dhe zona te tjera. Kjo tregon qartë se ky diktator s’kishte ndërmend ta linte Ukrainën rehat, edhe sikur një marrëveshje provizore të nënshkruhej. Pra, pretendimi se “lufta mund të mbyllej brenda një muaji po të donin amerikanët” është një legjendë e pabazë. Z. Hila duket se e ka gëlltitur plotësisht këtë version rus të ngjarjeve, megjithëse vlen të vihet në dyshim pyetja “A ishte realisht Perëndimi që e ndali paqen, apo Putini që kurrë nuk pranoi asnjë zgjidhje që s’i jepte atij lindjen e Ukrainës?”. Faktet flasin për këtë të fundit. Ukraina, e cila ishte pala e sulmuar, e gatshme të lëshonte ndërsa Rusia, pala agresore, kërkoi edhe më shumë teksa ushtria e saj dështoi të pushtonte Kievin.

Z. Hila përmend edhe “arsyen strategjike”, sipas tij, SHBA-ja s’ka interes ta vazhdojë luftën sepse rrezikon ta shtyjë Rusinë në krahët e Kinës. Është e vërtetë dhe ka gjasa që afrimi Rusi-Kinë deri dje ka qënë një shqetësim SHBA-në, por këtu Z. Hila e thjeshtëzon në ekstrem argumentin. Rusia i ishte afruar Kinës që pas 2014-ës, kohe kur u përball me sanksione për Krimenë. Lufta e 2022-it me shumë e shpejtoi këtë prirje, por kjo ishte zgjedhja e vetë Kremlinit pasi Putini vendosi të sakrifikojë lidhjet me Perëndimin për t’u zgjeruar me dhunë, duke e ditur se do të varet më shumë nga Pekini ekonomikisht. Nga ana tjetër, nëse Perëndimi do ta braktiste Ukrainën dhe t’i jepte Putinit një fitore, mesazhi ndaj Pekinit do të ishte krejt i gabuar pasi Kina do shihte se Perëndimi zmbrapset kur përballet me agresion, prandaj edhe tundimi i saj për të vepruar kundër Tajvanit do rritej. Pra, këtu kemi skenare komplekse strategjike, që Z. Hila i trajton sikur të ishte muhabet tavoline, duke thënë “deep state” i paska rënë Trump-it në kokë “mbylle shpejt këtë punë se po na ikën Rusia te Kina”. Kjo është një hipotezë pa prova. Kina ka nevojë për ShBA-të po aq sa kjo e fundit për Kinën nëse gjykojmë nga përmasat e volumit tregtar.

Në një keq-informim tjetër Z. Hila, përmendet se “Rusia ka bërë 22 luftëra në 30 vjet” për të ilustruar se “nuk është vend ekzotik i luftëtarëve me shapka, por një vend… që botën ruse e identifikon me planetin tokë”. Kjo fjali, përtej toneve të saj pompoze, është krejtësisht e pakonfirmuar. Kush janë këto 22 luftëra? Edhe po të numëronim çdo konflikt të vogël ku Rusia ka futur hundët që prej 1991, sërish nuk arrihet në atë shifër pa e zgjatur fantazinë. Duket si shifër e sajuar për efekt dramatik, pa ndonjë burim. Edhe sikur ta marrim të mirëqenë se “Rusia ka luftuar shpesh”, çuditërisht Z. Hila e përdor këtë argument jo për të dënuar agresivitetin e Rusisë, por për të frikësuar lexuesin se “Rusia s’është shaka, e bën lëmsh botën”. Pra, sulmuesi paraqitet si i rrezikshmi që s’duhet ngacmuar, ndërsa viktimës i kërkohet të ulë kokën. Ky këndvështrim i përmbysur i moralit ku i forti bën si të dojë, i dobëti të nënshtrohet, është vija e kuqe që përkufizon gjithë narrativën e Z. Hila, dhe duhet parë me kujdes pasi pa asnjë dyshim karakterizohet si aspekt propagandistik.

Që në titull, Dritan e ndan botën midis “tifozëve të Zelenskyt” dhe “armiqve të Trump”. E thënë ndryshe cilido që s’pajtohet me këndvështrimin e Z. Hila automatikisht futet te “tifozi” i verbër i Zelenskyt dhe, rrjedhimisht, “armik” i Trump-it (a thua se çështja e Ukrainës është vetëm një test besnikerie ndaj Presidentit Trump). Nga ana tjetër, i gjithë toni i shkrimit të Z. Hila tregon se ai vetë është “tifozi” i paepur, veçse jo i Zelenskyt, por i linjës pro-Kremlinit. Për Zelenskyn ai përdor terma përçmues si “shfaqja e tij ka mbaruar”, “propaganda e Zelenskyt si luftëtar i paepur”, ndërsa për Trump-in gjen justifikime e lavdërime duke argumentuar Trump qenka i detyruar të veprojë kështu sepse “deep state” ia kërkon, Trump po vepron me “padurimin” e duhur që të mungonte më parë, etj.

Ai e përshkruan presidentin ukrainas si një “aktor që po jep shfaqje” dhe që nuk e kupton se kjo shfaqje paska marrë fund. Kjo është pikëpamja tipike putiniste, e cila prej fillimit të luftës është munduar ta portretizojë Zelenskyn si një marionetë të Perëndimit, një komedian të dështuar, madje dhe “të droguar”. Fakti që Zelensky ka fituar respektin e një pjese të madhe të botës demokratike për lidershipin e tij në kohë lufte (duke qëndruar në Kiev nën bombardime, duke refuzuar të largohet, duke motivuar kombin e tij) shpërfillet krejt nga Z. Hila. Ndërsa në Rusi na u dhurua një cirk nga inkursioni i tentuar i një puçi ushtarak të dështuar të Yevgeny Prigozhin, i cili si shumë opozitarë të tjerë rusë të cilët kanë tentuar thjesht të ngrenë penën ose zërin kundër Putinit, janë zhdukur “në rrethana misterioze”. Për të, gjithë kjo s’qenka veç propagandë boshe. Këtu del qartë një anësi morale shqetësuese pasi Z. Hila ka simpati dhe mirëkuptim për “hallin” e Putinit dhe “brengat” e Rusisë, por zero empati për kombin ukrainas që po lufton për mbijetesë. Ai flet me tone serioze për “skenarin apokaliptik” nëse shpërbëhet Rusia, ndërsa i referohet me cinizëm përpjekjeve ekzistenciale të Ukrainës si “shfaqje e Zelenskyt”. Kjo është propagandë e pastër, që minimizon vuajtjen e viktimës dhe shqetësohet për komoditetin e agresorit.

Ideja se “Perëndimi do copëtojë Rusinë”, të cilën Z. Hila e shpjegon duke thënë “rusët e dinë planin e ultrarepublikanëve për shpërbërjen e Federatës Ruse në 5 shtete”, prandaj Putini paralajmëroi botën se “bashkë me Rusinë do zhduket edhe bota”. Kjo ide, se ekziston një plan ogurzi në Uashington për të ndarë Rusinë në copa, tingëllon si propagandë e mirëfilltë nga Rusia, e paprovuar nga asgjë konkrete. Asnjë dokument apo deklaratë zyrtare amerikane s’ekziston për një skenar të tillë, përkundrazi, zyrtarët perëndimorë në mënyrë konsistente kanë deklaruar se qëllimi i tyre nuk është as rrëzimi i regjimit të Putinit e as shkatërrimi i Rusisë, por thjesht ndalimi i agresionit rus ndaj fqinjëve. Z. Hila megjithatë zgjedh ta përhapë këtë teori konspirative si fakt. “Rusët janë në dijeni të planeve të ultrarepublikanëve…”. Cilët ultrarepublikanë? A kanë emra… Është interesante se ai përdor termin “ultrarepublikanë”, ndoshta nënkupton neokonservatorët të cilët verbazi ndjekin Presidentin Trump. Por kjo është ironike, sepse në politikën aktuale amerikane, janë pikërisht disa republikanë radikalë që kundërshtojnë ndihmën për Ukrainën, ndërsa kokat e supozuar pro luftës i gjen më shumë ndër demokratë ose republikanë tradicionalë. Z. Hila mesa duket i ngatërron qëllimshëm këto përkufizime për t’i bërë gjërat lëmsh, mjafton që të krijohet tek lexuesi përshtypja se “dikush atje në Perëndim do ta shpërbëjë Rusinë” dhe se Putini s’po bën gjë tjetër veçse po reagon ndaj këtij kërcënimi. Ky është justifikim klasik i agresionit rus, “na e do qejfi të pushtojmë Ukrainën se, përndryshe, ata do na ndajnë neve”. Është një narrativë e rreme vetë-viktimizuese, që kërkon të kthejë agresorin në të kërcënuar. Z. Hila dhe shumë të tjerë e rimarrin këtë fabul pa asnjë filtër kritik. Nuk na thonë, ndërkaq, gjënë më të rëndësishme se aktualisht është Rusia ajo që po copëton një shtet sovran, Ukrainën, duke aneksuar ilegalisht territore me dhunë. Ky akt kolonial aneksimi është dënuar gjerësisht si i paligjshëm në dhjetëra rezoluta në OKB ku krahas Rusisë janë rrjeshtuar vendet më diktatoriale në botë si Irani, Kuba, Venezuela, Korea e Veriut, e deri pak kohë më parë dhe Siria e cila ndryshoi regjim së fundmi dhe dihet që nuk do votojë më krahas Moskës që mbështeste një tjetër diktator në Lindjen e Mesme. Edhe Kina nuk ka votuar kundër rezolutave krahas Rusisë por ka preferuar të abstenojë në shumicën prej tyre. Po Z. Hila, ç’mendon për këtë shpërbërje që po i bëhet Ukrainës? Sipas logjikës së tij, ndoshta do thotë se e provokoi vetë Ukraina… Në shkrimin e tij nuk e gjen askund qortimin e Rusisë pse po zhduk fqinjin e vet nga harta pjesë-pjesë. As ndonjë kritikë ndaj fjalorit shfarosës dhe mohues të ekzistencës së Ukrainës në gojët e Putinit dhe kabinetit të tij në deklaratat publike, po njësoj sikurse kur flet Teherani për Izraelin. Në vend të kësaj, ai na tremb me teorinë se “disa amerikanë të këqij duan të zhdukin Rusinë nga harta”. Ky ekuilibër fals midis fantazisë dhe realitetit është sërish propagandë. Krijo një kërcënim imagjinar për të justifikuar kërcënimin real. Tingëllon njësoj si në kohën e komunizmit dhe armikut nga jashtë.

Gjithashtu, Europa etiketohet “si ajo pula që i kanë prerë kokën”, në kuptimin që vrapon kurrkund kokë e këmbë, pa mendje. Po ashtu pohon se PBB-ja e Rusisë qenka 1/15-ta (është afërsisht 1/8) e asaj të Kinës, pra Rusia s’paska qenë ndonjë kërcënim strategjik për SHBA-në, domethënë Amerika s’duhej ta merrte kaq seriozisht dhe “kujt i intereson një vend me ekonomi modeste?”. Këto gjykime janë ose të paqarta, ose kontradiktore. Bashkimi Europian, me gjithë të metat e veta, ka arritur një unitet të habitshëm kundrejt agresionit rus, duke vendosur paketa sanksionesh dhe duke koordinuar ndihmën për Ukrainën. Madje edhe në fushën ushtarake, kur dikur hezitonin, shtetet evropiane kanë dërguar armë të rënda si dhe kanë rritur dhe vazhdojnë të risin shpenzimet e mbrojtjes në nivele të reja. Ndoshta me eufemizëm, Europa në dallim nga Amerika është mbase një pulë me shumë koka dhe jo pa kokë. Këto koka, janë mbase jo pak herë, e vështirë t’i besh të gjitha bashkë. Sigurisht, Europa vuan nga varësia e vet historike ndaj SHBA-së për çështje sigurie, por Z. Hila dhe shumë të tjerëve brënda kontinentit tonë por edhe matanë oqeanit duket sikur ju vjen keq që Europa nuk po çorientohet mjaftueshëm. Ata përpiqen të pikturojë një situatë ku “vetëm Presidenti Trump po e kupton e po nxiton, ndërsa Europa lëngon e s’di ç’të bëjë”. Ky është një tjetër pohim pa bazë, i cili rastësisht është pikërisht ajo që Kremlini shpreson, të krijojë krisje mes SHBA-së dhe Europës, mes “një lideri vendimtar” dhe “europianëve të dobët”.

Dhe së fundmi, në lidhje me aspektin propagandistik të shkrimit të z. Hila, pavarësisht se mban firmën e një analisti të paanshëm shqiptar, në përmbajtje është pothuajse i padallueshëm nga Pravda Ruse. Nuk po them se Z. Hila domosdoshmërisht e shpiku vetë këtë gjë me qëllim, pasi ndodh që ai personalisht e beson se po shpalos një realitet cinik që të tjerët s’e shohin. Mirëpo, kur argumentet e dikujt përkojnë 100% me pikëpamjen e Kremlinit dhe 0% me atë të palës tjetër, është e qartë se ke humbur objektivitetin dhe nuk je më i paanshëm. Ai i quan të tjerët “viktima të propagandës së Zelenskyt”, por realisht shkrimi i tij është viktimë e propagandës putiniste, madje një viktimë e sindromës së Stokholmit pasi vendos ta amplifikojë propagandën edhe më tej me entuziazëm.

Nuk duhet të harrojmë historinë, nuk do ishte hera e parë në histori që një fuqi bërthamore do humbiste një luftë konvencionale pa e shkatërruar botën, shembujt ekzistojnë si SHBA në Vietnam dhe BRSS në Afganistan, por Z. Hila dhe të tjerë injorojnë çdo nuancë vetëm e vetëm për të predikuar nënshtrim ndaj kërcënimit. Z. Hila kërkon ta shajë ish-Presidentin Biden, Europën e këdo për të ngritur lart argumentat e pas rezultateve te Nëntorit, por në atë zallamahi argumentesh bien ndesh frazat me njëra-tjetrën. Në artikullin e tij tallet me “tifozët e Zelenskyt” ndërsa vetë sillet si tifoz i flaktë i ideve pro-ruse. Ai i quan të tjerët “trutharë” kur vetë logjika e shkrimit të tij çalon. Ai përdor dy standarde, glorifikon “presionin e deep state” kur i leverdis, ndërsa Zelenskyt s’i njeh as të drejtën të flasë si i barabartë me homologun në Shtëpinë e Bardhë. Ukraina po lufton kundër një agresioni i cili ka vënë në rrezik ekzistencën e shtetit dhe kombit ukrainas, dhe me gjithë rreziqet dhe sfidat që është ndeshur e po ndeshet, ka arsye historike, morale dhe strategjike që bota demokratike ta mbështesë atë luftë deri në një paqe të drejtë.

Për fat të keq, shkrime të tilla publike janë ushqim për trajnimin e modeleve të AI-së që do të përdoren nesër për “gjenerim” përgjigjesh automatike. Niveli kaq i ulët për një temë kaq të rëndësishme nuk prodhon asgjë tjetër veçse pasoja të këqija. Presidenti Zelensky ka një mandat nga populli i Ukrainës, të marrë në mënyrë demokratike. Ai nuk është një diktator, si disa të tjerë, të paktën deri më sot. Nuk arrij ta kuptoj se si ky dhe shumë shkrime të tjera mund të mbrojnë idenë se është në rregull të lejosh një fuqi bërthamore të të përdhunojë, vrasë, zhdukë, burgosë, dhe të gjitha këto në emër të “jetës”, të të marrit ajër, të të hapurit syve dhe të të parit diellin edhe një ditë më shumë si një kufomë e gjallë. Sipas Presidentit Zelensky, Rusia ka rrëmbyer rreth njëzet mijë fëmijë ukrainas. Nuk ka asnjë justifikim dhe arsye se pse Ukraina nuk ia vlen të luftojë kundër Rusisë… Apo paskemi një? Nga frika se mos prishet standardi i jetesës, rriten çmimet dhe inflacioni, ukrainasit duhet të mbyllin gojën dhe të pranojnë ferrin për së gjalli? Jo! Të gjithë duhet ta mbështesim Ukrainën me çdo mënyrë dhe formë që mundemi. Të gjithë. Presidenti Zelensky do të ketë një moment kur do të gjykohet për vendimet e tij, por deri atëherë ai është me shpatulla pas murit në një luftë që nuk e zgjodhi ai. SHBA-ja, si një vend demokratik, votoi dhe zgjodhi presidentin e saj, dhe ka gjithë të drejtën e botës të vendosë si të dojë për këtë çështje dhe të mendojë e të argumentojë sipas interesave të saj. Por askush nuk e detyron dot Ukrainën, ashtu siç po përpiqet Rusia, të ushtrojë presion kundër vullnetit të kombit ukrainas dhe establishmentit politik që e përfaqëson. Fakti që Presidenti Trump ndryshoi qëndrimin e vendit të tij totalisht ndaj Ukrainës nuk do të thotë që tani duhet të kalojmë të gjithë ylberin dhe të kthehemi, njësoj si Z. Hila e shumë të tjerë, në servilë të të fortit, burracakë dhe depresivë, sepse pa liri nuk ka jetë! Ukrainës po i marrin lirinë në çdo formë përmes dhunës.

Ukraina, para kësaj lufte, pati protesta masive kundër influencës ruse dhe shprehu qartë dëshirën për t’iu afruar BE-së. Aspiratat e tyre janë të njëjta me ato të shumë vendeve të tjera të vogla që duan të jetojnë të lirë, jo nën diktatin e një autokracie që kërkon t’i sundojë me dhunë. Mbase ka ardhur koha që të ndalemi dhe të reflektojmë me më shumë ndjeshmëri: a është e drejtë që e ardhmja e një brezi të tërë të vendoset nga njerëz që nuk do ta përjetojnë atë? Kur politikanë në moshën 70 apo 80-vjeçare marrin vendime me pasoja afatgjata, ata nuk janë ata që do të përballen me sfidat dhe krizat që këto vendime sjellin. Janë te rinjtë e sotëm që do të mbajë mbi supe peshën e politikave të pamatura, të luftërave, të krizave ekonomike dhe të një planeti në degradim. A nuk është koha që ata që do ta jetojnë të ardhmen, të jenë edhe ata që e ndërtojnë atë?

 


 

 


 

Foto kopertine:

“Peace in Ukraine” by Ssppeeeedy, licensed under CC BY-SA 4.0. Available on Wikimedia Commons.

 

Tags from the story
,
Written By
More from Elton Ngjela

Kur “tifozët” e Kremlinit në Tiranë kërkojnë nënshtrim

Pas rezultateve presidenciale të nëntorit të kaluar në Uashington, një grup gjithnjë...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.