E keni pyetur veten ndonjëherë nëse ngjarjet në Shqipëri mund të kenë impakt në proçesin e Botërorit Brazil-2014?!
Absolutisht është e vërtet! Duket e habitshme në plan të parë, por nëse thellohemi dhe e shqyrtojmë më me kujdes këtë korelacion, do të kuptojmë që ka një lidhje mes Lazaratit, Holandës dhe negociatave të Kryeministrit tonë me përfaqësuesit e BE-së në Berlin.
Së pari, mos është koiçidencë që Holanda fiton 5-1 kundër ish-kampionëve në fuqi të botërorit, Spanjës së Del Bosque-s? Në fakt, Kryeministri Rama duket se e ka kaluar lajmin i pari në vesh të Pr. Francois Holland në Paris, për t’ia përçuar më tej qeverisë së tulipanëve e cila nga ana e saj, e ka përdorur si stimul për nxitje ndaj lojtarëve që përfaqësojnë kombëtaren e tyre sivjet në botëror. Dhe rezultati i këtij stimuli, nuk është nevoja që të komentohet, pasi suksesi tashmë dihet qartë…
Përflitet gjithashtu se një nga kushtet që kishtë vënë Hollanda për t’i thënë “PO” dhënies së statusit për vend kandidat brënda BE-së Republikës së Shqipërisë, ishte neutralizimi i “Republikës Autonome të Lazaratit” duke eliminuar konkurrencën dhe i hapur rrugë monopolizimit të prodhimit të marihuanës në BE.
Lazarati shihej me zili nga Holanda, për këtë arsye kërkuan të eliminohej ky “oaz i parajsës mesdhetare” që kish bërë kaq bujë e jehonë vitet e fundit në mbarë Europën.
Nga ana tjetër, mendohet se një pjesë e delegatëve që përbënin delegacionin Shqipëtar përpara përfaqësisë së Komisionit Europian, ka protestuar lidhur me sekuestrimin dhe neutralizimin e sasive të kapura të kanabisit të cilat dolën të jenë jashtë parashikimeve të policisë shumë më tepër në sasi. Të deleguarit kërkuan që sasia e kapur të blihej nga Hollanda në mënyrë që të kompensohej disi mundi i forcave të policisë, si dhe nisma e ndërmarrë nga qeveria socialiste. Kështu me vlerën e këtij malli, parashikohej nga të deleguarit që të përmirësonte dukshëm shifrat e defiçitit të import-eksportit, dhe të zbuste buxhetin e borxhit publik dhe huan e marrë nga FMN-ja.
Gjithsesi, kërkesa e tyre ra në vesh të shurdhët. Hollandezët jo vetëm që nuk pranuan, por të gjetur para një momenti të tillë historik ata vendosën të shpaguajnë dhe ofendimin që tifozeria shqiptare i pati bërë kombëtares hollandeze në vitin 2007 kur kryesohej nga van Nistelrooy. Kur ata luajtën në “Qemal Stafa”, pankarta të tilla si “Our Weed is Better than Yours” kishin prekur thellë sedrën e tulipanëve. Kështu ata kërkuan eliminim total të gjithë sasisë së kanabisit që parashikohej të zihej në Lazarat.
Është bërë e ditur gjithashtu nga disa autoritete të Amsterdamit, se Tiranës zyrtare do t’i jepet mundësi për të çelur negociata dy-palëshe për formimin e një komuniteti të ri “European Canabis Union” (ECU) ku të dy shtetet do të jenë themeluese dhe bashkërenduese të veprimeve të kësaj lënde të lehtë narkotike. Pjesë e kësaj marrëveshjeje parashikohet të jetë edhe bashkimi doganor i vëndit tonë me “portokajtë e Amsterdamit”, ç’ka do të sjellë efektin e njëjtë si BE- në vitet ‘60-’70 ndaj vëndeve fqinjë jo-anëtare të saj, të njohur ndryshe dhe si “spill-over effect” që mbështet teorinë funksionaliste të shpjegimit të BE-së në tërësi.
Mbetet që në vijimësi të ngjarjeve në ditët e ardhshme, Stefan Fule (komisioneri Europian për zgjerim) të japë një notë vlerësuese për forcat e rendit, dhe gjithashtu të diskutojë për mundësitë e ndërmjetësimit të shit-blerjes së sasisë së kapur të kanabisit në Lazarat, duke shpresuar që eliminimi të jetë bërë sipas parimit “të digjen vetëm gjethet e kalbura e jo-cilësore”- ku me cilësore ai ka nënvizuar:
“sipas standarteve Europiane të çertifikuara ISO: 9001-2008”!
——-
P.S. Mungesa e ndërhyrjes së policisë së shtetit Shqiptar në Lazarat muaj më parë, nga burime jo-zyrtare të administratës policore, janë shprehur se një kontigjent efektivësh të policisë së shtetit, përfshirë këtu komando të forcave RENEA dhe FNSH-së, kanë bërë një trajnim 3-mujor në Hollandë për dallimin, shqyrtimin, degustimin, njohjen e thellë dhe seleksionimin e gjetheve dhe rrënjëve cilësore të ashashit, në mënyrë mbarëvajtjen, rezervimin dhe përkujdesjen e duhur të lëndës narkotike Canabis që parashikohet të sekuestrohet në Lazarat.
-###-