Shqiptarët në rendin e ri europian e botëror

SHBA po largohen nga Europa. Nuk është luhatje e politikave ditore apo tekë presidenciale, po ndryshim rrënjësor e afatgjatë. Aq sa për t’a zbatuar, duket se do të pranohen të gjitha kërkesat ruse të para-luftës. Një skenar i ngjashëm ndodhi edhe në Afganistan: dorëzim pa kushte, braktisje e plotë e synimeve të para-Obamës. Mbi të gjitha, seriozitetin e zhvendosjes së SHBA e vulos rëndësia në rritje e Azisë në ekonominë botërore, si në prodhim, energji, infrastrukturë, dhe sidomos në fuqi ushtarake dhe siguri.

Nga ana tjetër, me aneksimet në Ukrainë, Rusia ka përfituar miliona qytetarë (nderkohë që perëndimi është në rrudhje), toka bujqësore, qytete industriale, dhe ka zgjeruar kontrollin e saj në Detin e Zi për tregti, flotë ushtarake, dhe për shfrytëzimin e pasurive të mëdha nënujore në gaz/naftë. Nëse negociatat mbyllen sipas shenjave të para, praktikisht Rusia rikthehet si hegjemon në hapësirën ish-sovjetike europiane, duke llogaritur si kufi perëndimor Kaliningradin, Bjellorusisë e Transnistrinë tashmë të lidhura me Moskën edhe përmes Ukrainës. Për më tepër, kësaj rradhe Kremlini është i çliruar nga detyra morale dhe kostoja ekonomike e sigurimit dhe mbështetjes ekonomike për pjesët “e pavarura” të Ukrainës, Moldavisë dhe shteteve anëtare të Traktatit të Varshavës, të cilat mund t’i shtrëngojë sipas nevojës me anë të trysnive ekonomike, të energjisë, dhe me ndihmën e ndonjë shteti pro-rus. Pa garancinë amerikane të sigurisë, Europa do të gjendej përballë një prove të re të kohezionit dhe vullnetit politik, provë në të cilën dështon rregullisht prej 1945.

Për të keq e për të mirë, shqiptarët sot ndodhen në një situatë jo fort të ndryshme nga ajo e periudhës së Rilindjes: kemi shtete fqinje që investojnë prej dekadash për një aneksim të mundshëm të tokave shqiptare në të ardhmen, ndërkohë që ne fshihemi pas mburojës së një perandorie në largim. Për të keq, sepse ajo kohë solli lënien jashtë e gjysmës së kombit nën sundimin e ashpër të shteteve fqinje. Për të mirë, sepse zhvillimet e asaj kohe na udhëzojnë për të ardhmen.

Nga 1878 deri në 1912, arritjet më të mëdha politike ndodhën në momentet kur shqiptarët zotëronin e mbronin vetë trevat e tyre. Fillimisht në 1878-81, kur Lidhja e Prizrenit vendosi një qeverisje deri diku të pavarur, dhe kryesisht me forcat e veta arriti te mbrojë Plavën, Gucinë, Hotin dhe Grudën përballë fqinjëve, duke i detyruar edhe ndërkombëtarët t’i rishikojnë marrëveshjet mes tyre. Më vonë, në periudhën e pavarësisë, pas hyrjes së forcave shqiptare në Shkup, shqiptarët shtrënguan osmanët të pranojë praktikisht një Shqipëri autonome me kufijtë e saj natyral, vetëm formalisht brenda perandorisë. Por më shumë se ndërtimet e qëndrueshme institucionale që synonin politikanët largpamës si Abdyl Frashëri e Hasan Prishtina, këto ishin organizime spontane të cilave shtresa sundimtare e lidhur me Stambollin iu bashkohej vetëm sa për të kaluar rrezikun e ditës, për t’ju kthyer më pas rutinës së shfrytëzimit të popullsisë që i ishte besuar nga osmanët. Prandaj, ato arritje mbetën brenda kontekstit të perandorisë osmane dhe u zhbënë menjëherë në momentin e shpërbërjes së saj, kur shqiptarët përsëri u gjetën të ndarë e të paaftë për të përballuar vetë ushtritë pushtuese.

Sot, nuk duhet të fshihemi pafundësisht pas mbrojtjes së SHBA, po duhet t’a shfrytëzojmë atë për t’u përgatitur që largimi i mundshëm i tyre të na gjejë të bashkuar dhe të aftë për t’u përballur me kërcënime të ngjashme me ato të para 100 vjetëve. Së pari, ndërtimi i institucioneve të qëndrueshme shtetërore nuk mund të mbetet përsëri, si para 100 vjetëve, peng i disa politikanëve të varur apo të blerë nga forca të huaja, qofshin edhe dashamirës të shqiptarëve. Klasa politike duhet të japë llogari para shqiptarëve, jo para homologëve të tyre, dhe jo për përmbushjen e detyrimeve ideologjike të vendosura nga jashtë, po për ndjekjen e interesit të mirëfilltë kombëtar.

Së dyti, as Shqipëria, as Kosova, të vetme, nuk mund të konkurrojnë as ushtarakisht, as politikisht, as ekonomikisht, Serbinë mike të Rusisë, me 6-7 milionë banorë e me ndikim të madh edhe në shtetet rreth saj ku ka mbi 2 milionë serbë të tjerë, e aq më pak me Greqinë 10-milionëshe e me ekonomi, flotë e ushtri më të përparuar se tonat. E vetmja mënyre, të paktën për të arritur një fuqi ushtarake dhe ekonomike jo respektueshme për fqinjët, është bashkimi i Shqipërisë me Kosovën. Bashkimi i dy shteteve tona do të krijonte një bllok me rreth 4.5 milionë shqiptarë, me një ekonomi të krahasueshme me vende si Bullgaria, Bosnja, Serbia, dhe me ndikim politik tashmë të unifikuar politik edhe në shtete më të vogla, si Maqedonia e Mal të Zi. Ky shtet potencialisht do të mund të ndërtonte edhe një ushtri që t’a bënte një pushtues të mundshëm të mendohet dy herë para se të nisë një luftë të kushtueshme. Kushtet e politikës botërore mund të mos jenë të favorshme, por nuk duket se do të jenë më të favorshme në të ardhmen, dhe pa i shtyrë vetë, kushtet nuk t’i krijon askush.

Të dyja këto qëllime, bashkimi i Shqipërisë me Kosovën dhe sovraniteti i brendshëm institucional, plotësojnë njëri-tjetrin. Detyra jonë si qytetarë është të zgjedhim udhëheqës që do të ndërtojnë sovranitetin shtetëror të munguar deri tani, dhe të shtyjnë për një bashkim sa më të shpejtë të dy shteteve shqiptare.

Tags from the story
, ,
Written By
More from Alban Lauka

Shqiptarët në rendin e ri europian e botëror

SHBA po largohen nga Europa. Nuk është luhatje e politikave ditore apo...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.