Letër babagjyshit- 2024’5

Letër babagjyshit 2024'5
Letër babagjyshit 2024'5
Letra e radhës së nisur drejt babagjyshit, në prag të ndërrimit të vitit 2024-2025, e mbërritur dhe publikuar me vonesë nga redaksia tonë.

I dashur babagjysh,

Po të shkruaj këtë letër e cila padyshim do të të mbërrijë me vonesë, pasi posta jo vetëm që ka pasur një ngarkesë të madhe si çdo vit në prag të ndërrimit të viteve, por së fundmi mësuam që letra kish ngelur dhe në hetuesin e SPAK.

Për të 11 vit radhazi, vendi im, Shqipëria, vijon nga fitorja në fitore babagjysh. Vendi im ka bërë progres të madh në çdo drejtim, dhe njerëzit ndjehen gjithmonë e më të lumtur. Reforma dhe pako ligjore, modernizime dhe virtualizime të shërbimeve për qytetarët, ulje takse në një vend, ngritje kontributi në një vend tjetër, por mbi të gjitha, investime strategjike ngado babagjysh. Po ashtu, vendi është shndërruar dhe në një destinacion për turistët nga gjithë bota. Po_por__pro-sper-i-teti (se mezi e them këtë fjalë… ) është zmadhuar aq shumë, sa edhe emigrantët shqiptarë kanë filluar të rikthehen në atdhe.

Të gjitha këto i dëgjoj përditë përpara TV babagjysh, mirëpo nuk e di pse në lagjen time ku banoj unë, lesht e C… upsss, se shpia ma ka ndaluar ta them këtë fjalë, po doja të thoja, e vetmja gjë që ka ndryshuar, është këndi i lojrave ku luaja unë kur isha pak më i vogël, dhe fusha e futbollit/basketbollit… Sot, falë lali Erit, janë ndërtuar 2 pallate, ose siç thotë babi i shokut tim, se ai është dhe linguini… kshu lingusit, ai thotë se zona është zhvilluar me qi_qi.. -qiell_gërvisht.. qiellgërvishtësa… Ne sot luajmë në katin 12, ndërsa në katin 29, është një kopsht privat ku më çonte tezja deri para 3 vitesh. Megjithëse është kopsht privat, shoh shpesh edhe logon (është e ajo fjala tjetër që nuk e them dot, emblema më duket) e Bashkisë Tiranës. Shyqyr që kisha tezen unë, më thotë mami, se ndryshe nuk do mundeshim të më fusnin te ky kopshti, e do rrija bashkë me Gonin te kopshti publik, ku nuk kish ngrohje dhe zyshat pinin kafe e cigare gjithë ditës e na tregonin të fortat nga bota e Tik-Tok-ut. Burri i tezes, gjithmonë thotë, “lum brezi ynë për këtë luks që ka, të rriten me pamje panoramike nga Tirana, e me një staf zyshash të trajnuara profesionalisht me fondet e dhëna nga BE-ja.”

Nga ana tjetër, kur gjyshi im dëgjon të lavdërojnë kopshtin tim, shton, “lum këta more si jo, që rrethohen me kopshte artificiale e pyje virtuale falë TV e monitorëve që iu kanë vënë. Po më i lumtur jam unë që si pensionist, falë afendikos tënd tek puna, i hyp urbanit sot për të shkuar në TEG, ku paguaj 200L biletën, për të më lënë në Stacionin Juglindor të Autobuzave, nga ku marr autobuzin e radhës për të ikur në Pogradec. Pale për të folur sa i lumtur jam unë sa herë vij të shoh pyllin satelitor të Tiranës, a ça lesh e quan ai atë, orbital mender, që i plasçin sytë i plasçin… E mirë që na e ka eklipsuar Tiranën duke na e palluar në beton, ku nuk shohim dritë dielli, po tani do të na instalojë dhe hëna mu në bulevard si për karrshillëk që të na bëjnë edhe ditën natë!”

Tirana ka bërë progres madhështor babagjysh, ti do ta shikosh vetë kur të vish. Përveç faktit se nuk ke për të njohur lagjet, pasi vit pas viti, bashkia me supermenin tonë lali Erin, kujdeset që të zhvillojë çdo hapësirë publike duke e transformuar si me magji nga shesh në godina shumëkatëshe! Sa herë debatojnë, gjyshi i thotë të tezes, “ia suli konen, SPAK-un padroni, ia skërmiti dhëmbët.” Po burri i tezes i kujton se çdo leje ndërtimi jo vetëm në Tiranë, por në gjithë Shqipërinë, nuk kalon pa miratim nga sulltani, aq sa dhe çdo bashki çon për marrje pëlqimi në AZHBT edhe çdo propozim për zhvillim nën 5000m2.

Nga ana tjetër, ekonomia e vendit është në lulëzim e sipër dita-ditës. Burri i tezes, gjithmonë lëvdon arritjet e qeveriut në mbështetjen e biznesit. Kur vjen xhaja im, që jeton në Gjermani, gjithmonë debatojnë me burrin e tezes, se xhaja i thotë që si ka mundësi që në marketet gjermane gjen suxhuk nga bosnja e turshi nga Kosova, ndërsa nga Shqipëria nji m**! Ai e pyet burrin e tezes, më thuaj ti një eksport të vendit tonë, përveç mallit! Këtë të fundit nuk e kam kuptuar çfarë është akoma deri më sot babagjysh, por kuptoj që përveç këtij mallit, vendi im me sa duket nuk shitka ndonjë send tjetër jashtë shtetit, të paktën sipas xhajës! Kurse Rustemi, komshiu që iu bashkohet për kafe, fillon e qahet: Na janë bo marketet si bursa e Wall Street-it, ku ndryshojnë çmimet e produkteve sa hap e mbyll sytë!”

Gjyshi më ka xhan shumë, por gjithmonë qahet për mua e brezin tim, pasi thotë se po na rrisin si minj në inkubatorë. Ai ka qejf të më marrë për dore e të dalim shëtitje, e thotë përse nuk dal me shokët rrotull lagjes, por unë i them që nuk ka nevojë se flas me shokët në playstation kur luajmë. Gjyshi më thotë shpesh, “ju do jeni brezi i betonit dhe playstation-it.” Pastaj ai më kthehet e thotë: Nuk ke faj ti mor xhan i gjyshit, ty të verbuan sot fëmijërinë, të shkretuan djalërinë, dhe një ditë do gdhihesh e do kuptosh që brezi i prindërve tënd e ndoshta edhe i gjyshërve, të dogjën të ardhmen në vendin tënd. Edhe ti do ngrihesh e do ikësh me të katra nga ky vend, e do bësh folenë tënde diku jashtë. Por mos harro kurrë prejardhjen tënde!

Me këto fjalë të gjyshit, heshtja mbulon si me pëlhurë të hirtë dhomën e pritjes deri hyn mami dhe e gris duke thirrur: “Dreka o gati! Boll llomotitët për çorbën e politikës po ejani hani çorbën tonë sa o e ngrohtë!”

Tani babagjysh, po e mbyll dhe unë duke shprehur dëshirën time e për 2025: Ma bëj Shqipërinë si Europa! Që dhe unë të dal e të luaj si kushëriri im në Gjermani, te këndi i lojërave të lagjes. Që dhe ne ktu te lagja të kemi kopsht me edukatore të përkushtuara me na dhënë mësim, edhe të bëjmë ekskursione në parqe e qytete ku të mësojmë mbi historinë e vendit tonë. Që rruga nga shpia te kopshti mos na shkojë 2 orë duke pritur në rrugë nga trafiku, e ku të ketë një vend parkimi para shpisë e shkollës që mos zbresim në rrugë. Ku të dalim në rrugë e të shohim prindërit tanë të qeshur e jo të ngrysur e gjithmonë me nxitim. Ku të ketë njerëz të sjellshëm e pa stres kudo!

Amin!

Të përqafoj babagjysh!

-###-

Tags from the story
More from Edi Sara

Last Tango in Paris (1972)

nga Anisa Vrenozi Regjisor: Bernardo Bertolucci Skenari: Bernardo Bertolucci & Franco Arcalli...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.