… nga dy veta fillimisht, ishim bërë katër, e ndërkohë prisnim edhe dy të tjerë të na bashkoheshin. Sigurisht, për të gjithë lexonjësit e dashur ku shpirti kritik bash ngriti krye, struktura gjeometrike ovale e tavolinës dhe hapësira e bollshme e ambientit përreth, mundësonte socializimin tonë atë paradite konform masave profilaktike anti-covid të vendosura nga qeveria e këtushme për respektimin e distancave minimale sociale. E cila ishte arsyeja që na mblidhte duke sfiduar kufijtë e masave të imponuara nga qeveria ? -Asnjë arsye urgjente, thjesht si qënie sociale shqiptare vendosëm t’i bënim apel detyrës sonë qytetare për t’ju bindur ligjit, dhe të shtyrë nga dëshira për të diskutuar të rejat e vendit tonë, ftuam njëri tjetrin për të pirë atë që karakterizon psiko-patologjinë e plotë të kombit tonë të dashur. Tavolina shtrihej përpara nesh, e filxhanët e kafeve preheshin mbi mbulesë duke pritur me etje të mbusheshin…
Sapo mbërritën në sallë edhe dy miqtë e fundit, biseda vërshoi lirshëm. Secili prej nesh gjerbte kafen dhe jepte mendimet e veta mbi aspekte të ndryshme lidhur me të rejat e vendit tonë. Nuk ishin shumë me thënë të drejtën… e kam fjalën për të rejat. Në fakt, pasi morra fjalën një moment, shpreha keqardhjen në formë humori se e reja lind e vjetër dhe e vjetra vdes si risi në mëmëdheun tonë të dashur. Për më tepër, i tërhoqa vëmendjen bashkëbiseduesve të mi, se jemi pothuaj dy muaj para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, dhe objektivi i studiove mediatike më të mirënjohura në vend, nuk ka vënë në fokus ende asnjë panel me natyrë debatin politik. Mirë kjo, se dikush u hodh e tha se kjo heshtja e mediave tona dëfton se janë njësh me pushtetin, por problemi për mendimin tim, vijon më tej, duke vënë në dukje se kjo nuk është thjesht heshtje por devijim i mirëllogaritur i fokusit të teleshikuesve. Pra mediat vetëvërtetojnë se janë kazan mediatik, që gatuajnë çorbën që vetë pagëzori e shefi i tyre ju jep. Çartisja e vëmendjes tonë mediatike ka si synim të qartë shmangien e opinionit qytetar nga diskutimi i politikave publike që duhet të jenë epiqendra e debateve politike, të paktën formalisht përpara zgjedhjeve në një sistem demokratik. Ndërkohë në Shqipëri ku përqendrohet vëmendja e audiencës? Nëpër studiot televizive të cilat kanë vetëm një synim: djegien e kohës e devijim të vëmendjes. Nga ana tjetër, koha e djegur veçon dy shtresa kryesore të popullsisë sonë krenare: është luks i papërballueshëm për të kulturuarit ose sipërmarrësit të cilëve axhenda ditore i zë tërësisht kryefaqen e telefonit; ose është një dobi e madhe e cila shpesh kthehet e hobi për gjithë pjesën tjetër për të cilët po kursej listën e epiteteve. Mjerisht, shtresa e dytë dëshmoi qartë që mbizotëron popullsinë tonë, duke parë shikueshmërinë e këtyre emisioneve, kusia mediatike shqiptare gjeti kapakun e saj duke u ‘përputhur’ me audiencën!
E për çfarë të flasësh më tutje për sensibilizimin qytetar shqiptar ndaj masave anti-covid. Niveli i kërkesës së oksigjenit në tregun formal e informal dikton qartë koston që ka prodhuar mediokriteti dhe menefregizmi në masë. Është për të ardhur keq, por të paktën si çdo e keqe që e ka një të mirë, edhe kjo pandemi shërbeu si një letër lakmusi për popullsinë shqiptare urbane e rurale , e cila jo vetëm dëshmoi se ka mungesë O2 në kokë, por ndoshta vërehen edhe gjurmë heliumi nëse bëhen analiza të mëtejme, ç’ka do i jepte përgjigje kollaj pyetjes se si në shumë provinca jeta vijon normalisht sikur koha ka ndalur ende në 2018. Njerëz që ndeshen në rruge, ndalen, përqafohen e puthen, shkëmbejnë të falat, ftojnë njëri-tjetrin në kafe, shkëmbejnë duart, ngjeshen në rradhë kudo, ftojnë njerëz si në raste gëzimi apo hidhërimi etj.
Duke marrë shkas edhe nga pseudo-masat që qeveria shqiptare ka vendosur të aplikojë qysh prej nëntorit të kaluar, me orare biznesi deri në 20:30 ose 22:30, në një kohë kur gjithë shtetet Europiane kanë mbyllur kafenetë dhe restorantet, i propozoj qeverisë që moton e turizmit për 2021 ta vendosë: Vizito Shqipërinë, oazi ku covid nuk ka depërtuar! (Visit Albania, an oasis where covid has not penetrated!) Por domosdo, kur një lider është përpara zgjedhjeve, vendos ekonominë mbi shëndetin publik. Është biznesi ai që do kontribuojë në arkën e shtetit përmes taksave të vjelura, si dhe do sponsorizojë fushatën për favore të mëvonshme. Shëndeti publik kurdo e kudo për cilëndo qeveri është një barrë për buxhetin publik.
Pavarësisht masave drastike e deri diku e qesharake (si kur nxorri blindat në shesh verën që shkoi), KM arriti ta frenonte shpërhapjen pa-fre të virusit (kjo u brohorit edhe nga mediat ndërkombëtare). Mbas dy muajsh izolim, kur shqiptarët lajthitën duke mos pasur mundësinë të ushtrojnë sportin kombëtar, pirjen e asaj të zezës kafe, filluan të protestojnë e të shprehin hapur pakënaqësinë. Nuk doni masa?!- tha kryetari… Po ju dolët aty ku doja unë! Hapini të gjitha! Kështu edhe biznesi qëndroi hapur, edhe shqiptari vazhdoi bëri adetin! Qeveria ++! Populli ynë heroik ka manifestuar qartë durimin e tij pakufi ndaj çdo skandali politik që ka ndodhur, ndaj korrupsionit në nivele të larta (gjyqtarë e prokurorë që dalin nga sistemi me të drejtë mbajtjen e pasurisë dhe ushtrimin e profesionit e konsulencës juridike private, ose deputetë ordinerë që marrin mandatin e kur zbulohen thjesht lënë mandatin), ndaj reformës zvarranike të drejtësisë që Brukseli po eksperimenton në inkubatorin e minjve shqiptarë, ndaj batërdisë së ndërtimeve që vijon dita ditës duke çuar përlesh edhe vetë përsheshin e dalë nga sheshi, e mes shumë të tjerave në fund edhe ndaj vetë të ashtuquajturës opozitë jashtë-parlamentare duke toleruar e heshtur ndaj një kryetari që e ka udhëhequr PD-në nga humbja në humbje, duke trumbetuar fitore imagjinare e duke folur andralla të cilat do i quaja gomarllëqe por kam frikë se ofendoj dinjitetin e kësaj kafsheje punëtore. Ndaj gjithë këtyre e të tjerave që nuk po i përmend, pasardhësit e Skënderbeut, mëmëdheu i Nënë Terezës (Gonxhe Bojaxhiut) e shumë figurave të tjera historike apo aktuale, heshtin, durojnë. Por kur erdhi puna tek mbyllja e kafeneve… aaaaaaamani shokëëë e shoqeee amaaaniiii …. Na vidhni, na copëtoni vendin, talleni menderen me ne nëpër ekrane e në parlament, por mos guxoni të na mbyllni kafenetë! KALUAT KUFIRIN KËTU! E PADURUESHME!
Në këtë moment, njëri prej miqve ngriti filxhanin me lezet, e me shumë ëmbëlsi thotë: Gëzuar shqipe, të kemi shëndet fizik e psiqik, dhe ardhtë dita të kemi mundësinë që të kontribuojmë jo vetëm me ide, por dhe me vepra në atdhe. Dhe kjo kafja jonë, pjesë e sportit kombëtar është, por e sprovuar në durim!
- Amin! -Amin! – Amin! -Amin!
- Tani për ta mbyllur, -shtova unë, ka ndonjëri ndonjë bast se kush fiton zgjedhjet?
- More djalë, po koefiçientët e basteve janë bllokuar që në 2013, ke vetëm një lojtar në fushë, se siç e the edhe vetë më parë, popullit tonë sot nuk i intereson politika por thashethemet, kronikat rozë dhe emisione për të djegur kohën pa lodhur trurin!
- Hahah- e drejtë, por i ashtuquajturi lideri opozitës shqiptare uroi plot pompozitet e duke hequr dhe dorezat e etikës së komunikimit politik, diplomatik e mediatik, uroi KM e sapo ri-zgjedhur në Prishtinë duke shtuar se është i lumtur që do ketë mundësinë të bashkëpunojë me të në të ardhmen e afërt duke forcuar bashkëpunimin midis vendeve tona!
- Ehuuuuu …. e di si është kjo lulja tonë opozitare? E merr e i thua: hajde vëmë bast, kokë fitoj unë, pil humbet ti! -Dakord thotë!
- Hahahha
- Të qeshim miq, pasi e vetmja alternativë tjetër mbetet të vajtojmë e marrim kujën!
- Koncentratin e bisedës tonë të dashur miq, ju premtoj se do e hedh në letër! Të ndajmë opinionin me patriotët tanë!
E kështu edhe ju miq të mi që patët ‘padurimin’ të na ndiqnit deri këtu, ju falenderojmë për vëmendjen!
-###-