nga Patrioti
I dashur babagjysh!
Fjalët e mia për ty këtë vit do jenë të thata, të athta e të ftohta… Goja dhe gjuha ime e kanë harruar shijen, janë bërë të plogështa pasi kanë kohë që sytë shohin vetëm varfëri e mizëri në këtë dynja që na rrethon… Prandaj dhe dëshirat e mia të cilat shtyhen nga imagjinata dhe ëndërrat, janë po aq të varfëruara pasi siç thotë një fjalë e vjetër, goja flet në përpjestim me syrin…
Dëshira ime këtë vit do ishtë të sillje një dritë të madhe të padukshme për syrin e shqiptarit (ndryshe siç është zakoni, do shuhej nga kritika e komentet pa filluar të rrezatojë dritë mirë) në mënyrë që t’ju shërbejë si llambadan ndriçues fillimisht për mëndjen, e më pas edhe për zemrën e tyre.
Do doja që sa herë të dilja shëtitje, të shifja njerëz të kapur dorë për dore, të lirshëm në muhabet dhe në zgjedhjet e tyre, pa patur frikë nga përgojimi… Mendimi negative për njëri-tjetrin në formën e paragjykimit do bëje mirë ta fashitje njëher e përgjithmonë në këtë shoqëri të ndrydhur mendërisht, emocionalisht e seksualisht…
Gjithashtu, duke qëndruar brënda listës sime të kursyer i dashur babagjysh, do doja që t’ju hiqje njerëzve të sotëm etjen e madhe për pushtet dhe urinë e madhe të parasë që ka pushtuar xhepat e zaptuar mëndjet e tyre, dhe vendin e dëshirës materialiste ta zëvendësosh me dëshirën e madhe për dituri, vlera dhe progres individual e shoqëror…
Mbi të gjitha, do kisha dëshirën dhe lutjen më të madhe që ti të rizgjoje, kultivoje dhe zhvilloje ndjenjën e hershme të atdhedashurisë për Shqipërinë në zemrën e çdo shqiptari, qoftë ai i djathtë apo i majtë, i krishter apo mysliman, verior apo jugor, mjaft që ta dojë vëndin e tij njësoj e të punojë e të rrojë për të parë frytet e mira të punës së tij si kontribut të përbashkët shoqëror… Dhe kur të vijë dita që Shqipëria të njihet ndërkombëtarisht si vend i zhvilluar dhe ndoshta kunati yt nga Bashkimi Europian do pranojë t’i japë statusin në një të ardhme të afërt apo të largët, kjo do të vijë si rezultat i punës individuale i çdo bashkëkombësi tim shqiptar, kurdoherë e kudo që të jetë. Atëherë çdokujt do i shkrepëtijne sytë plot krenari, pasi çdokush do ketë dhënë një pjesë nga vetëvetja për këtë progres që vendi do arrijë.
Po e mbyll këtë letër me shpresën e madhe që kjo do mbërrië tek ty pa shumë ndalesa rrugës, pasi morra vesh që të paktën drerët e tu e kishin kryer kolaudimin vjeshtën që shkoi e nuk iu desh të kalonin nga ura ndë-kontinentale që inxhinierët e ministrisë sonë të transporteve kanë ndërtuar si dhuratë për festat e fundvitit për popullin tonë. Sa për dhuratat, mos ki merak se në doganë do taksohesh siç i takon çdo pakoje, për alkoholin dhe duhanin me akcizën e re, dhe për mallrat e lluksit akord taksës së re në varësi të mallit të origjinës (shpresoj mos t’i kesh të prodhuara NON-EU se kanë filluar me ligjet e taksat e teto Merkelit!!!).
P.S. Edhe një gjë o babagjysh se për pak harrova.. Kriza dhe varfëria më duket se ka kaluar edhe majat e përfytyruara nga njerëzit e ka prekur edhe mbretërinë tënde e të elfëve ku ti ndodhesh dhe dëgjova gjithashtu që për këtë arsye ti ke zbritur nga lart në disa raste e ke grabitur e vjedhur disa banka e argjendari. Nëse kjo është e vërtetë, atëher harroji dëshirat e mia më lart. Dua vetëm një gjë nga ty: Rruaje mjekrën, vish një kostum dhe hajde në mbretërinë tonë politike të shqip-elfëve!
-###-