Sikur të mos mjaftonin ngjarjet jo fort të këndshme të këtij viti që lamë pas, duket se edhe bredhi i vitit të ri në Shqipëri u “stolis” me zbukurime të ndezura në të kuqe gjaku…
Dhuna në familje dhe dhuna bashkëshortore kanë vendosur të dalin përsëri në pah në mjedisin shoqëror shqiptar, duke dhënë një tjetër notë negative në sytë e ndërkombëtarëve, të cilët na kanë cilësuar nën petkun e një “shoqërie patriarkale”… Ky koncept në gjykimin e parë të trajtuar nga ana e etnografëve dhe linguistëve tanë, do të shihej nëpërmjet lenteve parimore si “vlera trashëgimtare tradicionale” dhe të “vyera të shoqërisë sonë”, duke lënë mënjanë kanotimin negativ modern socio-politik për të cilin përdoret sot.
Të dashur burra zemërlepur dhe të papërmbajtur, ju që shpeshherë vendosni të nxirrni “luanin tuaj të brëndshëm” kur jeni vetëm për vetëm me gruan ose femrën tuaj: Nuk është burrëri të tregosh dhe matësh forcën fizike me seksin më të dobët- pasi kjo është e vërtetuar me kohë në rrangun e kushteve natyrore dhe përzgjedhjes së më të fortit nëse i referohemi principive të teorisë Darviniste.
Ndonjëherë jo më kot thonë se fjala vret më tepër se plumbi! Nëse një burrë kërkon të matet me një femër për ç’farëdolloj arsyeje (qoftë ajo banale apo jo), le ta përballojë zemërimin e të mjaftohet nëpërmjet arsenalit të artilerisë gjuhësore. Nëse ai do jetë vërtet burrë fisnik, do ia dalë të triumfojë edhe në kushtet e “lojës së barabartë” me seksin e dobët. Le të përdorë “muskujt e mëndjes” për t’i bërë ballë tradhtisë bashkëshortore, ofendimeve apo fundja edhe “ardhjes në majë të hundës” prej gruas… por kurrë forcën fizike, pasi është përdhosje e vlerave të vetë fisnikërisë burrërore, vlera për të cilat burri Shqiptar është shquar ndër shekuj!
###