74-Vjetori i ekzekutimit të Sabiha Kasimatit- Marie Curie-ja Shqiptare

Sabiha Kasimati- Marie Curie shqiptare

Heshtja e një kombi që harron heronjtë dhe Intelektualët e tij

Sot shënohet 74-vjetori i ekzekutimit të Sabiha Kasimatit, shkencëtares së parë moderne shqiptare, një titane intelektuale, emri i së cilës duhet të jehonte në histori si një thesar kombëtar. Në vend të kësaj, sundon heshtja. Mediat shqiptare, të skllavëruara nga mediokriteti i kohëve moderne, nuk kanë gjetur hapësirë për ta kujtuar. Nuk ka emisione televizive për trashëgiminë e saj, as ceremoni shtetërore, as diskutime në shkolla, vetëm vërshimi i zakonshëm i Big Brother VIP, Përputhen, dhe spektakli grotesk i injorancës që ushqen një shoqëri të etur për argëtim të lirë në vend të ndriçimit intelektual.

Kjo heshtje nuk është rastësi; është një aktakuzë për një vend që ende refuzon të përballet me të kaluarën e tij. Ekzekutimi i Sabiha Kasimatit nuk ishte vetëm vrasja e një shkencëtareje brilante, por një shpallje lufte kundër dijes, kundër përparimit, kundër vetë idesë që Shqipëria mund të ishte më shumë se një provincë e errët e shtypjes politike dhe prapambetjes patriarkale.

Në një kohë kur 95% e popullsisë ishte analfabete dhe gratë shiheshin vetëm si mjete riprodhimi, Sabiha Kasimati ishte një përjashtim, një grua e shkencës, një dritë e mendimit të lirë.

Rrugëtimi i pioniere së pare shkencëtare grua: Nga Korça në elitën shkencore europiane

E lindur në Edirne në vitin 1912, një qytet i njohur për traditat e tij intelektuale, Sabiha Kasimati ishte një fenomen i rrallë në një Shqipëri të zhytur thellë në feudalizëm dhe patriarkalizëm. Ndërsa shumica e vajzave të reja dënoheshin me një jetë nënshtrimi, Kasimati theu barrierat e kohës së saj.

Origjina e familjes së saj vinte nga Libohova, pranë Gjirokastrës, por me kthimin e babait të saj në Shqipëri, u vendosën në Korçë, ku ajo ndoqi Liceun Francez, një institucion prestigjioz që edukonte mendjet më të ndritura të Shqipërisë dhe që i dha vendit patriotë, por fatkeqësisht edhe diktatorë. Prej aty, ajo mori hapin e paimagjinueshëm për një grua shqiptare, duke vendosur të studiojë jashtë shtetit, në Itali, në Fakultetin e Biologjisë në Universitetin e Torinos, duke u specializuar në iktiologji (studimin e biologjisë së peshqve). Ajo e përfundoi shkollimin me bursë të plotë të Mbretërisë Shqiptare, duke u diplomuar me shkëlqyeshëm në vitin 1941 dhe mbrojti tezën “Fauna e peshqve të ujërave të ëmbla të Shqipërisë.”

Në një kohë kur standardi i gruas tipike shqiptare ishte mirëmbajtja e shpisë, Kasimati u radhit mes mendjeve më të ndritura të Evropës, duke vërtetuar se gjinia nuk ishte pengesë për madhështinë shkencore. Sikurse Marie Curie revolucionarizoi fizikën, Kasimati ishte pionierja e ekosistemeve ujore shqiptare, duke kataloguar llojet e peshqve dhe duke hedhur bazat për kërkimet e ardhshme biologjike.

Siç shkruante Max Weber në “Etika Protestante dhe Shpirti i Kapitalizmit”: “Përparimi është i pamundur në shoqëritë që refuzojnë të thyejnë zinxhirët e traditës.” Shqipëria e fillimit të shekullit XX pikërisht ilustron idenë e vendit të mbërthyer nga prapambetja, ku kasta politike e kalbur si Don Kishot  i rezistonte çdo ndryshimi me të gjitha forcat e saj me qëllim ruajtjen e status-quosë së rendit shoqëror.

Dhe Kasimati, si një intelektuale e vërtetë, ishte një kërcënim ndaj kësaj status-quoje.

Një shkencëtare dhe humaniste në një vend të sunduar nga frika dhe dogmat ideologjike

Kërkimet shkencore të Sabiha Kasimatit ishin thelbësore. Ajo identifikoi mbi 250 specie peshqish të ujërave të ëmbla në Shqipëri, duke dhënë njohuri të paçmueshme mbi habitatet, migrimet dhe rëndësinë ekologjike të tyre. Ajo ishte pioniere në këtë fushë, duke punuar në një kohë kur Shqipëri s’kishte as institucionet dhe as infrastrukturën për të mbështetur këto kërkime akademike. Por, pavarësisht zbulimeve dhe punës së saj pionere shkencore, vepra e saj u injorua nga elitat politike të kohës. Shqipëria nuk ishte një vend për shkencëtarët,  por për oportunistët politikë dhe ideologët e verbër.

Në këtë kontekst real të kohës, Kasimati nuk ishte thjesht një akademike, por një grua e cila denjoi të mendojë, të sfidojë, dhe të kërkojë progres. Kjo e bëri atë të rrezikshme.

Dija si armiku # 1 i regjimit komunist

Me ardhjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, Shqipëria hyri në periudhën e saj më të errët. Diktatura, paranojake dhe hakmarrëse, i shihte intelektualët si armiq të shtetit. Shumë bashkëkohës që mbijetuan terrorin komunist kujtojnë se Sabiha Kasimati e njihte personalisht mangësinë intelektuale të diktatorit Enver Hoxha, me të cilin kishte studiuar në Liceun Francez të Korçës.

Nga ana tjetër, një fakt tjetër historik është se kur ajo u kthye nga Italia, duke punuar në Institutin Mbretëror “Nana Mbretëreshë”, në stafin e pedagogjisë për vajza, kishte mësuar edhe Nexhmije Xhuglini-n, e cila më vonë do të bëhej gruaja e diktatorit.

Më 10 tetor 1947, profesori i nderuar Selaudin Toto, themelues i Institutit të Shkencave të Shqipërisë, u ekzekutua me akuzën e “tradhtisë ndaj atdheut për komplot kundër pushtetit demokratik shqiptar.” Kasimati kishte punuar së bashku me Toto-n në Institutin e Shkencave dhe u trondit dhe u hidhërua thellësisht nga ekzekutimi i tij dhe i shumë intelektualëve të tjerë, të cilët Hoxha po i eliminonte në masë. E zhgënjyer dhe e revoltuar, ajo kërkoi një takim me kryeministrin Hoxha, ku i drejtoi pyetjen e famshme: “Me kë do ta ndërtosh Shqipërinë tani, me teneqexhinjtë apo me këpucarët?” Ndaj së cilës diktatori Hoxha iu përgjigj ftohtë: “Lëre iluminizmin francez, të këshilloj të lexosh Marksin dhe Leninin.” Mesa duket, ky takim vulosi fatin e saj.

Në vitin 1951, një skenar i sajuar për një atentat me bombë ndaj Ambasadës Sovjetike në Tiranë u përdor si justifikim për një nga spastrimet më brutale të regjimit. 22 intelektualë u arrestuan, u akuzuan pa asnjë provë, u torturuan dhe u ekzekutuan. Sabiha Kasimati ishte mes tyre. Faji i saj? Mendimi i lirë. Ajo kishte refuzuar të bëhej pjesë e partisë komuniste, ndaj ishte një objektiv i lehtë.

Natën e 26 shkurtit 1951, u tërhoq drejt një vendi ekzekutimi pranë lumit Lana, u pushkatua pa gjyq dhe u hodh në një varr të pashënuar. Fjalët e saj të fundit, sipas dëshmive të ish-të burgosurve, ishin të thjeshta, por sfiduese: “Nuk kam bërë asnjë të keqe. Faji im i vetëm është dija.”

Regjimi megjithatë nuk e vrau vetëm fizikisht, por tentoi t’i vjedhë edhe punën e saj akademike.

Siç ka zbuluar studiuesi Leka Ndoja, vepra e saj e fundit shkencore mbi florën dhe faunën e Shqipërisë, dorëzuar për botim në Akademinë e Shkencave në vitin 1950, u zhduk nga arkivat pas ekzekutimit të saj. Më vonë, studimi u rishfaq, por nën një tjetër autorësi. U botua me të njëjtin titull, “Peshqit e Shqipërisë”, por këtë herë nën emrin e shkencëtarit sovjetik Anatoli Poljakov dhe dy autorëve shqiptarë, Ndoc Filipi dhe Ndoc Raka.

Morali i historisë: Regjimi komunist nuk ekzekutoi vetëm fizikisht intelektualët, por u përpoq të fshinte çdo gjurmë të historisë që ata mund të linin pas, çdo trashëgimi që mund të jetonte përtej tyre.

Një epigram në kujtim të martires së dijes, Marie Curie-së shqiptare

74 vjet më vonë, Shqipëria mbetet ende një vend i përndjekur nga e kaluara e tij. Eshtrat e Sabiha Kasimatit dhe mijëra viktimave të tjera të komunizmit vazhdojnë të qëndrojnë në varre të paemërta, të harruara nga një shtet që nuk guxon të përballet me krimet e tij.

Siç shkruante Simone de Beauvoir në Seksi i Dytë: “Nuk lind grua, por bëhesh e tillë.” Sabiha Kasimati u bë një grua e shkencës, e sfidës, e shkëlqimit, në një ambient armiqësor të rrethuar me plot  barriera kulturore e stereotipe mesjetare.

Sot, ta kujtojmë Sabiha Kasimatin jo si viktimë, por si një martire të dijes, një simbol të kandilit intelektual që vazhdon të ndriçojë edhe në errësirën akute të injorancës mizore.

Ndaj gjithë viktimave të regjimit komunist, iu detyrohemi kujtesën. Por mbi këtë, iu detyrohemi atyre përkushtimin tonë për të mos lejuar më kurrë injorancën, shtypjen, dhe amnezinë historike të triumfojë sërish.

Tags from the story
More from Edi Sara

Ndeshja Sërbi vs. Shqipëri: Mbi repertorin sharës mes dy kombeve

-Duke ndjekur vendimin e UEFA-s për ndeshjen e shëmtuar Sërbi-Shqipëri, po vë...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.